Më 24 nëntor 2019, në Xhaminë e Myftiut “Ruzhdi Lata” në Dibër të Madhe u shënua përvjetori i parë i ndarjes nga jeta të ish-myftiut dhe ish-kryetarit të Komunës Dibër, Ruzhdi Lata. Të pranishëm në këtë përvjetor ishin shumë miq, shokë e dashamirë të Latës, mes të cilëve edhe z. Telat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut etj.
Në këtë përvjetor po sjellim një profil të Ruzhdi Latës, që përfshin kontributin e tij në jetën shoqërore e politike në hapsirën shqiptare dhe më gjerë.
Vdekja është një e vërtetë absolute që e pret çdo krijesë që ka lindur e ka ardhur në këtë botë të përkohshme. Çastet e jetës vështirësohen më tepër për njeriun e humbur e vajtimet bëhen më të ndjera e më të përjetshme, kur personin që ka ndërruar jetë e njeh nga afër në të gjitha dimensionet, apo siç thotë populli “me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij”. Por kjo ndarje nga jeta edhe për besimtarët muslimanë, të cilët karakterizohen e në thelb pajtohen me idenë se ky është kader i Allahut (caktimi i Zotit), dhe se jeta jonë nuk mbyllet me ciklin e kësaj dynjaje, por se, përkundrazi, libri i jetës së tokës do të dëshmojë në jetën tjetër që na pret nën Arshin e Allahut, edhe për ata çasti i vdekjes është shumë i dhimbshëm, i prekshëm e zemra u vajton, loti i tradhëton në faqet e tyre.
Të flasësh për jetën e dikujt, jo vetëm në aspektin kronologjikë të veprave të tij, por se në të gjitha dimensionet e jetës aq më tepër për kontributin e tij në komunitete të caktuara e shoqëri, nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket, sidomos kur ato fjalë përshkohen krahas subjektivizmit të pashmangshëm edhe prej objektivizmit të qartë e të matur.
E tillë është edhe ndarja nga jeta e myftiut të nderuar e tashmë të ndjerit z. Ruzhdi Lata.
Eh, sa monologje kam bërë ndaj ikjes së tij në çdo çast, ku mendimet mbi dynjanë më rrëmbenin, ku frika mbi botën tjetër më kaplonte, e ku mëshira e shpresa e Zotit më mbante gjallë. Ndaj sot vendosa që ato fjalë të pathëna, të mirëmenduara e të çastit, ato ndjesi të bukura mbi vlerat e tij, dhe mungesën e tij që nga dita e ndarjes nga jeta, këto e shumëçka tjetër, ta hedh në letër se ndoshta kështu e qetësoj pak shpirtin tim të trazuar edhe shumë zemra të tjera që përjetojnë të njëjtën ndjesi, ndoshta edhe më shumë se mua.
Profesor Ruzhdi Lata lindi në një familje qytetare dibrane të trojeve të shqiptarisë, përkatësisht në Ame të Dibrës së Madhe. U shkollua dhe u arsimua në vendlindjen e tij e shkollën e mesme “Medresenë” e kreu në Prishtinë. Studimet e larta dhe ato pasuniversitare i finalizoi po në Prishtinë. Pasi mbaroi studimet, ai kthehet në vatrën e familjes, duke pranuar fatin e tij, si një i ri që udhëhiqej nga logjika e shëndoshë dhe nga besimi i lartë e i palëkundur se ky ka qenë fati dhe caktimi prej Zotit: t’i shërbejë vendlindjes së tij. Me siguri që ky çast është i rëndësishëm në jetën e tij saqë edhe ai vetë më vonë e kuptoi këtë se ishte në vendin e duhur, pasi Zoti që atëherë kishte vendosur se kush do të ishte ai në këtë jetë, kishte përcaktuar profesionin e tij në shoqërinë që e rrethonte.
Kontributi i tij në Dibrën shumë të dashtun ka qenë shumëdimensional. Duke i qëndruar pranë familjes, ai iu përkushtua jo vetëm të afërmve e rrethit të ngushtë miqësor që e rrethonin, porse, së pari mendoi e veproi për misionin më fisnik njerëzor: të qenit i dobishëm e një vesh i dëgjueshëm për çdokënd që trokiste në portën e tij, pavarësisht pushtetit të tij, pikërisht duke vënë në zbatim kësisoj atë çka i diktonte shpirti e besimi i tij, siç përmendet edhe në hadith: “Më i miri prej jush është ai që është më i dobishëm për njerëzit”. Ai dha një kontribut të vyer e të rëndësishëm duke u bërë model frymëzimi për rininë e mbarë shoqërinë shqiptare, në radhë të parë si qytetar, teolog, funksionar i administratës shtetërore e një profesor i shumë brezave apo edukator i të gjitha shtresave. Me mençurinë, drejtësinë, qetësinë që e karakterizonte ai ndoqi një politikë gjithëpërfshirëse për çdo aktor të qytetarisë dibrane, duke u kthyer kështu në një figurë tepër të përkushtuar e të dashur për bashkëqytetarët e tij. Nuk ishte më tepër lidershipi kauza e tij sesa ndriçimi i mendjes njerëzore për të qenë së pari lider i vetes së tyre, prej nga vjen edhe suksesi e qytetaria e një shoqërie.
