Dhunohet busti i atdhetarit  Mersim Dema


Nga Hysen Likdisha

Në një nga mëngjeset e meskorrikut 2017, Shupenza, njësia administrative me të njëjtin emër e Bashkisë Bulqizë, është zgjuar duke u përballur me një ngjarje aspak të këndshme e përçudnuese, atë të heqjes së kokës të bustit të atdhetarit  dhe patriotit të shquar të kësaj zone, Mersim Dema.  Natyrisht që një ngjarje e tillë, ka shokuar banorët, pasi në një situatë normale, një gjë e tillë nuk do ti shkonte askujt ndër mend që mund të ndodhë.  Busti i vendosur në qendër të Shupenzës, përball me godinën e njësisë administrative dhe Postën e Policisë, vetëm rreth 5 metra larg tyre, të ndara vetëm nga rruga nacionale Shupenzë-Peshkopi, ngjitur me oborrin e shkollës së mesme, kurrsesi nuk jepte shkas, qoftë edhe për një mendje sado fantaziste, se në një ditë vere si kjo e meskorrikut, të mund të binte pre e dhunimit.  Nuk mund të mendohet se një figurë e tillë patriotike, si e Mersim Demës, me të cilën krenohet Shupenza, Homeshi dhe gjithë zona e Grykës së Vogël dhe më gjerë, e përjetësuar simbolikisht në këtë lapidar, të mund të binte pre e dhunimit, me kokën e rrëzuar përtokë, mes pluhurit dhe papastërtive. Gjë kjo me të vërtetë skandaloze dhe e papranueshme, sido që të ketë ndodhur.

 

Kujtesë: Mersim Dema – “Mbreti i Maleve”

 

Lindur më 1864 në njërën prej familjeve të fisit të madh e të njohur të Demajve, në fshatin Homesh, Mersim Dema gjithë jetën e tij punoi e luftoi për atdheun, si një udhëheqës i shquar i forcave kryengritëse popullore dibrane. Ja si e portretizojnë patriotin Mersim Dema, tregimtarët gojorë: “Mersim Dema, në kohën kur jetoi e veproi ka ecur me pushkë në krah dhe abetare nën sqetull me parullën “Liri a vdekje”.  I përkushtuar në riorganizimin e kuvendeve tradicionale të Maleve të Dibrës, që kurrë nuk e njohën pushtetin osman, por i rregulluan marrëdhëniet shoqërore mes tyre sipas të drejtave zakonore, Mersim Dema u cilësua për kohën që jetoi e punoi si “Mbreti i Maleve”. Princi gjerman Vilhelm Vidi, i ardhur nga Fuqitë e Mëdha në fronin e Shqipërisë më 7 Mars 1914, në një takim që ka zhvilluar në Durrës me krerët më në zë të Shqipërisë, në korrik të 1914, ku ka marrë pjesë edhe Mersim Dema, si përfaqësues i Dibrës, në një audiencë të veçantë që rezervuan me këtë rast për të, Princi dhe Princesha, pasi janë njohur me veprimtarinë e tij, Vidi i është drejtuar Mersimit me fjalët: – “Unë jam Princi i Shqipërisë, por “Princi i Dibrës” qenke ti”.

Kujtojmë se gjatë viteve 1895-1900 malësorët e Grykës së Vogël nën udhëheqjen e Mersim Demës zbrapsën disa ekspedita turke. Po gjatë kësaj periudhe Mersimi mbajti lidhje edhe me klubet dhe organizatat e fshehta, që ishin formuar për të ndihmuar çështjen kombëtare.   Zotëronte kulturë të përgjithshme, ushtarak me gradë oficer, gjë që për kohën ishte e veçantë, pasi nuk mund ta dispononte kushdo.  Ja si betoheshin malësorët e Grykës së Vogël, që bëheshin pjesë e formacioneve të tij luftarake, një betim ky i veçantë, formuluar dhe zbatuar nga Mersim Dema: “Për  këtë që kam përpara (Kuranin), me këtë që kam në dorën e djathtë (pushkën ), do të mbroj këtë që kam në të majtë (flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenore në mes).  Duhet theksuar se vetëm nën kryesimin e Mersim Demës deri në vitin 1905 ishin zhvilluar në Grykën e Vogël gjashtë kuvende (ish parlamente të kohës), dy tek Varret e Shupenzës, tre tek Gurra e Mazhicës dhe një tek Gropat e Ujkut mbi Homesh.

