“Duket se e ka dritën të pavdekur
në pafundësi
Sa vjen flaka në të mekur
Ndizet një fitil i ri”
Dritëro Ame
Ç’më shtyu që të ndërmarr e të shkruaj për intelektualin e artistin piktor të ndjerin Bajram Mata.
Para 4 vitesh shkrova një libërth të vogël në kujtim të një mikut tim, piktor Tahir Tahiraj, i cili ishte nga Mati, koleg e mik me të ndjerin Bajram Mata. Të dy jo vetëm që ishin shokë e kolegë, por patën të njëjtin fund tragjik; ndërruan jetë papritur nga mbingarkesa e alkoolit. Bajrami në 3 marsin e vitit 1983, me gotën e rakisë përpara dhe kokën të mbështetur në tavolinë, dhe Tahiri, pas viteve ‘90, pasi kishte dalë nga lokali, ulet për t’u çlodhur në lulishten e Qytetit Studenti, 100 m larg shtëpisë dhe nuk u ngrit më.
Miku im Zaim Elezi, pasi lexoi atëherë kujtimet e mia për Tahirin, më thotë:
-Selami, si pasionant i madh që je pas pikturës, pse nuk shkruajte për Bajram Matën që e kemi dibran? Piktor i talentuar dhe prej të cilit i ke nja 5-6 tablo të tij në sallonin tuaj.
Kjo bisedë e shkurtër këtu u mbyll. Por mua më vuri në mendime. Shkoj shpesh në qytetin tim të lindjes Peshkopi, për gëzime e derte, shto këtu edhe nostalgjinë. Herën e fundit hyra në librarinë e qytetit. Takohem me çiftin e respektuar Besë dhe Hysen Uka. Kërkoj disa libra me autorë dibranë dhe mora 7 a 8-të. Ndër ta çifti Uka përpos respektit të kafesë, më bënë dhuratë librin “100 vjet në 36 shkronja” të zonjës Emrie Skuka. Në libër bëhej fjalë për mësuesit e mi.
E lexova me një frymë. E rilexova me shumë endje. Leximi më dhuroi kënaqësi, nostalgji, ripërtëritje të kujtesës. I lumtë mendja e respekt për mundin që ka bërë autorja. Lexova në të edhe shkrimin për Bajram Matën. Figura e tij si intelektual e si njeri më bëri të sjell në kujtesë vërejtjen e mikut tim Zaim Elezi. Nuk shkoi shumë kohë, u ndodhëm në një tavolinë mes disa piktorëve. Në bisedë e sipër u përmend dhe emri i piktorit Bajram Mata. Ndër të pranishmit më shumë foli Kujtim Buza, që me Bajramin kishin qenë studentë në vitet 1959-1960 në Leningrad.
“Njiheshim shumë mirë, – kujton piktori Buza. Bajrami dallohej nga të gjithë të tjerët për talentin që kishte. Në klasë kishim edhe Fatmir Haxhiun. Mbaj mend se Bajrami pësonte ndryshime pozitive pothuajse nga dita në ditë, në javë e muaj. Ishte e bëhej më i qeshur, i hapur me shokët, gazmor, që e reflektonte dhe në punën e tij në telajo, ku penelin dhe pastelin i përdorte me një shkathtësi të habitshme, dhe sikur aktronte kur punonte. I vinte nga brenda vetes ajo liri e shkathtësi të punuari. Edhe kur u kthyem pas një viti në Shqipëri ne e ruajtëm shoqërinë. Vinte në shtëpinë tonë. Babai (Abdurahim Buza) e vlerësonte dhe e deshte shumë si student. Mbaj mend në fundjavë, me kërkonte xhaketën time të re, kur do shkonte në mbrëmjet e rinisë apo tek të afërmit.
Njëherë më mori xhaketën e i them që ma bjer të nesërmen. Ai nuk ma solli dhe unë u zemërova se më duhej dhe mua për dreq atë ditë. Por nuk zgjati shumë zemërimi e u pajtuam. Kur mbaruam studimet në vitin 1964 në Akademinë e Arteve, Bajrami u caktua në Peshkopi si mësues vizatimi”.
Teksa ndjek bisedën e tyre, e cila pohon se në Tiranë, pjesa më e mirë e shokëve të tij, dhe jo aq fort të talentuar sa ai, po bënin emër, me siguri e bënin Bajramin të ndjente që dallimet në kësi rastesh nuk i bënin vlerat e artit, por rrethana krejt të tjera, deri edhe politike e biografike. Ky mesa duket është shkaku që dalëngadalë filloi të pinte e të krijonte shenja dëshpërimi.