I ndjeri myfti, ti nuk ishe ai udhëheqësi shpirtëror që përtej interesave personale sytë e mendja nuk të shikonte asgjë, përkundrazi përballë mirëqenies së popullit tënd ti me vendosmëri të plotë i kapërceje interesat familjare. Ti nuk ishe ai politikani të cilit i nevojitej megafoni për të depërtuar zërin e tij tek qytetarët e vet e me hipokrizi të prekë zemrat e tyre. Ti e dije shumë mirë peshën e zërit tënd, se kur duhet me e nxjerr atë e kur duhet me hesht, ndaj më shumë heshte e në heshtje vepra fliste për bukurinë e shpirtit tënd, për lirinë e tij si dallëndyshja që nis shtegtimin pas shumë pranverave të munguara.
Ti nuk e pe politikën si biznes fitimprurës, por investove në të me të gjitha forcat dhe energjitë e tua për të pastruar papërgjegjshmërinë dhe turpësitë e politikanëve që e mbollën farën e atij morali dështak e shkatërrues. Ti nuk ishe ai modeli i liderit që shëtiste me foristradë a me eskortë badigardësh, por një njeri i thjeshtë që ecje në këmbë për në punën që të priste, për në takimet me qytetarët, ai lideri popullor që qante hallet shtruar me popullin e vet duke u zhveshur nga petku i politikanit e udhëheqësit.
Ti ishe ai politikani që vatanin dibran e dheun që të lindi e pe si vatrën e ngrohtë familjare, duke sakrifikuar pa fund për lumturinë dhe mirëqenien e qytetarëve të tu, për ata që të besuan por edhe për ata që të tradhtuan, që pas shpine thikën donin ta ngulnin e që fatkeqësisht nuk ja arritën, pasi krahas drejtësisë hyjnore ka edhe një drejtësi njerëzore, të cilët ishin bashkëkombësit e tu që e kuptuan thjeshtësinë, modestinë e nacionalitetin tënd. Ata panë te ti atë politikanin që punonte për një Dibër të fortë, e jo atë politikanin milioner, që siç shprehet analisti e shkrimtari Kim Mehmeti, i cili i mëson qytetarët e vet se si mbrohet partia e pushtetarët e si shembet atdheu.
Po ç’mund të themi për jetimët?! A nuk ishin ato të cilëve u përkëdhelje flokët, iu dhuroje buzëqeshje, ua ngrohje shpirtin jo vetëm duke i ndihmuar financiarisht, porse duke i përfshirë ato në programe integruese, edukuese, emancipuese, argëtuese për të ndryshuar katërcipërisht rrjedhën e jetës së tyre, në dobi të rritjes së vetëbesimit të tyre dhe gjithëpërfshirjes në jetën shoqërore me kauzën e vetme “Punë sot e lider të suksesshëm nesër”.
Po a mund të numërohen dot tryezat e shtruara, iftaret e shumta që shtroheshin në nder të gëzimit që ndieje e që doje ta ndaje me të gjithë duke ngrohur zemrat me bamirësi, humanizëm, drejtësi, paqe, dashuri pasi këto ishin shtyllat që t’i diktonte morali i bukur që të karakterizonte, “pasi një bukë e dhënë sot, është mburojë mot”.
Ti ishe ai shpirti i zogut të lirë që fluturon pa ndalur në hapësirën qiellore në kërkim të një jete më të mirë, ashtu siç pa pushuar nuk të zuri gjumi e as nuk të kaploi lodhja kur hallet e shqiptarisë trokisnin në veshin tënd duke rendur e duke u bërë copash për të ofruar zgjidhjen më të mirë, edhe nëse do të hiqej kafshata juaj tamam si ai prindi për fëmijën e vet. Dhe e di pse? Sepse kurrë nuk i pe mbështetësit e tu, përkrahësit, qytetarët si shërbëtorë, skllevër apo “mjete pune”, si subjekte drejtë realizimit e kurorëzimit të objektivave të tua gjeopolitike, profesionale apo në çdo fushë tjetër. Ti nuk ishe ai modeli i rëndomtë i liderëve të sotëm që demokracia e shoqëria moderne e kapitalizmit fatkeqësisht na ka ofruar mbi katër dekada e po na ofron dita-ditës; ai udhëheqësi që sapo rrëmben zemrat e qytetarëve të vet në prag të zgjedhjeve u vë shkelmin atyre duke mbyllur çdo shqisë, porse përkundrazi ti hape “dyert e zemrës dhe të arsyes” për qytetarët e tu.
