Për poezinë e Avni Ndreut


Gjurmë në fjalë

Avni Ndreu

Poezi

Botimet M&B

ISBN: 978-9928-353-89-4

Faqe: 144

Çmimi: 500 lekë

Nga Halil RAMA

Opinioni i gjerë publik e ka njohur dhe e njeh më shumë si artist, si kërcimtarin e koreografin më të mirë të qindra valleve me motive nga të gjitha trevat e Shqipëisë e të arbëreshëve të Italisë. E njeh si ndër themeluesit e udhëheqësin artistik të të parit edicion të “Odës dibrane” dhe po ashtu si themeluesin dhe drejtuesin e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- Nderi i Kombit, ansambël ky që në 10 vitet e fundit ka fituar dhjetra çmime të para e trofe në festivale kombëtare e ndërkombëtare, si në Turqi, Ulqin, Shkup, Strugë, Kërçovë…. Ai është vlerësuar me titujt “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, “Nderi i kulturës dibrane”, “Ambasador ï paqes”, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Ky është Avni Hazis Ndreu…. 

Më 11 nëntor 2022, Avni Ndreu u promovua edhe si poet i shumëtalentuar. Për poezinë e tij foli elita krijuese dibrane.

NJË  “ODË POETIKE” BRENDA SHTËPISË SË BABAIT

Prof. Dr. Gafur Muka, redaktor i librit “Gjurmë në fjalë”, padyshim që do të prezantonte në këtë event analizën më profesionale e kualitative. Sepse në gjykimin e tij, të shkruash poezi duhet ti krijosh ato nëpërmjet proceseve: ndjej, mendoj, mbushem, guxoj dhe …shkruaj. Duke arsyetuar kështu, ai shpreh bindjen se: “Avniu e ka ndjerë poezinë që në fëmijërinë e tij, madje edhe menduar e recituar atë. Ai e ka dëgjuar fjalën poezi në një formë që pak veta kanë fatin ta dëgjojnë: kur donte të luante si kalama, kur i vinte për të qarë apo për të qeshur po si kalama atij i është thënë: pusho mor voc, lerë babën rehat se po shkruan! Dhe ai që po shkruante ishte Hazis Ndreu. Dhe Hazis Ndreu ka shkruajtur edhe poezi. Dhe Avni Ndreu i ka lexuar herët poezitë e tij. Ai i ka lexuar me zë e pa zë, i ka mësuar përmendësh, ua ka recituar edhe shokëve, kur ata ja kanë kërkuar një gjë të tillë.  Dhe kështu, Avniu e gjeti poezinë qysh kur ka qenë kalama. Por ai e ka gjetur poezinë ashtu siç e shkruante Haziz Ndreu. Poeti ynë i sotëm ka dëgjuar t’ja vlersojnë poezinë e të atit shoqëria e tij, pastaj lexuesit e shumtë të poezisë së H. Ndreut deri dhe Dritëro Agolli. Në këtë klimë, Avniu ka filluar të krijojë vargje e strofa, të cilat gjithesi nuk ishin si ato të babait. Ndaj, ai edhe kur i shkruante i griste dhe përpiqej t’i harronte”. 

Për redaktorin Muka, në vëllimin “Gjurmë në fjalë” që hapet me poezinë “Elegji” kushtuar Haziz Ndreut, duket që vargjet janë shkruar me veneracion për gjithë veprën poliedrike të babait, nga i cili ai trashëgon fantazinë krijuese, ritmin marramendës dhe shpirtin poetik. Ndaj dhe prof.G.Muka vlerëson që krijimtaria poetike e Avniut është në rrjedhën e të atit, duke krijuar nëpërmjet saj një “odë poetike” brenda shtëpisë së babait.

“Duke e lexuar vëllimin poetik ‘Gjurmë në fjalë’ konstaton që tematika e tij është fort e larmishme. Të duket se je futur në një bahçe me mollë dibre, ku jo vetëm pemët por edhe kokrat janë të ndryshme edhe në formë edhe në shije. Aty gjen patrotizmin, profesionin, politikën, dashurinë, idhnimin, pëlqimin, ironinë, llafin nën mutaf etj”, tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Prof.dr.Gafur Muka. Pasi e ka skanuar këtë libër, ai konkludon se “Poezia e Avniut është avniane (bio), është racionale dhe është e sinqertë. Poezia e Avniut nuk ka formatim tematik, nuk ka metrikë të ngurtë apo rimim standard e klasik. Ajo është poezi e ndjenjës spontane, e kualifikimit cilësor të ndjenjës, e konvergjencës racionale poetike”. Po, prof.Muka ka të drejtë kur shprehet se “Edhe pse neve dibranëve kjo poezi na përthith si dibranë ajo është poezi përthithëse për të gjithë ata që shqiptojnë fjalën VENDLINDJE”.

