Murat Koltraka, stërnipi i Kastriotëve…


Murat Koltraka ka lindur në Kukaj të Çidhnës, në fshatin e mbushur me histori trimërie e burrash të lavdishëm. Sikur të mos kishte asgjë tjetër, do të kishte mjaftuar Pal Kukaj, dora e djathtë e Skënderbeut, për ti dhënë nder e lavdi këtij fshati, që më pas mori emrin e këtij heroi legjendar. Ngjitur me këtë vendbanim është dhe Kastrioti. Historianët na japin detaje se Kastriotët dhe Kukaj janë dy fise ngjitur, që luftuan bashkë kundër turqve në beteja të pashembullta. Deri vonë varrezat e këtyre dy fshatrave kanë qenë të përbashkëta, xhamia është e njejtë, kurse banorët thirren për mirë e për keq, si një fis i vetëm.
Kur isha në klasë të pestë, tregon Murati, kishim një mësues, Petraq Pepa, me njohuri të thella shkencore dhe një ditë na bëri një bisedë tek Kodra e Gështenjasit. Me kuriozitetin e fëmijës e pyeta sa ishte ushtria e Skënderbeut dhe sa prej tyre ishin dibranë. Mësues Petraqi e sheh djalin, pak i habitur nga pyetja që i bëri. Ai i shpjegon se ushtria e kryetrimit nuk ka qenë gjithnjë e njëjtë në numër, por gjithsesi, të paktën gjysma e tyre kanë qenë dibranë.
Më të moshuarit na tregonin emra toponimesh, si Pusi i Gjonit, Ogradja e Gjonit, Kalaja e Gjonit, Mulliri, po me të njejtin emër, Kodra e Pareve, Varret e dragonjve, e plot të tjera si këto. Në mendjen tonë ngjiteshin e ngjizeshin emrat e tyre, bashkë me historitë që i shoqëronin ato. Që atëherë, kur lexonim historitë për Skënderbeun, na dukej se ai na përkiste të gjithë shqiptarëve, por ne që ishim aty, ca më tepër.

SHKOLLA E MESME
Murati, djali i dikurshëm filloi shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi. Kishte hedhur goxha shtat e qe burrëruar. Ishte stërvitur mjaftueshëm në lojrat e shumta fëminore, në përpjekje për të imituar Skënderbeun dhe trimat e tij. Shpejt u ingranua në ekipet e shkollës, sidomos volejbollin e kishte më për zemër. Mësuesi i edukimit fizik, Dan Doçi nga Tropoja, kishte mbaruar në Çeki dhe kishte njohuri shumë të mira në këtë drejtim, por dhe dëshirë për të punuar. Çdo vit bëhej spartakiada kombëtare e shkollave të mesme dhe Murati ishte gjithnjë pjesëmarrës në to. Përveç përgatitjeve gjatë periudhës së shkollës, bënin dhe një muaj stërvitje plotësuese në pushimet verore. Djali kishte dhe një pasion tjetër, hedhjen e gjyles. Dy herë zuri vendin e tretë në renditjen kombëtare, për nxënësit e shkollave të mesme, duke i shtuar mjaft pikë ekipit të tij në renditje.
Vitin e fundit të shkollës, garat zhvilloheshin në Vlorë. Murati ka një kujtim të bukur dhe na e tregon: “Një nga garat e shumta që zhvilloheshin, ishte dhe hedhja e shtizës. Ne, si ekip nuk kishim njeri të përgatitur për këtë lloj gare dhe vendosën që ti përfaqsoja unë. Në fakt, merrja pjesë dhe në dy gara të tjera, kështu që e treta nuk lejohej. U regjistrova me një emër tjetër dhe të nesërmen do të konkuroja. Në mëngjes, pashë një sportist bregut të detit, që bënte stërvitje për hedhje shtize. Nga mënyra si e kapte shtizën, si e rrotullonte, si e vërtiste, dukej që kishte kohë që merrej me të. U afrova si me droje në fillim. Ai më përshëndeti dhe më pranoi në shoqërinë e tij, pasi ja sillja shtizën sërish, kur ai e hidhte. Më tregoi se ishte kampion me të rinjtë e Dinamos. Në një moment më tha ta provoja dhe unë, sa mund ta hidhja. E bëra një provë, porse shtiza nuk shkonte drejt, sikur e hidhte ai, por në një pozicion tjetër, për së gjëri. Eja këtu, më thirri, e më tregoi sekretin. Me njërin gisht, duhet ta rrotullosh e shtiza duhet të shkojë përpara, sikur ecën plumbi. Veprova ashtu siç më thanë dhe rezultati ishte vërtet tejet parashikimit. Nuk di pse u tregua aq i sinqertë, kur pasdite do të më kishte rival në garë. Në fakt, ashtu ndodhi. Në garën e pestë unë e kisha fluturuar shtizën më shumë se ai, por gjyqtarët vërejtën një prekje të vizës prej një centimetri. Të paktën, kështu vendosën ata dhe unë duhej të kënaqesha me vendin e dytë në kampionatin që po zhvillohej”.
