Nga i biri, Shuip Markja
I përkiste një brezi që përjetoi shumë dhe foli pak; një brezi që nuk kërkoi të dëgjohej, por që la gjurmë të qarta në ata që erdhën pas. I la tek ne — dhe ndoshta i la edhe te ajo fjali e fundit e një mbrëmjeje të zakonshme vere, që sot më duket si përmbyllje e gjithë jetës së tij.
Ka njerëz që nuk kanë shkruar libra, por vetë janë libra të gjallë. Jetët e tyre nuk rrëfehen me kapituj, por me kujtime që mbarten në heshtje dhe përcillen me zë të ulët, si një amanet. Një i tillë ishte baba im, Shiqiri Markja.
E ndiej si një borxh moral të shkruaj për të — jo sepse jeta e tij ishte e jashtëzakonshme në dukje, por sepse ishte thellësisht domethënëse. Ai i përkiste një brezi që përjetoi shumë dhe foli pak; një brezi që nuk kërkoi të dëgjohej, por që la gjurmë të qarta në ata që erdhën pas. I la tek ne — dhe ndoshta i la edhe te ajo fjali e fundit e një mbrëmjeje të zakonshme vere, që sot më duket si përmbyllje e gjithë jetës së tij.
‘Kryet e Shkallës’ dhe koha e fjalës
Kujtimi i tij nis gjithmonë në të njëjtin vend: në ballkonin që e quanim “Kryet e Shkallës”. Aty ku mbrëmjet zgjateshin pak më shumë, ku hijet shtriheshin mbi Korab dhe ku fjala nuk kishte ngut. Ai i peshonte fjalët, si dikush që nuk donte t’i shpërdoronte. Por mjaftonte një pyetje e vogël dhe jeta e tij fillonte të hapej, e plotë, e pandalur — pa zbukurime, pa ankesa, me një qetësi që vetëm përjetimi i gjatë mund ta japë.
Kur e pyeta si e gjente ende forcën për të ecur, ai vuri dorën mbi gju — si ai që mat fjalët para se t’i lëshojë, dhe tha:
“Falë Zotit, për moshën që kam, jam mirë me shëndet… veç kjo këmba më pengon se do hecja edhe ma shumë.”
Një fjali e thjeshtë. Por brenda saj kishte një jetë të tërë përvoje, luftëra, internim, aksident, dhe dyzet vjet punë me protezë në këmbë. Baba nuk dinte të llogariste humbjet. Ai dinte vetëm të vazhdonte.
Sal Markja dhe një botë që kishte rendin e vet
I lindur në vitin 1938, baba mbante në kujtesë një botë fëmijërie që sot duket e largët. Ishte një rend i thjeshtë, por i qëndrueshëm; ku toka, bagëtia dhe familja ishin një e vetme, ku puna ishte ligj dhe nderi mënyrë jetese.
Në qendër të asaj bote qëndronte një emër që baba e përmendte gjithmonë me respekt të heshtur: Sal Markja, gjyshi i madh, fillimi i gjithçkaje.
Gjysh Sala kishte ardhur nga fshati Zogje, kishte blerë Bomovën, kishte ngritur kullën e re dhe kishte sjellë aty gjashtë djemtë e tij. Kullën e vjetër e kishte lënë në Zogje, si njeri që di se ku shkon por nuk harron se nga vjen. Prej atyre gjashtë djemve kishte lindur një fis i tërë — kushërinjtë, nipërit, gjithë ata njerëz që e quanin veten me emrin e atij vendi.
“Ne nuk ishim fshat si fshatrat e tjerë; ne ishim një familje.”, thoshte baba i përmalluar, tek kujtonte si solidarizoheshin të mirëmbanin fshatin, si kishin dhuruar tokë për xhami e shkollë.
Dhe kjo nuk ishte metaforë. Ishte mënyrë jetese.
Katër punëtorë ndanin punën e tokës — njëri me dhentë, tjetri me dhitë, dy në arë. Nëna — nga Kovashica e Maqellarës — merrej me bletët. Ai, si i vogël që ishte, kujdesej për qengjat.
Ishte një varfëri pa mungesë dinjiteti, ku secili e dinte vendin e vet dhe ku mjaftonte të punoje për të jetuar me kokë lart.
Kur e pyeta si e krahasonte atë kohë me të sotmen, baba qeshi lehtë — me atë buzëqeshjen e burrave që kanë parë shumë — dhe hapi librin e kujtimeve që s’kishte fund. Kishte mbajtur mend çdo gjë: mësuesit Skënder Dacin, Faton Dacin, Medat Camin në Dibër, i cili njëherë u kishte treguar se ekziston radioja. Kujtonte edhe pleqtë e fshatit që pinin raki e qeshnin me të sepse nuk e besonin në atë që u kishte mësuar mësuesi në shkollë.
“Nuk dinin njerëzit atëherë se si po ndryshonte bota.”, shtoi me tolerancë për kohën e shkuar.