“Rreth viteve 1979-‘80, – vijon Kujtimi, – më dërgon një letër personale në Tiranë. Ndër të tjera më shkruante se do të vras veten. Kjo më bëri që të alarmohem dhe brenda 2-3 ditëve ndodhem në Peshkopi. Takoj një sekretar të parë të rrethit dhe i paraqes shqetësimin që kisha. E lamë që të takoheshim, gjasme si rastësisht të tre. Biseda qe e ngrohtë dhe dashamirëse. Vura re se pas saj Bajrami mori një kurajë e ngrohtësi”.
Mendova atë çast se arsye të jashtëzakonshme mund ta detyrojnë një artist dhe piktor të kërkojë të bëjë vetëvrasje. Dhe mbi të gjitha, historia e artit njeh pafund rastet se, këta janë me të vërtetë artistë që, sa më shumë kohë kalon pas jetës së shuar fizike, aq më shumë rriten e lartësohen nga vepra që lënë pas.
Më afër tij, gjatë viteve krijuese, kishte qenë Lavdrim Kaba:
“Kam pasur shoqëri të hershmeve me Bajramin, – rrëfen Lavdrimi, – që kur filloi punën për herë të parën si mësues vizatimi në shkollën pedagogjikë “8 Nëntor” Peshkopi, në vitin 1964.
Ai vazhdoi të punonte si piktor. Dhe nuk hoqi dorë për asnjë ditë. Mund të them se kjo ka qenë periudha më produktive e më cilësore. Banonte në një dhomë në katin e parë të Shkollës Pedagogjike, aty flinte, aty gatuante, aty punonte pikturë.
Në pikturat e tij mbijetonte ngjyra e kuqe. Më kujtohet që gjatë vitit 1967 ku ishte i pamartuar, në aksionin në hekurudhën Rrogozhinë-Fier sektori Çermë-Lushnjë, Bajrami gjithë ditët nuk pushonte së punuari e nuk e hiqte letrën e fletoren nga dora, duke bërë skica, vizatime të studentëve, portrete, peizazhe, ura, hynte në çdo aspekt të jetës. Në këtë vit, shkurt 1967, në fshatin Çermë, në kuadrin e lëvizjes kundër fesë e zakoneve prapanike, u prish një kishë. Kur shkojmë të shohim, vëmë duart në kokë. Afresket të prishura, të goditura me mjete të forta e të hedhura sa andej-këndej. Aty Bajrami ka punuar 10 ditë rresht, duke bërë mbi 100 vizatime e skica me pamje rrëqethëse”.
Duke qëmtuar mbi historitë e jetës së tij, mësova se u martua me Dranen në vitin 1967. Deri në këtë kohë Bajrami jetonte tek hoteli “Klubi i sportit”. Më vonë, pas shumë kërkesash iu dhanë vetëm një dhomë tek pallati në rrugën “Gjokë Doçi”. A mundte që një artist të jetojë dhe krijojë në një dhomë?!… Një familje prej tri vetash.
“Donte të bënte një portret të nënës, – kujton Lavdrimi, – por i thosha lëre se je i dehur? Por njëherë bëri grafikë të portretit të babës. Kryevepër. Ta dija se i bën më të mira kur je i dehur do kisha pranuar t’i bëjë edhe një nënës? E thirrën në Komitetin e Partisë së rrethit për t’i tërhequr vëmendjen se do e degdisnin fshatrave për punën e pijes. Bajrami me gjakftohtësi iu përgjigjet: Kudo ku të më çoni, gishtat do t’i kem me vete për të bërë pikturë”.
Pikturat e Bajramit përmbajnë shumë kolorit, të tërheqin. Nuk e kuptoj shumë artin e pikturës dhe vë re se piktura e tij konsiderohej disi disidente e me shumë kolorit. Madje, kontrasti mes punëve te tij dhe të “të tjerëve” që merrnin lavde dhe konsiderata të pamerituara, përbente thelbin e nervit të tij artistik. Në shtëpi kam 3 punë të tij.
I vëllai, Dylber Mata tregon se “pati edhe momente kur për hir të talentit të tij iu hap edhe ndonjë derë pas ndonjë zëri miqësor për ta marrë në Tiranë, por miopia e pushtetit fanatik vendos se “ky kuadro na duhet ne se na bën punë në Dibër” ia mbylli përgjithmonë derën drejt metropolit, kulturës dhe artit të kohës”.