Profesori, – siç i thërrasin të gjithë në Dibër, – ka dhe një dashuri të rinisë së tij dhe kjo ishte violina. Në vitin e dytë të shkollës, ai u lidh shumë me këtë vegël muzikore. Për pesë gjashtë muaj ai fillon të punojë si i pavarur me tekste të ndryshme. E tërhiqte kryesisht muzika e Paganinit. Punon deri në orët e vona të natës dhe aftësohet për të zbërthyer çdo pentagram. Mësuesi i talentuar i muzikës, Munir Shehu, i propozoi të hyjë me orkestrën e shtëpisë së kulturës të Peshkopisë dhe vitin tjetër të vazhdonte shkollën e muzikës. Murati i ri nuk e pranon këtë ide. Le të ishte muzika vetëm një shok, që do ta shoqëronte gjatë jetës dhe jo profesion i tij.
Një ditë, mësuesi i matematikës, Ismail Erebara, e gjen të papërgatitur në lëndën e gjeometrisë. Orët e vona me violinën e kishin bërë të vetën. Profesori nuk i jep mundësi të dytë dhe i vendos një dysh në regjistër. Nuk mund të mbaheshin dy kunguj nën sqetull dhe me shumë dhimbje djaloshi e braktisi violinën e dashur.
Një ditë të vitit të largët 1961, instruktori i komitetit të rinisë të asaj kohe, i thotë se duhej të bënte një foto të formatit të madh dhe ajo do të vihej tek tabela e heronjve dhe personaliteteve të kohës. Më pas i thotë se ka dhe një sihariq për të. E thirri lart te zyra e tij, u kërkoi ndjesë dy punonjëseve, që ti linin vetëm dhe atëherë i jep lajmin e bukur, se do të shkonte në Kinë për të vazhduar studimet e larta. – Dokumentat janë nisur dhe gjenden në ministri të arsimit, shtoi më pas, si për të garantuar se lajmi nuk ishte llaf kafenesh.
E kush nuk do të kënaqej po të ishte në vendin e tij, Kina ishte një ëndërr e madhe dhe e largët, por ja që fati po ja sillte në derë dhe ishte gati ta prekte. Kaluan javë. Murati u dha kafe shokëve të ngushtë për rastin në fjalë. Por tamam kur pritej përgjigja përfundimtare, fytyrën e tij e kaploi trishtimi. Ndjeu ti troshitej gjithë ajo kala që kishte thurrur në mendje. Në vend të studimeve në Kinë, i thanë se e kishin caktuar si mësues në shkollën e Shumbatit. Njerëz të ulët, pa shpirt e pa nivel kishin gërmuar si minj gjirizesh në biografinë e tij dhe kishin gjetur aty nja tre kushërinj që ishin arratisur herët për në Amerikë. Kaq kishte mjaftuar për ta përmbysur situatën në sensin negativ

DYZET VJET NË ARSIM
Profesor Murati tregon për mëdyshjet e asaj kohe, të shkonte apo jo, atje ku e kishin caktuar. Ditën e parë do ta shihte situatën nga afër. Dy kolegët e tjerë, nëse do të vazhdonte, ishin Ahmet Çaushi dhe Naim Plaku. Kur kaluan pak orë dhe zhvilluan një ndeshje futbolli, nuk kishte më vend për diskutim. Që tani e për dyzetë vjet me rradhë, Murat Koltraka do të ishte pjesë e armatës së madhe të arsimtarëve shqiptarë.
