Setki Jashari – poeti i dashurisë


Nga Halil RAMA

Maqellara, djep i artit dhe kultures, apo siç njihet edhe si Myzeqeja e Dibrës, veç resurseve të shumta natyrore për ta konsideruar perlë turistike, shquhet në rang kombëtar edhe për resurset e shumta njerëzore e intelektuale.

Pikërisht, vendlindja e personalitetit të shquar Iljaz Pashë Dibra – Qoku, i cili më 10 qershor 1878 kryesoi mbledhjen e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe që njihet për kontributin e tij madhor për çështjen kombëtare shqiptare, ndër shekuj, vite e dekada ka  nxjerë personalitete të shquara të fushave të ndryshme.

Njëri prej tyre është edhe poeti dhe prozatori Setki Qemal Jashari nga fshati Kovashicë i Maqellarës, i cili, pas dy romaneve të mirëpritur nga lexuesi e kritika letrare, “Emigranti fisnik” e “Meteori ndëshkues”, dhe librit me novela e tregime “A gjykohet dashuria”, vjen si befasi në botën letrare edhe me vëllimin poetik “VEGIME DASHURIE”(Botim i “M&B).

Këto katër libra u promovuan bujshëm në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me pjesëmarrjen e dhjetra përfaqësuesve të elitës krijuese dibrane e të metropolit shqiptar, të cilët fillimisht ndoqën dhe vlerësuan dokumentarin “SETKI JASHARI – POETI DHE PROZATORI I DASHURISE DHE I DHIMBJES NJERËZORE” (me skenar dhe regji nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh”), në të cilin spikaste interpetimi mjeshtëror i disa poezive të këtij autori nga ikona e kinematografisë Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, si dhe profilizimi i autorit nga gazetari i mirënjohur Kamber Faruku dhe intelektuali nga Maqellara Demir Osmani. 

Ish-Ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami, përveçse vlerësoi krijimtarinë e autorit u bëri të ditur pjesmarrësve se edhe Jasharët e Prekazit të Heroit Legjendar Adem Jashari janë të një origjine me Jasharët e Kovashicës së Maqellarës.

Ndërkohë deputeti i Dibrës Lavdrim Krashi, pasi përgëzoi autorin S.Jashari të katër librave, shprehu mbështetjen e tij maksimale ndaj krijuesve letrarë dhe artistëve dibranë.

Më të larmishëm e bënë këtë veprimtari promovuese me interpretimet e disa këngëve, diva e këngës popullore e qytetare Dibrane Liri Rasha –Mjeshtër i Madh, dekoruar edhe me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”,  këngëtarja Kristina Ndoja dhe këngëtari Lirim Hoxha.

Fjalë zemre dhe vlerësime maksimale për krijimtarinë letrare të S.Jasharit shprehën edhe Prof.Aleksanda Pasko, Dr.Besnik Rama, poeti Përparim Luca e këngëtarja Burbuqe Çuni.

Për krijimtarinë letrare  produktive e cilësore, poeti dhe prozatori Setki Q.Jashari u vlerësua me Çertfikatë Mirënjohje nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, e cila ju  dha autorit nga kryetari i kësaj shoqate Z.Bashkim Lami.

MOMENTET PSIKOMENTALE TË TRANZICIONIT SHQIPTAR NË PROZËN E SETKI Q. JASHARIT

Në tri dekada tranzicion të tejzgjatur, shqiptarët, ndoshta si asnjë komb tjetër, veç të tjerash përjetuan dhimbshëm, madje dhe tragjikisht plagët e rënda të emigracionit klandestin. Ky realitet i trishtë ka shërbyer si subjekt i dhjetra tregimeve, novelave e romaneve të autorëve, të njohur, por edhe të rinj. 

Setki Q.Jashari, që bën pjesë tek këta të fundit, ka shkruar dhe botuar romanin “Emigranti fisnik”, ku në 266 faqe të tij trajton me mjeshtri artistike ngjarje dhe episode, produkte të kësaj plage të rëndë shoqërore. Prandaj dhe redaktori i romanit Prof.Kujtim Xhebexhiu shkruan në parathënien e tij se: “Në këtë vepër, gjithçka vjen e gjallë, reale, gati në natyrale dhe lexuesit i duket sikur i ka njohur me kohë personazhet e këtij romani, disa prej të cilëve, me shpirt mizor, i urren në kulm dhe ca të tjerë i simpatizon dhe i dashuron. Këta të fundit gdhenden në kujtesën e lexuesve, duke lënë mbresa të pashlyeshme. Patjetër kjo është meritë e autorit që arrin të skalisë figura të tilla mbresëlënëse … ».

