Kahreman Ylli, nga Franca në Peshkopi, si zëvendësdrejtori i shkollës që nuk u hap kurrë



Fillimi i punës në arsim
Zëvendësdrejtor në Peshkopi

Me përfundimin e studimeve në Lion të Francës, Kahremanin e emërojnë zëvendësdrejtor të Shkollës së Punës, në Peshkopi.
“Kthehem në Shqipëri në verën e vitit 1938, – shkruan Kahremani në autobiografinë e tij, në korrik të vitit 1945. – Nuk kam kontakte, veçse me shokë të njohur më parë, nuk njoh grupet, njerëzit e këtyre grupeve dhe punën e tyre. Nga Lioni nuk m’u dha ndonjë lidhje dhe as që m’u ngarkua gjë. Mbas dy muajsh më dërguan në Peshkopi, si zëvendësdrejtor i Shkollës së Punës. Atje isha mjaft i izoluar dhe bisedat politike bëheshin me grupe të vegjël shokësh, por pa nxjerrë gjë në shesh. Më 7 prill marr pjesë në manifestimin antifashist dhe së bashku me disa elemente të tjerë bëjmë presion mbi Prefektin për të na dhënë armë, por pa rezultat… Si gjithë nëpunësit e tjerë kam nënshkruar formularin ose lutjen për në Partinë Fashiste, por nuk më është dhënë dhe nuk kam mbajtur ndonjëherë distiktive…”.
Djaloshit iu duk shumë i largët qyteti i Peshkopisë.
“Megjithëse zura miq e bëra përpjekje që të mos më degdisnin larg, – shkruan në kujtimet e veta Kahremani, – nuk qe e mundur. Në tetor të vitit 1938, më dërguan në Peshkopi, si zëvendësdrejtor të një shkolle 2-vjeçare të punës, që s’kishte as ndërtesë, as nxënës. Kur u nisa, nga Ministria e Arsimit, më dhanë një regjistër për nxënësit dhe një libër protokolli për shkresat. Ajo që më vlejti më shumë, – bën humor Kahremani, – ishte një shishe me solucion për të prishur fjalët e shkruara gabim. Të tërë shishen e harxhova se nuk dija të regjistroja shkresat, që hynin e dilnin për në ministri…”.

… drejt hapjes së konviktit

Kishte disa muaj që Kahremani jetonte në Peshkopi. E patën dërguar ata të Ministrisë së Arsimit që të bënte çmos për të hapur shkollën e Punës. Urdhri i kësaj ministrie u kishte shkuar më parë organeve drejtuese të pushtetit lokal. Por për zbatimin e tij, për hapjen e shkollës, deri ato ditë nuk ishte bërë asgjë. Duke qenë se në atë shkollë do të vinin djem e vajza nga fshatrat e Perfekturës, domosdo fillimisht, duhej të caktohej konvikti, ku nxënësit do të banonin.
Pikërisht që këndej filloi punën Kahreman Ylli. Po atij iu desh të rropatej me ditë e muaj të tërë. Halli ishte të gjendej një ndërtesë dykatëshe, e përshtatshme për konvikt, por si i bëhej me drejtuesit e Prefekturës që nuk ishin darkod për një shkollë të Punës. Ngado, dhe në zyrat e Prefekturës, flitej se ç’u thoshte mendja atyre të ministrisë, mos vallë djemtë e vajzat tona, për t’u bërë bujq e bujkesha, u dashka të bëjnë shkollë?! Hajde, hajde, ç’u pjell mendja! Po vallë, gjyshërit e baballarët tanë, që janë me nam në punët e bujqësisë e të blegtorisë, kanë mbaruar shkolla? Jo, more, jo! Këto zanate s’mësohen me libra, por atje në ara, duke lëruar tokën e duke mbjellë, si dhe në stane, duke kullotur kopenë e deleve e të dhive, duke mjelur qumështin e duke siguruar djathin e gjalpin… U dashka shkolla, hëm, humbje kohe!
Me këto mundësi iu desh të përplasej Kahrem Ylli, i ardhur nga Franca. Siguroi vetëm konviktin, dhe këtë, jo në qytet, por në një fshat pranë. Ndërtesa u ble nga Prefektura. Kahremani çoi teshat e fjetjes në konvikt, ku zuri një dhomë.
Për të ardhur nxënës nga fshatrat dhe nga qyteti, ishte krejt e pamundur. Kuadrot e Prefekturës, te fshatarët që vinin për Pazar në qytetin e Peshkopisë, kishin ngulitur bindjet e tyre, se për çdo të ri e të re ishte më mirë të rrinte i paarsimuar, se sa të shkonte në shkollë bujqësore.
Kahreman Ylli mori rrugën i vetëm në këmbë, në fshatrat më të afërm, për t’u njohur me njerëzit e për të biseduar me prindërit. E vërteta ishte se midis prindërve kishte nga ata që ishin gati t’i dërgonin fëmijët në shkollën bujqësore, por ndjeheshin të rezervuar. “Fëmijët le të vijnë në shkollë, le t’u hapen sytë, pa dhe le të njihen, se punët e bujqësisë sot i kemi mbi supe ne të rriturit, ka kohë për të rinjtë!”
Vajtjet-ardhjet nga njëri fshat në tjetrin, afrimi e kuvendimi me njëri-tjetrin, e bënë Kahreman Yllin një intelektual të dashur e të respektuar. Shpesh ata merrnin rrugën për në qytet e shkonin drejt e në konvikt, uleshin e qanin hallet me profesorin e ardhur nga Franca, që ishte i thjeshtë e zemërbardhë.

