100 personalitetet e gomarit të madh
Xhafer Martini
Roman
Botimet M&B
ISBN: 978-9928-353-93-1
Faqe: 104
Çmimi: 600 lekë
Gomari i Madh kërkoi karakteristikën në mbledhjen e përgjithshme të gomerëve të fshatit të lindjes.
– Tani u kujtove ti për fshatin tënd të lindjes? – e pyeti një gomaricë plakë Gomarin e Madh dhe shtoi:
– Ke njëzet vjet që nuk ke shkelur këtu. Nëna dhe babai të vdiqën pa u qëndruar asnjë minutë te koka, kështu të vdiqën edhe dajallarët, xhaxhallarët, vëllezërit dhe kushërinjtë dhe ti nuk je dukur. As edhe një libër nuk ke ardhur ta promovosh në këtë vend të dashur ku kalove fëmijërinë.
– Ç’të vijë?- ia priti një gomar plak, – ai nuk ka shkruar as edhe dy rreshta për vendlindjen e tij. Nuk ia duam librat.
Mbasi e bënë për ujë të ftohtë me diskutime të kësaj natyre, karakteristikën ia dhanë, por të zezë, blozë, katran, duke e quajtur mendjemadh, mosmirënjohës, mospërfillës, delenxhi, homoseksual etj. Ia qëndisën e zeza mbi të bardhë. Shënuan aty edhe një rast të dyshimtë, se gjoja kishte lënë me barrë një gomaricë të re dhe nuk e kishte marrë për grua. Ia shënuan në karakteristikë edhe mospjesëmarrjen në pesëmbëdhjetëvjetorin e Shoqatës së Gomarëve të Krahinës, i shkruan se kishte qenë mësues aq i pafatë sa nxënësit nuk e linin as të japë mësim, pa bërë fjalë për cilësinë e mësimdhënies; i shkruajtën, më në fund, se si njeri me të meta fizike: pordhmadh dhe hundëtërheqës, nuk duhej të bënte pjesë në armatën e mësuesve. Figura e mësuesit është përlyer nga një si ky, prandaj duhet të ndërrojë zanat dhe të mos qaset më në asnjë shkollë.
Për Organizatën Bazë të Gomarëve të Krahinës, firma: Gomari më i Vjetër i Zonës, nderuar me medaljen Krenaria e Zonës.
Kau Zrrak nuk u habit shumë kur lexoi këtë karakteristikë. Në shumicën dërrmuese të rasteve ata të bazës kështu karakteristikash bënin për bijtë e tyre që donin të ngjiteshin në hierarkinë diturore ose shtetërore. I tërhiqnin për t’i mbajtur dhe nuk u jepnin një të shtyrë për t’u ngjitur. Në rastin e Gomarit të Madh ajo karakteristikë mund të ishte e vërtetë, por, duke u nisur nga shumë të tjera, Kau Zrrak nuk e përfilli. Këtu duhen llogaritur edhe lutjet dhe përgjërimet e Mëshqerrës Laramane, për t’ia plotësuar dëshirën Gomarit të Madh që të jepte mësim në shkollën e Minjve të Arave. Por edhe pse e bëri këtë veprim që nga shumica e kafshëve u konsiderua në lartësinë e dinjitetit të Kaut Zrrak, ky i fundit, porositi Mëshqerrën Laramane, të cilën tashmë e kishte marrë sekretare personale, që të bënte një pyetësor për Gomarin e Madh që ky të përgjigjej me shkrim. Do të ishte një farë interviste. Kau Zrrak donte të bindej për mendjen e tij se, ashtu vesh më vesh, pëshpëritej se kjo kafshë ishte fare pa tru. Mëshqerra Laramane e përgatiti pyetësorin:
- Çfarë kujtimesh të mira dhe të këqija ruani nga fëmijëria?
- Kur ishit adoleshent kishit ndonjë vetëdije se çfarë mund të bëheshe në jetë?
- Thuhet që qeniet e gjalla i shtyjnë përpara për t’u dalluar: egoizmi, interesi, urrejtja. Cila nga këto të tria të ka shtyrë përpara, apo asnjëra?
- Keni thënë se në shkollë, sidomos në shkollën e lartë, keni qenë rebel. Përse u bëre i tillë: për të rënë në sy, për të mënjanuar ndonjë kompleks inferioriteti, për drejtësi apo për çfarë tjetër?
- Ju lexoni, kjo dihet: po për çfarë lexoni: për të kaluar kohën, për të mësuar ose për ndonjë arsye tjetër?
- Dashuria e xhelozia a janë si nëna dhe si bija, apo mund të ekzistojnë pa njëra –tjetrën?
- Sinqeriteti është i shpifur apo ekziston? Po morali për çfarë i shërben qenies: për ta penguar apo për ta ndihmuar të ecë përpara?
- Po të ishte e mundur ta fillonit jetën nga e para, do të ndiqni këtë rrugë nëpër të cilën keni ecur, apo do të ndiqni ndonjë rrugë tjetër?
- Besoni në Zot apo jo? Si e përfytyroni Zotin?
