Festat tradicionale, vlerë e shtuar e turizmit kulturor


Disa nga aktivitetet kryesore që zhvillohen çdo vit janë: Oda Dibrane, dita e Verës, dita e Nevruzit, dita e Shënkollit, festa e të Vjelave, festa e Drinit, festa e Korabit, festa e Shëngjergjit, panairi i Qershive etj. Ndër aktivitetet më të mëdha është festivali folklorik “Oda Dibrane”.

Trashëgimia materiale në këtë rajon përfaqësohet nga larmia e objekteve historike si: kalatë, banesat karakteristike të zonës, muzetë historikë, objektet e kulteve të ndryshme fetare dhe një sërë objektesh apo rrënojash arkeologjike. Një pjesë e madhe e tyre janë shpallur monumente të kulturës.

Trashëgimia kulturore shpirtërore në rrethin e Dibrës përfaqësohet nga folklori i pasur gojor, muzikor dhe koreografik (këngë dhe valle), festat lokale, artizanati, zejet e ndryshme etj. Në punimet artizanale dallohet për prodhimin e kostumeve tradicionale të njësive administrative të ndryshme, qilimat e punuara me dorë, mbulesat e leshta, punën me shtiza, instrumentat muzikore si çiftelia, fyelli, daullja etj.

Trashëgimia kulturore e Dibrës.

Trashëgimia kulturore përbëhet nga vlera materiale dhe jomateriale, të cilat janë pjesë e pasurisë kombëtare. Trashëgimia kulturore materiale përfaqëson një bashkësi vlerash kulturore dhe historike të trashëguara, të shprehura përmes tipologjive të ndryshme arkeologjike, arkitekturore, historike, artistike etj. Trashëgimia shpirtërore përfaqësohet nga folklori i pasur gojor, muzikor dhe koreografik, festat lokale, artizanati, zejet e ndryshme etj.
Meqenëse është populluar që në lashtësi, Dibra zotëron një pasuri të madhe kulturore materiale dhe shpirtërore. Trashëgimia materiale në këtë rajon përfaqësohet nga larmia e objekteve historike si: kalatë, banesat karakteristike të zonës, muzetë historikë, objektet e kulteve të ndryshme fetare dhe një sërë objektesh apo rrënojash arkeologjike. Një pjesë e madhe e tyre janë shpallur monumente të kulturës. Dibra përbëhet gjithashtu edhe nga një trashëgimi shpirtërore e pasur që përfaqësohet nga këngët dhe vallet tradicionale, festat e shumta lokale, kuzhina tradicionale e shumëllojshme dhe e shijshme, lojërat popullore etj. Kjo pasuri dëshmon aftësinë krijuese të popullit dibran në shekuj, marrëdhëniet me vendet fqinje si dhe shkëmbimet apo ndikimet e kulturave të ndërsjellta. Pasuritë kulturore përbëjnë edhe një potencial të madh për zhvillimin e turizmit kulturor në vendin ku ndodhen apo manifestohen.
Vlerat jomateriale të trashëgimisë kulturore janë: përdorimi i gjuhës shqipe në veprat letrare; folklori gojor i ruajtur në kujtesë, i shkruar ose i regjistruar; folklori vokal, koreografik dhe instrumental; zakone dhe doke tradicionale; besime dhe besëtytni të traditës dhe zejet e ndryshme tradicionale. Trashëgimia kulturore shpirtërore në rrethin e Dibrës përfaqësohet nga folklori i pasur gojor, muzikor dhe koreografik (këngë dhe valle), festat lokale, artizanati, zejet e ndryshme etj. Në punimet artizanale dallohet për prodhimin e kostumeve tradicionale të njësive administrative të ndryshme, qilimat e punuara me dorë, mbulesat e leshta, punën me shtiza, instrumentat muzikore si çiftelia, fyelli, daullja etj. Gjithashtu pasuri më vete paraqesin këngët dhe vallet tradicionale të cilat janë të shumëllojshme dhe manifestohen kryesisht në raste gëzimi. Banorët dibranë kanë njohuri të mira rreth historisë dhe trashëgimisë së tyre, dinë gojëdhëna të shumta, kanë njohuri mbi kanunin e zonës etj. Gatimet tradicionale dibrane janë mjaft të njohura në gjithë vendin. Mikpritja është një nga vlerat që e bën mjaft dallues këtë rajon.

