Kujtime për Gani Metën


Sokol Shtrezi m’u vu fort t’i shkruaj ca kujtime për gjyshin e tij nga nana, Ganiun, babën e Lutes. Ke ndejtë shumë me Ganiun dhe keni pas biseda të shumta, më tha. Ai vazhdimisht të kishte në gojë dhe përmendte bisedat që banit me njeni tjetrin. Me njohjen që ke, ma mirë se ti, besoj, askush nuk mund të shkruajë për Ganiun. – Eshtë e vërtetë, i thashë, por gjana të shkruajtura kam pak. Atëherë ishte e vështirë të mbaje shënime të çfarëdollojshme pa rrezikuar, se do të ndodhej ndokush që ta përcillte informacionin tek ai “vendi”.
Edhe mbajtja e një ditari personal atë botë ishte me rrezik. Një kangëtare e talentuar dhe e hirëshme dibrane, Alida Hisku, nga sheherlinjt e Tiranës, qe shumë e suksesshme në fillim të të 70-ve. Kur çarku i ngritur e hodhi në hekurat e sigurimit, nga hetimet doli se ajo kishte mbajtur edhe një ditar ku na paskesh shënuar të “fshehtat” e saj ndaj partisë dhe pushtetit. Kjo veprimtari iu quajt “konspiracion”. Ditari shërbeu si provë fajësie e deliktit të saj. Ky shembull ishte kumonë me ndí për ata që kishin veshë dhe pesë pare mend në kokë. Aq ma tepër për mua që e kisha kalue një “grip ideologjik” të fortë dhe isha në përgjim. Një fjalë e urtë thotë: është më mirë me nxanë në shpinë të tjerëve se në kurrizin tand. Me këto gjëra nuk bëhej shaká. Terror psikologjik.

***
Me Kanun të Maleve, në Dibër nipi nuk e ka detyrim të “qesë pushkë” për dajën, por Sokoli e ka “vaktin” dhe vullnetin e mirë, dhe, pa ba ndonjë sakrificë të madhe mund të bajë nji gjest nderimi dinjitoz për Babëgjyshin e vet. Për ma tepër, edhe për t’ia ba qejfin nanës vet, e cila, me të drejtë e çmon babën e vet, si babë e si person që ishte dikushi dhe që meritonte diç ma shumë se të tjerët. Ai nuk mund të largohej nga kjo dynjá pa lanë një kujtim të shkruar. “Verba volant, scripta manent” (fjalët fluturojnë, i merr era, të shkruarat mbeten, thoshin latinët).
Kujtimi i tij ishte pengu i së bijës, por edhe pengu ynë moral. Ai nuk duhej të largohej si shumë të tjerë, pa lanë tek të gjallët një kujtim jete e një përvojë urtie. Kjo edhe si mesazh për shoqërinë, si nevojë e transmetimit të përvojës nga brezi në brez e si rregull cilivizimi.
Jeta e Gani Metës ishte një dramë e fortë dhe e ngjeshur e jetës njerëzore, tipike e shqiptarit të kohës së tij, por edhe shembull i urtisë së mendimit që ai manifestonte në odat dibrane. Kjo pasuri nuk duhet lënë që ta fshijë koha. Dinamizmi i sotëm i ndryshimeve të jetës shoqërore asht galopant. Trysnia e globalizmit për rrafshimin e kulturave rrezikon identitetet nacionale, pjesë e së cilës është edhe mendësia popullore, konstitucioni shpirtëror. Zhvillimi i vrullshëm i mjeteve të komunikimit, mediat, lëvizjet e njërëzve nxjerrin nevojën e ruajtjes e të konservimit së traditës, të identiteteve nacionale e të veçorive të tyre. Jeta e Ganiut është një mesazh edhe në këtë drejtim.
Pa marrë zotime, Sokolit i premtova të shtrydh kujtesën time dhe, besoj se diçka mund të bëj, ashtu siç di dhe sa mundem, për të gjitha motivet fisnike të Sokolit, të Lutes, por edhe për veten time, për bashkëfshatarin e bashkëfshatarët e mi, për fshatin tim të lindjes, për tokën ku për herë të parë më ka pa dielli, për Tre Gjurrat që e shpërthejnë furishëm ujin jetëdhanës qelibar nga burimet e shumtë, ndoshta si në asnjë vend tjetër në këtë rruzull toke e mbi këtë faqe dheu. Shtysa shpesh bëhet sebep për të bërë gjëra të dobishme. Le të shpresojmë.

***
Me mixhën Gani kisha diferencë të madhe moshe; ai i vitlindjes tek 1900-a e unë 1945-a, pra, gati gjysëm shekulli. Kjo sillte vështirësi. Këtyre u shtohen ato që lidhen me kontekstin social-politik të kohës. Jetën e tij e kam shoqëruar qysh se “kam ra në mendt e mia” deri në janar 1976 kur ai u nda nga kjo botë. Vërtetë unë jam larguar herët nga fshati, qysh në fillimet e shkollës 7-vjeçare, me 10 vjet si konviktor bursist në Peshkopi, përfshirë edhe të Mesmen e Universitetin në Tiranë, dhe, së fundi emërimin me punë në Shkodër ku vazhdoj të jetoj edhe sot e gjithë ditën. Mbi 50 vjetë.
Duke pasur prindërit në fshatin e lindjes, të cilët, të “ngjitur me tokën”, kurrësesi nuk donin ta “lëshonin vendin”, unë asnjëherë nuk i shkëputa lidhjet me fshatin, me jetën e tij, me banorët e tij, me punët dhe hallet e tij. U ngjita dhe unë përjetësisht me të. Është fundamentale. Madje, këtë gjë vazhdoj ta bëj edhe tani pas 15-20 vjetësh kur edhe prindërit e mi janë ndarë nga kjo botë. Dhe, besoj se do ta bëj edhe më tej, deri kur nuk do të mundem më. Jam nostalgjik i pakorrigjueshëm.
Sa herë shkoja në fshat, me mixhen Gani lehtësisht na takonte rastësia. Nuk kishim ku ta çonim njëri tjetrin, ishim kojshí. Mbase, i pari që do ta merrte vesh ardhjen time në fshat, pas fëmijëve të mëhallës, ishte ai. Ishte nevoja për komunikim, për diskutime, për shkëmbime mendimesh, kryesisht për historinë, “fusha” jonë e përbashkët, por edhe për plot gjëra të tjera.
Thashë më lartë se ishim mëhallali, në Mëhallën e Epër të katundit Kovashicë (të Malësisë, të Grykës së Vogël, mbasi në Dibër ka edhe një Kovashicë tjetër, në Fushë, në zonën e Maqellarës). Shtëpitë tona i ndante në mes një përrua që zente fill në faqen lindore të kodër Kishës (Kajshës), me zabelet e veshura me dushk dhe që zbriste poshtë deri tek Lenishtet, arat nën ujë që ujiteshin nga ujrat e Gjurrës s’Tȯme. Shtëpia e hasmete ishte përtej përroit, në drejtimin v-p të mëhallës, naltë, në krye të mëhellës e të katundit dhe në fundin e kurrizit të një kreshte të rrafshët që zbret nga rrëza e kodër Kishës. Ajo është vendosur lart, si bisht i një tarrace natyrore prej nga mëhallët e fshatit me shtëpitë e tyre, shumica të grupuara në blloqe lagjesh të veçanta e disa të veçuara, me rrugët që ndërthuren e kryqëzohen në të, nga mund të kundrohen si nga llozha e një teatri.
Kodër “Kisha” (“Kajsha”, në aksentin vendas), fillimisht ngrihet në formë kurbe duke e rritur me shpejtësi pjerrtësinë në anën perëndimore të mëhallës si faqja e një piramide, maja e së cilës i rrin përsipër asaj dhe të krejt fshatit si një karakoll (postroje) vigjilente dhe hijerëndë. Nga maja e saj ku janë rrënojat e venitura të një kishe të hershme mesjetare, e cila i ka dhënë edhe emrin kodrës “Kisha”, sheh e ruan gjithë luginën e Dibrës që shkon nga jugu në veri përgjatë luginës së Drinit të Zi. Kur kthen hija e mbasdites, shtëpia e parë e fshatit mbi të cilën ajo bie, është e Gani Metës; ashtu siç, kur dielli lind, të parën shtëpi që dielli praron me rrezet e tij është sh(të)pija e hasmete.
Kur dalin ne mëngjes, pasi kalojnë nga lindja kreshtën e vargut malor Korab-Deshat-Velivar, rrezet e para të Diellit prekin së pari majën e kodër Kishës dhe “Gjurin e Zi”, një masë e madhe metamorfike shkambi në ngjyrë të zezë e dalë nga toka si një kuçedër, mu në ballin e “Kishës” midis gjelbërimit të dushqeve bungë buta, siç i quante botanisti i famshëm Ilia Mitrushi. Nga larg ai dukej si i veshur me mistér. Në fëmijërinë time “Gjuri i Zi” i Kishës më dukej si cungu i frikshëm i bririt të thyer nga lëvizjet inatçore të kokës të një përbindëshi mitologjik. Herë të tjera më ngjante si vendstrehimi i qenieve që të shitojnë (ngrijnë, paralizojnë). Kushedi se ç’qenie shituese duhet të strehoheshin në zgavrat e zeza të kësaj “qenie” të mistershme. Vetëm pasi lindte dielli, drita që vinte nga rrezet e tij më dukej se e largonin misterin dhe vendi ngrohej.
Vala e rrezeve të diellit ulet pastaj teposhtë në formën e një vije horizontale dritë-hije tek Brinja e Keqe (zabelet e Toçe), pastaj tek Rrafsha e Melicës ku janë zabelet e hasmete, një rrafshinë e bukur shlodhëse, tamam si një ballkon natyror ku puna të kthehet në prehje; një hapësirë mbi një a më shumë hektarë që nxin nga fidanë të drejtë lisi të harlisur bunge si një park. Ulet pastaj më poshtë “pëlhura” e dritës tek Kroji i Epër me ujin e tij të bekuar, për të zbritur tek Ara në Hurdhë, kalon Rrucekën, Hurdhën e mëhallës së Epër dhe së fundi, të parën çati shtëpie që dielli lan me dritën e tij është ajo e hasmete.
Aty jetonte mixha Gani me familjen e tij të “madhe”. Në atë truall e në ato troje ishin rropatur e kishin shkuar jetën paraardhësit e tij, të cilët, ashtu si pothuajse të gjithë fiset e tjera të fshatit, ishin të ardhur, nuk dihet sa kohë ma parë, dy apo tre shekuj. Natyrisht që këto ishin migracione të brendshme të popullsisë shqiptare. Ganiu jetonte aty bashkë me Rremi-n, (kështu e shkurtojmë në anët tona emrim Muharrem; nuk themi Rrema), i cili duhej të ishte ndonja 20 vjet ma i ri se ai.
Deri nga viti 1955-56 kur në fshat u ngrit sëpari kooperativa bujqësore, kanë jetuar në një familje të përbashkët dykunorëshe: Ganiu me Alimanen e Bllacës dhe dy vajzat, Mijen dhe Luten; Rremi me Miten e Mere dhe fëmijët e tyre: Luanin, Shahinin, e më pas, Njaziun, Flamurin, Hasijen etj., një katrrosh. Endé ishte gjallë edhe gjyshja, nana e Rremit, Delishja e Lukanit.
Luani i Rremit, si djali i parë i sh(të)pisë, ishte personi ma me kimét në atë familje të “madhe”. Edhe pse shpejt u bë me vllazën të tjerë, të cilët, për marshallah erdhën njënni mbas tjetrit, në fëmininë time nuk kuptoja se pse me aq ngut atij i zunë edhe një byrazer, nji vëlla gishti, në Boçevë, me ç’rast u ba “bukë e madhe”. Pak për qejf e për lezet e ndoshta pak për dúkë. Deshën ta promovonin herët emrin dhe “reputacionin” e Luanit, pa pritur që ai vetë ta ngrinte atë. Mendonin që ai të rritej me rreth të gjërë e me “taraf” të vetin. Kohë e zakone. Deri nga vitet ’50 të shek. XX vinte e gjallë tradita me ngarkesë mistike e vëllamërisë, një imitim i vëllazërisë së gjakut. Mbase vinte edhe si nevojë e shqiptarit për solidaritet e “aleanca” kur shihej qartë se mbi njëqind e sa vjet raca shqiptare sa vinte e tkurrej. Instink mbijetese.
Zakoni i vëllamërisë në fakt ka qenë i përhapur shumë edhe tek sllavët, tek “zadrugat serbe të Shumadisë. Madje, shumë i zhvilluar ka qenë ai edhe midis sllavëve dhe shqiptarëve në zonat e kontaktit. Shpesh ka histori mbresëlënese kur në një situatë rreziku befas del probatini (byrazeri) si shpëtimtar i situatës dhe i jetës së vëllaut të tij shpirtëror të imituar. Në zonën e Malësisë së Mbishkodrës është shumë i përhapur edhe sot apelacioni, më shumë në trajtë humori, “he probe”, “ç’kemi probe”, “kah po shkon or probe”, shkurtim përkëdhelës i probatinit. Në Ditarin e Xhino Berrit për “Rrethimin e Shkodrës” 1912-1913, në veprat e Durhamit e të studiuesve e udhëpërshkruesve të tjerë perëndimorë për Shqipërinë ka përshkrime me tone epike të ngjarjeve për aktet që sillen rreth zakonit të vëllamërisë tek shqiptarët.
Aty nga mesi i të ’50 –ve, kur djali i mixhës tim u lirua nga ushtria, të cilën e kishte kryer në Berat, e pyeti Ganiu. A u lirove prej ushtrie or Fiqiri? Po, i tha ai. Atje në ushtri a zune ndonjë mik a byrazer, që ta keshë edhe ma vonë si vëlla? Po, i tha Fiqiriu, zuna nji byrazer. Ai asht Tufik Kaja prej Zogje. L’shoj dushke, tha Ganiu. Zogjen këtu e kemi e nuk na ikën. Unë mendova se ke zanë ndonjë byrazer të largët, andej nga jugu, nga Tosknia, Berati, Vlona a tjetërkund e ti më thue Tufik Kajën prej Zogje. Me të dalë ndonji nevojë në jetë kujt do t’i kërkosh ndihmë? Ata të jugut po, se janë ma të zott në punë qeverie dhe mund, edhe të ta venë dorën.
Pas kësaj, Ganiu kishte gati një tjetër “histori” me qëllime didakte. Dy persona në fëmijëri kishin qenë shokë shumë të ngushtë. Fati i kishte ndarë dhe njeni ishte ba njeri i madh, kryeministër, kurse tjetri kishte mbetur bujk, aty në fshatin e vet. Pas shumë vitesh lumturisht fati i takoi dhe kjo u solli gëzim të dy palëve. Pasi u pyetën, qanë edhe hallet. Katundari ç’të qante më parë. Mal me halle. Kam mundësi të të ndihmoj, i tha miku i vjetër prandaj del nëpër qytet dhe shih ndonjë rast për ndonjë punë të përshtatshme për ty. I ra lartë e poshtë qyqari dhe diku pa një burrë që, me gishtat e duarve po i binte shufrave të një vegle e cila lëshonte tinguj të çuditshëm. Kjo qenka punë fare e lehtë dhe mund ta baj edhe unë. Njerëzit grumbulloheshin për ta dëgjuar plot dëshirë. Nuk ishte si kazma dhe sopata e tij të cilat t’i çonin djersët çurkë.
E gjeta një punë shumë të mirë, tha hallexhiu, punë të cilën mund ta baj fare lehtë. Si ishte ajo punë e pyeti miku i fëmijërisë. Me gishtat e duarve i binte pa prâ një vegle që e mbante përpara dhe ajo lëshonte tinguj muzikorë. Njerëzit argëtoheshin dhe ndigjonin me qejf të madh. Ajo punë që ke parë ti, i tha miku i vjetër, kërkon të bajsh shkollë të madhe. Një e rame me gisht të asaj veglës (ishte fjala për pianon), duhet te kryeje plot një vit shkollë. Atëherë lene këtë punë, se nuk qenka për mua, tha mundqari. Mua më rroftë kazma, lopata dhe sëpata. Ky asht risku (fati) yt, i tha vetes dhe u kthye në fshatin e në fatin e vet.
Jetoi Delishja (gjyshja e dashur e Luanit) deri nga mesi i të ’70 kur erdhën “dritat e partisë” për të lënë atë batutën që tregohej si burim humori. Ndërsa radioja transmetonte një kangë nga ato të kohës, befas gjyshja u përmend se po jepej kanga e preferuar e Luanit, prandaj kërkoi ta mbyllnin radion që t’ia “ruanin” kur të vinte në shpi nipi të saj të dashur kangën e preferuar.
Shtëpia e tyre ishte një konak i gjatë dykatësh me pamjen ballore nga lindja e diellit. Në pjesën qendrore kishte një çardak ku ngjitja bëhej me shkallë druni nga jashtë (teliz). Fundi i konakut përfundonte me dhomën e miqve, pjesa e vjetër e shtëpisë. Ajo nuk kishte lidhje me çardakun, kishte hyrje më vete e shkallë të brendshme me basamak tip sënduk, dhomë të rregullueme mjaft mirë qysh herët, me tavan dhe dysheme dërrase. Aty priteshin miqtë e afërt e të largët. Atë dhomë mixha Gani e bëri jatak edhe kur po largohej nga kjo dynja.
Oborri (kurti) shtrihej përpara shtëpisë, i sheshtë, me dhé të kuq e të ngjeshur, pa bar të gjelbëruar sipër, rrethuar nga një avlli e madhe në mes të të cilit ishte një pus (bunar) 13 pashë i thellë me ujë akull të ftohtë. Uji i tij ishte në damarin e Kroit të Epër në faqe të (kodër) Kishës, ujë që për nga cilësia konkurronte me ujin Zem Zem të Qabes së madhnueshme do të thosha unë një metaforë e frymëzuar nga fakti kur në vitin 2000 shkova në Qabe dhe u bana Haxhí. Por gratë dhe vajzat e hasmete (të fisit Meta), ashtu si të gjitha gratë e mëhallës së Epër, mbushnin ujë tek Gjurra e Tȯme.

***
Kovashica (Cobocheste) e Grykës së Vogël
Prof. Kristo Frashëri në veprën “Skënderbeu – Jeta dhe Vepra”, në kap. XIII “Kanunet e Skënderbeut”, shpjegon si lindën bashkimet e maleve si bashkësi ndërkrahinore politike, ushtarake dhe zakonore. Përdorimi nga kronisti bizantin i shek. XIII G. Akropolitis i emrit të Dibrës në shumës, lë të kuptohet se treva e saj, për shkak të numrit të madh të fshatrave, ishte e ndarë, të paktën që në atë shekull, në dy pjesë – në Dibër të Sipërme dhe në Dibër të Poshtme1. Kjo nënkupton formimin me kohë në këtë trevë të dy bashkësive ndërkrahinore. Më vonë të dyja këto bashkësi hynë në pushtetin e dy familjeve feudale të njohura – Dibra e Sipërme që në fund të shek. XIII nën sundimin e Gropave2 dhe Dibra e Poshtme dhe një pjesë e Dibrës së Sipërme, siç u pa, që në fund të shek. XIV nën pushtetin e Kastriotëve.