Njohja me Asim Gjergjin

Në kafenenë e qytetit, Kahremani ulej shpesh me Asim Gjergjin. Ish një burrë rreth të shtatëdhjetave. Kishte afri me nja dy nëpunës të Prefekturës. Asimi kishte qenë emigrant në Turqi e në Itali. Ishte kthyer, për të mos shkuar më, pas një aksidenti automobilistik. Ecte me një shkop dhe çalonte nga këmba e djathtë.
Kishte mësuar se kahremani vinte nga Franca, për të çelur shkollën Bujqësore dhe si antizogist që ishte, iu afrua profesorit dhe shpejt u miqësuan. E ftoi për darkë në shtëpi, ku kish gruan, djalin e martuar, Samiun, nusen e tij dhe tre vajza të vogla.
– Profesor, – iu drejtua Arsimi, Kahremanit, atë natë të ftohtë marsi.
– Urdhëro, dajë Asimi – ia ktheu ai.
– Dje mbrëma dëgjova Italinë në radio. Që kur ka ardhur në krye Viktor Emanueli, vendi po rrezikon paqen. Fjala “luftë” bubullon në zyra e në sheshe. Ne e kemi mbretin, kemi ushtri, po unë s’i besoj as njërit, as tjetrës…
– Besimin duhet ta kemi vetëm tek populli, o dajë Asimi.
Biseda rrodhi shtruar, megjithëse që të dy e ndjenin rrezikun e një agresioni. I zoti i shtëpisë, atë ditë e kishte porositur të birin, Samiun, të nxirrte nga hatllat të dy pushkët e t’i pastronte.
– Populli e do dikë në krye, o profesor. Kush do ta prijë popullin?
Kahremani mendonte se i moshuari shqetësimin e kishte të drejtë, po si të mos e lëndonte? I foli për Ismail Qemalin, për Isa Buletinin e për Bajram Currin, vetëm e vetëm që shpirti i atdhetarisë të ringjallej tek patrioti Asim Gjergji.
– E, dajë Asimi? Asnjërin nga këta të tre, ne nuk i patëm njohur më parë, por këta ishin që u bashkuan, dolën në krye të forcave popullore dhe si dihet bënë historinë, nderuan Atdheun!
– Ashtu qoftë! – foli Asimi dhe mori frymë thellë.
I biri, Samiu, kur vonë në mesnatë miku u ngrit për të ikur, me porosinë e të atit, e përcolli Kahremanin deri në Konvikt.

