Potenciali turistik i luginës së Drinit të Zi


 

Vlera turistike e ujërave qëndron në mundësitë që ato ofrojnë për banja dielli, banja uji për turistët si dhe për zhvillimin e një sërë sportesh (notit, peshkimit e sporteve të tjera). Larja në lumenj e kombinuar me banjat e diellit, ndikon mbi disa funksione të veçanta të organizmit të njeriut. Kështu për shembull simulon oreksin, vepron mbi sistemin nervor etj., pra ndikon në mënyrë pozitive mbi gjendjen fizike dhe psikike të njeriut. Sportet e ujit, si formë e pushimit aktiv, kanë efekte të mëdha argëtuese. Joshja e lumenjve qëndron, si në mundësinë e banjave diellore, ashtu edhe me sportet e ndryshme ujore apo bukuritë që jepen shpesh nëpërmjet ujëvarave dhe kaskadave që ato formojnë.

Lugina e Drinit të Zi shtrihet midis vargut malor të Korabit në lindje e vargmaleve të Lurës dhe malësive Martanesh-Gollobordë në perëndim. Radhitet ndër luginat më të mëdha e më të rëndësishme të vendit tonë si nga tiparet fiziko-gjeografike, ashtu edhe nga vlerat ekonomike. Në territorin e Shqipërisë fillon nga fshati Gjoricë e Poshtme dhe përfundon në pellgun e Kukësit në veri ku bashkohet me luginën e Drinit të Bardhë, me një gjatësi rreth 75 kilometër. Në rrethin e Dibrës kjo luginë fillon nga territori i njësisë administrative Maqellarë dhe përfundon në afërsi të fshatit Skavicë në Kukës.

Në hyrje të Urës së Topojanit e deri tek gryka e Hoteshit, fundi i luginës ngushtohet shumë duke marrë shpeshherë pamjen e grykave, ky spikat në veçanti gryka e Gradecit. I vetmi zgjerim i luginës në këtë prag është ai në fshatin Kovashicë, ku është formuar një fushë e vogël aluvionale nga konet e depozitimit të dy përrenjve që derdhen këtu. Nga gryka e Hoteshit e deri në Fushë Çidhën, lugina kalon nëpër pellgun e Peshkopisë, struktura grabenore e të cilit ka përcaktuar mjaft tipare të relievit të saj, veçanërisht zgjerimet e njëpasnjëshme që ajo pëson. Zgjerimi i fundit i luginës në këtë pellg bëhet në Fushë Çidhën. Ai ka një gjerësi maksimale 2.7 kilometër dhe një gjatësi 4 kilometër. Në formimin e tij rol të rëndësishëm kanë luajtur gjithashtu materialet proluvionale të përroit të Gramës dhe të Setës.

Duke nisur nga Fushë Çidhna, fillon pjesa veriore e luginës e cila ka ndryshime të theksuara morfologjike nga pjesa jugore e saj. Në të gjithë shtrirjen, nga Fushë Çidhna deri tek Ura e Dodës, lugina pëson vetëm dy zgjerime, zgjerimin e Zall Dardhës dhe atë të Draj Reçit. Pasi kalon Zall Dardhën, lugina ngushtohet menjëherë, ku shtrati i saj është vetëm 10-15 metër i gjerë, me shumë gjarpërime dhe shpate tepër të pjerrëta. Duke filluar nga Ura e Dodës dhe grykëderdhja e përroit Malla e Lurës, lugina ndryshon përsëri tiparet morfologjike dhe drejtimin nga veriu për në verilindje. Në mjaft sektorë ajo merr tiparet e një kanioni, ku dallohet ai i Skavicës me thellësi mbi 200 metër e gjerësi 6-8 metër. Përgjatë luginës së Drinit të Zi, përveçse është përqendruar zhvillimi i ekonomisë bujqësore të Dibrës, ofrohen mundësi reale për zhvillimin e turizmit lumor.