Në shënimet plotësuese që bën për familjen Pal Gropa (fudnota 15), me titullin sevast, del në vitin 1273 si feudatar i disa fshatrave të dhuruara atij nga Karli I Anzhu, në atë kohë “mbret” i Shqipërisë (Rex Albaiae). Në dokumentin latinisht (A Alb.I, 300) emrat e tyre janë shkruar kështu: fshatrat si Radicis maioris (Radica e Madhe, Gryka e Madhe), Radicis minori (Radica e Vogël, Gryka e Vogël), si dhe fshatrat Cobocheste (Kovashica), Zuadigoriza (Vadigirica, Vau i Gjoricës), Sirclani (Zerqani), Craye (Krajka), Sessiza (Zeshica?) që ndodhen në luginën e lumit Ebu (Bulqizë?), vende këto që, siç shihet, ndodhen në Dibrën e Sipërme. Pra, emri Kovashica – Cobocheste për herë të parë del qysh na del qysh në vitin 1273.

Tri Gjurrat e Kovashicës
Gjurra e Tȯme buron në mes të fshatit. Buçakët (burimet) e saj dalin nga të çarat e shkëmbenjëve të shumtë përfund Sharrës së Zenele ose Sharra e Kovashicës. Ajo është një kodër që ngrihet “thikë” përpjetë, e përbërë nga formacione gëlqerore dhe e veshur me shkozë, dëllinja, frashër e ma pak me dushk, kodër aq e dashur për mua, që në fëmininë time e kam shkelur jo vetëm me kambë por edhe me të ndenjura. Aty ku del Gjurra, a pak më poshtë është sinori i mëhallës së Epër me mëhallën e Tome.
Pasi përshkonte ndonja 30-40 m me drejtim lindor duke kaluar sipër Verrinjve, një moçalishte e errët mbushur me verrinj të gjelbëruar, (më 2010 është kthyer në rezervat për rritjen e troftës), rrjedha e ujrave të kristaltë të gurrës bën një hark drejt veriut duke mbajtë krahun lindor Lenishtes dhe pas ndonja njëqind metrash, bën një kënd nga e majta dhe kapërcen një prag që e bën të lëshojë një shushurimë monotone ëndërrimndjellëse e cila përhapet në gjithë luginën duke krijuar ndjesi paqe e qetësie.
(Vijon)

1 Kristo Frashëri, Skënderbeu – Jeta dhe Vepra, Toena, Tiranë, 2002, f. 224.
2 Pal Gropa, me titullin sevast del në nitin 1273 se feudatar i disa fshatrave të dhuruara atij nga Karli Anzhu, në atë kohë “mbret i Shqipërisë (Rex Albaniae). Në dokumentin latinisht (Aalb.I, 300) emrat e tyre janë shkruar kështu: fshatrat e Radicis maioris (Radica e Madhe, Gryka e Madhe), Radicis minori (Radica e Vogël, Gryka e Vogël), si dhe fshatrat Cobocheste (Kovashica), Zuadigoriza (Vadigorica, Vau i Gjoricës), Sirclani (Zerqani), Craye (Krajka), Sessiza (Zeshica?) që ndodhen në luginën e lumit Ebu (Bulqizë?), vende këto që, siç shihet, ndodhen në Dibrën e Sipërme. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV Gropat me tritullin zhupan banonin në Ohër. Gj. Muzaka thotë se “Zoti Gropa ishte Zot i Ohrit ose i Dibrës” (Signor Groppa Signor d’Orida overo Debria) (G. Muzachiao, f. 282); Kristo Frashëri, “Skënderbeu Jeta dhe vepra”, Toena, Tiranë, 2002, f. 223-224.

Këtu duhet të ketë ardhur Mjeda kur shkroi poemën “Andrra e jetës”:

S’ushton mali prej bagtijet,
S’fryn murlani me duhi;
Paq i kthjelltë prej Perëndijet,
Paq prej nierit e qetí.
Gurra e lugut veç ushtonte
Si lahutë me kangë kreshnike;
E ndër pemë bylbyli këndonte
Valle darsmet e fisnike.1
Ku ka një të dytë lug të ngjashëm si Lenishtet, dhe ku tjetër përveçëse aty ushton aq am(b)ël gurra e lugut. Këtu duhet të ketë qenë Mjeda. Këtë ta them unë. Ta jap me “be”. Nuk ka si të jetë ndryshe.
Edhe Naimi këtu ka qenë. Këtu janë “Brixhet (brigjet) e Tȯme”, mu sipër vendit ku gurra “thehet” te Lenishtet dhe bën atë shushurimën gjumëndjellëse. Po “bregoret bukuroshe e ju gurrat e kulluara”, për të cilat këndon Naimi, a nuk janë këtu? Thuaj atëhere se ai nuk ka qenë tek “Tri Gjurrat” në Kovashicë. “Çuka kodra, brinja gërxha dhe pyje të gjelbëruar!”. Të gjitha këtu i ke, të grumbulluara e të ndara, një më një, me inventar; në mëhallën e Tome e n’mëhallë të Epër, te Xhafet e te Tomet e Poshtëm, n’Kodër t’Livadhit e te Farrajcat, te Toçet e te Kullarët (Përroi i Madh), në Shpata t’Toçe e te Pinjollat, tek Arnitë e Pule e te Gjurra e Teme, në Malin e Tem e në Shullâ, te Sharra e Zenele e n’Sharrë të Lurithit. Gjithkund ujë gurrash ngjyrë argjend e krojesh, veshur me bungë buta e me gjelbrim parajse, me shkozë e me krekëza. Kudo të gatshme për çdo llojë peme. Prandaj them se edhe Naimi këtu ka qenë kur shkroi “Bagëti e Bujqësinë”. Këtu e shkroi “…Parajsë e vërtetë vetë / Është mëmëdheu në jetë…”. A nuk është kështu?
Pastaj rrjedha e gurrës kthen përsëri drejt veriut, futet në një gjiriz të madh si ndonja 30- 40 metra të gjatë (një llagëm nëntokësor, vepër arti ndërtuar nga njeriu, nuk dihet se kur, kush dhe pse). Sapo del zhurmshëm nga gjirizi, rrjedha merr përsëri nga lindja për t’u bashkuar me Gjurrën e Zogje në fund të Zajave të Toçe e për t’i grahur teposhtë luginës.
Që nga burimi, nga ana tjetër e Lenishtes, një vijë uji e hapur nga banorët, “Vija e Katundit”, nis rrugëtimin poshtë Udhës së Katundit dhe paralel me të. Duke i ardhur okolle Lenishtes nga ana veriore ajo qarkon thuajse krejt fshatin përfundi mëhallës së Epër, mëhallës së Toçe dhe mëhallës së Xhafe duke e përshkuar dhe freskuar atë tej e tej me ujë të ftohtë. Gurra i kishte futur në “danë” Lenishtet – një luginë e vogël në formë govate me ara të ndara në parcela, plus-minus dy dynymëshe me Lenishtet e Tome, Lenishtet e Hasmete dhe Lenishtet e Toçe, të mbjella me misër e më pak me kopshtije, punuar mjeshtërisht. Ajo vijë uji (kanal) përdorej gjatë verës për ujitjen e arave, për larje dhe për të pirë duke përshkuar nga sipër Lenishtet, Zajat e Toçe dhe Ogradnitë e Xhafe. Pjesën tjetër të vitit, uji për të pirë më së shumti mbushej në krye (krajë) të gjurrës, por edhe në rrjedhën e saj të zakonshme, siç bënin Toçet.
Tek Gjurra e Tȯme mbushnin ujë gratë e mëhallës së Epërme dhe të mëhallës së Tȯme (fisi Tȯmja dhe Shtrezi). Këto të fundit mbushin ujë pak më poshtë burimit të saj. Përjashtim bënte Dava e cila mbushte ujë vetëm tek Buçaku i Zi, në krye të gjurrës. Gratë e mëhallës së Xhafe (ku bënin pjesë fisi Xhafa, fisi shumicë, dhe fisi Leka – fis i mbështetun, mbushnin ujë tek Gjurra e Zogje, në skajin verior të fshatit. I ka mbetur kjo emërtesë “apokrife” (vjersha, apo shhkrime me autenticitet të dyshuar) mbase nga që buronte rrëzë Sharrës së Zogje, por që faktikisht në atë vend ku delnin burimet e saj, qoftë si largësi, qoftë si përdorim, apo si pronësi, është në territorin e Kovashicës. Për shkak të largësisë, Zogjet (banorët e saj) nuk mbushin ujë aty. Aty pranë saj ata kanë në pronësi vetëm një mulli bloje (“Mullini i Hamit Jakimit”). Gratë e Zogje mbushnin ujë nga burimi që delte lart, tek Fangu i Zogje.
Për ambicjet e mtimet e Zogjeve ka edhe një gojëdhanë me ngjyrim komik që shpreh lakmitë e tepruara të ndonjerit prej tyre. Një i zogje kishte pretendime se ishin të tijat tokat që vareshin poshtë Manave të Zogje (tek Livadhet) në drejtim të Kovashicës. Si e provon se janë të tuat, e pyeti i kovashicasi. Pretenduesi kishte sajuar një histori të pa qenë për “pronën” e tij, për të cilën thoshte se jam gati të baj be (betim) në Allahun dhe në Kurani Qerim. Kjo qe e papritun, madje befasuese për kovashicasin. Me ba bé me Kuranin në dorë?! Po bane be, të qofshin i tha kovashicasi në ngutje e sipër. Caktuan ditën dhe vendin ku do të bahej pleqnia.
I zogjesi mbushi opingat me dheun nga oborri i tij, (opinga lope si kupa), i shtërngoj fort ato me gjalma dhe u paraqit në vendin e caktuar. Me Kuranin në dorë dhe “sigurinë” në mendjen e tij filloi bénë (betimin): “Për Këtë (Kuranin) e të Perenisë unë eci mbi dheun tim”!, thoshte gjithë siguri dhe ecte me hapa të shtrirë i zogjesi. Si bani ndonja 20-30 hapa, i kovashicasi filloi të tronditet nga humbja e pamerituar. Ndërsa i zogjesi nuk po ndalej në vrullin e tij, kovashicasin e kapi alarmi. Pash Allahun ndalu e mos vazhdo ma përtej se je tuj më qit fare prej katundit. Ndoshta kështu mund të jetë edhe historia e emërtesës së Gjurrës së Zogje.
Kur ra sistemi kolektiv dhe kooperativat bujqësore u prishën, na doli edhe çështja e “pronësisë” së Gjurrës, por zhvillimet e shpejta të emigracionit e fshinë edhe atë punën e gjurrës. Ajo vazhdon të mbajë emrin “Gjurra e Zogje”. Ndonjë fanatik emrash e emërtesash mund të “ngushëllohet” me forcën e ligjit të gravitacionit: shyqyr që uji nuk ecën përpjetë se emri i saj nuk prish punë. Janë emërtesat me burim sllav të fshatrave të Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë (toponimet-emërvendet) që prishin punë dhe për të cilat duhet të shqetësohen banorët autoktonë të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Ato me të vërtetë sabotojnë palcën kombëtare shqiptare për të cilën shqiptarët nuk e çajnë kokën. Sepse u zë frymën, u mbulon sytë dhe u shtupon veshët psikoza e integrimit evropian.
Fshati ka edhe një gurrë të tretë, Gjurra e Te(j)me, në skajin jugor të tij, përtej Qafës së Kovashicës, gurrë që buron në këmbën e faqes jugore të Sharrës së Kovashicës, burimet e së cilës, thotë gjeologu Bashkim Lleshi kanë lidhje me Tre Çezmat në Sofraçan. Aty marrin ujë vetëm dy tre familje të Xhafe (të Gjurrës së Tejme, tani ka mbetur vetëm një) dhe një familje me mbiemrin Leka, Hekurani, së cilës vija e ujit i vjen tek dera e shtëpisë dhe shërben për të vënë në lëvizje mullirin, (“Mullini i Ali Lekës”) që ndodhet prapa shtëpisë, ngritur mbi ca mure të vjetra e të ulta siç kanë ardhur nga koha e Turqisë.
Tri Gjurrat e Kovashicës janë pothuajse në vijë të drejtë nga jugu drejt veriut dhe pothuajse në një nivel hipsometrik. Ato janë një dhuratë jo e zakonshme Zotit të Madh e Fuqiplotë dhe zor se do të ketë një të dytë të ngjashëm në gjithë rruzullin e kësaj toke. Më e drejtë është të thuhet, janë një bekim i Allahur.
Në kohën e Austro-Hungarisë (1916-1918) u ndërmor nisma për ndryshimin e emrave të fshatrave, qyteteve e vendeve me emërtesa sllave në shqiptare. Edhe Kovashica, një toponim me burim sllav u zevendësua me emërtesën shqip “Ujëmirë” a “Gurramirë”. Por pushtimi austriak qe i shkurtër, vetëm 3 vjet, prandaj nuk pati kohën e mjaftueshme të ngjizej emri i ri.
Për ndryshimin e toponimeve me origjinë në huaj me seriozitet të madh iu vu punës Ahmet Zogu. Në mars 1923, në postin e ministrit të Brendshëm, me anën e një qarkoreje udhëzonte prefekturat të ngrinin komisione për të zevendësuar emrat e fshatrave nga gjuhë e huaj në shqip, sepse, ministria e quante atë vepër patriotike e politike, që do t’i shërbente rritjes së ndjenjës kombëtare.Komisione e nënkomisione nëpër prefektura punuan për një kohë të gjatë dhe përgatitën listat e emrave të shqiptarizuar. Por kjo punë u ndërpre. Më 1928 çështja rifilloi sërish kur u formua një komision i posaçëm.
Pas shumë përpjekjeve, Parlamenti votoi më 22 prill 1937 ligjin që ndryshonte të gjitha emërtesat që kishin origjinë të huaj. Më 6 korrik 1938, Këshilli i Ministrave, pasi ishte studiuar dosja me emërtesat e reja, vendosi miratimin e listës që përmbante ndryshimin e emërtesave me origjinë të huaj2. Kovashica mori emrin “Gurramirë”.
Ndryshimet nuk patën fatin e mirë të zbatoheshin sepse më 7 prill 1939 ndodhi pushtimi italian i Shqipërisë dhe me një dekret të 9 shtatorit 1939 regjimi i ri e shfuqizoi atë ligj.
Regjimi komunist që e zevendësoi atë fashist ishte regjim sllavokomunist, antikombëtar. Prandaj, edhe ato emra që ishin ndryshuar më parë, u kthyen në “origjinë”, tek burimet sllave sapo erdhi në fuqi “Pusht-eti sllavokomunist.
I ashtuquajturi “Tranzicion” demokratik nuk qe i zoti t’i kthejë as pronat të zotit të ligjshëm e jo më të kujtohej për kthimin e emrave të huaj në shqip nga frika se mos akuzohej për nacionalizëm. Për kthimin e emërtesave të ligjshme origjinale të bartësve të tyre etnikë e gjuhësorë mijëvjeçarë duhet një Zgjim i ri Kombëtar. Le të shpresojmë që kjo të bëhet kur të kryhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Atëherë Kovashica duhet të pagëzohet, jo me emrin Gurramirë, sepse vende me “ujra të mirë” e Gurra të mirë ka edhe në vise të tjera. Shqipëria jonë ka plot ujra të mira e të bekuara, vende të cilat e meritojnë emërtesën “Ujëmirë”, por Kovashica duhet pagëzohet me emrin “TRIGJURRAT”. Ky emër duhet t’i këndohet e t’i kumtohet në vesh, ashtu si fëmijës së posalindur në Ditën e Emrit (pagëzimit): “Trigjurra të quajnë, / Në gur mbi Tokë e nën Qiell të shkruajnë, / në Histori të thërresin, / Në Konak në Kuvend të presin”.
“Aty do të jenë dy burime që gulfojnë”, urdhnon e thotë Allahu në Kuranin e madhnueshëm (Er-Rrahman S 55-66). Vetë Zoti i Plottëfuqishëm i dha Kovashicës jo dy, por “Tri burime që gulfojnë” – Trigjurrat. Ndaj edhe emri duhet të jetë unikal, ngjashëm me të vërtetën. Këtë emër ja ka dhënë e ja ka vënë mrekullisht vetë i Madhi Zot; të trija bashkë, pranë e pranë në një vend të vetëm. Kjo edhe në respekt të bartësve autoktonë që jetojnë aty qysh se bota është nxënë, Shqipëria gjallë ka qënë.
* * *
Mbushja e ujit ishte detyrë ekskluzive e granisë. Nuk ishte zakon që burrat të mbushin ujë, me ndonjë përjashtim, sidomos në dasma e vakijate kur bartja e ujit kthehej në aksion. Ajo konsiderohej “punë grashë”. Aty, në krye (krajë) të Gjurrës mblidheshin në aksham të gjitha. Aty mbushte ujë edhe Dava e Halitit, tek Buçaku i Zi, që e kishin mbiemruar “Buçaku i Davës”, sepse aty dhe vetëm aty dhe askund tjetër, mbushte ujë me bucelën e saj Dava, bashkëshortja e Hoxhës së Vogël, Halit Tȯmes. E mori këtë nofkë për shkak të “kultit” që krijoi ajo për atë burim. Sipas saj, ky duhej ta kishte ujiin ma të pastër. “Buçaku i Zi” kishte një gurgullimë që të jepte ndjesinë e hovit, bollëkut dhe të pastërtisë njëherazi. Burimet e tjera më shumë mërmërinin dhe pëshpërinin zhurma dhe “fjalë” që të zhysnin në andërrime. Në fakt, po aq të pastër e të kulluar ishin dhe ato më të vegjlit që shpërthenin gjithandej në të çarat e shkambinjëve të shumtë gëlqerorë përfund Sharrës. Rrjedha e përherëshme e ujit i kishte qëruar e zbardhur gëlqerorët e sharrës tek burimi dhe i kishte bërë ata me të mbetë sytë në ta prej kënaqësisë që të jepte bardhësia dhe mërmërima e tyre.
Në fillimet e “demokracisë”, Musli Xhafa, Musliu i Ramazanit, si gjithë të rinjtë e fshatit iu derdhën kurbetit, kush në Greqi e kush në Itali, por edhe më larg. Shumë prej tyre për punë sezonale. Punoja si bari delesh tek një pronar grek në Greqinë Veriore, thotë Musliu. Një ditë aty erdhi një burrë i vjetër shumë, 95 vjeç. Ishte veteran lufte dhe mbahej. Kurioz për të ditur gjithçka, greku i luftës kërkonte muhabet. Mbase donte të dinte greku i luftës dhe i politikës se si po shkojnë punët e Shqipnisë. Kjo kthesë që po bënte Shqipëria do të merrte për mbarë apo do të ecte siç kishin ecur deri më tash, por me valle ndryshe.
