Botohet libri “Një jetë maleve, Kujtime 4” me autor Bashkim Lleshi


Në dhjetor të vitit 2020, Botimet M&B botuan librin “Një jetë Maleve, – Kujtime 4” me autor Bashkim Lleshi, ku përshkruhen kujtimet e viteve të punës në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, në vitet 1984-2008 dhe Drejtorinë e Albkromit Tiranë, në shtator 1998 – maj 1999.
Në 5 vitet e para në NGJ Tiranë gjatë viteve 1985-1990 autori ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në drejtim të perspektivës për minerale të çmuar (platinoide, etj.) në zonën e Martaneshit, ku janë zbuluar objekte e shfaqje të reja mineralesh të çmuar në Krastë, Koxheraj, Kodra e Nënës, etj. Poshtë vendburimit të njohur të kromit Krastë u zbulua vendburimi Krasta e re, duke shtuar rezervat për mineralin e kromit në thellësi të vendburimit Krastë, si dhe u përcaktuan ligjësitë për gjetjen e shesheve perspektive për krom, nikel sulfur e minerale të çmuar në masivin dunitik të Martaneshit. Në vitin 1989 u dorëzua Raporti me llogaritje rezervash i vendburimit të kromit “Krasta e Re”, poshtë vendburimit të Krastës të zbuluar nga Ndërrmarrjet Gjeologjike Bulqizë e Burrel.
Pas 5 vite pune në Ekipin gjeologjik të Krastës së Martaneshit, një nga ekipet më të vështira të NGJ Tiranë, kolektivi i kësaj ndërmarrje, në mars 1990 nuk pranoi kandidaturën e paraqitur nga Ministria për drejtor ndërmarrje, por propozoi Bashkim Lleshin. Kur propozimi i kolektivit u dërgua për miratim në BP së Rrethit Tiranë, sekretari i parë Gaqo Nesho pyeti: -“Kush e njeh Bashkim Lleshin që kolektivi i gjeologjisë e ka propozuar për drejtor të NGJ ?”. Sekretari i I-rë i KPR 2 Isak Shehu, që ishte dhe anëtar i BP Rrethit Tiranë, u ngrit dhe tha: “Atë që nuk e bëri Partia për Bashkim Lleshin, kur ishte drejtor në Institutin e Gjeologjisë e bëri kolektivi i Gjeologjisë së Tiranës, që e zgjodhi drejtor të Ndërmarrjes.” Detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes e kreu deri në vitin 1992, kur u ndryshua sistemi dhe u reduktuan deri në mbyllje punimet e kërkim zbulimit me shpime e galeri për shumë minerale të dobishme.
Pas vitit 1992 Bashkim LLeshi vazhdoi punën e inxhinier gjeologut për materialet e ndërtimit e mjedisin, derisa doli në pension në 25 gusht 2008, me përjashtim të periu-dhës 9 mujore, shtator 1998-maj1999, ku ka punuar drejtor i Drejtorisë së Përgjithëshme të Albkromit Tiranë.
Në vitet 1992-2008 ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimin e gurëve dekorativë në shkallë Republike, në bashkëpunim me ISPGJ duke qenë autori kryesor i Studimit: “Gurët dekorativë të Shqipërisë, karakterizimi dhe përgjithësimi i tyre”. Ka kryer disa projekte të kërkim-zbulimit dhe ka gjetur e konkretizuar disa vendburime gurësh dekorativë në zonën Milot-Tiranë si: Zall Dajti, Laç, Gjonëm, Mamuras, Lumi i Drojës, Kodra e Shulsit e Borizanë, duke përpiluar dhe raportet me llogaritje rezervash të këtyre vendburimeve.
Në vitet 1995-2008 është aktivizuar dhe me probleme të gurëve dekorativë e lëndëve të para të ndërtimit, gjeologjisë inxhinierike, hidrogjeologjisë e mjedisit, duke studjuar dhe dëmet e shkaktuara në ekonomi dhe mjedis nga shfrytëzimi pa kriter i inerteve në shtratet e lumenjve, si dhe duke propozuar masa konkrete për rehabilitimin e gjendjes. Në këto vite ka drejtuar projektet për Studimet e pasojave në ekonomi dhe mjedis, shkaktuar nga shfrytëzimi i inerteve të lumenjve Ishëm dhe Erzen dhe masat për rehabilitimin e tyre, projektin për Studimin e kërkim vlerësimit të lendëve të para karbonatike dhe ofiolitike të luginës së lumit Shkumbin për zevendësimin e inerteve lumore me inerte shkëmbore për t’u përdorur si lëndë ndërtimi në vitin 2003, etj. Ka qenë bashkëautor kryesor i grupit të Hartës së Rreëzikut Gjeologjik të Shqipërisë në shkallë 1:200 000 botuar në vitin 2000, etj.
