Tre organizata mjedisore: “SHERM – Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisor”, “Agro Eko-Dibra” dhe “Changing the Future”, me mbështetjen e “Green-AL” zbatojnë projektin në rajonin e Dibrës
Nga Bujar Karoshi
Danjel Bica, Maksim Hajrullaj dhe Ilir Poçi, tre drejtuesit e organizatave mjedisore që kanë zbatuar projektin “Wild Dibra – Monitorimi dhe Ruajtja e Biodiversitetit në Rajonin Dibër” bëjnë bilancin e një viti pune. Dhe ata duket se janë të kënaqur, jo vetëm se kanë monitoruar ekosistemin në parkun natyror Korab-Koritnik, por më e rëndësishmja është se në kamerat e tyre kurth kanë rënë kafshë të rralla dhe të rëndësishme për biodiversitetin e rajonit.
Rajoni i Dibrës është një nga zonat me vlera të veçanta natyrore në Shqipëri. Malet, pyjet, kullotat, lumenjtë, liqenet dhe habitatet e shumta krijojnë kushte për një biodiversitet të pasur dhe për praninë e një numri të konsiderueshëm speciesh të egra.
Pikërisht për të njohur më mirë këtë pasuri natyrore, për ta monitoruar dhe për të rritur përgjegjësinë e komunitetit për mbrojtjen e saj, po zbatohet projekti “Wild Dibra – Monitorimi dhe Ruajtja e Biodiversitetit në Rajonin Dibër”, i cili shtrihet në territorin e bashkive Bulqizë dhe Dibër. Projekti zbatohet nga “SHERM – Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisor” në bashkëpunim me “Agro Eko-Dibra” dhe “Changing the Future” me mbështetjen e “Green-AL”.
SHERM, e cila drejtohet nga eksperti i mjedisit Danjel Bica, është organizata e parë mjedisore në rajonin e Dibrës që ka kryer monitorimin në pyje me kamera kurth, dhe deri më tani ka identifikuar mbi 10 kafshë të rralla në rajon.
Nga njohja e territorit te monitorimi i faunës
“Një nga qëllimet kryesore të projektit është monitorimi i faunës së egër dhe evidentimi i pranisë së specieve në territor”, thotë për gazetën “Rruga e Arbërit”, Danjel Bica.
Për këtë qëllim janë zhvilluar ekspedita dhe dalje në terren, janë identifikuar zona me rëndësi për biodiversitetin dhe janë përdorur kamera kurth, të cilat mundësojnë dokumentimin e kafshëve të egra pa ndërhyrë në habitatin e tyre.
“Monitorimi me kamera ka sjellë të dhëna të rëndësishme për praninë dhe lëvizjen e gjitarëve të egër, duke përfshirë specie si derri i egër, dhelpra, macja e egër, nuselala dhe lepuri i egër”, thekson Bica.
Të dhënat e mbledhura në terren nuk shërbejnë vetëm për të fotografuar kafshët, por për të kuptuar më mirë ku jetojnë ato, cilat zona përdorin dhe cilat korridore ekologjike ndjekin.
Në fokus: Rreqebulli i Ballkanit dhe dhia e egër
“Monitorimi i dhisë së egër, si një nga speciet karakteristike të zonave malore të Dibrës, ka qënë një nga qëllimet e projektit tonë”, thotë Danjel Bica, drejtues i SHERM.
“Gjatë monitorimeve në terren janë pikasur individë të dhisë së egër dhe janë mbledhur të dhëna mbi strukturën e grupimeve dhe përdorimin e habitatit”, thekson Bica.
Sipas tij, “monitorimi është veçanërisht i rëndësishëm sepse ruajtja e specieve të egra nuk mund të bëhet pa njohur më parë gjendjen e tyre dhe pa ndjekur ndryshimet e popullatave në kohë”.
Përsa i përket Rreqebulli të Ballkan, deri më tani kamerat kurth nuk kanë kapur ndonjë individ, ndaj do të duhet akoma shume punë për dokumentimin e tij.
“Deri me tani kemi arritur të identifikojmë edhe dhinë e egër si Mbreteresha e shkëmbijve, pjesë e territorit të parkut natyror Korab-Koritnik, por na duhet edhe shumë punë për identifikim e Rreqebullir të Ballkanit”, thekson Danjel Bica, drejtues i SHERM.
Liqeni i Zi, Bulqizë, një zonë me rëndësi të veçantë
Liqenit të Zi në Bulqizë është një zonë me vlera të rëndësishme natyrore dhe biodiversitet të pasur, ndaj projekti i ka kushtuar një vëmendje të veçantë.
“Në këtë zonë, – sipas Maksim Hajrullaj, drejtues i Agro Eko-Dibra, – synohet mbledhja e të dhënave mbi biodiversitetin dhe identifikimi i specieve dhe habitateve me rëndësi për ruajtje.
Hajrullai thotë se “qasja e projektit është që zonat me vlera të larta natyrore të mos shihen vetëm si hapësira të bukura për t’u vizituar, por si ekosisteme që kërkojnë monitorim, menaxhim dhe mbrojtje afatgjatë”.
Deri më tani, në zbatim të projektit, në terren janë identifikuar disa lloje kafshësh si: ariu, kaprolli, ujku, lepuri, macja e egër, derri i eger etj.