Më pyeti nga ç’vend isha. Dhe shpejt bani edhe një pyetje tjetër për të provuar veten. Mos je nga Elbasani, apo nga Librazhdi? Kishte një siguri në të folur. Siç duket kishte parë e luajtur shumë. Jo i them unë, jam nga Dibra. U befasua pak dhe bani sikur nuk e besonte. Kur i bana një përshkrim të shpejtë të katundeve tona, ai u gjallërua fort. Qenke nga vendi i Presidentit, tha, duke më dhënë afinitet. U kuptua se ishte fjala për Haxhi Lleshin, për të cilin tregonte simpati. Po i thashë, e kemi afër katundit tonë.
Siç tregoi më pas, në kohën e Luftës Italo-Greke dhe Italo-Jugosllave kishte kaluar bashkë me reparte të tjera të ushtrisë greke në tërheqje nëpërmjet Maqedonisë duke kaluar nga Dibra e Madhe, Maqellara, Ura e Topojanit, në Zogje, Kovashicë, tek Tre Çezmat e “Zerqanit”; pastaj në zonën e Gollobordës, Librazhd, Korçë, për t’u hedhur përtej në viset e Maqedonisë e Greqisë. E dinte vendin tonë në pëllambë të dorës, thotë Musliu. Duhet të ketë qenë fillimi i prillit 1941 kur forcat dibrane të prira nga Haxhi e Aqif Lleshi i zbrapsën forcat italiane deri në afërsi të Zerqanit. Mbase edhe për t’iu hapur një rrugë-kalimi forcave greke në tërheqje pas sulmit të ushtrisë gjermane kundër Greqisë dhe Jugosllavisë. Shkonte me planet e Britanisë së madhe për të përgatitur aleancën e ardhshme “antifashiste” Ballkanike greko-jugosllave, pjesë e së cilës do të ishte edhe inkorporimi i Lëvizjes Çlirimtare “Antifashiste” Shqiptare.
Ky që shihni këtu, vazhdoi greku i “lashtë”, asht nga nji vend ku unë nuk kam pa me sytë e mi një mal ma të madh e ma të naltë. Ndihma që u erdhi në luftë kundër një armiku të përbashkët, siç kishin qenë ushtria italiane e gjermane, ia kishin ba grekut vendin ma të amël. Edhe mali i ishte dukur ma i madh e ma i plotë, siç ishin Mali i Tem dhe Mali kreshtëmurrmë i Bllacës. Por përshtypjen më të madhe veteranit grek i kishte ba vendi ku kishte kalue gjurrën e parë, pastaj gjurrën e dytë dhe pastaj, të tretën. Të trija në një fshat, njena pas tjetrës. Për secilën prej tyne bani nga nji përshkrim që mua vendaliut më la me gojë hapët. Nuk ka dyshim se ishte fjala për Tri Gjurrat e Kovashicës. Ishte një vend i bukur ku ujrat e bollshme gurgullonin në të katër anët, plot me kodra të buta gjithë gjelbërim e kullota të pasura, lugina e qafa të kalueshme që lidhin krahinat me njena tjetrën. Ishte një vend të cilin nuk e kisha ndërrue me asnji tjetër, e mbylli fjalën greku i vemendshëm por edhe lakmitar.
* * *
Intermexo
Hoxha me Davën shkonin një jetë të paqtë. Jetonin në mëhallën e Tȯme. Nuk kishin fëmijë. Hyrje daljet i kishin shumë të rralla. Përjashtuar rastet kur ndonjë hallexhi vinte për t’i kënduar ndonjë lutje, me l’shu nji hatme për të vdekun, me bâ nji duȧ apo me shkrue ndonjë nuskë. E shoqja, Dava mbante shtëpinë. E mbante atë pastër, pastër fortë. Kujdesi i saj për pastërtinë shkonte larg, deri në fiksim.
Shëmbëlltyrën e jetës idilike të Hoxhës së Vogël me Davën më bukur dhe më me realizëm e japin vargjet e Mjedës: “Paq i kthjelltë prej Perëndijet, / Paq prej nierit e qetí”. Kështu është formatuar ky vend i bekuar qysh herët, sëpaku qysh në fillim të shek. XVI, në kohën e Evlia Çelebiut (1611-1684), kohë kur shqiptarët patën Rilindjen e vërtetë të Racës së tyre. Pragu ku nisi njohja “zyrtare” e Zgjimit Kombëtar (Rilindjes), realisht shënon fillimin e rënies, copëtimit dhe shkatërimit të kombit e të popullit shqiptar. Bilancin mund ta bëjë çdokush duke krahasuar shtrirjen në hartë dhe uljen drastike të numrit të popullsië tek shqiptarët, krahasuar me fqinjët, si territore dhe si popullsi.
Na ftoi njëherë për darkë bashkë me kunatën, më tregonte nana ime. Mori shkas nga një lidhje e largët, demek se edhe unë kam njerëz, pres e përcjell, kam hyrje e dalje, si gjithë dynjaja. Ftesën na e bani me gjithë shpirt. Shkuam për darkë të bujmë një natë tek shpija e tyne. Kur na pa tek dera, thashë se fluturoi nga gëzimi. Bamë sevap fort, i thashë kunatës. Njeriu kërkon njerëz, kërkon dashuri. Bujrum, bujrum e mirëse na erdhët, mirëse u ka pru Zoti. U qesh shtëpia. Nuk kishte ku të na vinte. Si me dashtë me na vu në maje të kresë.
Çfarë të shihje, ajo odë të pastër e ai temizllëk ku çdo gja ishte në vendin e vet. Ato shtroje e mbulesa dhe ato enë që shndrrisnin nga pastërtia, ai qibarllëk në të gatueme e ajo amëlsi në të folme. Kur u shtru sofra nuk pushonte tuj na thanë: merrni, merrni, hani se buka nuk ka marre. Nuk e zinte vendi për të na shërbye. Mos u harroftë ajo natë. Ju shkruejtt për atë dynjá!
Kur erdhi koha për me fjetë, na shtroi petkat, dyshekë e jorgana, çarçafët bardh si bora, që, siç thotë Mustafa Kruja për një shprehje që e përdorkan në Krujë, me marrë miza mjaltë në ta.

* * *
Aty, në krye (krajë) të gjurrës do të mblidheshin në aksham grania e vajznia edhe për të shkëmbyer përvojat e mbresat e ditës a thjeshtë për muhabet. Atyre të hasmeteve u binte të përshkonin cep më cep mëhallën me shtëpi paksa të shpërnadara edhe atëherë kur duhej t’u jepnin ujë bagëtive.
Gjurra shërbente edhe për të larë teshat. Kjo bahej në fund të javës, ditën e pazarit kur burrat e shpisë ishin në pazar. Por edhe në ditë të tjera, për lehtësi të zënies së vendit të “zjarrit” për të vu kazanin e teshave. Gratë e vajzat e mëhallës, secila për hesap të vet, ngarkonin në shpinë çarçafë, ndërresa, rroba, velenxa, lëkurë e rraqe të tjera dhe i lëshonin në gjurrë. Vinin kazanin e teshave afër buçakut të ujit a pak ma larg dhe ndiznin zjarrin. Finjën e kishin parapërgatitur dhe pastaj fillonin lamjen sipas proceseve: zbutja, futja në finjë, zierja, shpëlarja etj. Një ritual që vazhdonte gjithë ditën. Në vitet ’50 sapuni ishte gja e rrallë. Finja që bahej me hirin e zjarmit zevendësonte sapunin. Pastaj ndemja e rrobave për t’u terë bahej nërpër gardhet e arave aty përreth. Kur tereshin, çarafët dhe këmishat shdrisnin nga bardhësia dhe lëshonin aromën e finjës. Ndemja për t’u terë ishte edhe njëlloj ekspozimi që shërbente edhe si emulacion. Sy të vemendshëm do të vlerësonin se kush zbadhte ma mirë çarçafët.
* * *
Të kthehemi edhe njëherë të shtëpia e xha Ganiut.
Derën e madhe (portën e hyrjes) shtëpia e kishte nga veriu, nga Përroi i Pekneut, kurse kundruall saj, nga ana jugore dhe në krye të oborrit ishte kamxhiku (deriçka) njëkapakësh, që përdorej më së shumti. Pranë bunarit ishte një man i madh i am(b)ël me kokrrat e kuqe sa “grushti”. Në fund të oborrit, ngjit me murin e shtëpisë ishte një grumbull i dendun, në dukje ferrash, por kur vinte pranvera, ato çelnin në trandafila gjithfarë ngjyrash, të kuq si gjaku, rozë, të bardhë e të verdhë me aromë dehëse që aman o Zot. S’kishte gja ma të bukur. Ishin trandafila të “butë”, të kultivuar që atëherë pak kush mbillte prej tyre. I kishte sjellë vetë Ganiu që nga Tirana ku punonte si oficer a nënoficer. Rrugët e fshatit ishin plotë me tradafila të egër, edhe ata plot aromë, aromë origjinale, super, të egër, genuine, në ngjyrë të kuqe e të bardhë, që rriteshin vetë e delnin nga ferrat e zakonshme pa pyetur askend dhe që në gusht shtator banin kolomana (manaferra) të zes e të ëmbël, plot shije që konsumoheshin vetëm nga fëmijët.
* * *
Ganiu dhe Rremi ishin një shtëpi e qénun. Nuk mund të thuhet se ishin të kamur, por bukën e vitit e banin me burimet e vetë shtëpisë. Për Malësinë kjo konsiderohej gjendje e mirë ekonomike. Ishte familje me hyrje e dalje të shumta, me dreka e darka, plot me miq, të afërm e të largët, miq shtëpie e njerëz qeverie. Edhe vetë ishin të zanë me punë qeverie.
Kishin një tufë modeste, dhen e dhi, një ose dy lopë mali dhe, herë një mushkë e herë një kalë si hajvan barre. Në shtëpinë e tyre, në vitet ’50 merrnin edhe ndonjë hyzmeqar për të mbuluar nevojat e shtëpisë, kryesisht për të ruajtur e mbarështuar blegtorinë.
Ganiu dhe Rremi nuk ishin vllazën, por kushërinj të parë. Baballarët e tyre, Tushi dhe Shahini kishin qenë vllazën, kishin jetuar bashkërisht si një familje në harmoni e mirëkuptim; një shtëpi me elhamllëk, siç i thoshin atëherë. Ishte zakon i kohës. Kur më 1971 u ba elektrifikimi i fshatit, jashtë në çardak (telis) një llampë elektrike e linin të ndezur (e lënë edhe tani) gjithë natën. Nga larg e në krye të fshatit, në errësirë dukej si ylli polar. Pa zhurmë e pa bujë, por duhej të tregonin diçka të veçantë nga të tjerët. Krenari e padamshme.
Sheherin e Dibrës së Madhe me dritat që vezullonin në ngjyra të shumta kur i ndiznin çdo mbrëmje e kishin drejt a drejtë, në vijë ajrore, ashtu siç Sheheri qendronte karshi edhe nga shtëpia ime këndej përroit; ashtu siç, Dibrën, Sheherin e Dibrës e kishte shtëpia dhe zemra e çdo dibrani, para apo prapa malit qoftë ajo. Peng i historisë dhe mallkim i saj, Sheheri i Dibrës ishte zemreku i sahatit të çdo dibrani. Kur Fuqitë e Mëdha, që u shofshin, ia dhanë Sheherin më 1913 Serbisë, pastaj Jugosllavisë, më pas FYROM-it që i faroftë Zoti atë dhe krijuesit e saj, dhe së fundi Maqedonisë Veriore, por jo Dibrës shqiptare dhe dibranëve. Dibra dhe dibranët mbetën pa kokën që kurdis mendjen e një populli dhe pa zemrekun që kurdis zemrën e tij, pa qendrën e tyre dhe pa shpirtin e tyre.
Rremi kishte qenë partizan dhe ishte anëtar i Partisë Komuniste, (më pas, Parti e Punës së Shqipërisë), pra ishte komunist. Kjo bënte që marrëdhëniet me pushtetin të ishin të mira, megjithë faturën e rëndë të biografisë së Ganiut. Shtëpia e tyre priste e përcillte miq e mysafirë, të deleguar e njerëz të qeverisë. Kështu kishte qenë kjo shtëpi edhe përpara “Çlirimit”, edhe më herët, në kohën e Zgjimit Kombëtar (Rilindjes) e të Pavarësisë. Në fshat kishin emër të mirë.
Dikur për ta kishte pasur edhe një kangë, në fillim të shekullit, kur kishte lindur Ganiu, por tashmë atë kangë nuk e zinin me gojë. Punë vrasjesh, gjaqesh e hakmarrjesh. As e kam dëgjuar ndonjëherë prej Ganiut dhe as kam pyetur për të. Edhe të tjerët nuk kishin dëshirë ta preknin atë histori. Ishte një kujtim i keq, histori e trishtë, një tabu. Ishte brenda në katund dhe mund të trazoheshin ujrat. Disa punë lypin urtí. Dhe hasmetet e zotëronin atë.
Në vitin 1963 pushteti i kohës bëri një punë shumë të mirë, nga të rrallat gjana të mira që ka bërë. U ngritën komisione për pajtimin e gjaqeve. Me marrëveshje e mirëkuptim, me bindje e, paksa me shtërngim, me diplomaci e me propagandë intensive, me lutje e me rixhá, në fshat dhe në gjithë Dibrën u ndërmor aksioni për pajtimin e gjaqet
ve. Aksioni përfshiu gjithë vendin. Në prani dhe para ekipeve prestigjioze të përbëra prej burrash me emër të mirë dhe autoritet, me parti e me pushtet, burra kuvendi e pleqnar kanuni, solemnisht u dha fjala dhe u muar zotimi për faljen e gjaqeve. U pajtuan gjaqet, u shtinë pushkë, u shtru bukë dhe iu pi kafja. Nuk ka më kthim prapa.
Ra perdja e zezë e një historie të rëndë. Ishte një mrekulli, historike do të thosha. Pas 1990-s kur ra diktatura komuniste, sidomos në kaosin e vitit 1997-të, Dibra provoi me fakte se ai kapitull ishte mbyllur njëherë e për gjithmonë, dëshmi e urtësisë, burrërisë dhe karakterit të fortë të tyre. Madje, u banë edhe lidhje miqësore që e salduan edhe më shumë mbylljen e asaj historie. Subjekt i kësaj drame të rëndë të trashëguar nga e kaluara ishte edhe familja e Gani e Rrem Metës.
* * *
Në fëmijërinë time xha Ganiu ishte tek të ’50-at. Kishte një portret me tipare të skalitura. Sy zhbironjës, shikim të vëmendshëm. E mbante veten, në veshje, në sjellje dhe në gjithçka. Nuk mbaj mend ta kem parë të parruar, gjë që në fshat tek burrat ka një shkujdesje për paraqitjen e jashtme. Ngarkesa e madhe e punëve të bujqësisë nuk të len të merresh me “salltanete” e të bësh kujdes për paraqitjen e jashtme. Mbante mustaqe ashtu si gjithë brezi i tij, por me masë. Ishte burrë me sharm. Në paraqitjen e tij, gjithçka ishte serioze dhe asnjë grimë ekstravagance.
Nga trupi vinte paksa ndën mesataren. Ishte serioz dhe gëzonte autoritet. Fliste me masë dhe i kishte peshë fjala. Kur fliste, veshët do të drejtoheshin nga ai. Përveç peshës së fjalës, ishte edhe zëri i trashë e kumbues që ia shtonte autoritetin, intonacioni i tij. Në njëfarë mënyre, kishte një të folur skenik, imponues por jo teatral. Shkonin në një linjë me logjikën dhe përmbajtjen e mendimit.
Dallonte shumë nga burrat e tjerë të fshatit, jo vetëm si moshë por edhe si formim. Duke mos ditur të kaluarën e tij, e merrja si gjithë mëhallalinjtë dhe bashkëfshatarët e tjerë. Në fakt shpejt do ta kuptoje se ai nuk ishte një “bujk” e një “katundar” si gjithë të tjerët. Edhe pse punonte si të gjithë në punët e bujqësisë: në mbjellje, ujitje, prashitje, premje misri, transport me kuaj apo mushka etj., ai tregonte se ishte gatuar për punë të tjera. Ishte brum tjetër. Për këtë ishte i ndërgjegjshëm edhe vetë.
Mua më “hahej” shumë muhabeti me xha Ganiun. Edhe atë me mua. Duke pas një shkollim të rregullt, madje për histori-gjeografi, që ishte “fusha” e tij, vazhdimisht hapte biseda për ngjarje e figura historike, shqiptare e botërore. Ai kishte kënaqësinë se kish ku të zbrazej, por dhe unë habitesha me dijenitë e tij, saktësinë dhe rrjedhshmërinë e narracionit. Fliste pa përtim. Ato që dinte i tregonte bukur dhe me endje. Dinte t’i ilustronte me filozofinë e me moralin e jetës. Kombinonte bukur historinë me letërsinë, nga e cila dinte jo pak autorë dhe vepra.
Dijet e tij nuk i kishte spontane. I kishte vënë me kujdes dhe i ruante me kujdes. Lexonte vazhdimisht. Kishte një fond librash që i kishte grumbulluar dhe i rilexonte ato. Abaz Xhafa, mësuesi i fshatit që kishte mbaruar Normalen e Elbasanit më 1934 kishte një bibliotekë shumë të mirë dhe vazhdimisht e furnizote me libra si p.sh. “Lahuta e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Lexonte natën me kandil.
Kur isha në Universitetin e Tiranës aty nga 1967-ta, vitin e tretë të studimeve kishim si detyrë vjetore të përgatisnim në mënyrë të pavarur edhe një temë studimore shkencore me afat një vjeçar. Udhëheqës shkencor kisha prof. Stefanaq Pollon, që ishte edhe dekan i Fakultetit. Profesori më thirri në zyrë, hera e parë që hyja në zyrën e dekanit dhe më komunikoi temën që do të përgatisja: “Lufta për arsimin dhe shkollën shqipe në vitet 1908-1912 në Dibër”. Më dha udhëzimet përkatese për burimet që do të shfrytëzoja, literaturën dhe…kaq. Unë nuk u pashë më me profesorin. As shkova ndonjëherë për ndonjë konsultim.
Pasi mora detyrën, shkova në bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë ku më vunë përpara një dosje me shënime të Haki Stërmillit në të cilën ishte edhe vepra e tij në dorëshkrim “Dibra në prag të historisë”. Shihja aty shënime në copa letrash e kapakë fletoresh shkrimi, edhe në kuti cigaresh, shënime të zverdhura nga rrezet e diellit nga qendrimi i fletëve pranë dritares e plot gjëra të tilla. Letra paska qenë me shumë kursim. Mora material edhe nga libri i prof. Petraq Pepo “Kujtime veteranësh të Rilindjes Kombëtare”. Aty mu hap një dritare e fortë “hulumtimi”.