Gomari i Madh e konsideroi provim me shkrim atë intervistë, se në fakt e tillë ishte. U futën në një sallë ku Kau Zrrak, një herë në javë mblidhte drejtorët e arsimit të rretheve dhe u mbante një fjalim të shkurtër. Vetë ulej në tryezën e madhe, në kolltuk, kurse drejtorët e arsimit në karriget që kishin në mes një tryezë shumë të gjatë në të cilën mund të zenin vend pesëdhjetë vetë. Ja, në atë tryezë, në vendin ku ulej Kau Zrrak, u ul Mëshqerra Laramne, kurse Gomari i Madh në njërën prej karrigeve në tryezën e madhe. Mëshqerra Laramane i vuri para nja dy letra të bardha format, i dha stilolapsin e vet dhe i tha të shkruante përgjigjet për secilën pyetje që i bëhej në intervistë që ishte printuar nga Laptopi i Mësherrës.
Gomari i Madhe e kuptoi se duhej marrë seriozisht puna. I tha sa kohë kishte në dispozicion për ato pyetje dhe Mëshqerra Laramane tha se për dy orë duhej të mbaronte punë, se përgjigjet duhet të ishin të shkurtra, vetëm esencë, duke iu larguar frazeologjisë boshe. Të ftoj të jesh i sinqertë në përgjigje se edhe kjo do të merret parasysh. Për dy orë Gomari i Madh mbaroi punë dhe dorëzoi letrat që i kishte mbushur me shkrimin e tij garraveshur por, për çudi, të lexueshëm.
* * *
As në shkollën e re Gomari i Madh nuk e ndjeu veten më mirë. Edhe aty, si në tri shkolla të tjera nuk gjeti qetësi e rehati. Drejtori i Arsimit e kuptoi se Gomari i Madh nuk kishte të dhëna për mësues. Për të mos e pushuar nga puna, e caktoi inspektor arsimi, që të kontrollonte mësuesit e tjerë. Kështu vepronte Kau Zrrak, prandaj arsimi pësoi një rënie të madhe dhe pothuaj u bë inekzistent, si në kohën kur Elefanti i Madh kishte dhënë urdhër të mbylleshin të gjitha shkollat, përveç atyre në qytete të mëdha. Por edhe si inspektor i arsimi Gomari i Madh nuk pati fare sukses. Ai zihej me mësuesit për vërejtjet e kota që bënte. Disa prej tyre i kishin dhënë një dru të mirë dhe e kishin nxjerrë nga klasa. Kau Zrrak vendosi ta pushonte dhe urdhëroi sekretaren e zyrës, Dhinë Bishtëçupë që të bënte urdhrin me shkrim. Me ardhjen e Mëshqerrës Laramane kjo kishte mbetur si sekretare e dytë e Kut Zrrak, megjithëse ishte shumë më e zonja se Mëshqerra Laramane që rrinte gjithë orarin zyrtar duke u krehur. Kur i ra shkresa në dorë, Gomari i Madh, mbasi qau tre sahatë, me lotët ende të pathara në fytyrën e tij gjatoshe, shkoi te Mëshqerra Laramane dhe iu përgjërua që të ndërhynte te Kau Zrrak.
– Mua nuk më pyet kush, edhe pse jam sekretarja e parë e Kaut Zrrak. Shkresën nuk e kam bërë unë, por ajo tjetra, Dhia Bishtçupë. Megjithatë, unë do ta them fjalën time.
Kau Zrrak kësaj here u tregua i vendosur dhe i tha Mëshqerrës Laramane që për këtë lutje mos t’i shkonte më në zyrë.
– Unë vij nga dashuria që kam për ty, – u përkëdhel ajo dhe la të kuptohej se kësaj here, për të prapësuar urdhrin, ajo nuk do t’i jepet vetëm përkëdhelje, por do ta linte të bënte edhe dashuri.
Kau Zrrak rezistoi shumë të mos dorëzohej para lutjeve të saj, por, më në fund, e prapësoi vendimin. Po ku ta çonte tani me punë Gomarin e Madh?! Si inspektor arsimi e kishte zëvendësuar me Kacadrenin e Verdhë që mësuesit ia kishin frikë ta kundërshtonin edhe kur nuk kishte të drejtë. Ai kishte kafshuar në buzë një mësues. Plaga nuk i ishte shëruar ende, vazhdonte të rridhte qelb. Menduan të dy me Mëshqerrën Laramane se për cilin vend pune ishte i përshtatshëm Gomari i Madh.
– E gjeta, – tha e entuziazmuar Mëshqerra Laramane, – të bëhet shef i kabinetit pedagogjik të rrethit, të merret më kualifikimin e mësuesve.
Vendi ishte bosh se Pëllumbi i Shkretëtirës, shefi i mëparshëm, kishte zënë një vend në Akademinë e Shkencave si gjeograf gjeolog. Kau Zrrak e aprovoi propozimin e Mëshqerrës Laramane.
Gomari i Madh u ndje i lumtur kur u ul në kolltukun e shefit të kabinetit pedagogjik. Këtu nuk kishte asnjë punë për të bërë. Kau Zrrak kishte ndërmend të bënte një reformë në arsim dhe se, me këtë rast, do të shkurtonte shumë vende puna. Kabineti pedagogjik nuk kishte pse të ekzistonte, por, derisa të vinte ajo ditë, le të ngrohte vezët Gomari i Madh. Aty ai nuk prishte punë se, për të rregulluar, nuk kishte çfarë të rregullonte.