Festat tradicionale

Festat tradicionale dëshmojnë më së miri pasurinë e gjallë kulturore të Dibrës në të gjitha aspektet. Ato shprehen në formën e festimeve apo ngjarjeve historike, ku banorët lokalë dëshirojnë që t’i ndajnë me komunitetin e zonës si dhe me vizitorët. Disa nga aktivitetet kryesore që zhvillohen çdo vit janë: Oda Dibrane, dita e Verës, dita e Nevruzit, dita e Shënkollit, festa e të Vjelave, festa e Drinit, festa e Korabit, festa e Shëngjergjit, panairi i Qershive etj. Ndër aktivitetet më të mëdha është festivali folklorik “Oda Dibrane”.

Festivali folklorik “Oda Dibrane”. E ka nisur jetën e tij në vitin 1994, i konceptuar në fillim si takim i rapsodëve popullorë. Në të morën pjesë kryesisht grupe e shoqata kulturore nga Shqipëria e Maqedonia, si dhe artistë që bënin jetë të pavarur artistike. Ky lloj aktiviteti pati jehonë, si ndër të parët e këtij lloji dhe u mirëprit. Ishte një iniciativë e përbashkët e artistëve dibranë dhe Kryesisë së Shoqatave Kulturore Artistike të shqiptarëve të Maqedonisë, që kishin nevojë për më shumë hapësira për jetën e tyre artistike. Që nga viti 1997, ky festival është zhvilluar pa ndërprerje, duke u konsoliduar vazhdimisht dhe duke krijuar një emër të padiskutueshëm në të gjithë Shqipërinë dhe më gjerë. Është ky emër i mirë dhe vlerat që solli, që Ministria e Kulturës e ka planifikuar në aktivitet kombëtar dhe vazhdon ta mbështesë financiarisht. Kjo veprimtari artistike zhvillohet në qytetin e Peshkopisë edhe për arsye simbolike. Duke qenë një qytet afër kufijve politikë, përfaqëson një trevë lidhëse të kulturës shpirtërore të krahinave të ndryshme, u krijon mundësinë grupeve të mbajnë gjallë këngën dhe vallen shqipe që të mos e harrojnë atë. Që në fillimet e veta të para, ky bashkëpunim ishte shumë i rëndësishëm për të dy palët.
Në këtë festival paraqiten rite të lashta si dhe vegla karakteristike muzikore. Festivali krijon mundësinë për një rizbulim të tyre. Tashmë është bërë tradicional dhe, duke qenë i përvitshëm, u jep mundësi grupeve, shoqatave, individëve nga treva të ndryshme të kërkojnë, zbulojnë dhe paraqesin vlerat karakteristike të tyre në këtë fushë. Specialistët më të mirë në këtë fushë e kanë quajtur këtë festival një zbulim dhe kontribut të çmuar në kulturën e traditën shqiptare. Kërkesat për pjesëmarrje nga e gjithë Shqipëria dhe trevat ku banojnë shqiptarë janë të shumta dhe krijojnë mundësinë e seleksionimit të vlerave që paraqiten në të. Festivali krijon një atmosferë të rrallë në qytet jo vetëm për artdashësit e tij, por edhe për artistët pjesëmarrës dhe vetë zonat nga vijnë ata. Këtë e tregojnë jo vetëm kërkesat e grupeve pjesëmarrëse, por edhe kërkesat e artdashësve nga Shqipëria dhe jo vetëm, për t’u krijuar mundësinë e ndjekjes së tij. Kjo ka bërë që veç konkurrimit në sallën e Pallatit të Kulturës, të planifikohen dhe shfaqje jashtë në shesh, ku numri i shikuesve është tepër i madh.