Kur bota hynte në shtëpi
Në atë botë të thjeshtë kishte vend edhe për një ushtar italian me emrin Andon Omori (siç e kujtonte baba), të mbetur mes luftës, që për dy vjet e gjysmë u bë pjesë e përditshmërisë së tyre. Punoi me ta si të ishte i tyre dhe la kujtimin e parë të një gjuhe të huaj: pane, siç i thonin italianët bukës.
Kaq. Një fjalë e vetme. Por për babën, ajo mbeti si kujtimi i parë i një bote më të gjerë — një botë që hynte në shtëpi përmes njerëzve, jo përmes librave, si për të na mësuar që gjuha e huaj mësohej me bukën e ndarë në sofër.
Ishte një kohë e varfër në mjete, por e pasur në njerëzi.
Kur historia kthehet në plagë
Por historia nuk i kurseu.
“Vështirësitë dhe vuajtjet e vërteta nisën pas luftës.” – shtoi mendueshëm.
Pas luftës, rendi i tyre u përmbys. Ajo që kishte qenë dikur pasuri, u bë faj. Shtëpia u bastis, toka u mor, familja u shpërbë. Nata nuk ishte më pushim, por frikë. Në trup mbeti shenja e një dhune të rastësishme, në shpirt ajo e një kohe të padrejtë. Burgosja e të atit dhe e xhaxhait, internimi i familjes, humbja e gjithçkaje — nuk ishin thjesht ngjarje, por një çarje e thellë në vazhdimësinë e jetës.
Kur fliste për komunizmin, baba nuk ngrinte zërin. Nuk kishte nevojë. Përkundrazi kujtonte me qetësi se si pasuria u kthye në faj, si komunistët hynin natën në shtëpi dhe shkëputnin dërrasat e dyshemesë duke kërkuar armë, se si pushka e mbështetur e një partizaneje kishte rrëshqitur dhe i kishte çarë ballin. E tregonte këtë pa dramë, duke treguar shenjën:
“Ja, këtë shenjën në ballë e kam prej asaj nate.”
Ishte dëshmi në trup — e qetë, e palëvizshme, e papërmbytur.
Por ajo çarje në ballë ishte vetëm fillimi.
Të atin dhe xhaxha Dautin i burgosën. Familja u internua — fillimisht në Mono Sela, pastaj në Veles, pastaj në Gradsko. Tokat iu konfiskuan dhe iu dhanë kushërinjve me qëllim të qartë: të përçajnë familjen nga brenda.
— “Na trajtonin si armiq të popullit”, tha pa zë të ngritur.
Pa shenja. Dhe pikërisht aty qëndronte pesha — jo në mënyrën e të thënit, por në mënyrën e të jetuarit me të.
Njëri nga kujtimet që baba e mbante ndryshe nga të tjerët ishte vizita në burg. Si fëmijë, shkoi me tren nga Velesi në Manastir të takonte të atin dhe t’i çonte ushqim. Policët ia morën ushqimin dhe e hodhën në tokë. I ati u gëzua kur e pa, por nuk mori asgjë nga ajo që i kishte sjellë i biri.
Në atë skenë të thjeshtë përmblidhej e gjithë padrejtësia e kohës në fëmijërinë e tij. Megjithatë, ajo që mbeti nuk ishte vetëm dhimbja e padrejtësisë. Ishte qëndresa.
Letrat si jetë
Në një tjetër drejtim, mbyllja e kufirit ndau familjen nga të afërmit. Për vite të tëra nuk pati asnjë kontakt.
Në internim, mes varfërisë dhe pasigurisë, familja gjeti mënyrën për të mos u thyer. Pak para, pak ndihmë nga të afërmit. Më pas erdhën letrat. Nga Sakipi, Qemali, Emini…
“Emini ishte mësues në Maqellarë dhe na shkruante letra shumë të bukura. Fëmijët i lexonin shumë shpesh.”
Ato letra të shkruara nga duar të njohura, që lexoheshin e rilexoheshin si të ishin vetë njerëzit që mungonin, nuk ishin thjesht fjalë: ishin zëra, ishin prani, ishin mënyra e vetme për të mbajtur gjallë lidhjen me gjysmën tjetër të familjes — atë gjysmën që kufiri kishte prerë, por që kujtesa nuk e lëshonte. Ishin fijet e holla që mbanin lidhur jetën me shpresën.
Rinia, ushtria dhe vëllezërit e zgjedhur
Pas daljes nga ajo periudhë, jeta nuk u bë më e lehtë. Humbja e të atit, i rraskapitur nga torturat, ishte një tjetër plagë.
Rinia e tij erdhi në një kohë të vështirë, por ai nuk u ndal. U martua me Hatixhen nga familja Kaja, dhe ndërtoi një jetë të re mbi rrënojat e së vjetrës.
Dy vjet ushtri në Kroaci i dha miqësi të forta, që ai i quante vëllazëri dhe i mbajti gjithë jetën: Shaip Zeka nga Gjilani — vëlla i dëshmorit Kadri Zeka — dhe Avni Orhani nga Kranja e Prespës.