Gjatë procesit të studimit, zakonisht praktikonim metodën me “lidhje të shkurtër”. E kishim bërë zakon që të mbanim shënime të hollësishme nga leksionet që na jepnin në fakultet, të konsultonim literaturën nga klasikët e M-L për seminare, t’i mësonim leksionet kur të vinte koha e provimeve dhe me kaq mbaronte puna. Ndërsa këtu ndryshonte puna. Ishin përpjekje për të bërë punë shkencore. Shënimeve që kisha nxjerrë u shtova dhe kujtimet që kisha marrë gjatë pushimeve dimërore tek mixha Gani. Kujtimet e Xha Ganiut ishin më jetësore dhe “autentike”. Kjo e shtonte larminë dhe impenjimin e studimit tim me një referencë më tepër nga “dëshmitarët” e gjallë nga populli.
Në fund të vitit, kur dorëzoheshin detyrat, më thirri në dekanat. Nuk kisha shkuar ndonjëherë për t’u konsultuar me udhëheqësin e temës, apo për të kërkuar ndihmë. Kishte menduar se për temën vjetore nuk e kisha vënë ujin në zjarr, dhe filloi menjëherë qortimet dhe vërejtjet. Madje më foli pak i nervozuar, gjë që nuk ishte në natyrën së tij. Më qortoi rëndë pse nuk isha interesuar për temën. Nuk ke ardhur asnjëherë të konsultohesh për burimet, literaturën, referencat, kujtimet e bashkëkohësve, madje as për të bërë planin e temës. Në fakt, të gjitha këto unë i kisha marrë prej “vedit”, ashtu siç kisha ditur.
Nuk thashë asnjë fjalë. Si mbaroi profesori, mendova se puna e diplomës do të mbetej për sesionin tjetër. I turpëruar dhe me kokën ulur, pa bërë zë i zgjata profesorit një fletore katër lekëshe ku kisha shkruar temën ashtu siç kisha ditur dhe i thashë: kam shkruar këtu diçka si punë paraprake dhe mbi bazën e vërejtjeve do ta ripunoj e do t’ua sjell.
Si mori fletoren, tha se do ta shihte. Pas disa ditësh, tek po kalonte në korridor, më ndaloi dhe më tha: Po ti e kishe bërë mirë, kishe punuar mjaft mirë, me strukturën, problemet, burimet, literaturën, referencat etj. Tema ishte e plotë, tha dhe më uroi. U çlirova. Falenderova edhe ndihmën e xha Ganiut.

Strategjia shtetërore e partiake e përmbysjes
Nga Hasmetet (fisi Meta) nuk kishte veçse tre-katër familje. Të katrat, në mëhallën e Epër: dy në krye, e dy në fund të mëhallës. Kishin një kushëri në Tiranë, një Xhek Meta që u vinte dhe i shkonin për sebepe e vakijate. Dalloheshin për qëndrime të matura e korrekte në komunitet.
Mëhalla e Epër zotëronte një burim të vogël uji, Kroji i Epërm, poshtë të cilit banorët e mëhallës kishin bërë një hurdhë për grumbullimin e ujit. E përdornin vetëm për ujitjen e kopshtit të zarzavateve, zakonisht një shpore spece, domate, kastraveca, qepë, prasë dhe një parcelë të vogël duhan etj. Për më tepër nuk mjaftonte uji. Respektohej një radhë ose rend për përdorimin hurdhës. Çdo famijle konsumonte rezervën e ujit të grumbulluar sipas rendit: gjatë ditës ose natës. Nuk mbaj mend që, për sherr, fëmijët e hasmete të ndanin vijën e ujit kur radhën e kishte ndonjë tjetër, siç ndodhte në ndonjë rast tjetër. Edhe zullume të tjera të qëllimshme, fjala vjen (f.v.) me bagëtitë, nuk mbaj mend të bënin. Jeta e fshatit jep shkas për sherre të shumta e të llojllojshme, të vogëla dhe jo të vogëla. Edhe intrigat e vogla të fshatit, fëmijët, gratë, bëjnë punën e tyre.
Si tokë “buke” Ganiu dhe Rremi kishin disa parcela të vogla të shpërndara një këtu e një atje, si gjthkund në malësitë tona. Pjesa më e madhe mbi ujë, në të thatë dhe më pak nga toka qi i kapte ujitja (toka nën ujë). Ara më e mirë që kishin ishte Lenishtja, ndonjë 2 dynym a pak më tepër dhe dy copa toke tek Gjurra e Te(j)me. Në katundin Gjoricë e Epërme patën një parcelë me tokë të mirë në sipërfaqe kompakte prej dhjetë dynymësh që e kishin blerë para ca kohësh, por aty nga viti 1954-1955 atë e banë tramtë duke e këmbyer me ca toka, shumica djerrina të thata që morën nga Halit dhe Ramiz Xhafa në Gjurrën e Teme, të cilët u shpërgulën nga Kovashica në Gjoricë. Më pas u krijua kooperativa bujqësore dhe toka e humbi vlerën e saj, ashtu si dhe çdo gjë tjetër në atë sistem.
Para shtëpisë së tyre, tej avllisë varej poshtë deri tek shtëpia e Halitit një bahçe e rrethuar mirë që kishte nga llojet e ndryshme të pemëve. Shtrenjtësia e jetës nuk e lejonte luksin që banorët të mendonin për të kultivuar frutikulturën. Buka, buka, buka e cullëve, kjo ishte e para, ishte baza. Bukë e groshë dhe një shllinë. Dimrit edhe ca turshi, që Dibra i ka zanat. Nuk kishte pretendime të tjera. Fukarallek.
Në bisedat që mixha Gani nxiste midis njerëzve për zgjerim horizonti për kuptimin e jetës. E pyeti filani filanin (emrat nuk më kujtohen): Kush quhet bujk i mirë? – Bujk i mirë asht ai qi ban bukën e vitit, përgjigjet tjetri. Kjo asht kryesorja, mos me i lanë fëmijët pa bukë. Bukë e grosh e fale Zot. Çduem tjetër mâ. Si të kem bukë e groshë, unë jam agá, ishte përgjigja. – Jo, i thotë Ganiu. Bujk i mirë asht ai që përveç misrit e groshës zhvillon edhe pemën, mbjell edhe mollën, mbjell dardhën, ftoin, kumbullën, qershinë, arrën etj. Ai asht bujk mirë, i mëshonte idesë për të cilën e kishte provokuar xha Ganiu.
Në përgjithësi në Dibër, e vaçanërisht në zonën e Malësisë, ku toka është shumë e kursyer, bujqit linin të “zhvilloheshin” e të mbijetojnë ata pemë që falte zoti, edhe atá, kur ishin në periferi të arës, të tokës së “bukës”, në porene, në meja ose në prroje, në meraje, në kullota e në toka berihabá. Këtu “kultivoheshin” arrat (që mbinin vetë), kumbullat e zeza, kajsiat (e egra) me të cilat bëhet baki shumë e mirë, gështenjat, dardhat e egra (gorica), ftojt, mollat. Parcelë toke e caktuar enkas për pemëtore shihje rrallë e aspak: Gani Meta e kishte një bahçe të tillë të mbjellë me lloje të ndryshme pemësh. Kishte aty dardha, molla, kumbulla, një kumbull e veçantë që Ganiu e paska marrë në Itali qysh në kohën e Zogut a në kohën e Italisë, pemë që lulëzojnë edhe sot.
Kultura e rrushit zhvillohej vetëm në disa perene ku hardhijat kacavareshin nëpër kumbulla, plepa, më ndonjë lis etj. Nga shërbimet i bëhej vetëm ndonjë krasitje. Shartimi i pemëve ishte një shërbim i rrallë dhe zotërohej nga pak njerëz. Shkolla Amerikane e Fulcit në Tiranë dhe Kavajë gjatë kohës së Mbretërisë përgatiti mjaft specialistë edhe nga Dibra, por veprimtaria e tyre ishte e kufizuar. Në Kovashicë pjergulla të mira rrushi kishte Halit Tomja (Hoxha e Vogël), Halit e Hysni Toçi, Ali Xhafa tek Përroi i Madh, pjergulla të cilat, kur ishim fëmijë, i shihnim nga larg si tek fabula dhelpra dhe rrushtë: “si e pa që s’mund t’i zërë, / tha, qenkan të pa bërë”.
Për kultivimin e rrushit nuk krijoheshin vreshta të posaçme. Edhe në këtë drejtim Ganiu ishte “pionier”, apo siç thuhej në kohën e kooperativës, “shkollë e përvojës së përparuar” në bujqësi. Ganiu kishte një vneshtë bukur të mirë aty tek “Vneshtt”, të cilën e mbajti deri vonë në vitet ’60.
Ngritja e vneshtës në Kovashicë ka një histori. Kjo histori lidhet me kapitullimin e Italisë në shtator të vitit 1943 dhe shpërndarjen e ushtrisë italiane. Një ushtri e tërë e çmobilizuar dhe e demoralizuar u la të endej duke u sjellur rrugëve lartë e poshtë. Reparte të saj me uniforma të shkopsitura, me rripin e mesit të hequr, këpucët e zgjidhura duke i tërhequr rrëshqanë, silleshin vërdallë duke krijuar edhe nofka të tilla “si ushtia e Badolios”. Rruga e kthimit në vendin e tyre ishte e mbyllur nga lufta. Më e keqja ishte se ushtria gjermane i vriste ushtarët italianë kudo që t’i shihte. Për të mos vdekur rrugëve ata i shpërndanë nëpër familjet shqiptare që t’i mbanin dhe t’i ushqenin. Për të mos e “hangër bukën kot”, ato u angazhuan në punë të ndryshme sipas zanatit dhe kualifikimit që kishin. Shumica e tyre ishin fshatarë dhe, si punëtorë të mirë siç janë italianët, ata ia dinin mirë bujqësisë. Shumë nga këta ushtarë i shpërndanë edhe në fshatin tonë. Shumica ishin punëtorë dhe bujq që ia dinin mirë frutikulturës.
Në shpatin e kodrës pranë shtëpisë së mixhës Gani deri tek Zabeli i Dukës toka nuk punohej. Një faqe kodre thuajse e zhveshur me pozicion nga jugu. Përgjithësisht mbizotëronte gështenja, të cilat ishin mjaft të mira. Kishte thana dhe ndonjë qershi e egër (e pa shartuar) tek përroi. Kur e pa se çmund të bëhej me atë tokë, italiani i Ganiut paskesh thirrur gjithë emocion. Mama mia! me këtë tokë unë mund të mbaj gjithë familjen me bukë dhe me gjithë të mirat. Ishte afro një dynym tokë djerr. Sipër parcelës së Ganiut ishte edhe parcela e Halitit, e Cenit, e Mersim Xhafës, e Mersim Zenelit që shkonte deri tëk gështenjat e Beqir Zenelit, rrëzë Zabelit të Dukës. Italianët e këtyre familjeve projektuan vreshtën dhe ja filluan punës.
Drejtimi i vijave të vreshtës, thoshin ata, duhet të shkojë nga lart-poshtë për të mundësuar kullimin e mirë të ujit. Bima e rrushit nuk e duron lagështinë. E bënë tokën strrem (qilizëm). Hapën kanalet, plehruan mirë e mirë tokën, mbollën shermenat dhe bënë një vreshtë model. I gjithë shpati i kodrës u quajt “Vneshtë”. Bukurisë së hijes së gështenjave madhështore përreth përroit iu shtua ajo e rreshtave të disiplinuara të vreshtës plot me vesha rrushi topçe. Ai shpat i zhveshur kodre i ekspozuar nga jugu, që në pranverën e hershme ta ngroh kurrizin e ta rreshk shpirtin u kthye në një bahçe si ato të parajsës.
Më pas mbijetoi vetëm vneshta e Ganiut, deri aty nga vitet ‘60. Të tjerat gradualisht u degraduan nga mungesa e kujdesit. Kondito-ja (italiani, i shtëpisë sonë) na la si trashëgim ca shartime të mrekullueshme pjergullash që kacavareshin nëpër vidhat buzë përroit. Kur u bëra për shkollë, çdo mëngjes me çantën e librave krahëqafë nisesha, sëpari hypja në vidh, këpusja dy-tre veshë rrush dhe ja linim mësuesit mbi tryezë. Ishte bërë traditë që nxënësit që kishin pemë si rrush, molla, arra, gështenja etj, t’i dhuronin mësuesit fruta kur shkonin në shkollë. Ashtu siç, kur vinte dimri, merrnin nga një dru me vete për të ndezur stufën. Jetë në bashkësi.
Italiani ynë shartoi edhe qershiat buzë përroit. Njëra prej tyre te Vneshtt, e bardhë në të verdhë e bënte kokrrën sa grushti, kolobushe e gjithë lang, që ta mbushte gojën. Nderim për punën mjeshtërore të italianit.
Si gjithë të tjerët, edhe italiani ynë bënte jetë të përbashkët në mjedisin familjar të shtëpisë sonë; hante bukë bashkë me ne në një sofër, si çdo pjestar i familjes. Kishin atë pozicion (“status”) që kishte çdo hyzmeqar, kur ndonjë hallexhi vendas detyrohej të punonte (me kohë të pjesshme a të zgjatur) tek ndonjë “pasanik”. Duke mos ditur “ndalimet” tona, ndonjëherë krijohej një situatë humori për ndonjë dryshim të zakoneve. Gjatë ngrënies së darkës, ulur rreth sofrës mbi një shkam të ulët (stola të vegjël për një person), italiani nuk e kishte për gjë të lëshonte ndonjë pordhë, gjë që shkaktonte të qeshura tek fëmijët dhe ulje koke nga gratë. Rendin e vendoste një qortim me vetulla të varuna i të zotit të shtëpisë. Ashtu siç do t’i ketë bërë përshtypje jo të mirë italianit gogësima e shqiptarëve në fund të ngrënies, gjest që e shoqëronin me një falenderim për Allahun.
Në rast konfliktesh gjaku midis vendasve, vrasja aksidentale e ndonjë italiani, me të drejtën zakonore shqiptare llogaritej një gjak borxh, si ajo e çdo shqiptari tjetër. Sipas Kanunit, jeta e italianit llogaritej në sigurinë që ja jepte shqiptari i cili ishte dorëzanë. Kjo tregon kuptimin e lartë të drejtësisë njerëzore tek shqiptarët pa as më të voglin diskriminim.
Pse nuk më qëlloi edhe mua ta kisha usta siç e qëlloi Izetit, ankohej Ademi. Ai italiani im e han bukën kot. Gjithë ditën sillet vërdallë kodrave e poreneve, kap e lësho hardhuca, zhapinj e breshka. Asht profesor universiteti, i thanë. Ah të dh. profesorin, unë due gomarin që ban ujë e dru. Izetin po, e qiti çirak. I vu tavanin e dhomës, i suvatoi mure e tavane dhe i rregulloi dyer e dritare. Ia bani shtëpinë dogramë.
* * *
Aty nga vitet ’70 kooperativa bujqësore vendosi ta përtërijë traditën. Ajo e bëri përsëri vreshtën në gjithë Kodër-Vneshtën, që nga pjesa e Halitit e deri tek gështenjat e Beqir Zenelit. Pse të mos e bënte vreshtën kooperativa bujqësore kur krahun e punës e kishte pa pare? Me një “pagë” sa një rrotull bukë misri për ditë-pune, ajo mund të bënte ”mrekullira” si askund. “Me 12 lekë për ditë pune unë të drejtoj gjithë botën tha Hamit Tomja. Sidoqoftë, vilat e rrushit vreshta i bënte topçe. Më pas fati i vneshtës shkoi rrokopujë si fati i kooperativës dhe i vetë sistemit.
Sot vreshta është zhdukur, por ajo la pas vetes emrin këndellës, toponimin: VNESHTË.
Ganiu dhe Rremi zotëronin zabele të mira: tek Kisha kishin zabelin më të mirë, në Rrafshë të Melicës për të cilën folëm; afër Sharrës kishin Zabelin e Dukës, i gjithi me lisa të mëdhenj e të trashë, plotë hije e freski, edhe ai, si një park. Me ngritjen e kooperativës bujqësore të gjithë lisat i prenë, kush mundi e si mundi duke e zhveshur pyllin lakuriq. Si tokat edhe zabelet u bënë mall i kurrkujt. “Gjaja bashkë e bytha jashtë”, thotë populli. Hasmetet kishin zabele edhe në Shullâ, të gjitha me dru bunge. Me krijimin e kooperativës bujqësore gjithçka ndryshoi, e humbi vlerën, u përmbys. Zabelet e Shqipërisë i qethën zero, i rrunë brisk, brisk, i qitën fare. Edhe ujqit u rralluan shumë, s’kishin ku të fshiheshin. Sa për arushat nuk bëhej fjalë, u ishin ngjitur lartësive, larg njerëzve, sa ma larg. Kufiri shtetëror i RP të Shqipërisë me fqinjët dallohej qartësisht.
Aty nga viti 1951 a 1952 mixha im (Mersimi) bëri një krushqi në Fushë. Martoi vajzën për nipin e Zyber Qorrit (Halili) në Grezhdan; burrë me emër dhe familje e kamur. Edhe ata ishin familje dykunorësh që jetonin bashkërisht. Kishin mbi 70 dynym tokë që për Dibrën ishte shifër shumë e lartë. Kishin 150 dhen (para dhjetë vjetësh kishin pasur 1000 kokë), shtëpi të madhe dykatëshe-një konak i vërtetë. Muret me gur të gdhendur. Katër dhoma të mëdha gjithë dritë; dy lartë e dy poshtë, secila me banjë dhe hamam për larje. E gjitha e mbuluar me çati me tjegulla marseljeze që nuk i shihje gjëkundi. Ishin ku e ku e ku me familjen tonë.
Në respekt të zakonit të ceremonive, një karvan bukur i gjatë krushqish mori rrugën nga Kovashica për Grezhdan. Shkonte në gostë (përviçe). Pesha e sebepit kërkonte një delegacion të madh me pjesëmarrje të gjërë. Askujt nuk duhej t’i mbetej hatri: nga vëllezërit, nipat, dajat, miqtë, kumbaritë, shokët. Diferencat ekonomike ku pala jonë ndjehej inferiore, i mbulonte me prestigjin e delegacionit të përviçes të cilin e kishim dinjitoz. E rriste atë sidomos prania e njënit, mixhës Gani. Atë e kishin vënë në krye karvanit të krushqve edhe si moshë, edhe si “shoq” mëhallalí, edhe si kushëri i nuses (nip dhe mbesë Dumanesh).