POEZI ME NUANCA LIRIKE

Si autor i këtyre radhëve ndjehem i vlerësuar nga organizatorët e këtij eventi, për faktin që në programin e tij kishin planifikuar që edhe unë të shprehja vlerësimin tim për nuancat lirike në poezinë e Avniut. Këto nuanca i ndeshim pothuajse në tërësinë e lëndës së këtij vëllimi me titullin sinjifikativ «Gjurmë në fjalë » . Ato na vijnë si : «aromë luleshqerre e aromë lulebore/, shtruar në odat e burrave/ në të sertat kulla malësore… » që në fillimin e librit, me elegjinë kushtuar Nderit të Kombit Hazis Ndreu – krenari dibrane dhe mbarëkombëtare, për vetë trashëgiminë letrare, kulturore, artistike e studimore, në shtratin e së cilës ecën mirëfilli, i biri Avniu – Mjeshtër i Madh. Ky poet tashmë i mirënjohur, pasi prej vitesh ka prezantuar krijimtarinë e tij në rrjetet sociale, e finalizon atë me këtë vëllim, ku në dhjetra poezi shfaq lirizmin nëpërmjet përjetimeve të veta si: gëzimeve, dëshirave, shpresave, vuajtjeve dhe zhgënjimeve. 

Kësisoj, nuancat lirike dallohen në poezinë «Ata sy/Ajo vetull harkuar/Si gjerdan/ Trup e shpirt zbukuruar ».. ku risi janë strofa me vargje dy e katër fjalëshe, poezi kjo e llojit dhe stilit të veçantë, mjaftë e pëlqyer dhe preferuar nga lexuesi.

Po në këtë linjë është edhe poezia «QESH », ku Avni Ndreu me nota lirike filozofon me të qeshurën, spse sipas tij : 

« E qeshura/ Dhe diellit/  i jep/  shkëlqim../ Jetës/ Hare/ Gaz/ kuptim… ».  

Por më të spikatura janë nuancat lirike në poezitë e identifikuara nga vetë autori, si të tilla, nga të cilat veçojmë ato me titull: “FUSHA E KORABIT», «STINA E DASMAVE», «VALËZ E JONIT», «LIQENI MAGJI », «DILEMË BUKURIE», «JU TË DY», «CUCË E DIBRËS»,etj.

Ndërkohë mund të konsiderojmë si perla poetike poezitë e Avni Ndreut të mbështetura në motivet popullore, si «NUSEHËNA», «CUCËMIRA», «SHEJTANKË», «ÇIKË E KOSOVËS», «BUZË E SY», «KUJT TI FALEM» etj.

Kësisoj, poezia e Avni Ndreut, e menduar lirisht dhe shkruar profesionalisht, paraqitet si një nga veçantitë në poezinë moderne shqipe.

Poezia e tij është prezantimi më i ndjeshëm i një mëvetësie estetike të rrafshit të epërm, është lodrimi me fjalën në tërësi, si figurë dhe si mendim, është një dremitje e ëmbël nëpër metafora, siç është kompozimi artistik i një jete të plotë njerëzore, të një jete me një përditshmëri mungesash që e trishtojnë dhe e bëjnë të vuajë poetin. 

VARGUi Avni Ndreut është bio në çdo vjershë…/ Edhe kur na e ringjall të Madhin Hazis Ndreu…./ Edhe kur jeton me Dibrën nga agim në agim…/ VARGU i tij…/ I ëmbël…/ I butë…/ NJERËZOR…

Vargu i tij është bio…/ Edhe kur vargëzon aq bukur për dr.Benin…/ Edhe kur uron të bijën për ditëlindje…/ Edhe kur të dashurës i thotë: Ç’të kam bërë?!!!

Ja pra, pse është kaq madhështor ky poet i këngës…

VARGU i tij të magjeps../ Kur  shkruan  “PËR ATA SY”…/ Ashtu siç të mallëngjen/ tek “Poezitë e Drinit”…

Ai luan me valën../ Dhe puth shtojzavalle…/ Kur shkruan për Rozafën…/Dhe Cucat e Dardhës….

VARGU i Avni Ndreut është bio…/ Edhe kur rebelohet…Për Mosmirënjohje”……..

VARGU i tij bio../ Na sjell aromën dehëse të blirit…/ Nga bulevardi i ëndrrave dhe shpresës…../ Dhe flladin…/ Nga Fush’ e Korabit…/ Herë me zë bilbili…/ Herë me magji kavalli…

Ja, pra: Ky është “poeti bio” AVNI HAZIS NDREU…

 POETI QË TË DETYRON TË PUNOSH PËR LIBRIN 

ME PËRKUSHTIM, PASION DHE DASHURI

Një tjetër emër i mirënjohur në fushën e botimeve, Bujar Karoshi – themelues dhe drejtues i “M&B”, botuese e librave të më shumë se 300 autorëve të njohur, jo vetëm dibranë por nga e gjithë Shqipëria, pasi e falenderoi Aviun për besimin që pati për botimin e librit  “Gjurmë në fjalë” e vlerësoi atë si njërin nga bashkëpunëtorët më të mirë në një proces botimi. Kjo sipas tij, për faktin se ky autor të jep besim dhe të vendos në një pozicion që të detyron të punosh për librin me përkushtim, pasion  dhe dashuri.