Shumbatit i dhamë nga forca dhe shpirti rinor, por dhe morëm shumë në këmbim, kujton profesor Murati. Që në atë kohë kishim laborator fizike të ardhur nga Gjermania lindore, por dhe ne bënim përpjekje maksimale në mësimdhënje. Ora e mësimit ishte e shenjtë. Kishin kaluar vetëm shtatë muaj në punën e re, kur vjen një ekip kontrolli nga rrethi, që kryesohej nga vetë shefi, Selim Alliu, njeriu që përmendet me admirim dhe sot e kësaj dite. Puna jonë kishte lënë gjurmë dhe nuk u muar asnjë notë negative. Në përfundim shef Selimi i thotë se duhej të referonte në sesionin shkencor të rrethit, temën: “Lidhja e teorisë me praktikën në matematikë”. Veç kësaj e shpërblen me fletë nderi dhe një pagë mujore.
Më pas transferohet në Fushë Alie, ku i ngarkojnë detyrën e drejtorit të shkollës, kur kishte mbushur vetëm 22 vjeç. Për gati 20 vjet do ta bënte këtë detyrë, duke drejtuar me kompetencë dhe duke arritur rezultate të shkëlqyera. Gjatë kësaj kohe e më tej, ai ka marrë pjesë aktive me referime të dobishme për kolegët, si në aktivitetet e rrethit, por dhe në veprimtari që janë zhvilluar në Tiranë. Ka botuar artikuj me vlerë tek revista pedagogjike e kohës.

PENSIONI
Profesor Murati ka rreth 20 vjet që ka dalë në pension dhe tani po drejtohet tek të tetëdhjetat. Ai është kujdesur që ta ruaj veten nga mosha, duke mos hequr dorë nga dy aleatë të fuqishëm, aktiviteti mendor dhe fizik. Nëse sot i thua se duhet të ngjitet në këmbë në Lurë, ai është gati, tamam me profilin e sportistit, që ka pasur gjithë jetën.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka botuar dhjetra artikuj në organe të ndryshme të shtypit për origjinën dibrane të Skënderbeut, duke mbledhur dëshmi e fakte të shumta në favor të kësaj ideje. Ato janë vetëm maja e ajsbergut, pasi materiali i shkruar prej tij kap shifrën e gati dymijë faqeve, që mund të zerë hapësirën e dy librave.
Vitin e kaluar botoi shkrimin: ”Kur do të vijnë arkeologët, të studjojnë për vete, e tu shpjegojnë të tjerëve historinë e Çidhnës?” Nuk vonoi shumë kohë pas kësaj. Marin Mema, historiani Pëllumb Xhufi, arkeologu Skënder Muça e tre të tjerë më të rinj, erdhën për të studjuar krahinën. Profesor Murati i shoqëroi në çdo hap, duke u dhënë detaje e histori, pa të cilat do ta kishin pasur shumë të vështirë misionin. Grupi u ngjit deri te kalaja e Skënderbeut, kaloi në Trojas, përshkoi luginën e Setës dhe vazhdoi tek Kodra e Gështenjasit, duke nxjerrë në dritë materiale me vlera të padiskutueshme.
Profesor Murati shpesh është vënë në mbrojtje të interesave krahinore e dibrane për probleme të ndryshme, siç kishin bërë paraardhësit e tij, në epoka pushtimesh të huaja.
Diku nga viti 2000 vjen në Dibër ish kryeministri Fatos Nano, me një grup pune për ndërtimin e hidroçentralit të Skavicës. Profesor sheh të dhënat që kishin me vete grupi i punës, ku binte në sy shuma totale e shpronësimit të banorëve prej 44 miljon eurosh. U thotë atyre se kontrata e Ronaldos kishte qenë 160 miljon euro, pra katër herë më e madhe se shuma në fjalë. Ju o njerëz, u drejtohet atyre, doni që me një grusht para të fshini pronat e njerëzve, historinë e tyre mijravjeçare, pra vetë identintetin e tyre. Jo, ky është krim dhe ju nuk duhet ta bëni! Ne nuk do t’ju lejojmë!
Profesor Murati ka një familje të shkëlqyer, tre vajza dhe një djalë, të gjithë me arsim të lartë. Ai banon në qytet, por verës, gati për çdo ditë e viziton banesën e tij në fshatin Kukaj. Punon nga pak në kopështin dhe në bahçen e tij. Pemëve të shumta që ka mbjellur aty, vitin e kaluar u shtoi dhe tre dynymë arra, të cilat kanë shpërthyer në gjelbërim. Shpresojmë dhe urojmë që profesor Murati të ketë jetë të gjatë, të shkruaj sa më shumë dhe të mbledhë prodhimin e arrave që ka mbjellur me dorën e tij.