Dr. Filip Cfarku, themelues i reanimacionit pediatrik bashkëkohor në Spitalin Rajonal të Dibrës


Rastësisht, duke parë një dokumentar mbi Mustafa Qemal Ataturkun, kur historiani tha se prindërit e tij kishin origjinën nga Stebleva, në mënyrë reflektore, mendja më shkoi tek kolegu dhe shoku im i ngushtë, dr. Filip Cfarku, i cili, gjithashtu, është nga ky vend i bukur dhe piktoresk. Një ditë, duke biseduar në telefon me dr. Filipin për personalitetin e spikatur shkencor dhe njerëzor të dr.Qemal Çadrit, për sensibilizimin dhe promovimin e kësaj ikone të mjekësisë dibrane, i cili duhet të ishte dekoruar kohë më parë si “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Dibrës, unë e përgëzova sinqerisht për cilësitë e tij intelektuale. Ai flakë për flakë m’u përgjigj me një batutë pikante me konotacion humoristik: “Ti gjithmonë më ke nënvleftësuar mua, por edhe unë bëj ndonjë punë të mirë”. Në moment, pasi me një shpejtësi të rrufeshme më shkojnë nëpër mendje tërë ngjarjet dhe historitë me eminente të punës e të jetës dhe iu përgjigja: “Nuk është e vërtetë, përkundrazi, ti bën shumë punë të mira dhe për këtë unë kam menduar të shkruaj një ese për ty.”
Këtë shkrim po e bëj si “Ese mbi dr. Filipin”, sepse duke qenë më i ri se shokët e mi të tjerë, nuk kam pasur rastin të mbaj ndonjë fjalë në ndonjë event të tij. Gjithashtu, eseja,përveç një soditje kritike artistike, mund të jetë një reflektim i shkurtër, që përputhet me atë të një letre, një artikulli apo tregimi të shkurtër, që në rastin konkret ka karakterin e një eseje joformale, e karakterizuar nga elemente personale, shijet dhe përvojat individuale, konfidenciale, humori dhe stili i këndshëm. Woodi Allen thotë: “Tetëdhjetë për qind e suksesit është të dukesh” Dr. Filipi është e kundërta e kësaj thënie. Atë do ta karakterizonte më së miri thënia e Albert Einstein: “Përpiquni jo të jeni një sukses, por që të jeni një vlerë”. Të shkruash për dr.Filipin është e thjeshtë dhe e vështirë njëkohësisht. Është e thjeshtë, sepse aktiviteti i tij jetësor, profesional dhe menaxheria është i gjerë dhe intensiv, por është e vështirë për shkak të karakterit dhe personalitetit të tij kompleks dhe ndoshta unikal në Spitalin Rajonal të Dibrës. Për të njohur karakterin e njeriut duhet një kohë e gjatë, sepse ka njerëz që mbajnë maska dhe në momentin që mbase pa dashje i “shkel në kallo”, shumë shpejt ajo maskë griset dhe ti je përballë dikujt që të duket i panjohur. Aq më tepër që jetojmë në një kohë që ka më shumë maska, sesa fytyra të vërteta. Për mbi 30 vjet njohje me dr. Filipin kanë spikatur gjithmonë elemente pozitiv të personalitetit si gjakftohtësia, vetëkontrolli i vazhdueshëm, besimi në vetvete, origjinaliteti, ndjenja e realitetit dhe e humorit të hollë. Dhe personaliteti nuk mund të fshihet.
Nëse ke të meta, të tjerët do t’i vënë re. Nëse nuk i ke cilësitë pozitive nuk mund t’i shfaqesh në marrëdhënie me të tjerët, t’i ndjejnë ato. Napoleoni ia dedikon gjithë madhështinë dhe joshjen e tij faktit se ai realizoi plotësisht personalitetin e tij. Dr. Filipi e ka fituar një superioritet të tillë moral dhe intelektual dhe kushdo që i afrohet e ndjen këtë dhe mund të mos e harrojë kurrë. Por për një njeri me integritet si dr.Filipi, karakteri dhe personaliteti nuk mund të mos harmonizohen me dijen.