Atëbotë ai ishte tek të 50-tat; burrë i ditur dhe i shetitur. Rrinte në kalë mbi flokësen e kuqe dhe shilten e butë me trupin drejt si qiri, me kësulën l’shue mënjanë, si zakonisht. “N’dy kobure e n’nji harbí,/ Qi e ká vû ksulen m’njâ’n sý”, thotë Fishta për burrat azgana të Shqipnis heroike. Kobure dhe harbi vërtet që Ganiu nuk kishte, por kësulën, po, lshu “ m’njâ’n sý”.
I rrafshuar mirë e butë mbi kalë, Ganiu ndjeu siguri tek ecte në kambë të huaja. Edhe shpinën sikur e ndjeu më ngrohtë. Ishte burrë i guximshëm. Megjithë ç’kishte parë e hequr, ai i lejoi vetes të mendojë e të endë një pëlhurë andrrash për të ardhmen. “Hej zot sjellna nji devër tjetër”, kishte uruar kur doli nga burgu.
Ganiu sapo kishte kaluar një dimër të fortë e nji gazep të madh; një tmerr që mos i raftë kujt. Ky mendin iu bë si pritë entuziazmit që nuk po e linte të gëzojë çastin. Shpejt iu përshkuan si në film qelitë e ftohta të burgut, ndytësitë e tyne ku ishte i detyruar të rrinte e të “flinte”, egërsia e hetuesit të pashpirt që ia kishte thyer edhe dërrasën e kraharorit duke i ra me tanë forcën me një shufër hekuri. I stërditeshin pamjet kur mbi zgarën e hekurt sipër qelisë ku e kishin futur, roja që kalonte aty sipër ndalej dhe sa herë t’i tekej i bante shurrën mbi krye. E qelia e ngushtë e mizore nuk ia falte as dhe një centimetër që t’i shmagej ndopak. Vuajtje që mos i provoftë njeriu. Këto dhe të tjera i kam ndigjue me veshët e mi kur i tregonte në prani edhe të të tjerëve. Duheshin dëgjuar me flegmatizëm, gjakftohtë, si asgjë e si gjë e huaj, pa u përfshirë në përjetime. Më vjen keq që nuk i kam shënuar. Sa mangësira kam lënë.
Ke ndejt me Kripsin, atë spiunin e poshtër anglez. Si të ka rekrutuar dhe kur të ka rekrutuar. Të rekrutoi qysh në kohën e Zogut kur ishte këshlltar i xhandarmërisë apo tani që u rikthye në Shqipëri gjatë luftës. Besoj se e forcuat miqësinë e vjetër. Ç’farë të ka thënë ai agjenti i imperializmit, çfarë urdhërash të ka dhënë dhe çfarë detyrash të ka lënë spiuni anglez. Çfarë Kripsi mor, çfarë Kripsi? Po kush ishte gjeneral Persi e major Kripsi që të rrija unë me ta? Ku unë e ku ata, thoshte Ganiu. Unë as e kam pa ndonjëherë me sy, e jo ma të rrija me e të flisja me të.
Ndërsa karvani i kruqve vazhdonte të ecte drejt Grezhdanit, vendosi ta çojë mendjen tjetërkund. Mendo gjanat e mira Gani, se e mira sjell të mirën. (think positive, këshillojnë sociologët e sotshëm). E kulloti mëndjen duke e lëshuar në lëndinat e begata kur në shërbimin e xhandarmërisë merrte shtatë napolona në flori të verdhë, pare alltan, me të cilat mbaje një katund me bukë; e kulloste kur hante bukë në sofra agallarësh, kur bante “kuvend” me burra, kur ishte dikushi e kur ishte njeri dhe, madje burrë burrash. Por këto nuk i hynin në punë. Gëzimi i çastit e ngriu përsëri.
Në këtë sistem, mendoi ai, asgja nuk asht e sigurtë. Qesh tuj shkue para pushkatimi si… “Këta” i kthehen prapë asaj historie. Janë xhahila dhe krejt të pabesë. Hesapet me ta gjithmonë i ke të hapura. Duan gjak. E kishte provuar mirë se deri ku shkon egërsia dhe xhahilllëku i tyne. Për këta jeta çon peshë sa çon miza me fletë. Më këta duhet marifet, or Gani! Vetëm marifet. Dhe iu kujtua thënia e bektashinjve, besim të cilit i përkiste: “sheriat, tarikat, hakikat, marifet”.
Shihte bashkëfshatarët e vet, edhe ata hypur në kuaj, që nuk provonin këtë stuhi mendimesh si të tijat. Ata as që e çanin fare. Ua dinte kapacitetin, por i kishte zili. Kështu asht kjo dynja. Ku t’i dinin ata nga ato që kishte parë e provuar ai. Pastaj prapë e hodhi mendjen tjetërkund. Bëri nji plan. Mendoi një marifet.
Mija ime po rritet e Zoti ma lashtë. Ndoshta tek ajo kam edhe riskun tim. Duhet mendue për martesë. Pse të mos t’ia japë Sibe Xhurës për voc të vet. Njeriu hec me krye e me mend e jo me bythë. Shtëpija e saj kishte qenë bazë lufte ma e përmenduna në gjithë Dibrën. Fama i saj kishte marrë dhenë, ishte ba “legjendë”. Ma të mëdhenjtë e qeverisë i rrinin Sibes gjithë temenâ para e mbrapa. Gruaja trimneshë Sibe Xhura na shpëtoi kur na ndiqte fashizmi gjakatar; e mençmja Sibe na fshehu nga rreziku, e guximshmja Sibe na pshtoi jetën, ajo na shtroi bukën; bujare si Sibja, kavalere si Sibja etj. Kudo që baheshin lavdërime për njerëzit që kishin ndihmuar luftësn, me hak e me të drejtë, të parat lavdërime ishin për Sibe Xhurën.
Nëpër tubimet me rastin e datave përkujtimere, të aksioneve luftarake dhe për festat e çlirimit, titullarët e rinj të partisë e të pushtetit, ish partizanë ngrinin në qiell historitë e tyre të luftës kundër fashizmit, por edhe të atyre që i kishin strehuar dhe mbajtur. Sibja qe ajo, thoshin ata në shenjë mirënjohje, që na strehonte, na ruajti e na fshehu prej ndjekjes së fashistëve, natën e ditën.
Pas luftës, djali i madh i Sibes, Abdurrahmani, ishte ba oficer sigurimi, me grada. Në atë sigurimin e tmerrshëm që kur e kujtonte, Ganiut i rrënqethej shtati. Kush ma shumë se Ganiu i dinte t’i çmonte këto punë?
Lidhjet me njerëzit e partisë e me qeverinë Sibja i kishte pupas. Sibja, si të ishte Nana e Skenderbeut. Por Sibja ka edhe një djalë tjetër, ma të ri. Ai duhet martue. Pse të mos i japim Mijen. Nji burrë do të marrë edhe ajo. Duhet mendue për t’i gjetur verigën. Mendo Gani, mendo! Punët e tjera rregullohen vetë ma vonë, nji e nga nji e, njena pas tjetrës..
Ndeja në kalë përsëri iu ba komode. Edhe shiltja, që pak më parë iu duk se kishte gjemba, iu ba e butë. E uli edhe pak ma shumë në sy kësulen e Dibrës, e ngjeshi ma fort për kreje dhe ja mori nji kange. I erdhi qejfi. “Hajredin pasha po vjen Radikës,/ Jallá ku janë malet e Dibrës, / Jallá ku janë malet e Dibrës, / Bajnë xhelis n’at fushë t’Gjoricës, / N’fushë t’Gjoricës tek Kalaja, / Gani Metës po e kalon belaja”. Kështu mund ta kaloj këtë furtunë. Vetëm kështu mund t’ia kalli kësaj qeverie. Në këto e sipër, karvani i krushqve kishte kaluar urën e Topojanit dhe po merrte të përpjetën e kodrave të Maranicës drejt Grezhdanit. Ndjeu një prehje të shpirtit.
Ganiu kishte parë e dëgjuar shumë; provuar e sprovuar. Një jetë e ngjeshur dhe e rrastë me përvojë të madhe e të larmishme. E kishin rrahur mirë tallazet e jetës, si në dërstilë. Siç thamë, i kishte provuar të dy ekstremet e kësaj dynjaje: nga pozita e ngrohtë me 7 napolona flori në muaj dhe më pas edhe si mik i agait me peshë dhe influencë në qeveri e në shoqëri, tek afrimi i konopit dhe dënimi me 20 vjet burg që… pas pak vitesh përfundoi, bafti i Zotit, me lirimin dhe rikthimin në jetë. I gjalli e ka selametin.
* * *
Me krijimin e kooperativës bujqësore, familjet u ndanë, pronat u copëzuan dhe pronësia u “bashkua”. Grabitje. “Statuti i Kooperativës Bujqësore” linte mundësinë që çdo familje të mbante në përdorim një “oborr personal” prej 3 dynymësh tokë dhe atë mund ta zgjidhje kudo në “ish pronën” tënde. Kjo bëri që familjet me dy ose tre kunorë të ndaheshin, në mënyrë që të përfitonin secila nga një oborr personal më vete. Kështu, edhe Ganiu me Rremin u ndanë dhe secili doli “tym” në vete.
Më pas, në vitin 1967 “oborri personal” u zvogëlua nga 3 dynym në një dynym për familje. Për familjet e reja të krijuara nuk kishte më “fond” toke për oborr personal. Le ta ndanin nga një copë në atë dynymin që kishin e të merrnin nga një “tajshkë” (copëzë të vogël). Kjo “reformë”, më e sakt, ky “revolucion” bëhej, po të shprehemi me terminologjinë zyrtare të kohës, në kuadrin e “revolucionarizimit të mëtejshëm të të gjithe jetës së vendit”. Shkurt: revolucion brënda në revolucion. Vjedhje, vjedhje brenda vjedhjes, grabitje e mëtejshme, zhveshje, paoperizim, proletarizim i fshatit, shkatërrim total.
“Statuti i Kooperativës Bujqësore” kurrë ndonjëherë nuk u pa në duart e kooperativistëve, as si përmbledhje dispozitash ligjore (!), as si dokument “kontraktual”, si akt juridik që përcakton të drejtat dhe detyrat e pjesëtarëve të atij “assosacioni” kooperativist. Gjithë ky revolucion i madh agrar e çoi në zero sistemin e pronësisë së tokës. Për herë të parë në histori, shqiptarët nuk kanë më pronë toke të paluejtshme; nuk kanë më tokë në tokat e tyre mijëvjeçare; në atdheun e tyre ata janë pa tokë, pa dhė, PA ATDHE.
Me realizimin e të ashtuquajturit “Transformimi Socialist i Bujqësisë”, gjithë evolucioni historik i shoqërisë shqiptare ra nën zero, u zhduk. U krye asgjësimi brutal i institucionit kryesor të PRONËSISË mbi TOKËN, institucion i ngritur dhe i çimentuar në një proces të gjatë historiko-juridik mbi dymijëepesëqid vjeçar të sistemit të pronësisisë, guri themelor bazë mbi të cilin ngrihet civilizimi njerëzor. Shqipëria u kthye në etapën historike të KOMUNËS, në atë që Engelsi e klasifikonte si “Demokracia Ushtarake” si etapa e fundit e Rendit Fisnor, madje edhe para saj. Gjithë ky shkatërrim fundamental, në ligjërimin politik zyrtar e në propagandën e saj u quajt përparim, progres, revolucion agrar socialist. Ishte një revolucion i pandërprerë – një vazhdimësi që kishte nisur sapo mbaroi Lufta “nacionalçlirimtare”. Një bandatizëm i ngritur në sistem, i quajtur “Sistemi Socialist” i tipit leninist. Thelbi i parimeve dhe karakteri mbi të cilat u ngrit ky sistem do të trajtohen më pas, pa pretenduar një shterrje të problemit.
* * *
Xhandarmëria Shqiptare
Në rininë e tij, aty nga vitet 1924-1926 kishte ndejt shumë kohë si i punësuar në familjen në familjen e Dervish e Zenepe Hima (Çoku). Kryente shërbime të ndryshme në pritje sa t’i gjëndej ndonjë punë në armën e ushtrisë apo të xhandarmërisë. Dervish Hima ishte personalitet i lartë i administratës shtetërore dhe e kishte si djalë i shtëpisë. E mbante edhe si ‘djalë mbas vedit’. Aty Ganiu i ri përfitoi shumë “shkollë jete”, madje, elitare. Kjo e njohu me personalitete të Lëvizjes kombëtare, njerëz të politikës, të kulturës e të sferave të tjera të jetës qytetare. Kontaktet me burra të rëndësishëm, politikanë e veprimtarë politikë me emër nga të cilët kishte ditur të mësojë e të përfitojë shumë. Më pas u përfshi në armën e xhandarmërisë.
E “çuditshme”! Ganiu nuk para fliste për xhandarmërinë sepse ajo ishte krijesë e Zogut dhe nënkuptohet simpati për atë regjim. Fatos Daci, i cili mori përsipër të bëjë një monografi me subjekt jetën e Ganiut kishte parë dosjen në Arkivin e Shtetit. Vetë Ganiun nuk e pata pyetur. Ç’më duheshin mua punët e xhandarmërisë. Pse të futem në një pyll të errët e të rrezikshëm. Mjaftohesha me çfarë dëgjoja prej tij dhe nuk zgjatesha me ndonjë pyetje. Mos vallë të kruhet shpina? Kjo tregon forcën e madhe të autocensurës, të terrorit psikologjik që ishte kthyer në sëmundje shoqërore, paranojë e autosugjestion. Madje, mësova se në periudhën e fundit të Luftës, Ganiu paska qenë në Organizatën e Legalitetit. Shikuar nga lartësia e ditëve të sotme, kjo ishte krejt e natyrshme nisur nga logjika nacionaliste e tij dhe e familjes së ti. Tek arma e xhandarmërisë Ganiu kishte gjetur plotësisht veten. Xhandarmëria ishte institucioni shtetëror më i shëndetshëm, më pretigjioz e më me autoritet i shtetit të parë shqiptar.
Xhandarmërinë Shqiptare e ngriti Zogu me ndihmën e anglezëve, më konkretisht të Frenk Stirling-ut. Sterlingu erdhi në Shqipëri me kërkesën e Zogut në maj të vitit 1923 kur ky ishte kryeministër. Sterlingu shpesh merret, dhe jo pa të drejtë edhe si themeluesi i Armës së Xhandarmërisë Shqiptare.
Në qershor 1924, kur pushtetin e mori Noli dhe Zogu u largua nga Shqipëria, Sterlingut iu kërkua që të qendronte këtu. Pasi u kthye nga Jugosllavia dhe realizoi “Triumfin e Legalitetit”, më 6 janar 1925 Ahmet Zogu u ngarkua të formojë qeverinë e re.
Më 7 janar ai shpalli programin ku, ndër të tjera deklaronte: “Në një vend ku nuk ka sigurim nderi, jete e pasunie, me idena bolshevike, ai vend nuk mundet me jetue në shekullin e sotëm”(nënvizimet B. Xh.). Me qëllim që të largojë armën e ushtrisë nga politika, Zogu suprimoi ministrinë e Luftës dhe e zevendësoi atë me Komandën e Përgjithshme të Forcave Armate. Me qenëse ushtria ishte kthyer në fole partishë politike, u prish sistemi i vjetër dhe u krijua milicia. U zvogëlua numri i oficerëve, u liruan nga detyra ata që ishin përzjerë në politikë dhe kishin marrë pjesë në kryengritjen kundër shtetit (grush-shtetin e Qershorit 1924).
Për sigurimin e rendit dhe të qetësisë iu dha fuqi organizimit të njië gjindarmërie të fortë. Programi premtonte të fillonte sa më parë çarmatimi i popullsisë, riorganizimi i administratës, një politikë neutrale e miqësore me të gjitha shtetet: “Nuk duem të jemi foleja e ideve aventureske që prishin qetësinë e shtetit, ashtu edhe të shteteve fqinj. Komanda e Përgjithshme e Operacionit, deklaronte kryeministri i ri, nuk ka ba asnji burgosje dhe asnji djegie”.
Me 15 janar u lajmëruan anëtarët e Kuvendit Kushtetues që të mblidhen në kryeqytet. Duke folur më 19 janar para Asamblesë, ai e paraqiti lëvizjen e 1924-s si lëvizje komuniste dhe bëri thirrje për luftë kundër “ideve të reja dhe tepër të rrezikshme për shtetin”, siç ishte bolshevizmi. Politika e brendshme e qeverisë së sotme, deklaronte Zogu, ka qenë një ndjekje e rreptë deri sa kjo ide të zhduket fare prej Shqipnisë”.
Qeveria e re anulloi menjëherë konfiskimet e kryera nga qeveria e Fan Nolit dhe u pagoi dëmshpërbleme atyre që ishin dëmtuar nga revolucioni.
Asambleja Kushtetuese, në vijim të punës së saj dhe në përvjetorin e pestë të Kongresit të Lushnjës, më 21 janar 1925, me propozim të Zogut e shpalli Shqipërinë republikë: REPUBLIKA SHQIPTARE. Më 31 janar miratoi nenet e para të Statutit duke zgjedhur Kryetar të Republikës (President) Ahmet Zogu-n.
Bisedimet për “Statuti-n Themeltar të Shqipnisë” (kushtetutën) përfunduan më 2 mars 1925, në të cilën ndihmoi edhe Sterlingu. Si President i Republikës Shqiptare, gjëja e parë që mendoi Zogu ishte krijimi i një Shqipërie të sigurtë. Për këtë qëllim i duhej një Xhandarmëri e Klasit të Parë. Dhe të tillë e bëri mbrenda një kohe rekord. Organizimin e xhandarmërisë Zogu e la në duar mjeshtërish për këso punësh: anglezëve.
Historia e ardhjes, me kërkesën e Zogut, të misionit ushtarak anglez për ngritjen e xhandarmërisë shqiptare, është një kapitull më vete. Në kujtimet e tij Sterlingu shkruan: Zogu “e kuptoi se gjëja e parë thelbësore ishte të vendosej siguria në vend dhe për këtë qëllim nevojitej një xhandarmëri vërtet e klasit të parë. Prandaj më ngarkoi mua që të shkoja në Angli dhe të merrja një grup oficerësh britanikë, të cilët do të përbënin një inspektorat britanik për xhandarmërinë e tij…Mora në provë një varg kandidatësh dhe zgjodha dhjetë, të cilët kishin marrë pjesë në luftë dhe m’u dukën se i kishin aftësitë
Zogu iu vu punës herkuliane të ngritjes së shtetit me një varg reformash politike, administrative e institucionale. Xhandarmëria qendronte e para. Në maj të vitit 1925, forcat që kishin ndihmuar në operacionin për rivendosjen e Legalitetit (dmth, të sigurisë publike dhe rregullit në shtet), nën drejtimin e instruktorit anglez, kolonelit Sterling u inkuadruan në reparte të rregullta të xhandarmërisë (gjind-armë = arma e gjindjes = arma e popullit). Në kuadrin e xhandarmërisë u krijuan edhe Kompani shetitëse, te cilat lëviznin vazhdimisht nga një vend në tjetrin për të mbajtur të gjallë frymën e rendit e të qetësisë publike.