Takime me komunitetin dhe aktorët lokalë
Ilir Poçi, drejtuesi i organizatës “Changing the Future” thotë se “mbrojtja e biodiversitetit nuk mund të realizohet vetëm përmes punës në terren. Për këtë arsye, një pjesë e rëndësishme e projektit ka qenë zhvillimi i takimeve informuese dhe konsultimeve me komunitetin, aktorë lokalë, të rinj dhe grupe të interesuara për mbrojtjen e natyrës. Në këto takime është diskutuar mbi rëndësinë e biodiversitetit të Dibrës, kërcënimet ndaj faunës dhe habitateve, prerjet e pyjeve, zjarret, dëmtimin e habitateve dhe veçanërisht problematikën e gjuetisë së paligjshme”
“Qëllimi është që komuniteti të mos jetë thjesht spektator, por të bëhet pjesë e mbrojtjes së natyrës”, thekson Poçi.
“Stop Gjuetisë”: ndërgjegjësim kundër gjuetisë së paligjshme
Në kuadër të projektit është zhvilluar edhe fushata “Stop Gjuetisë”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit mbi pasojat që gjuetia e paligjshme ka për popullatat e kafshëve të egra dhe ekosistemet.
“Mbrojtja e faunës nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve”, thotë Bica. “Ndaj, kërkohet bashkëpunim i komunitetit, organizatave të shoqërisë civile, strukturave vendore dhe të gjithë aktorëve që kanë lidhje me territorin”.
Të rinjtë, pjesë e rëndësishme e projektit
Një tjetër element i rëndësishëm i Ëild Dibra ka qenë përfshirja e të rinjve. Të paktën 33 të rinj ishin pjese e Kampit Veror dy ditor të zhvilluar në Parkun Korab-Koritnik për tu njohur dhe vlerësuar habitatet natyrore të zonës.
“Përmes aktiviteteve informuese, edukative dhe në terren, të rinjtë janë njohur me biodiversitetin lokal, mënyrat e monitorimit të kafshëve të egra dhe rëndësinë e mbrojtjes së habitateve”, thotë Ilir Poçi nga organizata “Changing the Future” me qendër në Peshkopi.
Aktivitete të tilla synojnë të krijojnë një brez të ri që e njeh territorin ku jeton dhe e kupton se mbrojtja e natyrës është një investim për të ardhmen.
Nga të dhënat në terren drejt vendimmarrjes
“Një nga qëllimet kryesore të projektit është që të dhënat e mbledhura të mos mbeten vetëm në raporte”, evidenton Maksim Hajrullaj nga organizata Agro Eko-Dibra.
“Informacioni mbi praninë e specieve, habitatet dhe kërcënimet ndaj tyre synohet të përdoret për dialogun me institucionet vendore dhe aktorët përgjegjës për menaxhimin dhe mbrojtjen e territorit. Në këtë mënyrë, monitorimi i biodiversitetit kthehet në një instrument për vendimmarrje: sa më shumë të dimë për natyrën tonë, aq më mirë mund ta mbrojmë atë”, thekson Hajrullaj.
Çfarë kemi arritur deri tani?
Tre drejtuesi e organizatave mjedisore bëjnë bilancin e një punë të projektit. Dhe disa nga rezultatet e tyre mund ti përmbledhim si më poshtë:
- Monitorimin e faunës së egër përmes kamerave kurth dhe vëzhgimeve në terren, si: dhia e eger, kaprolli, ariu, ujku, derri i egër, kunadhja, baldosa, lepuri, dhelpra, macja e egër. Të gjitha këto kafë janë një pasuri e madhe e parkut natyror Korab-Koritnik.
• Evidentimin e specieve dhe gjurmëve të pranisë së tyre;
• Mbledhjen e të dhënave për lëvizjen e kafshëve dhe habitatet e tyre;
• Monitorimin e specieve me rëndësi të veçantë, përfshirë dhinë e egër;
• Vëmendjen ndaj zonave me rëndësi për biodiversitetin, përfshirë Liqenin e Zi, Bulqizë dhe Radomirë;
• Zhvillimin e takimeve informuese dhe konsultimeve me komunitetin;
• Ndërgjegjësimin kundër gjuetisë së paligjshme përmes fushatës “Stop Gjuetisë”;
• Përfshirjen e të rinjve në aktivitete mjedisore dhe monitorim;
• Forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve institucionalë;
• Promovimin e idesë se mbrojtja e biodiversitetit duhet të mbështetet në të dhëna, monitorim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim.
Wild Dibra: atë që nuk e njohim, nuk mund ta mbrojmë
“Puna për biodiversitetin nuk përfundon me një fotografi të një kafshe apo me një aktivitet ndërgjegjësues”, ve në dukje eksperti Danjel Bica nga shoqata “Ekspertët e rinj mjedisorë”.
Për Bicën, “çdo fotografi nga një kamerë kurth, çdo gjurmë e gjetur në terren, çdo specie e evidentuar, çdo takim me komunitetin dhe çdo i ri i përfshirë në këto aktivitete përbën një pjesë të një mozaiku më të madh: njohjen dhe mbrojtjen e natyrës së Dibrës”.
Wild Dibra synon të krijojë pikërisht këtë lidhje mes shkencës dhe komunitetit, monitorimit dhe vendimmarrjes, të rinjve dhe natyrës.
Dibra ka një pasuri natyrore që nuk është vetëm trashëgimi e së kaluarës. Ajo është një përgjegjësi për të ardhmen.
Wild Dibra do të thotë ta njohim natyrën, ta monitorojmë dhe ta mbrojmë së bashku.
Organizatat kanë botuar në fund në tetor 2025 edhe një manual “Kafshët e egra dhe rëndësia e mbrojtjes së biodiversitetit në rajonin e Dibrës”, ku kanë evidentuar kafshët dhe bimët e rrezikuara ose në rrezik në parkun natyror Korab Koritnik.
Manuali mbyllet me një serë rekomandimesh për hapat që duhen ndjekur, në mënyrë që të ruhen flora dhe fauna e rajonit, kjo pasuri e madhe e biodiversitetit në rajonin e Dibrës.