Drejt demonstrimit më 7 prill 1939

Çuditërisht atë natë atë nuk po e zinte gjumi. Ku nuk i shkonte mendja? Nga Leshnja në Vërzhezhë, nga Normalja në Lyon… Iu kujtuan me radhë shokët e Lyonit: Ymeri, Kozmai, Gogua. Për kthimin në Shqipëri Kahremani kishte biseduar me të gjithë këta, asnjë vërtetim për anëtarësinë në celulë, asnjë letër rekomandimi për ndonjë shok, kur të kthehej…
Në këto e sipër iu bë se dëgjoi një zë, njëlloj si zëri i Hamit Alisë. Përgjoi në heshtje disa minuta. Jo, nuk kishte folu njeri. Po përse erdhën këto të ngjethura sapo kujtoi emrin e Hamitit? Përse ky shok e mik i tij kishte zgjatur atë tabak letre, për të hedhur dhe Kahremani një firmë? Një firmë pas firmës së vetë Hamitit?
Oh – u u u u! E lodhën këto mendime. Po ajo firmë u hodh kot, vetëm pse ish edhe emri i Hamitit. Po cili tjetër është burri më i ndershëm këtu në Peshkopi? Ku ka tjetër familje të nderuar si familja e mikut tim, Hamitit?
– Flij, o mendje turbulluar, – i tha vetes Kahreman Ylli dhe mbuloi kryet me jorgan, nga që bënte ftohtë.
E vërteta ishte se ajo firmë ishte hedhur kur po mblidheshin lekët për një ekskursion me nëpunësit, për te Liqejtë e Lurës. Në tabakun e letrës shënoheshin emrat e hidhnin firmat secili, që do të shkonte në ekskursion. Këtë kishin bërë dhe Hamiti me Kahremanin.
Kish trokitur muaji Prill. Erërat ishin qetësuar, kishin nisur të vrundullonin lajme ogurzeza. Mbrëmjen e 6 prillit 1939, në Konviktin ku jetonte Kahreman Ylli, bujtën 4-5 burra, miq të Asim Gjergjit e Hamitit. Asimi në fillim e më pas dhe të tjerët kishin dëgjuar lajmet e radiostacioneve të huaja dhe kishin mësues se Flota Ushtarake italiane ishte nisur drejt brigjeve shqiptare.
Kahremani, sa hapi derën dhe i pa burrat të murrëtuar në fytyra, me sytë si të çakërdisur, u frikësua pa e ditur ç’kish ndodhur.
Miqtë hynë brenda, zunë me ngut vendet në dhomë dhe filluan të flasin sikur për hesap të vet, pa dëgjuar tjetrin, a thua ishin grindur e përleshur bashkarisht.
– Të pata thënë, profesor: Viktor Emanueli është rrezikzi. Anijet e tij u janë turrur brigjeve tona…
Folën dhe të tjerët. Treguan ç’patën dëgjuar nga radiot serbe, greke e ato italiane.
Dhomën përsëri e mbuloi heshtja.
– Çudi, po qeveritarët tanë përse heshtin? Pse s’ngrenë në këmbë ushtrinë? – gati sa nu klithi një malësor shtatëlart.
– Po mbreti, mbreti ku është, pse s’ia dëgjojmë zërin? – kërceu një malësor tjetër.
Ora po shkonte 22.00, data 6 prill 1939.
– Dëgjoni burra. Duhet shkuar fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Të thirren i madh e i vogël, që në të gdhirë, sa të zbardhë, të zaptojmë sheshin e qytetit. Si një trup i vetëm të protestojmë kundër Italisë fashiste, por të protestojmë dhe kundër mbretit Zog dhe kundër qeverisë!
– Qohuni, burra – u dëgjua zëri i Asimit. – Në fillim, të marrim dhe shokë të tjerë dhe në kuaj të fluturojmë në çdo fshat.
Të gjithë u ngritën në këmbë, gati të niseshin.
– Të lutem, dajë Asimi, ti na duhesh këtu, kemi dhe punë të tjera…
Asimi hodhi vështrimin nga malësorët, pa Hamitin, ia bëri me kokë dhe foli:
– Ti Hamit, merri burrat dhe nisuni. Merrni kalorësit tek ledhet e dushkut!
Ata ikën përpara nëpër errësirë dhe këta mbetën vetëm:
– Sonte eja në shtëpinë time, kemi dhe radion…
– Domosdo, na duhen dhe flamuj, po dhe ca parrulla. Sonte as djali yt, Samiu, s’ka gjumë…
Dhe të dy dalëngadalë u nisën drejt shtëpisë së tij në qytet.