Administrimi i xhandarmërisë u nda në katër zona: zona e Veriut me qendër Shkodrën; zona e Lindjes me qendër Peshkopinë, zona e Qendrës me qendër Tiranën dhe zona e Jugut me qendër Përmetin. Në çdo zonë-komandë kishte edhe nga një inspektor anglez me cilësinë e organizatorit. E gjithë xhandarmëria drejtohej nga Komanda e Përgjithshme, në krye të së cilës qendronte komandanti, që ishte shqiptar, dhe inspektori i përgjithshëm, që ishte anglez.
Në gusht 1926 Sterlingu dha dorëheqjen si Inspektor i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, por vijoi detyrën si këshilltar deri më 1931. Më 29 shtator 1926 vendin e Inspektorit të Përgjithshshëm të Xhandarmërisë Shqiptare e zuri gjeneral-majori në pension, anglezi Sir Joselyn Persi,. Ai varej drejtpërdrejtë nga Presidenti i Republikës. Zogu kërkoi oficerë britanikë për xhandarmërinë jo vetëm për arsye të kompetencës së tyre profesionale, por edhe si një akt politik për të mos qenë i varur krejtësisht nga ekspertë italianë në çdo fushë të veprimtarisë shtetërore. Në fakt arsyet ishin më të thlla.
Si Inspektor i Përgjithshëm gjeneral Persi vuri në veprim një organizim të ri të xhandarmërisë duke ia adoptue ndarjes administrative të vendit në prefektura e nën-prefektura, me qark-komandant për të parat dhe rreth-komandant për të dytat. Gjeneral Persi siguroi që xhandarët të paguheshin mirë dhe me rregull, të kishin kushte të jetesës së mjaftueshme sa mos ta ndjenin nevojën për abuzime dhe të ishin intelektualisht të përgatitur e në gjendje që ta kuptojnë mirë detyrën e tyre si mbrojtës të popullit kundër shkelësve të ligjit dhe të drejtësisë. Brenda pak vjetëve xhandarmëria u bë organi më i vlevfshëm i Mbretërisë Shqiptare dhe populli vuri besim të plotë në të.
Oficerë të stërvitur sipas metodave të perëndimit mbushnin viti pas viti radhët e komandantëve të çdo grade, duke i dhënë xhandarmërisë një frymë të re” shkruan Tajar Zavalani. Ndërsa ballisti i egër dhe i ashpër Abaz Ermenji, që për Zogun kishte një urrejtje patologjike, shkruan: “Mund të thuhet se gjindarmëria ishte mjaft mirë e organizuar dhe se qetësia u mbajt në rregull, mbasi edhe vetë Zogu ishte i zoti për kësij punësh”.
Për shërbimet e tyre, shumë inspektorëve britanikë Mbreti Zog u akordoi Urdhërin e Skenderbeut. Lufta e Dytë ishte “ánte pȯrtas”. Plane të reja e pabesí të reja. Nën “trysninë” e Musolinit, më 30 shtator 1938 Mbreti Zog u detyrua ta largojë Misionin Britanik.
Largimi i misionit ushtarak britanik nga Shqipëria ishte domethënëse në shumë kuptime. Për 15 vjet rresht, Misioni Ushtarak Britanik ishte “Engjelli mbrojtës” i shtetit shqiptar, garanci jo vetëm e sigurisë publike por edhe e sigurisë politike të shtetit. Sa herë që Musolini do të merrte turr në planet e tij ndaj Shqipërisë me ato xhindosjet e tij kur haste në murin e fortë të Mbretit Zog, një lojë poker e këtij të fundit me Gjeneralin anglez do t’i shpinin edhe njëherë ujrat në nivelet e mëparëshme. Shteti shqiptar do të vazhdonte frymëmarrjen e rregullt, pa konvulsione.
Pas 29 shtatorit të vitit 1939, Shqipërisë, shtetit shqiptar dhe popullit shqiptar tash e mbrapa do t’i rezervohej një tjetër fat, një rend tjetër. Mbase ky ishte sinjali i parë zyrtar që vinte nga Fuqitë nëpërmjet “Mbretëreshës së Fuqive”. Vetë Mbreti e mori mesazhin e fatit të Mbretërisë së tij dhe të vetë atij. I braktisur, i izoluar plotësisht e pa rrugëdalje, pasi i kishte shterrur të gjitha mundësitë politike, diplomatike dhe ushtarake, mbetur si luani në kafaz, atij i doli nga thellësia e shpirtit shprehja dëshpëruese: “Ah, mos qofsh i vogël dhe me një vend ku Shtetet e Mëdha nuk kanë ndonjë interes të tyre dhe prandaj tallet Duçja. Por, po ju siguroj se: jo larg, po në këtë mënyrë, kanë për t’u tallur edhe me Duçen”, – tha Mbreti.
Tashmë nuk i kishte mbetur tjetër veç si ta shtynte në kohë sa të ishte e mundur e më tej pushtimin e pashmangshëm me të vetmin objektiv: t’i lejë vendit të vet, popullit të vet, shtetit të vet, Mbretërisë së vet dhe nderit të vet: Nderin dhe Faqen e Bardhë. Tashmë Musolinin nuk e priste ora, e jo më dita. Vendosi të përdorë mjetin e fundit: agresionin ushtarak “alla fashist”.
Ky qe dhe epilogu i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri. Në sajë të mbështetjes politike të Mbretërisë së Britanisë së Madhe gjatë periudhës 1920 – 1939, shqiptarët ngritën një shtet kombëtar, madje një Mbretëri. Kjo qe edhe arritja dhe lavdia historike më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre. Këtë ta ngulitin mirë në kokë e ta mbajnë mend fort mirë shqiptarët. Të tjerat janë përralla dushkut e dokrra hinit.
Megjithatë, gjeneral Persi vazhdoi të qendrojë më tej në Shqipëri në ndjekje të zhvillimit të ngjarjeve. Madje ai qendroi deri më pushtimin italian të Shqipërisë dhe ndoqi nga afër sulmet italiane dhe qendresën shqiptare.
Edhe pse Misioni britanik u largua, Gjeneral Persi vazhdoi të qendrojë më tej në Shqipëri për të pritur ngjarjet e vrullshme. Madje ai qendroi deri në pushtimin italian të Shqipërisë dhe ndoqi nga afër sulmet italiane dhe qendresën shqiptare. Më 7 prill thuhet se gjenerali zuri një pozicion vrojtimi në kodrat e Rrashbullit dhe me dylbinë e tij ndodoqi zhvillimet luftarake deri nga gjysma e mëngjasit kur aksionet luftarake pushuan. Ai pa zbrapsjen në det të italianëve tre herë dhe kur luftimet mbaruan paska thënë: “Për mua kaq është e mjaftueshme, bravo shqiptarët!”.
Më 25 mars 1939 në Tiranë mbërritën ultimatumet e Musolinit. Përgjigja e Mbretit Zog ishte: JO. Po atë ditë në Tiranë mbërriti edhe Sër Thomas Hohler, i dërguari i qeverisë britanike dhe bashkë me ministrin Fuqiplotë Sër Andre Ryan u paraqitën tek Mbreti Zog. Sër Th. Hohler e pyeti Mbretin, se a ishte e vërtetë puna e atentatit kundër Madhërisë së Tij, dhe e zbulimit të kryengritjes së bërë më 12 shkurt 1939. Mbreti Zog iu përgjigj se: si njëra, ashtu edhe tjetra ishin të vërteta. Pas kësaj e pyeti se a ishte në dijeni se Italia po përqendronte forca ushtarake në Bari e Brindizi. Mbreti i tha se ishte i informuar, porse, “një gjë e tillë do të tërhiqte deri vërejtjen e shteteve të tjera, e në mënyrë të veçantë, atë të Britanisë së Madhe”. Me takt diplomatik por drejtpërdrejtë, Mbreti i Shqiptarëve ngarkonte me përgjegjësi Fuqitë e Mëdha dhe vetë Britaninë për aktin që po ndërmerrte Musolini kundrejt Shqipërisë.
Ministri britanik më në fund i bëri pyetjen, do të thosha, “angleze”: “Kërkesave që u bëjnë italianët, a nuk mundeni t’u gjeni një kompromis, (shqiptarëve vazhdimisht u kërkohet kompromis, që të mos u jepej rast ndonjë ashpërsimi më serioz me “shtetin në konflikt” (siç u kërkohet edhe sot në bisedime me serbët). Pyetjes Mbreti Zog u përgjigj shkurt e pa ekuivok, do të thosha, “shqip”, se nuk ka më asnjë mundësi. – Po, “në rast se, – pyeti Sër T. Hohler, – Italia ngul këmbë dhe përdor forcën?”. – Mbreti Zog bën kundërpyetjen: “Më parë se t’u them unë vetë një përgjigje, e në rast se Italia sulmon ushtarakisht shtetin shqiptar, që është anëtar i Lidhjes së Kombeve, edhe shtet i vogël, ç’farë qendrimi do të ketë Britania e Madhe në këtë rast?”. Përgjigja angleze ishte se “Franca dhe Britania e Madhe do të shqyrtonin sjelljen e Beogradit e të Athinës, dhe se do të vepronin sipas qendrimit që do të merrnin këto dy shtete”. Biseda mori pamjen e një dueli vërtet mbretëror.
Mbreti i pyeti se, si e mendonte Britania qendrimin e Beogradit e të Athinës në rast të sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. – “Jugosllavia dhe Greqia do të shikonin sjelljet e Gjermanisë, në rast se Hitleri u kërcënohej këtyre dy shteteve, do të mbeteshin neutral dhe nuk do të lëviznin as pro as kundër,” ishte përgjigja e diplomatit anglez. – “Kjo do të thotë, u tha Mbreti Zog, – se Italisë i është lënë dorë e lirë në Shqipëri” (nënvizimi im). Dhe shtoi se “shqiptarët do të bënin detyrën e tyre dhe forcës do t’i dalin përpara me forcë, sepse ne, – u tha Mbreti Zog, – nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë cënimin e tokës sonë, me atë fuqi që kemi, që ta marrë vesh e gjithë bota e qytetëruar”.
Përfaqësuesit britanikë ngulën këmbë rishtas rreth një kompromisi eventual. Dukej sikur këmbëngulja ndaj Mbretit Zog për një kompromis me Italinë, bëhej me qëllim për ta komprometuar atë politikisht e për ta pasur më të justifikueshëm atë trajtim të mëvonshëm politik që i bënë gjatë Luftës dhe pas saj. Historia e provoi katërcipërisht këtë dyshim të Zogut. Por Mbreti nuk ra në atë grackë, por i mëshoi me forcë e pa mëdyshjen më të vogël se: “nuk pranonte as cënimin më të vogël të tokës shqiptare (nënvizimi im). Nga ky çast Mbreti Zog realizoi një dimension të ri të komplotit ndaj shtetit shqiptar, çështjes shqiptare në tërësi dhe vetë atij si Mbret e sovran i këtij shteti, brenda të cilit nuk ishte vetëm Italia (nënvizimi im). Italia do të ishte vetëm “pushka e parë”.
Mbreti Zog kishte pasur një debat të ashpër me kryeorganizatorin anglez të xhandarmërisë, gjeneral Xh. Persin i cili ngulmonte për ta larguar nga radhët e xhandarmërisë një analfabet si Abaz Kupi. Në Ushtrinë Shqiptare kishte akademistë me përvojë por që Mbreti kërkonte garanci në ditën finale, në ditën fatale. Fashizmi i kishte shti drithmën gjithë botës. Më 11 mars 1938, një fjalë e vetme “anshlus” hedhur në tavolinë pati fuqinë të ngrejë traun dhe të hapi rrugën për futjen e trupave gjermane në Austri. Me 29-30 shtator 1938 me një “kompromis” Çekosllovakia ia dorëzoi Gjermanisë Sudetet ndërsa më 15 mars 1939 krejt Çekosllovakia u pushtua “pa pushkë të shtime”. Gjeneral Pariani, kryetar i Misionit Ushtarak Italian në Shqipëri, kishte vënë kudo njerëzit e tij në ushtrinë shqiptare. Puna arriti deri aty sa komandanti i Ushtrisë Kombëtare, gjeneral Aranitasi të kërkojë dorëheqjen (më 6 prill, në orën 7 të pasditës) vetëm pak orë para sulmit të ushtrisë italiane.
Ishin të sakta dhe shumë largpamëse shqetësimet e Mbretit në caktimin e kuadrit drejtues për ditën e qendresës. Sidomos për Durrësin, që ishte hallka kryesore e mbrojtjes dhe pasqyrë para botës. Ngritja e flamurit të bardhë në një mement tronditjeje shpirtërore nga komandanti i Mbrojtjes së Durrësit do të ishte katastrofë që do t’i linte vendit një turp historik, por edhe një faj politik për shtetin dhe kombin. Durrësi do të bëhej krenaria apo turpi kombëtar. Në këto kushte Komandant i Mbrojtjes së Durrësit caktohet qark/komandanti i xhandarmërisë së Durrësit, major Abaz Kupi.
Në kohën e Luftës II, kur Mbreti Zog ishte në egzil në Angli, gjeneral Persi shkoi dhe i kërkoi të falur për mendimet që kishte shfaqur për Abaz Kupin pasi e kishte ndjekur vetë me shumë kujdes drejtimin dhe qëndresën e 7 prillit.
7 Prilli ngriti në lartësi të papara qendrimin e Mbretit Zog si politikan dhe si strateg. Ai ja arriti ta zhveshë në tavolinë karakterin shumëdimensional të agresionit mbi Shqipërinë. Nga strukturaat shtetërore vjen arma e xhandarmërisë, e cila mori përgjegjësi edhe më të mëdha se Ushtria Kombëtare. 7 Prilli 1939 shënoi edhe fundin e lavdishëm dhe epilogun e historisë së Xhandarmërisë Shqiptare.
* * *
Shqiptari kishte respekt të madh për rroben ushtarake. Ganiu me uniformë identifikohej me rregullin dhe disiplinën shtetërore.

Nga bisedat e tij kuptoja se ishte përzjerë me “reaksionin”, andej nga Korça, ku edhe paska patur aktivitet, çka unë nënkuptoja se duhet të ketë qenë me “Ballin Kombëtar”. Në viset e Jugut më shumë kishte përhapje nga të Ballit, kurse në Dibër nuk ka pasur. Nga një bisedë e shkujdesur pata dëgjuar prej tij kur thoshte se një shok i vjetër i kohës së luftës nga zona e Korçës, të cilin e kishte takuar në Tiranë aty nga vitet ‘60, e kishte pyetur Ganiun nëse merrte pension për luftën apo vetëm atë 1000 lekshin (e Luftës). Unë shyqyr pshtova kryet e ti më thue se a marr pensin.
Jo, tha “miku i vjetër”, unë për luftën e marr pension. Ju të Jugut i keni punët ma ndryshe nga tonat, sqaroi xha Ganiu. Tregonte ai për burgun, për dënimin me 101, që ma vonë ma kthyen 20 vjet, që m’u duk se pshtova përgjithmonë.
Në burg, tregonte Ganiu, çfarë s’kemi provue. E kam dëgjuar vetë kur thoshte se edhe kore të thata fekalesh kemi ngranë. Njeriu bie në gradën ma të fundit. Por unë nuk e besoja dhe e quaja hiperbolizim. Në burg më ka qëllue me ndejt me gjithfarë njerëzish, vazhdonte ai. Kishte edhe shkenctarë. Gjithë ditën bajshin shamata (debate) me njeni tjetrin për punë breshkash, gjarpinjsh e bretkocash. Jo sa gjatë jeton lisi, jo po sa jeton ahu, gështenja. Pastaj debete punë bimësh e kafshësh të egra. Ç’farë halli kishim ne dhe me çfare merreshin ata. Bajshin edhe biseda politike. Kjo qeveveri nuk e ka të gjatë. Sa ma i randë bahej burgu, aq ma shumë shkurtohej koha që i lenin afat qeverisë. Shpejt do të zbarkojnë angloamerikanët, thojshin, e ato s’shifeshin kurrkund. E mbajshin veten me gajret, por edhe shpresonin vërtetë. Kështu shtynin ditët dhe netët me shpresa.
Një ditë, kur na ishin pre shpresat krejt, hyni njeni tek të burgosurit dhe thirri gjithë gëzim: ah, e theu qafën pisi i mutit. Shkoi n’qenef dhe Koçi (Xoxe). Ia vunë hekurat qenit. Koçi ishte ba ma i tmerrshmi. Na u duk se u hap qielli. Të gjithë u mbushëm me frymë. Njeni nga ato të Koçi Xoxes tha se do të shkojnë gjanat në vend, prandaj të mos ngutemi në llaf. Mor po ai e theu qafën por “marrtë për mbarë, kjo punë”. Shpejt na prunë edhe gazetën. Ishte viti 1948.
* * *
1. Nuk di që Ganiu të ketë marrë ndonjë arsim të rregullt. Pothuajse gjithçka e kishte me të “vjedhur”. Ku do ta merrte? Shkrim e këndim ka mësuar në shtëpinë e vet, thoshte vetë Ganiu. Aty vinin abetaret shqip dhe libra të tjerë nga Sheheri i Dibrës dhe Manastiri të destinuara për në teqen të Bllacës nga ku shpërndaheshin në pika të tjera. Ato sillte i ati, Tush Meta. Edhe librin me vjersha të Naim Frashërit “Lulet e Verës”, të cilin Ganiu e dinte përmendësh, e kishte mësuar në shkollën e shtëpisë së tij dhe në Teqen e Bllacës që ishte sipër Kavashicës. Të gjitha ato Ganiu i vogël i kishte mësuar përmendësh dhe i recitonte vazhdimisht. Më vonë dijet e tij i kishte pasuruar me lexime të tjera. Kishte bagazh të lavdërueshëm njohurish.
2. Gjatë periudhës së Zgjimit Kombëtar (Rilindjes) Teqja e Bllacës u kthye në qendër për përhapjen e ideve të rilindjes, në vatër për mësimin e leximit e shkrimit të shqipes, të përhapjes së librave shqip. Librat e ardhur nga kolonitë shqiptare ndiqnin rrugën nga Manastiri e Dibra e Madhe dhe shpërndaheshin gjithandej. Në këto veprimtari kombëtare nga Kovashica janë aktivizuar vllaznit Tush e Shahin Meta, Rrahman Leka, të cilët edhe shtëpitë e tyre i kthyen në vatra të mësimit, të shkrimit e të leximit të shqipes. Duke parë rolin e bektashinjve në përhapjen e librave në gjuhën shqipe, të shkrimit me alfabetin latin, në ngritjen e çetave për liri, këta veprimtarë madje përqafuan edhe sektin e bektashizmit. Në Teqen e Bllacës dhe në odat dibrane ndizej muhabeti dhe rriteshin shpresat “për lirinë e Shqipërisë” edhe nga gotat e rakisë që myslimanët suni të Grykës së Vogël e kishin të ndaluar. Në odat e tyre mësoheshin vjershat e Naimit nga “Bagëti e Bujqësia” dhe “Lulet e Verës”. Ganiu i vogël nuk pushtonte së recituari ato vjersha që i kishte mësuar në fëmijëri në odat ku mblidheshin këta veprimtarë të rilindjes dhe miqtë që vinin nga larg.