Mësoj se ai, si artist ishte antikonformist. Në vlerësimin e punëve të kolegëve mbante qëndrim shumë të drejtpërdrejtë. Nuk iu bënte qejfin. Në vetvete mbante cilësi njerëzore, human, intelektual. Njerëzit e thjeshtë e donin shumë.
Shkrimtari Petro Mjedi kujton: “Një ditë ndodhesha në Peshkopi, në një seminar nga ata që organizonte shpesh kabineti pedagogjik. Po haja darkë te “Turizmi”. Më afrohet në tavolinë dhe pa më marrë leje, ulet një burrë, moshën e të cilit nuk mund ta përcaktoje dot, me trup mbi mesatar, i zeshkët, i bëshëm dhe me flokë të shpupurishura. Vetëm më shikonte me sy të picëruar. Kamerier Ceni, një nga kamerierët më të famshëm dhe me emër, jo vetëm në Dibër, por edhe më tej, më afrohet dhe më thotë ngadalë: “Jepi një dopio, se ikën vetë ai!” Ashtu dhe bëra… Ky ishte piktori Bajram Mata. Më vonë mësova se ishte shumë i muhabetit, sidomos për pikturën, të cilën e njihte mirë dhe teorikisht, por dhe për letërsinë. Mësova se kishte një familje të shkëlqyer, të cilën e ka përshkruar shumë bukur, me të gjitha dritëhijet që mund të ketë një familje artistësh, shkrimtarja Sadie Agolli, në një tregim të gjatë, gati një novelëz, të botuar pas vdekjes së piktorit, në revistën “Nëntori”.
Në shkrimin që Tahir Tahiri ka bërë për Bajram Matën, thotë: “Nuk duhet të habitet ndonjë lexues kur them se ishte një piktor e talent tek i cili ne prisnim një begati krijuese në hapësirën e pikturës shqiptare. Pas vdekjes iu dha titulli Piktor i Merituar. Ai punoi e krijoi në një ambient tepër të kufizuar e aspak favorizues. Natyrisht, ky tip i çiltër, i sinqertë, gojëmbël, i dashur me të gjithë, nuk u kuptua e nuk u vlerësua. Stimulues e inkurajues. Ambienti që e rrethonte e fundosi talentin e tij, para se ai të jepte maksimumin krijues. Forca e mjedisit e fundosi para kohe. Me mirënjohje për të Tahir Tahiraj, 1998”.
Kishte një ndikim nga shkolla ruse, që dinin t’ia dallonin mjaft ustallarë të kohës, por që nuk flisnin me zë të lartë. Rreth viteve ‘79-të u ndodha dhe unë vetë në një situatë të tillë. U ulëm në një tavolinë në Turizmin e Peshkopisë me të ndjerin Shemshedin Kokona. Më pyet, duke bërë me gisht në një faqe muri ku ishte vendosur një tablo. E dija dhe e njihja mirë autorin e saj, Bajram Mata. I them emrin. Qenka piktor i mirë. Me ndikim rus në pikturë. Ai vetë kishte mbaruar në Rusi. Hapa sytë se mos si zakonisht të shihja Bajramin në ndonjë tavolinë. Por nuk qëlloi të ishte aty.
Duke ndjekur rrënjët e veprës së Bajram Matës, këmbët më çuan kësaj here në Galerinë e Arteve për të bashkëbiseduar me piktorin Arif Lushi, punonjës i GKA Tiranë.
E pyes nëse e ka njohur piktorin Bajram Mata.
– Jo, direkt nuk e kam njohur, por pasi erdha me punë në GKA në Tiranë, më kanë bërë përshtypje tablotë e këtij piktori, por jo vetëm mua. Ja, p.sh., kjo pikturë, titulluar “Vajza tek misri”. Është një ndër pikturat më të bukura ose kryevepra të Bajram Matës. Këtë lloj pikture unë e dua shumë. Do them vetëm dy fjalë për këtë autor të jashtëzakonshëm e piktor i veçantë e unikal. Pse them i jashtëzakonshëm? Punët e tij janë komplet të diferencuara në mënyrën e pikturimit mes autorëve të tjerë që kërkonin medoemos suksesin në punën e tyre. Me plot gojën mund të them se është një meteor. Piktura e tij lëviz me metodën që ai përdorte.
– S’po flet pak si shumë, – e pyes, Arifin, – me fjalë superlative?
