Ndërsa shoh të rinjtë sot, tek rriten dhe të ardhmen e tyre, që hapet si një horizont i qartë, pafund e paanë, më vjen ndër mend e kaluara e brezave tonë. Një proverb thotë se kush lexon qartë të kaluarën, shkruan saktë të ardhmen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe mendoj se është një çast shumë domethënës në jetën e njeriut. Madje, psikologjia shkon më tej se kaq, ajo është e mendimit, se te fëmijëria, te çdo hollësi, sado e parëndësishme qoftë, ndodhen të fshehtat e të sotmes sonë. Në çdo hollësi të moshës së pavetëdijes, të asaj moshe që kujtojmë me mallëngjim janë të vendosura themelet e personalitetit tonë.
Njëkohësisht, jo më pak e rëndësishme është mbajtja e lidhjeve me brezat prej nga rrjedhim, si hallka e një zinxhiri me tjetrën që përbëjnë një të tërë. Ky zinxhir sa më i fortë të jetë dhe hallkat e tij sa më të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën të jenë, aq më kryelartë e pret të sotmen, aq me krenari ua pason brezave atë. Literatura filozofike dhe shumë teori përcaktuese të mendjeve të mëdha nga Frojdi e deri më sot mbështesin te prejardhja themelin kryesor, ku për çdo brez ngrihen shtyllat e qëndresës. As më shumë e as më pak, në një farë mënyre jemi një riciklim i atij brezi, një prirje përsosmërie në strukturimin e të sotmes dhe garanci për atë brez, që do të çojë përpara gjithë këtë bazë gjenetike, të cilën e kemi të trashëguar dhe që do ta pasojmë deri në përjetësi.
Megjithëse koha dhe njerëzit nuk kanë qenë të kujdesshëm për të plazmuar epokat, ngjarjet apo personazhet, ata kanë mundur të kapërcejnë gjithë këtë harresë për të ardhur si personazhe të plota. Të gjithë ata burra që sakrifikuan në historinë e vendlindjes sonë, janë personifikuar si atdhetar të flaktë, njerzë me mendje të ndritur, me zemër të artë.
Dëshmitë e kohës dhe gjithçka kujtojnë rreth tyre nga bisedat e ndryshme, rrëfejnë, se ata ka qenë pothuajse të rrallë në atë zonë. Kjo cilësi, që karakterizonte gjeneratën tonë, natyrisht që do të kishte një rrugë të gjatë për të bërë dhe sigurisht që do të kishte edhe koston e saj.
– Ka qenë burrë!
Ky përcaktim që në etimologjinë e sotme të termave dhe shprehjeve frazeologjike nuk merr ndonjë qartësim dhe përcaktim shumë domethënës, asokohe e sidomos në anët tona, ishte një nga vlerësimet më të rëndësishme. Ky term nënkuptonte: burrërinë, trimërinë, besën, nderin, bujarinë, pasurinë…, e natyrisht edhe atdhetarizmin, si një nga cilësitë kulmore.
Treva jonë i përket një zone atdhetarësh dhe patriotësh që sakrifikuan gjithçka në shërbim të atdheut, në shërbim të lirisë, pa të cilat gjithçka është asgjë. Elez Isufi, Haxhi Lleshi, Cen Elezi,Riza Navaku, Myslim Shehu, Cen Puca, Bajram Zeneli, Selim Alliu, Asllan Zeneli, Selman Qylhani, Hasan Muglica, Mois Cami… kan bërë të pa mundurën për të ndihmuar luftën nacionalçlirimtare. Këtë veprim e ndeshim shpesh nëpër faqet e historisë, ku njerëz të përkushtuar për idealet e shenjta të atdheut e të popullit kanë dhënë gjithçka, që ata kishin në këmbim të lirisë dhe të mëvetësisë. Ata, pra paraardhësit tanë, nuk kanë kursyer as jetën për këto ideale. A nuk ishte një nga këto dhe Mustafa Shehu i Zerqanit që zbrapsi Hajredin Pashën dhe si rezultat sakrifikoi jetën për idealet tona kombëtare?.
Dëshmi historike të bashkëkohësve, gjithashtu tregojnë se Dibranët kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat për mbrojtjen e vendit, duke dëshmuar trimëri dhe vetëmohim.
Dibra jonë është një trevë e lashtë Dardane, me histori Pellazgo-Ilire, që njihej, jo vetëm për patriotizëm, por edhe për mikpritje e bujari. Ajo vjen deri në ditët e sotme nga ai vend, ai realitet tregues ku ka fillesat e saj edhe vetë historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Në Dibër, faktet e dokumentuara historikisht dëshmojnë se lindi dhe u rrit heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Aty, ai mblodhi ushtarë për t’i bërë ballë pushtimit turk, që kërcënonte me një ushtri të shumëfishtë në numër. Në histori njihen nëntëmbëdhjetë beteja, vetëm në Dibër, ku Skënderbeu bëri një luftë të madhe kundër turqve duke i munduar ata dhe hordhitë shfaruese, që po kërcënonin njëkohësisht dhe Evropën, kulturën dhe qytetërimet shekullore.