3. Dobësinë e parë mixha Gani e kishte për HISTORINE. Kishte njohuri të sakta për ngjarjet historike, sidomos për periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësinë. Kjo periudhë kishte shoqëruar fëmijërinë dhe rininë e tij. Luftën Çlirimtare (1939-1944) “antifashiste” dhe periudhën e “socializmit”, po e po, i kishte jetuar intensivisht. Vorbulla e ngjarjeve e kishin përfshirë me gjithë vrullin e vet edhe Ganiun. Dhuntia tij për të treguar gjithë sharm dhe emocion, e bênte atë një rrëfimtar pikant.
Jetës nuk i kishte shkuar nga pas symbylluar e nga ta shpjerë era e ngjarjeve, por me vetëdije politike. Zhvillimet politike i ndiqte me vemendje. Ndërsa fliste për histori, më pati bërë përshtypje kur me tregoi një herë një libër të “verdhë”, siç i quanim librat e ndaluar. Ishte “Lidhja e Prizrenit” e Xhaferr Belegut, një monografi botuar më 1938, i pari punim shkencor i bërë një një historian specialist. Për historinë e vendit tonë më parë kanë shkruar njerëz të kulturës, por jo profesionistë. Ky libër, punuar me kritere shkencore nuk di të jetë ribotuar më pas edhe sot e kësaj dite, as nga botimet e Paçlirimit dhe as zhvillimet e hovshme që ka marrë biznesi i botimit të librave në periudhën e ashtuquajtur të “tranzicionit”. Botuar më 1938 në kohën e Mbretërisë, ai kategorizohet ndër librat me bosht nacionalist.
Çdo mbrëmje qendra e fshatit ziente. Mblidhej aty tek shkolla, dyqani e fshatit, sheshi në mes të fshatit ku zakonisht bëheshin edhe mbledhjet e konferencat e ndryshme, ku ishte edhe dyqani i bukës, ai i shitjes me “pakicë” dhe ku ishin përqendruar shërbimet “sociale”, kur vinte Ganiu mblidheshin përreth tij si luzëm blete të rinj e pleq për të dëgjuar ligjërimet e tij.
Bisedën e fillonte me ndonjë fabul a histori të shkurtër. Nuk ishte shkollaresk. Në bankat e shkollës nuk ishte ulur ndonjëherë. Por dinte shumë. Ç’farë dinte, dhe dinte jo pak, i transmetonte nëpër mexhlise në oda burrash, por edhe në takime e biseda të rastit. Kishte një narracion të këndshëm. Ishte vrojtues i hollë dhe mendjehapur. Në atë kokën e tij fodulle me qylafen mënjanë hedhur mbi sy, ishte zbrazur dhe ngjeshur gjithë dramaciteti dhe epika e Shqipërisë sonë të gjysmës së parë te shekullit të 20-të, të cilën ai e tregonte me art nëpër dasma e vakijate. Kjo i bënte odat kuvende e shkolla të mendimit
Ishte gjë e zakonshme ardhja në fshat e ekipeve për kontroll e inspektim. Jo rrallë edhe bujshin nga një natë në fshat. Në popull quheshin të deleguar, të partisë a të qeverisë. Kjo s’kishte rëndësi. Aty nga mesi i viteve ’70 në Kovashicë njëherë patën ardhur dy të deleguar. Të dy ishin ushtarakë. Siç duket vinin si ekip nga ministria e Mbrojtjes për të parë problemet e mobilizimit të Forcave Vullnetare, gatishmërinë luftarake, për punimet mbrojtëse, qendrat e zjarrit etj. Nga e folura dukej se ishin me origjinë nga Jugu, mbase nga Vlora. Zbritën në qendër të fshatit, tek Shkolla (jo në kodër të Xhamisë, siç i thoshin përpara). Të lodhur nga rruga dhe vapa, më tepër të bezdisur nga rruga e keqe gjithë pluhur dhe nga kompleksi i burokratit kur i ngarkonin të kryenin ndonjë punë “për ngritjen ideopolitike të popullit” në fshatrat e “thella”, menduan se kishin ardhur në fundin e botës, në një fshat të “humbur” të malësive tona të mërzitshme. Të fryrë e me pak tangërllëk, mbase edhe jo pa njëlloj përçmimi, njëri i thotë kolegut me zë që ta dëgjonin edhe të tjerët: Para Çlirimit këtu do të ketë qenë mesjetë. Shoku i tij lëvizi kokën në shenjë pohimi, duke menduar se ishte edhe në brenda vijës së partisë. Në këtë vend nuk besoj të ketë shkelur ndonjëherë ndonjë personalitet me emër që njeh historia. Ky vend nuk duhet të ketë parë libër me sy më përpara. Kooperativistët e fshatit që u ndodhën aty dëgjuan me indiferencë, sepse ata që flisnin kështu vinin nga qendra, ishin njerëz të dërguar nga partia dhe pushteti e, padyshim të ditur e me shkollë madhe. U krijua një heshtje.
Xha Ganiu që u ndodh aty, u ndje i fyer rëndë dhe i sfiduar për këtë injorim që i bëhej fshatit, madje gjithë Dibrës. Këtyre u duket vetja si ata eksploatorët evropianë që zbulonin toka të pashkelura në Afrikë a në ndonjë kontinent tjetër, ndonjë “terra incognito” (tokë e panjohur) për evropianët. Priti pak sa të fermentohej muhabeti, ta filtronte atë dhe t’i binin emocionet nga situata e krijuar që të fillonte “kundërmësymjen”.
Nuk mendoi t’i referohet xhamisë 400 vjeçare që ishte e dyta pas asaj të Allajbegisë (1589) si xhamia e parë në Dibër. Ajo qendronte në mes të sheshit përballë shkollës por e kthyer në dyqan shitjeje. Dikur qendër besimi e lutjesh, por edhe mësimi e kulture. Xhamia kishte shërbyer edhe si mejtep. Referimi ndaj saj do të ishte me rrezik se mund të ndizej ndonjë debat e ballafaqim me njerëzit e qeverisë të cilët, sapo të zbulonin një reservë “mbeturinash” konservatore e reaksionare, do të hidheshin në sulm revolucionar.
Megjithatë, gjuajtjen e parë xha Ganiu e bëri me “top”. Mendoi t’i shushasë që në fillim, pa u lënë kohë të kundërvepronin, madje as të mbidhnin mendjen. Ta mblidhnin mendjen, e ta mblidhnin fort sepse, kur futesh në lum vâ e pa vâ, meriton edhe fshikullimë. Dhe ja arriti. Këtu, ku ju thatë se nuk besoj të ketë shkelur ndonjë njeri i rëndësishëm, po ju them se para 100 vjetësh ka ardhur Abdyl Frashëri, jo nga Tirana, por që nga Janina dhe Stambolli. Dhe, natyrisht, me kalë e jo me makinë (siç keni ardhur ju). E shikoni këtë kodrën e naltë që kemi përpara e që ngrihet mbi katundin tonë? Ne kësaj i themi “Kishë”, sepse në majë të saj dikur, herët shumë, ka qenë një kishë. Rrënojat e saj sot janë rrafsh me tokën.
Prapa Kishës është katundi Bllacë. Aty është një teqe bektashiane. Aty Abdyl Frashëri ka fjetur një natë para se të shkonte në Prizren ku besoj, se mund ta dini edhe ju, u themelua Lidhja e Prizrenit. Njaty nalt, që ne i themi mëhalla e Epër, tek ajo shtëpia aty, dhe bëri me dorë në drejtim të shtëpisë së tij, kanë ardhur abetaret e para dhe librat e parë shqip; aty, tek Tush Meta (që ka qenë baba im), dhe tek kjo mëhalla këtu poshtë, tek Rrahman Leka i vjetër, sillnin libra që botoheshin në Stamboll, Bukuresht, Sofje apo në Misir, në kolonitë shqiptare. Kanë ardhur nëpërmjet Manastirit e Dibrës së Madhe këtu dhe në Teqen e Bllacës, dhe prej aty shpërndaheshin kudo nëpër Dibër.
Gjatë ligjërimit, nga fundi i fjalisë xha Ganiu e trashte zërin dhe i mëshonte më fort idesë për të bërë më shumë efekt fjala tek dëgjuesit. Zotëronte natyrshëm një llojë të foluri skenik. Me atë abetare unë, ky që shihni para jush, kam mësuar shkrim e këndim. Kur unë kam qenë i vogël, në katundin tonë asht njoft Naim Frashëri dhe vjershat e tij recitoheshin pa pushim. Dhe për ta demonstruar ja fillonte plot kënaqësi recitimit me një triumfalizën për kundërsfidën e suksesshme që po u bënte. Ata hapnin sytë dhe shihnin njëri tjetrin të surprizuar duke menduar se ç’farë menduan dhe ç’farë po u dëgjonin veshët.
Ja ku është Dibra e Madhe, Sheheri i Dibrës. E kemi mu përballë. Dibrën, qytetin, qendrën, tregun, kulturën e kemi këtu e jo ma në kalë. Me duriun e kuq e bajsha ma shpejt se era. Fuqitë e mëdha na e shkëputën Dibrën dhe ja dhanë Serbisë, tani Jugosllavisë. Ka qenë qyteti ynë i vetëm, qendra e gjithë Dibrës, qendra jonë e zemra jonë, pazari ynë e tregtia jonë, kultura jonë e shpirti ynë. Lidhej me Shkupin, me Manastirin, me Selanikun, me Stambollin. Prej andej vinte Abetarja dhe librat shqip. I binte Haziz Menzelxhiu. Baba im, Tush Meta i ka pru me mushka që transportonin duhan, ku edhe i fshihnin. Prej andej na vinin edhe lajmet dhe porositë se ç’farë duhej të banim e si duhet të punonim.
Janë ba dy kongrese në Dibër të Madhe, shpjegonte më tej për mysafirët xha Ganiu. Në të parin erdhi Abdyl Frashëri për të përhapë idenë e ngritjes së flamurit, të indipendencës. Mendohej që kryeqytet për Shqipninë të bahej Dibra; erdhën 110 delegacione, por kongresi dështoi. Në këtë kohë plagosën edhe Abdylin, bile i vranë kalin. Abdyli pat thanë: “Unë farën e mbolla dhe ajo do të mbijë”. Pastaj me 3-400 veta u largua.
Ganiu u foli edhe për Kongresin e Dibrës të vitit 1909. Në Nandë Malet e Dibrës, thoshte ai, nuk kishte ushtri turke, as tatime, vetëm pak bereqet për Turqinë dhe ky ndahej qysh në lamë kur shihej bereqeti, tek Lama e Spahiut në mëhallën e Epër. Në Dibër formohen çeta, erdhi abetarja, toka ziente nga kangët patriotike. Djemtë e Sheherit të Dibrës dolën në male. Në kësula ishte shkrue parulla “liri a vdekje”.
Kur shqiptarët u konfrontuan me xhonturqit, Turqia çoi një ushtri të madhe me në krye Durgut Pashën e cila hyni në Dibër dhe në katunde, çarmatosi popullsinë, vari në litar Dalip Demën, Haziz Xhekën. Në katundin tonë dogji shtëpinë e Lelë Zenelit, Lam Tomes, rekrutoi ushtarë. Nga katundi ynë shkuan ushtarë Maliq Xhafa, Salë Leka etj Disa të tjerë u vranë ma vonë në Çanakala. Populli nxorri një kangë ku dënohej qendrimi i parisë: “Durgut Pasha me at të bardhë, / I dalin para bejlerë e agallarë, / I dalin para te Këlliç Baba, / Me fesa t’kuqe, me tufa t’gjata. / Mashalla sa u paskan hije tufet e gjata / porsi buça me bishtin mbrapa. Refren: Of aman aman, po shkojnë djemtë nizam / of medet medet, nanat ç’i ka gjetë. Dhe vazhdon: O moj Dibra n’ranxë të malit, / Çi e korite bashin e djalit. / O maj Dibra me shtatë vakufe, / Si e hoqe qeçen (çilafen) e vune tufe. Refren: Of aman aman…. Shaqir Begu e Sefedin Pustina, / Po i rrinë Durgutit porsi dy shkinja…
Patriotët dibranë Ramiz Daci, Qamil Daci, Shyqyri Beu i Iliaz Pashës, Eqrem Cami etj. kishin lidhje me patriotët shqiptarë të Stambollit, sakrifikuen edhe pasuninë për liri, dolën në Malësi. Ata drejtoheshin nga Shyqyri Beu, i cili vrau javerin e sulltanit. I dërguari i sulltanit vinte me detyrë të posaçme për të arrestuar Hamdi Beun (Ohrin), një kushëri i Shyqyri Beut Hamdi Ohri i shkruan letër Shyqyri Beut që ta “preste” mirë javerin.. Dhe ai e priti siç e mori porosinë. Shyqyri Beu e vrau javerin bashkë me Can Golen prej Çernene.
Vazhdoi pastaj leksionin e tij xha Ganiu për “Kuvendin e Dheut” në maj të vitit 1912 tek “Gropat e Ukut”, në cepin jugor të Kovashicës.
Me ardhjen e abetares, një vjershë e mësueme përmendësh ka qenë kjo që po ua them unë, dhe xha Ganiu fillonte recitimin:
Ja ku doli shkronja jonë, / Të pak njerëz po e msojnë, / Të shumë shumtë hiqen mënjëanë, / Thonë jemi turq o grekomanë, / Punën me të kotë e kanë, / Q’i se duan vllazëninë, / Po të huajt duan të mbajnë, / E mohojnë Shqipëninë. Por Shqipnia do t’ndërtohet, / me shumë gjana e shumë të mira, / Shumë e shumë do t’zbukurohet, / me mejtepe e skolira (shkolla).
Një tjetër vjershë, dhe zbrazte thesin poetik xha Ganiu:
Ç’po del nji za / prej vorrit t’Skenderbeut, / kërkoni ju shqiptarë, / lirinë e mëmë dheut; / Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri, / O djem rrëmbeni pushkët, / Ja vdekje ja liri…
Bota po lulzon, / Na rrimë nën zgjedhë, / Zemra s’va kujton, / Për Shqipninë e mjerë etj etj.
Unë kam le në fillim të shekullit, thoshte Ganiu. Në shtëpinë time kam librat “Lidhjen e Prizrenit”, “Rubairat” e Khajamit. Kam pasë edhe plot libra të tjerë. Dhe nuk prȃnte së recituari vjershat e Naimit nga “Lulet e verës” dhe “Bagëti e bujqësia”. Në katundin tonë ka qenë një Tufik Rrahman Leka, oficer akademist dhe ka pasë libra që sot janë të rrallë, të cilët nuk i kanë as biblioteka të qyteteve me tradita të hershme. Arsimtari Abaz Xhafa, asht gjallë, që ka kryer Normalen e Elbasanit ka pas libra të rrallë. Në katundin tonë ka pas libra të vjetër që kanë hy herët dhe ka prapë. Kjo shkolla që shihni këtu në katundin tonë asht çelë para se të fillojë Lufta (qysh më 1937). Edhe ma parë, shumë prej fëmijëve të katundit tonë e kanë krye filloren në shkollën e Homeshit e cila ka fuksionuar rregullisht që nga viti 1918. Ata e ndiqnin shkollën vullnetarisht, djem e vajza. Homeshi ishte atëherë qendër komune.
Ganiu ishte rritur dhe kishte jetuar në çdo hap me politikën. Ndiqte me kujdes zhvillimet politike brenda dhe jashtë vendit; ndikimet që kishin ato në fatin e vendit tonë dhe në fatin e çdo shqiptari të veçantë. I kishte jetuar të gjitha dramat e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX., drama që Shqipëria nuk i ka jetuar ndonjëherë në gjithë historinë e saj 2500 vjeçare. Prandaj temat e historisë ishin më të preferuarat prej tij. Ai vetë ishte objekt dhe subjekt i historisë.
Kur tregonte për luftërat, sidomos për Luftën e Parë Botërore, dinte të zbërthente mirë edhe karakterin e tyre. I bënte shumë të ndjerë autorët e “Brezit të humbur” të pas LPB kishin shumë popullaritet. Si shembull merrte tipik merrte subjektin e romanit “Asgjë e re në frontin e perëndimit” të Remarkut, i përkthyer qysh në kohën e Mbretërisë. Dy ushtarë, njeni francez e tjetri gjerman që mbetën të fundit në një llogore. Të tjerët ishin vrarë të gjithë. Pas shumë hizitimesh, më së fundi e qëllon viktimën e tij. Kur i afrohet dhe i shikon pasaportën dhe sheh koinçidencat dhe i thotë: Ah moj viktima jeme. Çfarë më bane ti mue qi unë të mora shpirtin ty? Emërin e paskemi njësoj: Franc ti, Franc unë. Edhe moshën të njëjtë e paskemi; ti i martuar me grua e dy fëmijë, po ashtu edhe unë, grua e dy fëmijë. Ndryshimi i vetëm ishte se ti ishe gjerman, ndërsa unë francez. Kush na shtiu me u vra me njëri tjetrin? Në fund bani betimin duke i premtuar se kur të mbaronte lufta do të punonte për të rritur edhe fëmijët e viktimës së tij.
Atë ditë në frontin e luftës ai kishte parë të zhvillohej para syve tij një tmerr i vërtetë. Fusha e luftës, strehimet, transhetë, hendeklidhjet. Të gjitha mbushur me ujë e me kufoma. Një kasaphanë e vërtetë. Në mbrëmje shkoi në qytetin më të afërm dhe pa se gazetat e akshamit kishin shkruar me tituj te mëdhenj: “Asgjë e re në frontin e perëndimit”. Ç’farë ironie. Populli nuk duhej ta dinte të vërtetën. Nuk duhej ngjallur panik!!! Lufta duhej dhe do të vazhdonte sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Kush e bante këtë? Pse e bante këtë dhe pse e bënte, bënte pyetjen retorike dhe po vetë përgjigjej. Kapitali, kapitali, shpjegonte në fund xha Ganiu. Nuk kishte studiuar ndonjë metodikë të mësimdhënies. Dinte ta nxirrte bukur idenë kryesore. Zotëronte dhuntinë e rrëfimit.