Dr. Filipi mbaron Fakultetin e Mjekësisë si një student ekselent, por jo si disa studentë ekselente të sotshëm, që për të realizuar qëllimin e tyre kompromentojnë pedagogët dhe spekulojnë me të drejtën e autorit nëpërmjet internetit dhe teknologjisë bashkëkohore. Rezultatet e shkëlqyera të tij ishin të lidhura me studimin sistematik pesëvjeçar, përkushtimit në praktikat mësimore spitalore, intuitës profesionale dhe inteligjencës së tij të admirueshme. Pas disa vitesh punë në krahinën e tij dërgohet në specializimin 3 vjeçar për reanimator pediatër në QSUT, të cilin gjithashtu e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Por përgatitja teorike sado e lartë që të jetë, është e pavlefshme në qoftë se reflektohet në praktikë, në jetë, në rezultatet e mjekimit dhe parandalimit të sëmundjeve të pacientëve. Prandaj dr. Filipi sapo emërohet shef i reanimacionit të pediatrisë, fillon punën intensivepër themelimin e këtij shërbimi të domosdoshëm në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, pasi nr. i fëmijëve të shtruar në periudha epidemish kalonte shifrën 120 dhe rastet e shumta të gjendjeve të rënda ishin shumë problematike.
Dr. Filipi me vendosmërinë e tij, në bashkëpunim me drejtorin e spitalit të asaj kohe, ndërtojnë strukturën dhe mjediset e reanimacionit, sigurojnë pajisjet e duhura si inkubator, instrumentet e nevojshme të manipulimeve mjekësore, emërojnë numrin e duhur të personelit mjekësor të cilat bëjnë trajnimin e posaçëm etj., dhe kështu për herë të parë në Spitalin Rajonal të Dibrës filloi funksionin reanimacioni pediatrik bashkëkohor që drejtohej nga një specialist ekselent, i denjë të punonte në Spitalin Universitar. Kushdo që e kontaktonte dr. Filipin vinte re komunikimin e kulturuar, seriozitetin, përkushtimin në punë, etikën mjekësore me kolegët dhe infermierët dhe kompetencën profesionale. Nuk kishte protokoll dhe manipulim mjekësor që të bëhej në QSUT dhe të mos bëhej nga dr. Filipi, duke përfshirë injeksionet në venën subclavia, drenimin dhe mjekimin e empiemes pleurale etj., që deri atëherë nuk bëheshin.
Në këtë reanimacion mjekoheshin me sukses gjendje shumë të rënda si gjendje të shokut toksik, pneumoni masive, sindromi Waterhouse Frederichsen, sindromi uremik hemolitik, miocarditacut etj., etj… për shkak të të cilave jo rrallë detyrohej të qëndronte non stop në spital 24 – 48 orë. Në atë kohë, për profesorin e nderuar të kardiologjisë në QSUT, Spiro Qirko, qarkullonte një anekdotë që thoshte se ai ishte martuar me kardiologjinë, pasi doli në pension pa u martuar. Por dr.Filipi, pavarësisht ngarkesës së madhe në punë, në kohën e duhur gjeti njeriun e zemrës dhe sot vazhdojnë të rrisin, edukojnë dhe shkollojnë dy fëmijë të mrekullueshëm. Në punën e tij si shef i reanimacionit, përveç energjisë së tij pozitive dhe aftësisë profesionale, spikati dukshëm edhe aftësia drejtuese dhe menaxheriale. Për këtë arsye ai emërohet shef i shërbimit pediatrik dhe për të njëjtën arsye me vonë nëndrejtor teknik i spitalit, pa lënë pas dore punën e reanimatorit.
Në të dyja këto detyra ai shquhet për konstruktivitet, kompetencë dhe rezultate të admirueshme. Por krahas punës me pacientët e vegjël dhe asaj drejtuese, ai nuk e ka ndërprerë për asnjë moment dhe punën shkencore, duke marrë pjesë si referues me temat me problematikë në të gjitha sesionet shkencore të zhvilluara për pediatrinë në Tiranë, Peshkopi dhe në Dibër të Madhe, pa përjashtuar programin e Ministrisë së Shëndetësisë për Edukimin në Vazhdim. Gjithashtu, dr. Filipi ka qenë pedagog i lëndës së Pediatrisë gjatë gjithë kohës që ka funksionuar Shkolla e Infermierisë në qytetin e Peshkopisë. Për përkushtimin maksimal ndaj shëndetit të fëmijëve, që janë bukuria më e madhe që Zoti u ka falur prindërve, për aftësinë, besueshmërinë, ndjeshmërinë, simpatinë për të sëmurin, vërtetësinë dhe integritetin e tij, dr. Filipi është bërë një ndër figurat publike më të adhuruara në qytetin e Peshkopisë.
* Mjek pediatër, Dr.i Shkencave Mjekësore