Rajoni në të cilën shtrihet territori administrativ i Bashkisë Dibër është ndër më të pasurit përsa i përket shumëllojshmërisë dhe përhapjes së fondit të bimëve aromatike dhe mjekësore. Kushtet e përshtatshme klimaterike dhe tokësore kanë bërë të mundur praninë e shumë llojeve bimësh mjekësore të rritura në mënyrë spontane dhe në gjendje të egër me vlera të larta aromatike dhe mjekësore që përbëjnë një pasuri të çmuar jo vetëm në aspektin e florës dhe të biodiversitetit,por edhe në atë ekonomik,si një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë lokale. Përveç sigurimit të medikamenteve mjekësore duke shërbyer si lëndë e parë për prodhimin e tyre në industrinë farmaceutike ato ndikojnë pozitivisht në ruajtjen e ekosistemit, në përmirësimin e klimës dhe të ajrit, në mbrojtjen e tokës nga erozioni, rregjimin e ujërave, përmirësimin panoramik të peisazhit, etj. Ato rriten në gjendje të lirë në natyrë, pa ose me shpenzime minimale për mirëmbajtjen e tyre, janë burime të rinovueshme prej të cilave merren prodhime të përvitëshme si edhe kanë aftësinë e rigjenerimit të shpejtë dhe rritjes së kapacitetit të tyre prodhues. Janë të përhapura kryesisht në sipërfaqet pyjore dhe kullosore,në çeltirat e pyjeve, kullota dhe livadhe si edhe në kategoritë e tjera të fondit pyjor në terrene të thata e shkëmbore, në terrene të lira e jo të përshtatshme ku bimësia tjetër do ta kishte të pamundur të rritej dhe zhvillohej në kushte normale. Gjithashtu ato janë të përhapura edhe në tokat bujqësore të fermerëve, anës ledheve, përrenjve etj. Prania e pakët e tokës bujqësore, karakteri i copëtuar i saj kanë imponuar një bujqësi pak të zhvilluar dhe larg përdorimit intensiv të herbicideve dhe insekticideve, gjë që e bën fondin e bimëve mjekësore dhe aromatike që rritet dhe zhvillohet në gjendje të egër në rajonin tonë mjaft cilësor dhe shumë të kërkuara nga tregu i brendshëm nëpërmjet të cilit ato pastaj eksportohen për në tregjet e tjera ndërkombëtare si në atë Europian e veçanërisht atë Amerikan. Gjithashtu mungesa e aktiviteteve industriale dhe e shkarkimeve ndotëse prej tyre të gazrave helmuese në arealin e përhapjes së këyre bimëve është një tregues tjetër i cilësisë së lartë të tyre. Pikërisht për arsyet e mësipërme grumbullimi i bimëve mjekësore ka zënë një vend të veçantë në aktivitetin ekonomik si në të kaluarën e largët ashtu edhe atë të afërt me përfitime të drejtpërdrejta jo vetëm për ekonominë familjare të banorëve që jetojnë dhe banojnë në zonat rurale në afërsi apo brendësi të zonave pyjore, por edhe për ekonominë kombëtare në tërësi në sajë të sigurimit të të ardhurave në valutë për shkak të eksportit të tyre. Grumbullimi i tyre ka patur një traditë të hershme që nga periudha e ekonomisë së centralizuar dhe që ka vazhduar dhe vazhdon edhe në ditët e sotme duke përbërë një nga aktivitetet më me rëndësi në ekonominë lokale dhe angazhuar një numër të madh njerëzish. Grumbullimi i këtyre bimëve sidomos në kushtet e tranzicionit dhe të futjes së vendit në rrugën e ekonomisë së tregut të lirë ka ndikuar në zbutjen e problemeve të punësimit të shtresave më vulnerabël të popullsisë të ekspozuara ndaj varfërisë dhe si një faktor i rëndësishëm i të ardhurave të tyre. Në këtë mënyrë ky aktivitet ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në ekonominë familjare të përqendruar kryesisht në zonat rurale dhe që përfaqësojnë shtresat më të varfëra të popullsisë duke përbërë të vetmin burim të të ardhurave për shumicën dërrmuese të tyre. Parë nga ky këndvështrim kjo pasuri duhet trajtuar si një aset i rëndësishëm lokal, burim të ardhurash e cila duhet të zhvillohet mbi bazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të rritjes së përfitimeve prej saj me qëllim rritjen e të ardhurave dhe ekonomisë familjare të banorëve.