Pushtimi fashist i vendit për Kahremanin i preu krejt shpresat se mund të hapej shkolla e Punës në Peshkopi. Në qytet kishte plot atdhetarë që ëndërronin e përpiqeshin që fëmijët e të rinjtë të arsimoheshin. Kuadrot e Prefekturës s’donin që s’donin të çelej shkolla me profil bujqësor.
Kahreman Ylli trokiti disa herë dhe në Ministrinë e Arsimit. Të paktën të ndërrohej profili i shkollës, nga bujqësore, në një gjimnaz spese atë prereferonin më shumë prindërit e të rinjve në qytet. Kuadrot halldupe të Ministrisë në vend që të ndihmonin Kahreman Yllin, nxorën një vendim dhe atë, në fillim të vitit 1940, e transferojnë nga Peshkopia, në shkollën Ushtrimore të Elbasanit.
U gëzua se kishte studiuar në Normalen e Elbasanit, Kahremani shpirtvrarë mori rrugën për në Elbasan. Në Peshkopi kishte jetuar pak, akoma s’i kishte mbushur dy vjet. kishin qenë vite të vështira, por pati dhe mbresa të pashlyeshme. Banorët e qytetarët e kësaj krahine tashmë i njihte mirë. Shumë nga ata i kishte miq për kokë, patriotë të flaktë dhe arsimdashës dhe me virtytet.
Ndarja e Kahremanit me familjen e Asim Gjergjit, emigrantit të dikurshëm, patriotit të kulluar, plakut me një bastun në dorë ishte prekëse. Profesori i ardhur nga Franca, komunisti nuk arriti ta dëgjonte pyetjen gjëmintare të mikut malësor, Asimit:
– Po tani, çdo të bëjmë?!
Të dy shqiptarë, kishin jetuar në shtete të mëdha. I kishin hapur zemrat njëri-tjetrit, këmbyer ëndërrimet, folur për komunizmin, thjesht për një ëndërr të largët. Në Peshkopi, në ato mote as nuk kishte një celulë komuniste dhe ata të dy kishin vetëm njëri-tjetrin.
Tani duhej të ndaheshin me pikëllim e lot në sy. Miqësia e tyre do ruhej, do lulëzonte me Samiun, i cili do të bëhej jo vetëm komunist, por dhe një kuadër partizan trim, që të çonte deri në fund amanetin e Asimit, të atit, për çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Zbarkimi i trupave fashiste më 7 prill 1939 ishte goditje e rëndë për pavarësinë e shtetit shqiptar dhe të gjithë kombin. Në mbarë Shqipërinë, si dhe në Çorovodë zbritën qindra fshatarë me armë në dorë, në qendër të nënprefekturës. Aty u organizua një miting antifashist, ku populli protestoi kundër pushtimit fashist e tradhtisë të qeverisë së Ahmet Zogut.
Mbas mbarimit të Luftës Italo-Greke, e gjithë jeta u rifut në situatën e vazhdimit të pushtimit fashist italian të vendit. Pushtuesit italianë, të ndihmuar nga nacionalistët e vendit, nisën nga zbatimi i masave emergjente për sigurimin e jetës së forcave ushtarake italiane në të gjithë zonën e Skraparit. Veç kësaj, propaganda e okupatorëve fashistë iu bënte jehonë të madhe fitoreve të boshtit fashist në të gjithë frontet e luftës dhe fitoren e tyre përfundimtare e paraqisnin të shpejtë e të sigurtë. Bandat e kriminelëve ordinerë vazhdonin të kryenin krime të rënda në tërë krahinën e Skraparit, duke krijuar një situtatë të zymtë e të pasigurtë për popullin. Vetëm nga fundi i vitit 1941 dhe në fillim të vitit 1942, u dhanë sinjalet e shpresës së madhe për organizimin e një rezistence të përgjithshme mbarëpopullore. Ishte krijuar partia Komuniste e Shqipërisë, e cila mori përsipër të udhëhiqte popullin, “pa dallim krahine, ideje dhe feje”, në luftë kundër okupatorit fashist.
(Shkëputur nga libri “Kahreman Ylli” i autorit Petrit Myftiu. Titulli i kësaj pjese është i redaksisë)