 

Retrospektive.  Përurimi i bustit

 

Më 27 korrik 2010, qindra banorë të zonës, por edhe të ardhur nga Dibra, këndej dhe andej kufirit, Mati etj, si dhe treva të tjera brenda dhe jashtë vendit, deri edhe të ardhur nga Amerika,  përfshirë edhe unë shkruesi i këtyre radhëve në cilësinë e gazetarit, morën pjesë në përurimin e vendosjes së bustit të atdhetarit Mersim Dema, në qendër të ish komunës Shupenzë.   Ishte dhe do të mbetet kjo ditë, vërtet e paharruar për banorët e Grykës së Vogël dhe më gjerë, pasi vendosja në vendin e duhur dhe plotësisht të merituar e bustit të këtij patrioti, mbartëte në vetvete  simbolikën mjaft të spikatur për ta, atë të atdhedashurisë, duke i dhënë kështu vlera ndër breza krenarisë atdhetare të banorëve të kësaj treve.

“Ndoshta jemi pak vonë, në nderimin e kësaj figure, u  shprehen banorët që morën pjesë në këtë përurim, por gjithsesi mirë u bë, pasi një fjalë e urtë thotë: “më mirë vonë se kurrë”.

“Nderimi që i behet Mersim Demes, tha atëherë në fjalën e përshëndetëse, ish kryekomunari i Shupenzes, Moiz Llani, është nderim për të gjithë komunitetin tonë, pasi gjithë jetën e tij, ai punoi e luftoi për liri e pavarësi të atdheut”.

E kush mund ta mendonte se plot pas 7 viteve, në mëngjesin e një dite vere korriku 2017, busti i Trimit të Maleve, të gjendej i thyer e rrëzuar përdhe.

 

Opinionet e banorëve dhe Indiferenca e institucioneve

 

Ishte një telefonatë nga Lushnja ku Sadi Dema, stërnip i Mersim Demës, i cili së bashku me vëllain e tij, Ali Dema, u bënë promotorë për vendosjen e bustit në qendër të ish komunës Shupenzë, që më bënë me dije për dhunimin e bustit.  Natyrisht, ai me mjaft shqetësim më bëri me dije për ngjarjen e rëndë dhe shokuese, ku më kërkon në cilësinë e gazetarit, që ta verifikoj këtë ngjarje për ta pasqyruar.

Si ka ndodhur, kush, pse?  Kush mund të dhunojë monumentet me vlera atdhetare e kulturore?  Kush mund të cënojë pa ju dridhur dora dhe qerpiku, monumentet e vlerave të krenarisë së komunitetit të Grykës së Vogël, por edhe më gjerë, përveçse një mendje e fandaksur dhe e çmendur? Kë cënoi busti, përveçse rriti moralin e krenarisë kombëtare të zonës? Mos kemi të bëjmë me rast të cënimit të pronës private? –Jo dhe jo, pasi busti është vendosur në anë të gardhit  rrethues të shkollës së mesme dhe ngjitur me murin mbajtës të rrugës automobilistike, që jo vetëm nuk cënon asnjë centimetër tokë bujqësore, por vetëm se zbukuron dhe hijeshon qendrën e Shupenzës.

Asgjë nuk zinte vend në mendimet e mia, për të gjetur një arsye çfarëdo për t’i dhënë zgjidhje enigmës së cënimit të monumentit.  Për dreq këto pyetje dhe mjaft të tjera si këto, më shoqëruan gjatë asaj nate, kur dhe mora lajmin nga Sadiu, për dhunimin e bustit.  Nuk di të them me saktësi se kur më zuri gjumi dhe sa fjeta atë natë. Të nesërmen në mëngjes nuk e bëj të gjatë, por nisem drejt Shupenzës.  Zbres në qendër dhe çapis drejt monumentit.  Ç’të shikoj!  Monumenti kishte mbetur pa bustin e patriotit! Koka dergjej në tokë, mes pluhurit e papastërtive, e thyer dhe copëtuar nga thërmimi i allçisë. Banorët lëviznin si në një ditë rutinë të zakonshme për ta, pavarësisht se mua më dukej sikur çdo gjë aty kishte ndaluar.

Futem në një nga internet kafenetë, aty në qendër, në anë të godinës së Njësisë Administrative, të cilën e menaxhon një miku im.  Ulem në të vetmen tavolinë bosh që gjej në lokal, ku nuk vonon të vijë pronari, miku im A. C.