Siç dihet fondi i bimëve mjekësore dhe aromatike administrohet nga strukturat e sektorit të pyjeve dhe kullotave publike në Bashki. Si në të kaluarën edhe sot me gjithë përpjekjet e bëra nga strukturat tona për një menaxhim dhe zhvillim të qëndrueshëm duhet pranuar që nuk është arritur një zhvillim i tillë. Përkundrazi duhet thënë që fondi i bimëve aromatike dhe mjekësore që rriten në gjendje të egër ka ardhur në përkeqësim të vazhdueshëm dhe disa popullata prej tyre janë në rrezik zhdukjeje. Një gjendje e tillë ka ardhur prej një sërë faktorësh por më kryesorët do të citonim kryesisht mungesën e zbatimit të ligjit dhe reagimi i dobët i organeve ligjzbatuese të fushës, mungesa e respektimit të kritereve teknike të vjeljes, grumbullimit dhe manipulimit të tyre gjë që ka çuar në pakësimin e popullatave të tyre, mungesa e investimeve në këtë drejtim, presioni i lartë për shkak të varfërisë së popullsisë së zonave rurale ku janë të përqëndruara këto burime pa marrë në konsideratë potencialin e mundshëm teknik prodhues si edhe mungesa e koordinimit në të gjitha hallkat e zinxhirit të këtij procesi grumbullues – përpunues – sipërmarrës etj. Synimi për të grumbulluar sa më shumë dhe më shpejt si edhe me çfarëdo lloj formash dhe metodash pa marrë parasysh ciklin biologjik të bimëve, kohën e përshtatshme të vjeljes, ka sjellë pasoja të rënda në përhapjen, rritjen dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm. Sidomos më të dëmtuara paraqiten llojet e bimëve nga të cilat grumbullohen edhe rrënjët pasi shkulja e tyre pa kriter duke qenë një proces i pa kontrolluar në shumicën e rasteve nga pikëpamja teknike, ka pakësuar ndjeshëm mundësitë dhe aftësitë riprodhuese të tyre.
Për sa më sipër duke parë përkeqësimin e situatës së përhapjes dhe të zhvillimit të bimëve aromatike mjekësore që rriten në gjendje të egër me qëllim harmonizimin e përpjekjeve të të gjithë aktorëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre në të ardhmen,për ta kthyer këtë pasuri në një burim mirëqenieje për një nga shtresat e popullsisë më të ekspozuara ndaj varfërisë siç janë ato të zonave rurale,sektori i pyjeve dhe kullotave ka mbështetur dhe mbështet çdo bashkëpunim dhe iniciativë në këtë drejtim.
Së pari dhe më i rëndësishëm do të ishte reagimi më i vendosur institucional i strukturave tona dhe veçanërisht i Inspektoriatit të Pyjeve dhe të Mjedisit për të vënë nën kontroll aktivitetet e paligjshme të grumbullimit të tyre dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave kundërvajtës.
Së dyti bashkëpunimi me grupet e interesit që veprojnë në këtë fushë sidomos i grumbulluesve individualë në sensibilizimin dhe trajnimin e tyre në lidhje me kohën, mënyrën dhe praktikat më të mira të vjeljes e të grumbullimit, duke respektuar mundësitë teknike të shfrytëzimit të tyre. Për këtij qëllim janë organizuar ndër vite një sërë takimesh dhe seminaresh në bashkëpunim dhe me ndihmën e ish SNV, sot CNVP një organizatë ndërkombëtare e pranishme me aktivitetin e saj në Bashkinë tonë me këto grupe qofshin këto grumbullues individual, sipërmarrës të grumbullimit të tyre për vendosjen e kontrollit dhe zbatimin e rregullave teknike të vjeljes dhe grumbullimit të bimëve mjekësore si edhe është hedhur ideja e projekteve të ndryshme të kultivimit të tyre në të ardhmen.
Së treti përfshirja e biznesit në përpunimin e tyre nëpërmjet ndërtimit të linjave përpunuese me cikël të mbyllur me qëllim rritjen e vlerës së tyre ekonomike dhe të numrit të të punësuarve nga ky sektor.
Përpjekjet e përbashkëta të aktorëve të mësipërm duhet të synojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e tyre në gjendje të egër pasi ekzistojnë të gjitha mundësitë e shtimit ekstensiv nisur nga kushtet e përshtatshme të zhvillimit të tyre,si e vetmja mënyrë që ato të vazhdojnë të jenë të kërkuara nga tregu vendas dhe ai i huaj për të siguruar të ardhura financiare të qëndrueshme dhe me tendencë rritjeje nga viti në vit. Shfrytëzimi racional dhe me efektivitet i kësaj pasurie në të ardhmen do ti shërbente zhvillimit të tyre të qëndrueshëm dhe në të njëjtën kohë do të ishte një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të popullsisë së zonave rurale.