Më pas, një aksident pune i mori këmbën, si një goditje e dytë e fatit. Ishte momenti kur gjithçka mund të kishte marrë fund. Por nuk ndodhi kështu. Sepse pranë kishte një grua që nuk e la të rrëzohej dhe një forcë të brendshme që nuk dinte të dorëzohej.
“Mos u mërzit. Unë do të punoj katër herë më shumë dhe do ta përballojmë.”, e kishte mbështetur Hatixheja.
Ai e ndërtoi jetën nga e para, me një ritëm të ngadaltë, por të qëndrueshëm. Një punë e thjeshtë në arkën e ndërmarrjes tregtare “8 Shtatori”, e mundësuar nga kryetari i Dibrës, Abdul Vojnika, u bë vendi ku ai vendosi një rregull të palëkundur: të jetonte me nder. Për dyzet vjet, pa zhurmë dhe pa pretendime, ai mbajti një vijë të drejtë në një botë që shpesh e humbte drejtimin.
Nuk ishte hero në kuptimin e madh të fjalës, por ishte diçka më e rrallë: një njeri që nuk e tradhtoi veten.
Drejtësia e vonuar
Në fund, jeta i dha atë që ai kishte kërkuar gjithmonë në mënyrën më të thjeshtë: familjen e ngritur mbi arsim dhe punë.
“Prej familjes tonë ka doktorë, inxhinierë, profesorë, ekonomistë, ambasadorë, biznesmenë…”, tha me krenari të qetë prindërore.
Fëmijët e shkolluar e të sistemuar në jetë, nipa e mbesa të mirëformuar u bënë dëshmia më e qartë se mundi nuk kishte qenë i kotë. Ishte një lloj drejtësie e vonuar, por e merituar.
Bomova — rrënja që mbetet
Megjithatë, rrënjët e tij mbetën gjithmonë në Bomovë — fshati rreth lumit Drin, ku ajri kishte erën e fillimit. Aty ajri ishte më i pastër dhe gjumi më i thellë. Aty toka kishte kujtesë dhe një mënyrë të veten për të qetësuar njeriun. Aty ishte fillimi i gjithçkaje dhe, në një farë mënyre, edhe kthimi. Sepse edhe kur jeta e çoi në qytet, ai kthehej shpesh — si për t’u siguruar që fillimi nuk ishte humbur.
Një jetë e thjeshtë, një mendje e zgjuar
Në përditshmërinë e tij kishte një thjeshtësi të qëndrueshme. Çdo ditë lexonte gazetën “Koha”. Dikur “Rilindjen”. Një herë në muaj lexonte “Rrugën e Arbërit”. Dhe librat e shkrimtarëve dibranë si Mois Mura, Nuri Koleci, Atli Dema, Kadri Dema, Bashkim Lleshi, Munir Hoxha…
Ishte një njeri që nuk bëri zhurmë, por nuk u shkëput kurrë nga kuptimi i jetës. Ishte lexuesi i heshtur i historisë së vet…
Dëshira e fundit
Biseda e fundit me të cilën e mbaj mend ishte e thjeshtë, si gjithë jeta e tij. Fjalë të thjeshta. Pa retorikë. Por me peshën e një jete të jetuar deri në fund.
Dielli po perëndonte. Ai me të vërtetë ishte lodhur. Me shenjë në ballë, me protezë në këmbë, me gazetën “Rruga e Arbërit” në dorë, dhe me Bomovën e Drinin në zemër, lagu buzën me raki dhe tha:
“Ishalla të njefi t’hapet tuneli i Murrizit, të shkoj edhe njëherë n’Tiranë drejt, pa hipur atje n’atë bajpas.”
Kjo fjali e thjeshtë për tunelin e Murrizit nuk ishte vetëm një dëshirë për një rrugë më të lehtë. Ishte dëshira për një jetë pa kthesa të detyruara, për një rrugë të drejtë, ashtu siç kishte qenë vetë jeta e tij — e vështirë, por e ndershme.
Gjurmët që mbeten
Në fund të bisedave me babën, kur fjala qetësohej dhe dita mbyllej, mbetej gjithmonë një thelb i thjeshtë, i përmbledhur në pak urtësi për brezat e rinj:
“Ma s’pari ta duan vendlindjen, tokën e tyre, se për tokë bëhen luftërat. E dyta të shkollohen, djemtë dhe vajzat. Dhe çdo gjë që të punojnë, ta bëjnë me nder.”
Sot, ai nuk është më mes nesh. Por ajo që la pas nuk është vetëm kujtim. Është një mënyrë për ta parë jetën me qetësi, me dinjitet, pa zhurmë dhe pa kompromis me të drejtën. Një kujtesë se dinjiteti nuk është luks, por zgjedhje; se nderi nuk është fjalë e vjetër, por themel; dhe se një njeri mund të humbasë shumë, por nëse ruan drejtësinë brenda vetes, nuk humbet kurrë plotësisht.
Sepse në fund, nuk janë vitet që mbeten. Janë gjurmët që lë njeriu në jetën e të tjerëve dhe në tokën që e ka rritur.
“Duajeni Atdheun dhe punoni me nder.”
✍️ Redaktoi dhe përgatiti për botim: Elsa Bitri