Nga Sami Curri
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM – një praktikë që sipas ekspertëve rrit pasigurinë në punë dhe krijon terren për fatalitete.
Mëngjesin e 21 janarit, gjatë një shpërthimi të programuar eksplozivi në galerinë e kromit në Bulqizë, zjarrmëtari me inicialet B.C dëmtoi rëndë këmbën e djathtë.
Minatori- punëtor i kompanisë koncesionare Albchrome, u dëmtua nga shembja e masivit shkëmbor nën të cilin po strehohej për t’u mbrojtur nga shpërthimi.
Aksidente të tilla konsiderohen ngjarje rutinore në minierën e Bulqizës, ku vetëm gjatë muajit janar u shënuan katër raste të klasifikuara si ‘plagosje të lehta’ në ambientet e menaxhuara nga kompania Albchrome.
Megjithatë, asnjëri prej aksidenteve nuk u hetua nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, i cili i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se inspektimet për kushtet e sigurisë i kryenin vetëm për aksidentet me pasoja fatale apo ato me plagosje të rënda.
“Për këto aksidente nuk ka akte inspektimi,” tha AKSEM lidhur me aksidentet e janarit, duke shtuar se verifikimin për këto raste duhej ta bënte vetë kompania.
“Nuk janë dërguar grupe inspektorësh në vendngjarje, për rrjedhojë nuk është kryer ekspertizë nga inspektorët e AKSEM,” shtoi Autoriteti.
Qarku i vogël i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë.
Statistikat e institucioneve shihen me dyshim nga ekspertët e sigurisë dhe të drejtave në punë, të cilët thonë se aksidentet me pasoja të lehta as nuk raportohen dhe as nuk hetohen si duhet.
“Shqipëria raporton një numër më të ulët aksidentesh në punë për frymë se Kroacia dhe Sllovenia, edhe pse vendi ka siguri në punë mjaft të ulët,” tha Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat e Punës, CLR.
“Duke mos dalë në pah gjendja reale e aksidenteve të lehta në punë, situata paraqitet më e lehtë nga ç’është realisht”, shtoi Hoxha, duke theksuar se hetimi i të gjitha aksidenteve mund të shmangte fatalitetet në vendin e punës.
E pyetur nga BIRN, kompania Albchrome i ironizoi pyetjet për aksidentet me fjalinë : “Jemi shumë të lumtur që ashtu sikurse ne, edhe ju kujdeseni e kujtoheni shpesh për kolegët tanë”, ndërsa shtoi se aplikon standardet më të larta të sigurisë në punë në Shqipëri.
Kompania nuk dha detaje për aksidentet e janarit, por tha se asnjë prej minatorëve nuk ndodhej në spital dhe se njëri prej aksidenteve, i regjistruar nga AKSEM si plagosje e lehtë, nuk kishte ndodhur për shkak të punës.
Marrë nga reporter.al.
Shkrimin e plotë e gjeni në: https://www.reporter.al/aksidentet-e-pahetuara-rrisin-pasigurine-ne-minieren-e-bulqizes