E tillë është krijimtaria e Setki Jasharit, si dhe e qindra shkrimtarëve të tjerë dibranë, të cilët, krenarë për origjinën dibrane të  Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu kanë shkruar e botuar vepra letrare dinjitoze.  Ndaj jo më kot artisti i madh dibran Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit” në çdo promovim do ta nisë fjalën e tij: DIBËR-LIBËR… Dhe Setki Jashari është njëri prej krijuesve dibranë që nderon Dibrën, familjen e tij, shoqërinë. 

Këto ditë ai botoi librin e tij të katërt, romanin: “Meteori ndëshkues”, për të cilin Dr.Hajri Mandri, ndër të tjera vlerëson paraqititjen e momenteve psikomentale të fazës më të vështirë të tranzicionit shqiptar. Sipas redaktorit Mandri: “Personazhet që autori sjell në këtë vepër janë përfaqësues të veçantë të grupimeve shoqërore, në sjellje të përkundërta, në përplasje deri në konflikte të hapura dhe hakmarrjeje, si motive të dobëta shoqërore që prodhon konteksti social në tranzicion, sidomos kur shteti dobësohet dhe krimi e korrupsioni i mbivendoset sistemit ku grabitësit dalin në rrugë ditën për diell.  Dilemat dhe iluzione të ndryshme lindin në psikologjinë dhe mënyrën e të menduarit. Është një revolucion i vërtetë psikomoral që përfshinë shoqërinë, ndaj ngjarjet në roman janë mjaft intensive dhe me të papritura…..”

KATËR VEÇORI NË POEZINË E S.JASHARIT

Veçanërisht, poezisë, autori Setki Jashari i është përkushtuar që në rininë e tij…Më së miri e profilizon atë si poet, gazetari, politologu dhe diplomati i mirënjohur Kamber Faruku, i cili si edhe qindra krijues dibranë, edhe Setkiun e  ka evidentuar dhe promovuar që në vitet ‘’80-të të shekullit të kaluar kur drejtonte sektorin e kulturës në gazetën “Ushtima e Maleve”.

Ndërsa nga parathënia ime për vëllimin poetik “Vegime dashurie”, folësit në këtë promovim vlerësuan identifikimin e katër veçorive në poezinë e Setki Jasharit: Poezi ku mbizotëron tema e dashurisë; Poezi ku shprehet krenaria kombëtare; Poezi me temë sociale dhe Poezi meditative-filozofike.

Këto veçori dalloheshin fare qartë edhe në poezitë që interpreton ikona e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, diva e skenës Margarita Xhepa – Nderi i Kombit.

Veçoria e parë: Poezi ku mbizotëron tema e dashurisë

Padyshim që në këtë vëllim me titullin sinjifikativ “Vegime dashurie”, shumica e poezive trajtojnë temën e dashurisë. Si të tilla ato përshkohen nga dashuria, një ndjenjë magjike kjo dhe e mrekullueshme.

Veçoria e dytë: Poezi ku shprehet krenaria kombëtare 

Nëse në evente festive gjithkush ndjen krenari të ligjshme nga brohoritjet entuziaste “O sa mirë me ken’ shqiptar, o hej!!!”, autori i këtij libri, krenarinë për kombin e shpreh në vargje kuptimplote si: “Asht një vend n’zemër t’Ballkanit/ Asht një vend në mes t’Evropës/ Asht një vend ma i bukuri i botës/ Sot e mot ka veç një emën/ E ka emnin “Shqipëri”… Padyshim kjo është një poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor të këtij autori. Këtu poeti i mbetet vetëdijshëm krenarisë kombëtare; Shqipëria është shënjtëria për të, që nuk e ndërron me asgjë tjetër.

Veçoria e tretë: Poezi me temë sociale 

Plagët sociale të një shoqërie në tranzicion zënë vend të veçantë në poezinë e Setki Q.Jasharit. Kështu, në poezitë e titulluara: “M’ka marrë malli, nanë”, “Sot  jemi më keq se kurrë”, “Nuk ka ma keq”, “Ah pleqëria” etj, përveçohen dhe përçohen konceptet filozofike të këtij autori për vazhdimësinë e jetës, për familjen dhe shtetin e së drejtës.