Në biseda kishte sens humori. Madje edhe për tema filozofike në lidhje me kuptimin e jetës. Pastaj i shoqëronte me komente serioze. Tregonte për polemikat që bëheshin në vitet ’30. “Dheu në hapësirë sa një kokërr kumi,/ Jeta e njeriut – nji andërr gjumi”, deklamonte vargjet e Omar Khajamit tek “Rubairat”. Ha, ha, ha! Të ndritt shpirti or Gani Meta! Edhe Khajamin e pavdekshëm e bëre pronë kulturore e shpirtërore të katundarëve të Grykës së Vogël këtu midis maleve të Dibrës. Sa kandshëm i recitoje vargjet e Khajamit, sa me lezet i përcillje mesazhet dhe sa bukur idetë e tyre.
Kishte plot arsimtarë, të fshatit e të zonës të shkollës 8-vjeçare e të mesme, lexues të mirë dhe plot kulturë, por aftësinë ligjëruese të Ganiut nuk e kishte kush. Sensi shkollaresk binte në sy si një ndryshk intelektual.
E meqenëse qenka kështu, siç vargëzonte Khajami, për njeriun e kësaj dynjaje s’kishte mbetur rrugë tjetër veçse: “ngre kupa e puth çupa / se ke shekuj të flesh në qetësi”. Bravo besa, bravo o njeri! Po mirë mor lum miku, se atë punë po e di fort mirë edhe unë (dhe po ma ka enda fort), por punën kush do ta bajë, po gomarin kush do ta mbajë se “unë aga e ti aga, po gomarin kush e mba?”. Po arën kush do ta punojë, se njerëzit duan edhe të hanë, e buka nuk vjen nga qielli; kush do t’ua vejë bukën përpara cullëve, pyeste xha Ganiu, se ata duhet të hanë e të rriten, e ti më thue, ngre kupa e puth çupa. Me këto mend e me këto këshilla që po më jep, ku m’i çon mushka drutë lum zotnia? Kështu i ndërtonte bisedat xha Ganiu. Hajde e mos e ndigjo.
Jeta e kishte shtypur fort, por nuk jepej. Në pleqëri rriste tre fëmijë, palën e dytë të fëmijëve që i kishte me gruan e tretë, Fahrijen. Dorën e parë, dy vajzat me gruan e parë i kishte nisur e martuar. Hallet ishin shumë por jetës nuk i përkulej. Ruante krenarinë dhe dinjitetin. Madje ishte burrë hazgan. Kësulën e mbante gjithmonë mënjanë, mbi sy, veçan gjithë të tjerëve. Në çdo gjë që bënte do ta tregonte veten se ishte dikush. Djali i mixhës tim, Fiqiriu, më tregonte se kur shkonte në ndonjë dasëm, Ganiu e merrte me vete si ‘djalë mbas vedi’ vetëm për t’i mbajtur kalin, për ta ndihmuar kur t’i zbriste atij. Imitonte zotnillëkun. Në çdo veprim tregonte sqimë dhe zotnillëk prej agai, që të tjerët ta shihnin se ai kishte qenë dikushi. Ekspozonte staturë elitare.
Thashë që Ganiu ishte burrë azgan. Azgan në kuvend, azgan në valle burrash, në oda e në muhabet të cilat i sundonte plotësisht.
Azgan ishte edhe me gratë. Ishte burrë i emancipuar. Në anët tona burrat nuk e kanë zakon të flasin për gratë dhe punë grashë. Ganiu fliste për temën e gruas seriozisht dhe dinte t’i trajtonte. Edhe në këtë sferë ishte intrigues dhe kishte hije. Jo thashetheme e biseda vulgare. Kishte formim. Fliste për tema tabu, i trajtonte ato natyrshëm, thjeshtë, lirshëm e me kompetencë. U jepte sifat (mësim) të tjerëve dhe ma i miri kishte se ç’farë të mësonte. Me të rinjtë, sidomos me ata që kishin njëfarë shkollimi, bisedat do t’i niste me “vendin e femrës” në shoqëri. Keni pa nëpër filmat që shfaqen në kinema. Edhe në mes të shkretëtirës apo në vendet e mbuluara me akuj, pa e vu një femën midis burrash nuk ka derman. Ajo e mban gjallë dhe i jep jetë interesimit për filmin, për jetën. Pa atë vdes çdo gja.
Një javë para se të vdiste shkuan shokët e mëhallës dhe bashkëfshatarë të tjerë për vizitë, për t’u hallashtisur. Ganiu ishte si përherë. Qendronte në krevat mbështetur mbi jastëkë, kruante me dhambë anën e buzës së epër. Ishte një zakon të vjetër (siç duket kjo qe edhe shkaku i sëmundjes së pashërueshme të tij. Bisedonte me gjakftohtësi sikur nuk priste asgjë të jashtëzakonshme. Asnjë shenjë ligështie dhe frike nga vdekja të cilën e priste me një qetësi olimpike.
U përshëndetëm dhe këmbyem nja dy replika nga ato të mitologjisë greke që atëherë unë i kisha qejf fort, përmbajtja e të cilave lidheshin me gjendjen e tij. sa për të përzjerë muhabetin, por kjo bahej pa qejf. Kjo e gjallëroi. Pastaj u krijua një situatë heshtjeje. Askush nuk dinte nga ta kapte muhabetin. E theu vetë Ganiu me një ndërhyrje sa filozofike aq edhe praktike, sikur po bënte një konkluzion të jetës së tij, por edhe për të dhënë një mesazh. Farija or burra, (gruaja e tij) tha ai, ka qenë ajo që kam dashtë në jetën time; e kam dashtë vërtetë, me zemër, u thoshte shokëve dhe miqve. Farija ishte zonjë e vërtetë, grua fisnike, në paraqitje, në tipare, në sjellje, tregonte ëmbëlsi dhe delikatesë në fjalë, në punë, fjalëbutë; grua plot sharm. Madje tregoi edhe një intimitet. Një jave para me Fahrijen kam ba “atë punën”, or burra, tha. Asgja si lajthitje. Desh t’u thoshte se burri duhet t’i japë gëzim gruas. Në çdo situatë. Të mos shohë vetëm “hallin e tij”. U krijua një atmosferë tjetër, larg zymtësisë kërcënuese të vdekjes që rrinte e vorur si hije. Gjithmonë duke shpalosur anën njerëzore, në gjithë atë xhemat, kolektiv burrash tha pa u stepur se po u tregonte se kjo për burrin asht edhe një detyrë bashkëshortore e harmonie që në filozofinë islame konsiderohet edhe sadaká.
Ganiu kishte besim në Zotin. Besoj se ka një Fuqi të jashtëzakonshme, thoshte ai. Njeriu nuk mund të bajë çfarë i punon mendja. Nëse dikush të ban një sherr ose krim, vjedh ose vret ndokënd dhe nuk e merr vesh askush, asht nji fuqi që ta merr hakun. Nuk e pata ndigjue të thotë se ishte falë ndonjëherë në xhami. Nuk jam i sigurtë ne ka shkuar ndonjëherë në xhaminë e fshatit, sëpaku për Ditë të Bajramit.
Ganiu ishte bektashi. E kishte të trashëguar nga i ati, Tushi, i cili, sëbashku me Rrahman Lekën ishin të lidhur shumë me Teqen e Bllacës, shkonin vazhdimisht aty, kishim mësuar të shkruanin shqip, këndonin libra shqip dhe i përhapnin ato.
Or Liman, a nuk na e merr një dele dhe të shkojmë në e ta bajmë një kurban në Teqe të Bllacës. Me gjithë qejf i thotë baba. U tha, u ba. Shkuan e ja shtruan me Babain e Teqes me mish e raki që hajde or hajde; për shëndet të këtij e për shëndet të atij, për shpirt të këtij e për shpirt të atij. Ç’rëndësi kishte nëse banin sevap apo hynin në gjynah. Kanga dhe dizeni pupas. Një kakofoni e vërtetë. Ganiu ja merrte kangës ndërsa Babai i binte tarabubit duke ja mbajtur; Babai këndo e Ganiu duke e shoqëruar. Qejf o qejf që ban devishi, raki rrushi e meze mishi. U mbajt mend! Qoftë, për këtë e për atë dynja!
E pyetën njëherë se kush ka burra më të mirë, Dibra e Poshtme apo Dibra e Epërme. Pyetja ishte e vështirë dhe me përgjegjësi. Pasi u mendua një copë herë, i dhe karar. Dibra e Poshtme, tha ai. Ato kanë ma shumë burrni, janë ma të qendrushëm dhe të sakrificës se Dibra e Epërme.

Shehitët e varfërisë së shenjtë shqiptare në socializmin enverian
1. Varfëria kishte shkuar ne ekstrem. Mirë mgjes o Gani! Mirë mgjes, ia ktheu babës. Or Gani, i drejtohet baba me delikatesë, a hangre ni fmek (thërrime, thërmijë) bukë për sabah? Ç’farë të haja, nji m…? përgjigjet gjithë nerva Ganiu. Nji bukë e ftohtë misri si pamel (popël guri), bukë furre kooperative qysh në pikë të sabahut, sikur fut copa guri në stomak e jo bereqet Zoti. Ah, po, t’kisha një pilaf të ngrohtë, të ma merrte me të mirë e të ma zbutte mullën, po, por ai nuk asht. O varfëri krenare e socializmit të Enverit.
2. Pas 18 vjet lëngate në shtrat, mixha Mersim i alarmoi të gjithë për shendetin e tij. Tre herë më parë ishte lyer shtëpia duke menduar se axha po i mbyllte hesapet e kësaj dynjaje por, nuk desh i Madhnueshmi. E kur nuk don Mahbubi, nuk ka izëm Mahmudi. Por kësaj radhe ishte ndryshe. Ç’farë kërkon ndoj gja me hangër babë, e pyetën të sëmurin fëmijët. Për çfarë të ka shkue mendja? Due nji gotë dhallë. Ishte dëshira e fundit i tij për këtë dynja. Vrap e në Shupenzë, që ishte qendra e kooperativës bujqësore të bashkuar. N’kambë, një orë e gjysëm. Hallall. Paguhet mundi i babës? Por, duhej një autorizim nga kryetari i kooperativës. U muar. Duhej edhe një nga kryetari i Këshillit të Bashkuar; edhe ai u muar. Fatmirësisht nuk kishte shkuar gjëkund për ndonjë mbledhje. Duhej edhe një tjetër nga përgjegjësi i sektorit të kooperativës. Edhe ai po. U ba tamam. Oh se ç’fat! Xheveri e fortë; shtet i lidhun fortë. Në përfundim të vendimit unanim të tre titullarëve më të lartë të zonës, Mixhës iu akordua një “porcion” qumështi (se dhallë nuk kishte) në masën një shisheje peniciline. Rroftë kooperativa! Mixha shkoi hasret (i malluar) për një pikë dhallë. Po ç’randësi ka. Të rrojë partia e gishti i shllinës! (gishti i pushkës kundër armiqve). Në fakt as shllinë nuk kishte, por mbeti vetëm gishti, jo gishti tregues, por ai i mesit.
3. Në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër, që ishte në nivel Universiteti, pas orës së parë të leksionit që zgjaste 90 minuta, profesorati e kishte hak të hante mëngjesin. Pas zbrazjes së kokës mbushur me dije, duhej mbushur barku me materie. Para fakultetit na priste mëngjesorja. Menuja ishte standard: një pilaf dhe…pikë: – një kupkë e vogël plastike mbushur me kokrra orizi sistemuar si s’ka ma mirë. Çështje neglizhence që nuk i numëroi ndokush se sa kokrra orizi kishte në tëvërtetë. Ndjesë pastë prof. Mahir Hoti thoshte se nuk kam parë ndonjë rast që ndonjë pedagog të lejë në pjatë qoftë edhe një kokërr të vetme orizi. “Mos e len e t’shitoftë zana!” se nji kokërr “oriz” (misër) asht nji kokkërrz dhimbje kur ka shumë û e aspak (misër) oriz. Parulla luftarake ishte “asgjësoje armikun deri në ushtarin e fundit”.
Shpejt i lanë hesapet me pilafin pedagogët, si të ishte një detyrë ushtarake. Hëngri dhe profesor Sela, ndjesë pastë. Hëngre profesor, e pyeti Ligori i rusishtes, kolegu i ri, edhe ai pjesë e “ziafetit të pilafit”. Po, u përgjigj butësisht profesori i nderuar. U ngope profesor, mori guximin ta pyesë pa kujdes. Po,… po, tha profesori, tani kaq është mjafueshëm për njeriun në mëngjes se…Po të kishe dhe një racion tjetër profesor, e haje, bëri pyetjen gati provokuese kolegu. Tani mâ, edhe ti, po edhe e haja se…Po sikur të kishe edhe një byftek sipër pilafit, e haje profesor? Aaa, ama edhe ti mâ, gjithë këto pyetje, dhe filloi të frikësohej profesori semos dialogu mund të hynte në shtigje të rrezikshme. Për induksin, pikërisht aty doli, dhe shpejt edhe pyetja tjetër. Po pse nuk thua profesor se ti qenke i uritur? Doli tamam aty ku as nuk e deshte e as e priste. Jo, jo…jo ashtu. Njeriu një bark ka dhe nuk han si…kafshë. Çdo “ezaurim” i problemit mund të të shpinte tek “vendi” (referencë për ezigjencë: ma ka treguar Selmani).
Për të qenë më të plotë, po japim pasazh si literaturë nga historia leniniste: “…Vështirësitë për shtetin Sovjetik (vjeshtë 1918) u rritën pasi u shkëputën nga kontrolli i tij rajonet kryesore të prodhimit bujqësor, të lëndëve djegëse dhe lëndëve të para për industrinë. Me qindra ndërmarrje industriale nuk punonin dhe uria doli në plan të parë, Në Petrograd e Moskë filloi të racionohet buka deri në 50 gram në çdo dy ditë. Bandat terroriste…”, Universiteti i Tiranës “Enver Hoxha”, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Adem Mezini, “Historia e Sotme 1917-1924” (maket), Tiranë, 1985, f. 49. Kush është ai zog thiu që mund ta racionojë bukën 50 gram në dy ditë në një popullsi prej miliona vetësh. Edhe hapa të gatshme çudibërëse në farmaci të ishin, zor se mund të realizohej një shpërndarje e “drejtë” socialiste, e jo më si “racion” buke që synon të mbushë barkun e të uriturit. Këto parime mbronte me vendosmëri e principialitet të lartë leninist partia jonë e lavdishme. Evropa bënte sehir. Populli shqiptar duhej tharë në këmbë – Projekt. Shqipërisë socialiste i jepet edhe “Çmimin e Ushqimit” nga OKB. CINIZEM, Luftë e pashpallur dhe Krim mbi një popull e mbi një komb. Agresion (Evropian) pa pushkë.
”O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë”. Kuran: S. 7 – 85.

* * *
Burrat që kishin një personalitet të vetin, bënin edhe gjeste për të nëmë ndonjë kujtim. Për Hoxhën e Madh, Shaqir Tomja (1876 – 1958) tregonin plot sentenca zgjuarsie, gaztore, batuta humori inteligjente. Edhe Ganiut i punonte mëndja për kësi punësh.
Poshtë bahçes së tij, nën rrugën e mëhallës e kishte shtëpinë Haliti. Gruaja e tij ishte shumë punëtore, ezhdërhȧ. Ngrihej për punë pa zbardhur drita. Hiqte një fashë buke prej çerepit, fuste në të çarën e saj pak gjizë, ndonjë qepë dhe, me të në dorë nisej për Rrafsha të Okshatinës, ku kishin nisur shtëpinë e re. Kishte gjashtë djem. Duhej konak i ri.
Ganiu i punoi një reng; mblodhi ca peca të vjetra, ca lesh mace, fije peni, copa gjalmash e s’di se ç’ngatërroi tjetër, i mbështolli mirë e keq dhe në errësirë ia kishte vënë ndën shqeme të derës, duke e lënë paksa jashtë. Pastaj u fsheh pas porenit te ferrave mbi rrugë në pozicion vjojtimi. Halitica hapi derën me bismilah dhe papritmas i ra në sy diçka e dyshimtë. Eh! e shkreta, çasht kjo gja kështu, na paskan ba m’gji (magji). Thirri burrin, dha alarmin dhe, vrap e tek hoxha. Kjo ishte rruga. Shkuan tek Hoxha u Vogël, se Hoxha i Madh nuk pranonte k’si gjanash. Tre ditë kam ndejt i mbyllun në dhomë të errët pa dalë prej saj as nji dekik paskesh thënë Hoxha. Kishte ba dua të fortë dhe e kishte zgjidhur magjinë. Kuptohet se edhe shpërblimi kishte qenë i mirë. Zemrat u çliruan nga pengu i misterit. Ganiu pastaj bante hoka dhe tallej me bestytnitë.
Ganiu ishte person anekdodik. Në Gjurrë t’Teme jetonte Shaqiri me të shoqen, të dy pleq mbështetur tek njëri tjetri, mishërim i paqes. Vajzën e kishin martuar në Gjoricë, djalin, Vehbiun e kishin diku në një ndërmarrje për hapje rrugash. Ganiu afrohet tek dritarja, një mazgallë e vogël dhe sheh shaqiricën pranë votrës duke mërmëritur me vete. Ganiu largohet paksa, kthehet me pamje nga Mali i Tem dhe lëshon një vikamë. Si, siii! Asht rr’zu Shaqiri dhe, ndërkohë vrojton reagimin e shaqiricës. Asht vra Shaqiri? Ah medet halli. Nga brenda plasi kuja. Ksollën e mbuloi mjerimi. Më pas u sqarua se kishte qenë një keqkuptim dhe se Shaqiri ishte shëndoshë e mirë.
Një reng i punoi Ganiu edhe të birit, Tushit. Nga maja e Sharrës i vikati që të vinte e ta ndihmonte për të ba nji kalë dru zjarri. Ndërkohë u kacavar me kambën mbi kërrabën e një fidani lisi dhe trupin të hedhur mbi ca shkoza dhe dëllinja. Me syrin gjysëm të hapur sheh reagimin e të birit. Kur e pa gjendjen i biri u lëshua në vaj dhe vrap doli tek maja e Sharrës dhe thirri për ndihmë. Pastaj u kthye, mori masat e ndihmës së shpejt dhe shpejt u muar vesh se nuk kishte qenë ndonjë rrezik i madh. Tushi e fitoi testin prindëror.
Për autoritetin që gëzonte, asnjëherë nuk dëgjova që ndokush t’ia shkurtonte emrin ose t’i thirrte me emër përkëdhelës, psh Gano).
Kurse jobesimtarët janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit. Nëse nuk veproni ashtu siç jeni urdhëruar (pra, të mbroni njëri-tjetrin kundër jobesimtarëve), do të bëhet ngatërresë dhe shkatërrim i madh në Tokë. S. 8 – 73.
Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht, kjo është e lehtë për Allahun S. 29 – 19.
“…Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët” S. 28 – 77.
1. Ganiu ishte person anekdotik.
Jetën donte ta jetonte në të gjitha dimensionet:
Amerika i asimilon shumë shpejt të huajt që shkojnë për punë.
Ataturku në burg: Unë do të bahem… kur të bahem unë.
– Ç’farë do të bahesh ti?
Dhe i vunë prangat.