Për këto studime, ka përgatitur referate të cilat janë mbajtur në konferenca e simpoziume shkencore brenda e jashtë vendit si: Simpoziumi “Pasuritë minerale të ofioliteve shqiptare” prill 1996, Konferenca e IIte Kombëtare “Rreziqet Gjeologjike dhe Mjedisi“ nëntor 1997, Seminari “Gjendjen aktuale të prodhimit të mineraleve jo energjitikë në Shqipëri“ tetor 1999, Simpoziumi IAEG (BGR) Hannover, Gjermani, tetor 2000, Kongresi i 8-të të gjeoshkencave dhe Seminari organizuar nga Fiera Del Levante, tetor e dhjetor 2000, Simpoziumi “Aggregate 2001” në Helsinki, Finlandë, gusht 2001, Konferenca e IIIte Kombëtare “Gjeomjedisi 2001” shtator 2001, Konferenca shkencore “Gjeologjia Shqiptare nëpër vite“ nëntor 2003, Uork shopin e lumenjve në Tiranë, mars 2004, Konferenca ndërkombëtare “Mbrojtja e lumenjve sfidë për të gjithë” në Prishtinë, tetor 2004, Konferenca “Strategjia e zhvillimit të industrisë minerare një periudhë 15 vjeçare” mars 2005, etj.
Ka drejtuar grupin e Studimit në shkallë vendi “Vlerësimi i pasojave, ndikimit mjedisor, problemeve hidrodinamike dhe rehabilitimi i gjendjes në shtretërit e lumenjve“ në vitin 2004, Studimin “Impaktet mjedisore të shkaktuara në luginat e lumenjve Erzen, Tiranë, Tërkuzë, Zezë si rezultat i veprimit të faktorëve të ndryshëm gjeologjike dhe humanë si dhe masat konkrete për zbutjen ose mënjanimin e këtyre impakteve“ në vitet 2004 e 2005 dhe Studimin mbi shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë të Shqipërisë në vitin 2005,
Nga janari i vitit 2000 prof. Bashkim Lleshi ka hapur studion private “Degalbanev Studio” ku ka kryer studime, projektime e konsulenca për mineralet e dobishme metalorë e jo metalorë, studime gjeologo-inxhinierike, hidrogjeologjike për ujë të pijshëm e industrial, të mjedisit, etj. për shumë objekte e zona të ndryshme të vendit tonë, si: Studimin “Mbi kushtet GJI dhe GJT të rrugës Tiranë-Dibër“ në vitin 2003, Studime për lëndët e para të ndërtimit si gurë dekorativë, gëlqerorë, argjila, inerte lumore, në zonat Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Berat, Dibër etj., Studime gjeologo-inxhinierike për disa objekte social kulturore e industriale në Tiranë, Durrës, Kavajë etj., Studime hidrogjeologjike për furnizimin me ujë të pijshëm e industrial të objekteve të ndryshme në Tiranë, Durrës, Lezhë, Mirditë, Gramsh, etj., Studime të ndryshme mjedisore, Studime për leje zbulimi e shfrytëzimi të mineraleve të dobishme metalore e jo metalore, etj. të cilat në mënyrë të përmbledhur jepen në këtë libër me kujtime.
Një vend të rëndësishëm në faqet e këtij libri zenë aktivizimi në kryesinë e Shoqatës LID, organizimi i Kuvendit Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit në maj 2007, ku ishte iniciatori dhe organizatori kryesor i këtij kuvendi, shkrimi i artikujve problematikë për ecurinë e kësaj rruge në gazetën “Rruga e Arbërit”, marrja pjesë në aktivitete shoqërore si, në 60 vjetorin e Cetës së parë partizane të Dibrës në Zogje në qershor 2002, në promovimin e librit “Jeta dhe vepra e Aqif Lleshit” dhe ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Dibrës së Madhe të shkencëtarit të shquar dibran Azmi Dibra, në dhjetor 2005 e prill 2006, në Konferencën “Dibra në optikën e të huajve” në prill 2008, etj.
Në fund të këtij libri me kujtime, në mënyrë të përmbledhur shkruhet, për takimet vjetore me shokët e shoqet e punës dhe të shkollës, vizitat tek të afërmit e tij jashtë shtetit, në Maqedoninë e Veriut, Gjermani, Itali, Greqi, USA, etj., për pushimet vjetore dhe marrjen pjesë në ceremoni gëzimi e hidhërimi të familjarëve, miqve dhe shokëve e shoqeve të punës.
B.Karoshi