Për këto e shumë të tjera, do i mungosh çdo shtrese të shoqërisë, pasi ti punove fortë për secilën prej tyre për të mbrojtur të vobektit, për drejtësinë e të pafuqishmëve, për ndëshkimin e pushtetarëve, për të drejtat e fëmijëve, për shëndetin e shëndetligëve, për buzëqeshjen e jetimëve, për mbrojtjen e të braktisurve. Ndoshta nuk more shumë prej tyre, por ajo çfarë more në shkëmbim të këtyre veprave ishte shumë më e fuqishme se çdo pushtet tjetër: lutja e sinqertë për ty e cila u bë forcë, burim qetësie shpirtërore e fuqi për ty për më shumë vepra madhore.
Do u mungosh jo vetëm shqiptarisë, por edhe qytetarëve të tjerë të Maqedonisë së Veriut, ku punove dhe veprove, pasi për ty shqiptaria nuk njihte kufi gjeografikë. Ti ishe një prej atyre personazheve për të cilët flet pena e ndritur e Hafiz Ali Korçës, tek vepra “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”: Me vërtet ky është atë, / Që mundohet dit’ e natë / Për të nçuar bijt e vetë / Të rrojnë bukur në jetë (Vepra 12, Logos A, 2006:192).
Ti ishe ai “kandili i pashuar i shpresës”, “ato ditët e mira”, për të cilat ka folur pareshtur shkrimtari Naim Frashëri e rilindasit e tjerë, e ti do të mbetesh njëri prej tyre, pasi gjithherë përpiqeshe për ndriçimin e mendjes njerëzore.
Ti nuk aktrove përballë askujt në këtë jetë, por punove fort me bindje e siguri, me sinqeritet e dashuri për të hedhur rrënjët e shoqërisë, shtyllat e forta të njerëzimit. Ti ishe ai strategu largpamës, jo për veten, për njerëzinë e sot, me dritën që lëshove, ndriçon e fuqizon mendjen e rinisë shqiptare. Ti nuk preferove të ndërtoje gradaçelat e kësaj dynjaje, pallate e shtëpi në katër cepat e botës, por kërkove e punove për të ndërtuar mbretërinë e veprave të bukura, fillimisht para njerëzisë, e mbi të gjitha para Krijuesit, sepse ti ishe aq i mençur e largpamës duke besuar se ajo çka mbetet është vepra e bukur e jo vilat shumëkatëshe. Ti ishe Skëndërbeu i shqiptarëve e sot je forca e frymëzimi i tyre.
Sot e çdo ditë të kësaj jete do i mungosh çdo shpirti dibran, çdo vatre ku fale fjalës së bukur dhe ndërmjetësimit tënd, sot po jeton jetën e qetë, larg ngujimit e gjakderdhjes që e priste çdo familje ku shkoje e pajtoje, zbusje gjakrat e nxehta dhe hasmëritë e hershme të trashëgueme brez pas brezi.
Do u mungosh atyre fëmijëve të uritur ku me bamirësinë tënde ua shuajte urinë, ia lehtësove brengën kryefamiljarit, ia ktheve buzëqeshjen familjes e lumturove zemrat e tyre. Do u mungosh atyre shqiptarëve që u dhe ushqim shpirtëror, që i frymëzove dhe u ofrove një model të pastër e të bukur të krijesës njerëzore, pa e kuptuar se ai shembull I denjë ishe ti për ta.
Do t’u mungosh ditëve të vetmuara e të trishtuara të moshës së tretë, ku përkëdheljet e tua, fjalët e tua magjike, të bukura në vlera e me mesazhe të larta ishin ushqim për ta, burim qëndrese së fortë edhe pse shumë prej tyre ishin braktisur prej fëmijëve të tyre, e më keq akoma për disa, në azilet e pleqve. Me pak fjalë, do i mungosh çdo njeriu të kësaj toke. Së pari do u mungosh djalit tënd të vetëm, Bajramit, vajzave të tua: Fisnikes e Lejlës, nipërve e mbesave të tu, e më shumë akoma do i mungosh shpirtit të fortë e të bukur, heroinës e shumë të shtrenjtës, bashkëshortes tënde, znj. Flora.
Duke e kaluar pragun familjar ku mosprezenca jote ndihet në çdo cep të vatrës e në çdo detaj të jetës së tyre ku vlerat e dashuria jote ndihet kudo e është dëshmi e gjallë e jetës së tyre, do i mungosh çdo shpirti ku nga fjala jote mori një mësim: dikush besimin e palëkundur, dikush liderin e fortë, dikush prindin shembullor, dikush udhëheqësin e drejtë, korrektë e besnik. Do u mungosh miqve e dashamirësve të tu të cilët të kujtojnë me përmallim e çdo fjalë tuajën e ruajnë si thesar të çmuar e një leksion të vyer për jetën e tyre.
E në këtë zbrazëti e mungesë të madhe, do i mungosh edhe penës së artë qa ka mbetur pa një dorë mendimtare.
Do i mungosh të gjithëve, shpirtrave të shqiptarisë, pasi ti ishe e do të mbetesh përjetë i gjallë në mesin e njerëzisë, si kandili naimjan për shqiptarinë!
Allahu xh.sh. të pastë pranuar pranë Tij, në një ndër kopshtet e Xhenetit! Amin!
Dr. Malvina Kaloshi Tafciu,
Neki Kaloshi, Musa Riçku