Në rrethin e Dibrës lumi kryesor është Drini i Zi dhe degët e tij. Drini i Zi me një gjatësi 149 kilometër dhe pellg ujëmbledhës 5885 km2, buron nga liqeni i Ohrit. Pasi përshkon një rrugë prej rreth 40 kilometër, hyn në Shqipëri duke u hapur në vazhdim në një shtrat shumë të gjerë. Në këtë sektor të rrjedhjes së tij merr shumë degë të vogla dhe me rrjedhje të paqëndrueshme. Rënia e Drinit të Zi deri në derdhjen e tij në liqenin e Fierzës është afër 3m/km. Ka pellg ujëmbledhës shumë të thyer dhe me kontraste të mëdha të relievit që përbëhet nga një larmi formacionesh. Pellgu ka një veshje bimore të dendur në përgjithësi. Degët e tij si përroi i Murrës, Veleshicës, Banjave, Malla e Lurës etj., kanë pellg malor tepër të thyer dhe karakter torrencial. Këto degë zbresin vrullshëm drejt shtratit të Drinit duke krijuar forma të tilla si gryka, kanione etj., të cilat janë shumë të vështira për lëvizje, por në aspektin turistik paraqiten mjaft tërheqëse. Duke qenë se burojnë nga bjeshkët dhe ushqehen nga shkrirja e akujve dhe borës, dallohen për ujë të ftohtë e të pastër.

Buzë lumit të Drinit të Zi janë kryer disa investime për zhvillimin e turizmit lumor në këto zona. Kështu janë ndërtuar bare, restorante, ambiente sportive etj., në disa zona rurale si: Potgorcë, Topojan, Gradec, Selane, Katund i Ri, Muhurr, Fushë Alie, Reç etj. Duke qenë se këto zona ndodhen afër zonave të banuara dhe qytetit të Peshkopisë, gjatë verës ka pushues të apasionuar pas turizmit lumor si dhe ato që nuk kanë mundësi të shkojnë në bregdet, e kanë si formë alternative të pushimeve. Rafting i zhvilluar në lumin e Drinit të Zi, ka qenë një risi e viteve të fundit dhe mjaft tërheqëse për turistët e huaj dhe vendas. Ka raste që nisja fillon që nga Ura e Topojanit dhe përshkohen kilometra të tëra duke shijuar pamjet që ofron lugina e Drinit. Në Drinin e Zi dhe degët e tij, rriten një numër i madh peshqish, të cilët njihen për ushqimin e shijshëm të tyre, por shërbejnë edhe për të apasionuarit e peshkimit. Peshkimi është aktivitet i cili kryhet përgjithësisht në gjithë  rrjedhën e lumit dhe në shumicën e rasteve në mënyra të paligjshme.

Ka më shumë se 10 vite që është bërë traditë çdo vit aktiviteti i quajtur “Festa e Drinit”. Ky aktivitet festiv shënon hapjen e sezonit turistik në lumin e Drinit të Zi dhe zhvillohet në Muhurr. Vihet re pjesëmarrje pothuajse nga të gjithë anët e Dibrës. Qëllimi i aktivitetit është jo vetëm hapja e sezonit turistik në lumin e Drinit të Zi, por edhe promovimi turistik i kësaj zone. Sezoni turistik përgjithësisht hapet me datën 1 korrik, por kjo varet edhe në varësi të kushteve klimatike. Festimet në këtë ditë janë të shumta si: muzikë, këngë, valle, aktivitete të ndryshme sportive etj. Vizitorët kanë mundësi të shijojnë dhe gatimet tradicionale të zonës.

 

Burimet e shfrytëzuara:

  1. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Gjeografia fizike e Shqipërisë, Vëll. I, Tiranë 1990.
  2. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Gjeografia fizike e Shqipërisë, Vëll. II, Tiranë 1991.
  3. ALCDF, Plani i zhvillimit të turizmit për trevën e Malësisë së Dibrës.
  4. Bashkia Peshkopi, Guidë turistike, Tiranë 2010.
  5. Cena, Fatbardh., Turizmi në rrethin e Dibrës. Studim gjeografiko-turistik. Disertacion, Tiranë 2017.
  6. Cena, Fatbardh., Protected areas in the district of Dibra and assessment of their tourist, International Journal of Academic Research and Reflection, Vol. 4, No. 4, United Kingdom, London 2016.
  7. Cena, Fatbardh., Natural and cultural heritage of Dibra district. The 4-th International Multidisciplinary Conference in Integrating Science in New Global Challenges. Dubrovnik, Croatia. Vol.3/2015.
  8. Cena, Fatbardh., Turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në rrethin Dibër, Studime gjeografike 19, Tiranë 2015.
  9. Doka, Dhimitër., dhe Draçi, Bilal., Gjeografia e turizmit, Tiranë 2002.
  10. Koja, V., dhe Gorica, K., Bazat e turizmit, Tiranë 2010.
  11. Qiriazi, Perikli., Gjeografia fizike e Shqipërisë, Tiranë 2001.
  12. Shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë, Rruga e Arbërit, Tiranë 2007.