Ky festival ka arritur të bashkojë artistët shqiptarë, kudo që ndodhen, me idenë brilante dibrane që “Oda Dibrane” do të jetë mikpritëse e gjithë “Odës Shqiptare”. Është një festival shumë origjinal në llojin e vet, i cili ndër të tjera ka synuar dhe synon të rizgjojë edhe vlerat e papërsëritshme të trashëgimisë sonë shpirtërore, duke paraqitur rite të lashta dhe vegla karakteristike muzikore, të mikpritjes tradicionale që dibranët ju bëjnë të ftuarve në odën karakteristike të tyre, si dhe të promovimit të vlerave turistike të qytetit e zonave përreth tij, duke e kthyer këtë veprimtari në festë të madhe të kulturës dhe qytetarisë dibrane, por edhe të turizmit kulturor.
Kjo jetëgjatësi dhe vazhdueshmëri tregon qëndrueshmërinë e tij, vlerat që sjell, tregon domosdoshmërinë e zhvillimit të një festivali të tillë. Kjo argumentohet dhe me kërkesat në rritje të grupeve të ndryshme, jo vetëm nga të gjithë trevat shqiptare brenda dhe jashtë kufijve për të qenë pjesëmarrëse në festival, por dhe me kërkesën e shumë studiuesve dhe specialistëve të folklorit si nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por dhe nga vise të tjera ballkanike. Është një takim specifik, original në llojin e vet jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Është takim i valles popullore humoristike, ritit, alegorisë dhe lojërave popullore. Qëllimi i tij është t’i rizgjojë këto vlera të papërsëritshme të kulturës sonë, t’i sjellë në kohë dhe t’i bëjë të asimilueshme për shikuesit.
Oda dibrane, në gjuhën popullore, simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Është simbol i vatrës së bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare, ku bëhen kuvende, ceremoni në raste gëzimesh e fatkeqësish, ku shpaloset mençuria dhe urtësia e popullit. Ka shërbyer ndërkohë edhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku këndonte kënga apo niste gjëma, ku pritej apo përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik. Në këto oda fjala kishte peshë shumë të rëndë. Aty buruan edhe meloditë e bukura të këngëve tona, ritet, humori i këndshëm dhe satira therëse, fjala e urtë, mendimi alegorik. Mësimet e para burrat dibranë i merrnin në odat dibrane, të njohura e të përmendura me breza, të cilat ishin shkolla të vërteta për të rinjtë. Në oda nuk flitej pa radhë dhe nuk thuheshin fjalë të kota, por fjalë të kursyera e të mençura. Aty flitej për punët e qeverisë, për politikë, për bujqësi, tregoheshin sidomos histori të vërteta, lartohej vepra e patriotëve, mësohej të qëllohej me armë dhe edukoheshin të rinjtë të flisnin kur, dhe si duhej.
Në ditë të shënuara, në shtëpinë që kishte rastin, në ndonjë dhomë të miqve ose në konak, veçmas rrinin burrat. Ata ishin kryefamiljarët, të cilët zakonisht ishin të moshuar e pleq. Aty flitej sipas moshës dhe cilido, po të dëshironte mund të shfaqte mendimin e tij të lirë. Pranë oxhakut, që i thonë edhe kryevendi, ulej më plaku, i cili përfaqësonte një përvojë jetësore të madhe, të cilën, kur binte fjala, e transmetonte tek të tjerët. “Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”, ka shkruar studiuesi anglez Riginald Hibbert në gazetën “Albania life”. Në këtë “shkollë” u rritën breza të tërë burrash e grash që, veç trimërisë e zgjuarsisë, trashëguan në shekuj atë kulturë, atë pasuri të madhe të folklorit në tërë përmasat e tij, duke fituar kështu vlera të veçanta që po i gjallëron për çdo vit “Oda Dibrane”.