–Miku nuk pyetet përse ka ardhur, nis bisedën ai. Por unë e di përse ke ardhur, për shëmtinë me bustin. Pasi miratoj me kokë, ai vijoi:

“Ngjarja vërtet ka ndodhur në errësirë gjatë natës, por të jesh i sigurt se ajo nuk ka ndodhur nga duar njerëzore, por aksidentalisht nga një ciklon me erë të fuqishme.  –Teksa po e vështroja i dyzuar, ai më thotë: – Eja të shkojmë së bashku të shikojmë dhe do të bindesh se ngjarja ka ndodhur krejt aksidentalisht. Do të doja të ishte ashtu, sepse do të çlirohesha nga makthi që më kishte mbërthyer, pasi asgjë nuk më ngushullonte po të kishte ndodhur ndryshe. –Vërtet busti ishte i derdhur në allçi dhe jo në bronx, siç dhe u tha gjatë përurimit të tij në korrikun e 2010, si dhe nuk kishte qoftë edhe një shufër hekuri, që të lidhte bashkë bustin me piedestalin e vendosjes së tij, gjë kjo që e kishte bërë të mundur që era e fortë e asaj nate të zezë, të mund ti ndante ata nga njëri-tjetri.

–Gazetar! –mu drejtuan disa nga banorët e rastësishëm që takova.  -As mos të të shkojë ndër mend, se rrëzimi i bustit, mund të ketë ardhur nga vënia e dorës së njerëzve.

Drejtohem në zyrat e njësisë administrative Shupenzë, për të marrë informacion zyrtar në lidhje me këtë ngjarje aspak të zakontë. Çuditërisht në kundërshtim me sensibilitetin që ka shkaktuar ngjarja për banorët e kësaj zone, për zyrtarët vendor nuk ka shkaktuar asnjë lloj ndjesie e interesimi, madje ka prej tyre që ende nuk janë njohur me të.  Dy zyrtarë të kësaj njësie, të pyetur për ngjarjen, rrudhin krahët dhe përgjigjen; – jo nuk dimë gjë edhe pse ngjarja kishte ndodhur përball godinës ku ata punojnë vetëm 5 metra larg tyre, aq sa është gjerësia e rrugës automobilistike Shupenzë-Peshkopi, që i ndan ata nga busti!

Takohemi me administratorin e kësaj njësie administrative, Halil Osmani.  I pyetur për ngjarjen ai përgjigjet:  – Po jam në dijeni të kësaj ngjarje dhe kam  njoftuar Postën e Policisë Shpenzë, si dhe kryetarin e bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi.  Personalisht jam interesuar për këtë ngjarje, pasi më lidh edhe profesioni i mësuesit të historisë, me figura të tilla të historisë tonë kombëtare.

–Pamja vijon të mbetet mjaft shëmtuese, pasi koka e copëtuar dergjet në tokë mes pluhurit e papastërtive! -i them administratorit.

– Po keni të drejtë, por ne nuk mund të ndërhyjmë, deri në përfundimin e hetimeve nga ana e policisë, pasi gjithsesi ngjarja po hetohet nga ana e tyre.  Menjëherë me përfundimin e këtyre hetimeve ne do ndërhyjmë për të rikuperuar vendosjen e bustit në vendin e tij të merituar.  Ndërkohë këto hetime të policisë, nuk përligjin indiferencën  dhe neglizhencën e zgjatur të ndërhyrjes së pushtetarëve vendor për të rikuperuar këtë ngjarje.  Aktualisht koha e rrëzimit të bustit, nuk konfirmohet saktësisht nga askush.  Ka banorë që shprehen se rrëzimi ka ndodhur prej muajsh, zyrtarët vendor thonë se ka pak ditë edhe pse lapidari nuk është i rrethuar më shirita të verdhë me mbishkrimin; “skenë krimi”, siç dhe ndodh rëndom në të tilla raste.

Gjithsesi, indiferenca dhe zvarritja në ndërhyrjen për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate përçudnuese me bustin e patriotit dhe atdhetarit Mersim Dema, në asnjë rast nuk e justifikon drejtorinë e kulturës në bashkinë Bulqizë, e cila në plotësim të punës së saj, mund dhe duhet të ndërhyjë urgjentisht.

Le të shpresojmë dhe besojmë se pas këtij shkrimi në gazetën “Rruga e Arbërit”, kjo drejtori   në plotësim të detyrës së saj, do të ndërhyjë për të vendosur bustin e patriotit Mersim Dema, dekoruar  pas vdekjes nga ish Presidenti i Republikës Sali Berisha, më 14 nëntor 1992, me “Urdhërin për veprimtari të klasit të parë”,  në piedestalin që meriton.