Veçoria e katërt: Poezi meditative-filozofike 

Në vëllimin “Vegime dashurie” dallohen gjithashtu disa poezi meditative-filozofike. Kështu, nëse tek pezitë me tutull: “Sot fola me detin”, “Kafeneja e fshatit”, Reflektim dashurie” e “Çaste mërzitie” ndeshim në karakterin meditativ (poeti mediton), në disa poezi të tjera si “Më mirë poet se sa mbret”, “Poeti dhe i marri”, “Poetët janë hyjnorë”, “Ku je fshehur Iz” dhe “Trishtimi i poetit”, evidentojmë qartë mendimin filozofik të këtij autori tashmë të sprovuar.

VENDLINDJA, FRYMËZIMI I PËRHERSHËM I S.JASHARIT

Për Setki Jasharin, frymëzim i përhershëm ka qenë vendlindja e tij, Maqellara. Ka shkruar shumë për të e për njerëzit e saj, si dhe për viktima të emigracionit klandestin e të trafikut njerëzor, ashtu siç i ka përjetuar gjatë viteve që ka kaluar si emigrant në Greqi e Itali,  dhe po ashtu Ai ka kontribuar që për vendlindjen e tij të institucionalizohet një ditë feste – DITA E MAQELLARËS, e cila përshfaqej qartë dhe me nota optimiste në dokumentarin që çeli këtë festë të promovimit të katër librave të tij.

Falë mbështetjes së familjes së tij të mrekullueshme, bashkëshortes Liries, djalit Tarzanit (emigrant në Angli) dhe dy vajzave, Selira e Angjela, Setki Jashari i është përkushtuar totalisht procesit krijues,  duke i dhënë lexuesit një produkt letrar cilësor në dy romane, një libër me novela e tregime dhe vëllimin me poezi “VEGIME DASHURIE”…

Këto katër libra janë dhurata më e mirë e Setki Jasharit për lexuesin në ditëlindjen e tij të 60-të, në vigjilje të së cilës e urojmë përzemërsisht:

Jetofsh mbi një shekull, më këtë vitalitet e shpirt krijues që keni aktualisht, me shëndet të plotë e mendje të kthjellët..dhe me lumturi pafund.

SA BUKUR ME QENË SHQIPTAR

Asht një vend n’zemër t’Ballkanit

Asht një vend në mes t’Evropës;

Asht një vend ma i bukuri i botës

Sot e mot ka veç një emën

E ka emnin “Shqipëri”…

 

Asht një vend ku lind shqiponja

Asht një vend ku rriten trima;

Asht një vend ku rriten zana

Sot e mot zemër bujari

E ka emnin, Shqipëri….

 

Sa e bukur vjen pranvera

Oh, sa bukur ndriçon Dielli…

Manushaqja çel ndër ferra

Çel mimoza, çel qershia

Sa e bukur asht, Shqipëria….

 

Oh sa vapë, ban në verë…

Freskon deti, joshën mali…

Piqet dardha, piqet mani

Korret jonxha, korret gruni

E pra, ky vend, që thua ti

E ka emnin, Shqipëri….

 

Sa lezet ka kur vjen vjeshta

Vilen mollët, vilen vreshta

Plot me djathë, mbushen vedrat

Plot me drithë, plot me turshi

Parajsa vetë është, kjo Shqipëri….

 

Pa vjen dimni plot lezet

Në oxhak vorba gërhet

Piqet gështenja, pastërmaja

Çahen arra, pihet verë e raki

Rrofsh e qofsh moj Shqipëri!

 

Bijt’ e shqipes kur martohen

Dhe perënditë në qiell gëzohen

Ka lezet vallja, ka lezet kënga

Jemi Kastriotas, jemi krenarë

Oh, sa bukur me qenë Shqiptar….

JU PRET SHQIPËRIA

O Zot! O perëndi!

Pse po vuan kjo shoqëri?

Qan flamuri, qan Shqipëria

Ikën djem, ikën bija…

 

Ku po ikni fëmijët e mi?

Pse po m’lini në vetmi?

Do të vdes pa ju parë

S’ka njeri t’më fusë në varr.

 

Kudo t’shkoni nëpër botë

Nuk do t’gjeni si kjo tokë,

Do të gjeni atje gjithçka

Nënë e babë, atje nuk ka…

 

Do të lozni do të qeshni

Por atdhenë mos e shani!

Ç’ju do barku do të hani

Por atdheun mos e harroni!

 

Mos harroni babë e nënë!

Se dhe ju do t’ju përzënë

Mos harroni, o djem e bija!

Sot e mot ju pret Shqipëria.