Dita e Verës. Është riti më dominant dhe më i përkrahur kalendarik, si në qytet ashtu dhe në fshatra që manifestohet si me interesimin e popullatës, ashtu edhe me pjesëmarrjen e madhe, pasi ka karakterin e një të kremteje të rëndësishme. Në të gjithë rajonin e Dibrës festohet me datën 14 mars. Është një festë pagane që festohet në të gjithë Shqipërinë, por që në këtë zonë ka karakteristikat e veta. Festimet nisin rreth dhjetë ditë më parë me mbushjen e ujit të ri në orët e para të mëngjesit, ku laget pragu i shtëpisë, ndizen zjarre etj. Një ditë më parë përgatiten kuleçë e zihen vezë, duke i ngjyrosur me lëvoret e qepëve ose me ngjyra. Fëmijët dalin në kodrat e fshatit dhe luajnë lojëra të ndryshme popullore si: kala dibrançe, kërcim me litar, top a djegas etj. Zënia e vezëve është një ndër pjesët më interesante, ku fituesi është ai që me vezën e tij thyen më shumë të tilla. Fëmijët, me lëvoret e vezëve patkojnë (zënë) lulet e verës, të cilat i këpusin të nesërmen me 14 mars. Lulet i vendosin në portat e shtëpive, për të lajmëruar ardhjen e pranverës. Gjithashtu, një natë më parë ndizen zjarret për të larguar dimrin. Fëmijët hanë rreth zjarrit, kërcejnë e këndojnë këngë, duke shprehur dëshirën që të kenë zjarrin më të madh.

Festa e të Vjelave. Ky aktivitet zhvillohet zakonisht në muajin tetor dhe zgjat 1 deri në 3 ditë. Zhvillohet në bulevardin e qytetit të Peshkopisë, në të cilin vendosen tendat për ekspozimin e produkteve bujqësore, blegtorale si dhe gatimeve apo punimeve tradicionale të zonës. Në shumë raste zhvillohen njëkohësisht me festivalin folklorik “Oda Dibrane” duke qenë se ka një pjesëmarrje të gjerë si nga dibranët dhe më gjerë. Është panairi i cili dallohet për pjesëmarrjen më të gjerë dhe me produkte më të shumta të ekonomisë bujqësore. Ndër produktet më kryesore janë: mollët, dardhët, ftonjtë, arrat, prodhime blegtorale si djath dhie apo deleje, mjaltë, raki e llojeve të ndryshme, ëmbëlsira të shumëllojshme, turshi, pastërma, jufka etj. Këto produkte të përzgjedhura nga fermerët u ofrohen qytetarëve dhe njëkohësisht promovohen produktet tradicionale të zonës.

Dita e Nevruzit. Pavarësisht nga emri persian, duke rënë ngjitas me ditën e ekuinoksit të pranverës, përmbledh në vetvete rite vendëse të ripërtëritjes së natyrës e të jetës së njerëzve. Me burim nga historia e vjetër antike, e mbështjellë me legjenda e mitologji, është ndër festat më të mëdha kombëtare iraniane. Nevruzi është festa që sjell lajmin e mirë të ardhjes së pranverës, të gjelbërimit, bukurinë e jetës, lëvizjen e natyrës. Është një festë e besimit bektashian, por festohet në gjithë zonën e Dibrës. Një pjesë e zonës e festojnë me 22 mars, ndërsa pjesa tjetër, tre ditë më vonë.
Dita e Shënkollit. Fshatra të njësisë administrative të Selishtës organizojnë me rastin e kësaj feste shfaqje folklorike, festivale të ushqimit, kampe zjarri, gara me kuaj dhe aktivitete të tjera sportive. Festohet në muajin maj në livadhet e shumta të Selishtës. Ka një pjesëmarrje si nga qyteti i Peshkopisë, ashtu edhe nga njësitë administrative të tjera. Problem mbetet rruga Peshkopi-Selishtë e cila përshkohet vetëm me furgona dhe makina të tipit fuoristradë. Por kjo nuk e pengon që të ketë një pjesëmarrje masive në këtë aktivitetet. Ditën e Shënkollit zakonisht e organizon NJA Selishtë.

Festa e Drinit. Është aktiviteti festiv që shënon hapjen e sezonit turistik në njësinë administrative Muhurr. Kjo festë ka nisur rreth vitit 2005 dhe nga viti në vit ka njohur një rritje të numrit të turistëve. Aktiviteti ka si qëllim të tij jo vetëm hapjen e sezonit turistik, por edhe promovimin e turizmit në këtë zonë. Festimet janë të shumta si: muzikë, këngë e valle, aktivitete të ndryshme sportive etj. Përgjatë bregut të Drinit të Zi, vizitorët kanë mundësi të shijojnë gatimet tradicionale të zonës në lokalet pranë. Zakonisht sezoni turistik hapet më datën 1 korrik, por kjo edhe në varësi të kushteve klimatike.