– Jo s’kam thënë asgjë jashtë mendimeve e opinionit tim. Bile, ja shikoje si godet vepra e tij. Është një ndër autorët më piktoreskë të lindur. Diferencohen aty se ç’bëri koha me të, ku e la me tituj apo pa tituj dhe se ç’është në të vërtetë vepra e piktorit.
– Kur shoqëria do të bëhet aleati i vlerës, atdheu edhe ne si komb do të rritemi të shëndetshëm. Dhe pas këtyre fjalëve të piktorit Arif Lushi, iu ktheva edhe njëherë shkrimit të Emrie Skukës “100 vjet me 36 shkronja”. Vlerësime për artistin, të cilat ndjej dhe përjetoj në çdo fjalë të këtij shkrimi që shkruaj dhe mblodha për të.
Bajrami ishte mësuesi, artisti, qytetari që menaxhoi me burrëri, zjarrmimet e brendshme kundër sistemit, saqë flakët u ngritën, e mbështollën dhe e dogjën jetën e tij.
Ai kurrë nuk e krodhi veten në ëmbëlsinë e lavdisë. Bajram Mata zgjodhi të jetojë madhërishëm vetëm në fjalën e tij të folur dhe në veprat e realizuara brenda kornizave… duke derdhur fjalën e tij të lirë. Emri Bajram Mata është nga ata emra që ia shton vlerat kësaj shkolle.
Ndoshta ai jetoi dhe krijoji në një kohë të gabuar. Sot, ish mësuesi i vizatimit të një shkolle të largët në veri të Shqipërisë, do të konkurronte me piktorët më me zë të globit.
Në kujtimin e këtij qyteti si Peshkopia, ai nuk mbeti thjesht një bir i tij, por një realitet. Një realitet i bukur, më shumë se nostalgji, por edhe një dhimbje. Një dhimbje për dramën që mbante në vetvete ato të mosnjohjes e të mosvlerësimit për atë që ishte. A mund të justifikohemi për të duke thënë: Ishte koha?
Ishte koha! – Dhe sa herë nuk reflektohen nga shoqëria, ashtu si duket, ndaj ngjarjeve të kohës me qëndrimin e duhur, në aspektin moral dhe kohë të tilla nuk kanë për të ndryshuar shoqërinë edhe për shumë e shumë dekadash. Intelektualëve si Bajram Mata u duhet dhënë vendi që u takon, jo vetëm si profesionist apo të talentuar, por si frymë morale e dukshme në radhë të parë për brezin e sotëm dhe për brezin e ardhshëm.
Bajram Mata e dashuronte me gjithë shpirt profesionin e tij, por si kudo dashuria është vuajtje e dhimbje. Shpirti i tij i dëlirë pranoi të vuante e të arrinte deri në flijim, sesa të bënte kompromis me rregullat e sistemit me të cilat nuk u pajtua asnjëherë. A mund të konsiderohet qëndrimi i tij si disident. Mendoj se në kuptimin politik jo, por ai ishte disident i parë me koshiencë të plotë që iu kundërvu në mënyrën e tij burgosjes së shpirtit të lirë. Kërkonte liri për shpirtin e lirë.
Sidoqoftë, them sërish se historia artistëve të mëdhenj është tragjike, edhe në ato raste se punimet e tyre zënë të çmohen e të vlerësohen kur autori ka mbyllur sytë. Në të gjallë u duhet të heqin të zitë e ullirit, të shihen me urrejtje e përçmim, të pakuptuar.
Jo, për artistin e vërtetë nuk ka vdekje. Ato jetojnë me veprat e tyre, me shpirtin e tyre. Le të mbetet ky shkrim i imi për piktorin Bajram Mata, në radhën e fitilave të ndezur. Kur flaka vjen në të mekur, siç thonë vargjet e artistit e aktorit dibran, Dritëro Ame, dhe ndizet një fitil i ri, drita e fortë e artit e veprës, e shpirtit.
Çfarë arsyesh e shtynë artistin Bajram Mata të arrijë deri në vetëvrasje? Arsye ekonomike? Politike? Familjare? etj. Jo, jo. Trysnia e një ambienti të gjerë apo të ngushtë që ushqenin xhelozi, smirë e prepotencë e çdo natyre qoftë sjell pasoja shkatërruese, ngaqë përherë kërkojnë nënshtrimin pa kusht të tjetrit. E më në fund ai u lodh e iu nënshtrua fatit e ashtu qetë-qetë, shoqëruar me buzëqeshjen e një të pafajshmi, si të një fëmije, perëndoi.