“Ajo që dua të evidentoj te Avniu është këmbëngula e tij, puna e tij e madhe për të qenë dikush, për të qenë një emër në fushën e kulturës dhe traditës popullore. Dhe këtë e ka arritur, pasi me grupin e tij të valleve po përfaqëson Shqipërinë ne arenën ndërkombëtare.

Por Avniu, përmes punës, ka zgjidhur edhe një nga dilemat e mëdha që shpesh bëhej në odat dibrane: Se cila është më e vështirë, me qenë baba i mirë apo djalë i mirë.

Avniun, siç e thotë edhe në një nga vjershat e tij,  e ka shoqëruar emri i mirë i babait gjatë gjithë jetës – dhe do vazhdojë ta shoqërojë sa të jetë gjallë, por vetë është bërë edhe më i mirë, sepse ka vazhduar traditën e babait, duke mos lënë të humbasë as emri dhe as puna e Hazisit.

Dhe kjo e dyta, pra puna, është një e mirë kombëtare, e cila do të bëjë që të mos harrohet edhe emri i Avni Ndreut”,- e mbylli fjalën e tij Bujar Karoshi. 

Pas tij, aktori dhe regjisori i mirënjohur i dhjetra dokumentarëve televizivë në RTVSH, Llesh Nikolla – Mjeshtër i Madh, me interpretimin mjeshtëror të disa poezive të poetit Avni Ndreu, ngriti peshë dhe ngjalli emocione tek më shumë se 200 pjesëmarrësit në këtë promovim.

Në këtë event, si festë e poezisë avniane u mirëprit dhe u duatrokit fuqishëm edhe Liri Rasha gjatë interpretimit të këngës “Amaneti”. E identifikuar si zëbilbili i Dibrës dhe për talentin e saj të rrallë krijues, Liri Rasha, e dekoruar nga Presidenti i Republikës me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, njihet edhe si bashkëpunëtore e ngushtë e Avni Ndreut. Ndaj dhe mirëpritet e duartrokitet në veprimtari të tilla promovuese.

Ndërkohë, në këtë eveniment të ideuar dhe kombinuar edhe me elementë të show-u artistik nga moderatori i shumëtalentuar, ikona e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, Defrim Methasani lanë mbresa me interpretimin e tyre virtuoz edhe këngëtarja Erida Stana dhe flautistja Livia Bushpepa.

Dhe s’kish se si të mbyllej ndryshe festa e poezisë avniane, veçse me performimin e një kolazhi vallesh nga artstët e Ansamblit Artistik që mban emrin e të Madhit Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, që drejtohet nga i biri artist dhe poet Avni Ndreu – Mjeshtër i Mëadh dhe Presidenti i këtij Ansambli Muharrem Gjoka Mjeshtër i Madh dhe “Nderi i Qarkut”Dibër.

ELEGJI

(Kushtuar babait tim Haziz Ndreu )

 

Shpirtin e derdhe ndër tela,

Këngën maleve ua fale.

Krahët ia more shqiponjës

E i bëre flatra në valle.

Zërin ta fali bilbili,

Ti forcë i dhe si Anteu.

Bjeshkëve jehonte kumbimi,

Heej! Po këndon Haziz Ndreu!

Vargun e flladite gurrave,

Aromë luleshqerre, aromë lulebore,

Shtruar në odat e burrave,

Në të sertat kulla malësore.

Në mijëra balada e ligjërime

Në histori bën zë Skënderbeu:

“Më ktheve në vendlindjen time,

Ti, biri im, HAZIZ NDREU!”

DIBRA IME

Jetoj me ty, Dibra ime,

Nga agimi në agim.

Në oda të moçme, në gëzime,

Me sy e mendje te Ti!

Me aromën e blirit zgjohem

Në të bukurën pranverë.

Me ty, Dibra ime, krenohem,

E mençur, e bukur… përherë.

Dielli i Korabit ballin ta ndrit

Gjithë vezullime.

Valebardhë e Drinit

Gjithçka ta flladit

Moj Dibra ime!

ÇAST

Ulur

Mes shelgjesh

Buzë Drini.

Në vlagun

E pranverës

Ëndrrën

Ma merr vala.

Në lundrim

Mbi varkën

E shpresës.

MOSHË

Mbrëmja lodhshëm vjen

Përflakur në perëndim,

Me hallet e ditës ngarkuar,

Neonet ndez në vezullim.

Dhe një ditë nga ditët kaloj

Ashtu si shumë të tjera,

Ballit dhe një rrudhë ia shtoj,

Nuk jemi më si ngahera.

Shtriqemi në të butin kolltuk

Disi lodhjen ta largojmë,

Mosha luan si djalë kopuk,

Me vitet që mbi supe na rëndojnë.