Dibranët nuk kanë qenë pasanik, varfëria është shtruar vazhdimisht në sofër por pothuajse asgjë nuk ka munguar, bujaria, besa, shtresa e mbulesa… Njerëz që janë kollandisur me fukarallëk, por atë pak që kanë pas, me shpirt e me zemër ja kanë nxjerr mikut në sofër. Kohët kanë lëvizur përpara dhe ky ovulim është pozitiv por dua të them se dikur,edhe pse kishin më pak ishim më të lumtur dhe jetonim më afër me njeri tjetrin, respektonim njëri-tjetrin dhe dashuria ishte e pranishme kudo.
Çdo pasuri e venë ndër dibranët ka brenda shijen e mundit dhe djersës së atyre njerëzve punëtorë e të pa lodhur, që e bëjnë natën ditë. Po kështu edhe pozitat e vështira natyrore e gjeografike, kanë bërë, që, sakrificat për jetën kanë qenë ma të mundimshme se kudo.
Padasht me e mbrojt vendlindjen time dua të them se qysh sa e njoh unë historinë e Dibrës, ma shumë se çdo gjë tjetër vetëm luftëra kam dëgjuar.
Të gjithë ata që kanë lindur në Dibër dhe ata qe e kanë prejardhjen nga Dibra nuk e kanë bezdi ta quajnë veten dibranë.
Dibranët kudo që punojnë e jetojnë, kanë dëshmu njeriun e mirë, qytetarin e botës, njerëz të thjesht dhe larg krekosjes.
Hallet dhe luftërat e shumta, përplasjet me armikun kanë bërë që Dibra të ketë gjuhën e folur karakteristik të vetën gjuhë që veç dibranëve është vështirë ta kuptojnë çdo kush. Është gjuhë që është folur nga nevoja, ajo e ka origjinën shumë më herët se ne e njohim historinë.
Është pikërisht Dibra, ky vend i shenjtë, që ka qenë dëshmitar i luftërave nëpër të cilat ka rendur kalvari i gjatë i qenësisë sonë kombëtare, që nga luftërat në kohën e Ilirëve, kohën e Skënderbeut, luftën e Dibrës kundër Hajredin Pashës, për të vijuar më pas me Elez Isufin dhe luftëtarëve të tij kundër serbëve. Kjo tokë është vaditur me gjak, ngritur mbi sakrificat e panumërta, mbi vetëmohimin dhe devotshmërinë atdhetare, që gjallon në ato anë si rrallëkund më e flaktë.
Një tjetër çast shumë domethënës, me tipare të veçanta dhe me një mesazh që kalëron nëpër të gjitha kohërat që nga antikiteti Pellazgo Ilir, në letërsinë latine, në rrëfenjat magjike ballkanike e deri në realitetin e prekshëm të asaj ane është atdhedashuria.
Ajo, që quhet pozitive është se janë ruajtur me saktësi dhe origjinalitet të gjitha elementet e traditave tona kombëtare dhe janë pasuar në forma nga më të ndryshmet të shkruara dhe gojore dhe më e rëndësishmja është se vazhdojnë të ruhen e të pasurohen dhe sot.
Prova e burrërisë e praktikuar në këtë zonë dhe që ruhet edhe sot e kësaj dite si një visar i çmuar dhe i pashoq i atributeve qytetare, emancipuese dhe traditave të shkëlqyera të zonës është një provë kalorësiake, është një test shumë kuptimplotë. Dëshmi të tilla kaq origjinale, të rralla dhe të qenësishme me gjithë parametrat e një filozofie qëndrese dhe dinjiteti i ndeshim tek-tuk në trevat e Shqipërisë, kryesisht në Veri. Atë e ndeshim shumëkund në përvojat historike të popujve të tjerë, si tipar përcaktues për forcën e gjenerimit të brezit, përjetësinë e produktit gjenetik, për forcën gjeneruese të rezistencës.
Prova, besa,trimërie,atdhedashurie, burrërie…., kanë lindur dhe bashkëjetuar me këtë komunitet si nevojë organike, si domosdoshmëri e praktikimit të formave dhe filozofive të vazhdimësisë në kushtet e një realiteti të ashpër natyror dhe të një jete tejet të mbartur me ashpërsi.
Dibranët kanë kërkuar gjithmonë mirëkuptimin e brezave, përkushtimin e këtyre djelmoshave për të ecur në gjurmët e të parëve. Kjo ka bërë që rinia dibrane të hedh hapa të rëndësishëm kryesisht në atë të lindjes së traditës, që natyrisht ka ardhur dhe është formuar përmes përvojash të vështira dhe pësimeve që i bënë mësime.
* Titulli është redaksisë. Botuar për herë të parë në faqen personale në Facebook të autorit me titullin “Dibra ime”.