Festa e Shëngjergjit. Një festë e Dibrës, me një rëndësi të veçantë e tepër interesante, në emër e krishterë, po në rite tërësisht e besimit pagan, është Shëngjergji që bie më 23 prill me kalendarin e vjetër dhe me 6 maj, me kalendarin e përditshëm. Kjo e kremte e ringjalljes së natyrës quhej edhe kryeviti, pra si një ditë e një viti të ri. Këtë natë të festës e të nesërmen kryhen rite të shumta e domethënëse. Të rinjtë dikur dilnin natën e ndiznin zjarre në vende të dukshme. Natën haheshin në natyrë ushqime rituale. Me tërë këto ushqime “patkonin” lulet (“i ushqenin ato”), sidomos kukurekun, lule-metimin dhe luleshëngjergjin. Patkonin gjithashtu barin e njomë në një copë vendi në livadh a fushë me bar dhe një gur të bardhë të rrumbullakët e një plis dheu që i vendosnin mbi barin e patkuar. Kjo është një festë pagane, e cila njofton ardhjen e verës, gjelbërimit të të gjithë bimëve dhe shpëtimi i bagëtive prej mungesës së ushqimit. Për këtë ditë nga familjarët ruhet qengji më i mirë për t’u therur.
Festa e Korabit. Kjo festë zhvillohet në fund të muajit qershor apo fillim të korrikut, në bjeshkët e Korabit, në pjesën e njësisë administative të Kalasë së Dodës dhe më pak të Sllovës. Është pikërisht kjo periudhë ku mbizotëron gjelbërimi, freskia e klimës, bota e pasur bimore e shtazore etj., prandaj paraqet një interes të madh për vizitorët. Zakonisht ky aktivitet festiv zhvillohet në Fushën e Korabit. Duke qenë se terreni është i vështirë dhe ngjitja bëhet në lartësitë rreth 2000 metër, për transport përdoren kuajt, sidomos për moshën e tretë. Kryhen aktivitete të ndryshme si: valle me curlë e lodër, futboll, lojëra popullore etj. Marrin me vetë edhe gjeneratorë për vënien në punë të fonisë pasi këndojnë e dëgjojnë këngë, sidomos për Korabin, por edhe këngë patriotike të zonës së Dibrës dhe mbarë Shqipërisë.
Meqenëse zona e Kalasë së Dodës merret kryesisht me blegtori, e konkretisht me mbarështimin e dhenve, në këtë festë dominon mishi i qengjit në hell si dhe djathi i zonës mjaft i njohur. Pjesëmarrja është e gjerë si nga banorë të Kalasë së Dodës apo që kanë migruar, nga gjithë zona e Dibrës, Kukësit, si dhe personalitete të ftuar. Aktivitetet fillojnë në mëngjes dhe zgjasin gjithë ditën. Kështu udhëtarëve u duhet që të ngrihen herët në mëngjes për të arritur në kohë, por një pjesë e tyre flenë në çadra apo kampingje një natë më parë. Zbritja bëhet në drejtime të ndryshme, në varësi të preferencave të individëve, për të parë sa më shumë vende gjatë rrugës. Organizohet nga banorë vullnetarë, shoqata, njësi vendore etj. Që nga viti 2010 është një veprimtari që zhvillohet rregullisht. Kjo festë shihet edhe si promovim i potencialeve të turizmit malor që ofron zona e Korabit.

Panairi i Qershive. Organizohet çdo vit në periudhën maj-qershor që është edhe koha e vjeljes së qershive. Zhvillohet çdo vit pasi ka një rritje të fermerëve që marrin pjesë në këtë panair, të cilët tregtojnë dhe promovojnë produktin e qershisë dhe në disa raste gjejnë treg për shitje. Vihet re një rritje e konsiderueshme e sipërfaqes së tokës, falë programit të skemës mbështetëse për fermerët.
(Burimet bibliografike të përdorura në këtë shkrim mund t’i konsultoni në versionin olinë)