Fisi Shehu vjen nga fisi Lahi, që në gjysmën e dytë të Shek XVI, që jetonte në fshatin Palaman të Sllovës. I pari i këtij fisi, Leke Lahi, ishte katolik dhe përqafoi fenë islame. Dy djemve të tij u vuri emra myslimane: Hajrulla dhe Osman. Si rezultat i luftërave, reprezaljeve të pushtuesve osmane, Dibra po kalonte situata të tmerrshme ekonomike. Varfëria ekstreme, uria dhe sëmundjet e kishin goditur keqas këtë pjesë të krahinës. Si të vetmen mënyrë mbijetese, një pjesë e dibranëve, sidomos nga krahinat e Dardhës, Reçit, Luznisë, Çidhnës etj, kishin grabitjen me force të bagëtive nga krahina e Rekës etj. Në një inkursion të tillë merr pjesë edhe Osman Lahi, djali i Lekës. Në një çast grabitjeje, ai ndeshet me një familje shumë të varfër, në të cilën nëna, në mungesë të bukës, u jepte fëmijëve kuleçë prej hiri dhe i lutej Zotit për t’i shpëtuar fëmijët nga vdekja. I ndodhur para kësaj situate, Osmani u jep torbën me bukë e gjizë fëmijëve dhe bashkë me shokun e tij, betohen se do të heqin dorë nga ajo mënyrë jetese, duke përjetuar një proces katarsisi (vetëpastrimi shpirtëror) të shpejtë. Ndahen nga shokët e tjerë dhe falen, luten e shërbejnë në xhaminë e Dibrës së Madhe. Më vonë Osmani udhëton drejt Lindjes së Mesme, shkon edhe në Arabinë Saudite dhe fiton titullin Haxhi. Më pas bëhet ithtar i sektit “Kaderi” dhe rikthehet në Dibër e Peshkopi, ku krijon teqen e parë të sektit të lartpërmendur. Kështu, krijohet teqja e famshme e Shehlerëve të Peshkopisë. Deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, banorët autoktonë të Peshkopisë, malësorët e Reçit, Dardhës, Sllovës etj betoheshin “për Haxhi Osman”. Kështu, teqja e Haxhi Osmanit u bë teqja më e re e 7 teqeve të Dibrës.
Kur Peshkopia bëhet kryeqendër e Dibrës së Poshtme në vitin 1860, teqja e Haxhi Osmanit do të fitonte një lloj supremacie ndaj të tjerave. Në kohët kur lëvizjet për çlirim kombëtar zgjoheshin, djemtë e kësaj teqeje ishin në ballë të lëvizjeve çlirimtare. Prej gjysmës së dytë të shekullit të 18-të, Teqja e Peshkopisë u shqua për veprimtari atdhedashëse. Në shekullin e 19-të, kur lëvizja jonë kombëtare njohu zhvillime të shpejta, përfaqësues të fisit të shehlerëve morën pjesë aktivisht në këto lëvizje. Kështu, Bahram Abdullah Shehi, i shumënjohur si Bardulla, do të ishte në qendër të lëvizjes në Dibër. Ai mori pjesë në Kuvendet e organizuara për çlirim kombëtar. Dobësimi i perandorisë osmane do të shoqërohej me intensifikimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve dibrane. Në luftën ruso-turke, në vitin 1887, Bardulla bashkë me Isuf Beg Karasanin, do të udhëhiqnin vullnetarët dibranë në betejën e Nishit, që populli e përjetësoi në vargjet e këngës: “Luftën e Nishit kush e bani, / çaj Bardulla e Karasani”. Ndërsa për vëllain e Bardullës, Fejzullah Shehin, përjetësojnë vargjet: “Kush i dul Tunës matane, / Fejzullah Shehi, shahit në kambë”.
Po në ato kohë, Zeqir Shehi, vëllai tjetër i Bardullës, do të helmohej nga shovinistët serbo-maqedonas gjatë rrugës Manastit-Shkup. Në qershor 1878, Bardulla, delegat në Lidhjen e Prizrenit, caktohet kryetar i komisionit të financës. Ndërkohe turkoshakët e Dibrës, të xhelozuar nga rritja e autoritetit të Bardullës, sarkazuan me vargjet: “O Bardull, o qafëgjat / s’asht Bellov’ e s’asht Zagrad’, / por asht Serb e Karadak”, ose: “Ky Bardulla nji zorrekunop, / çoj në Dibër e murr nji top”.
Në gjithë veprimtarinë e tij, Bardulla kishte mbështetjen e fisit, veçanërisht të Sheh Imerit, me të cilin koordinonin veprimet në fusha të ndryshme. Në xhaminë pranë teqes së Peshkopisë, është valëvitur flamuri kombëtar në ditët më të vështira për atdheun. Në ditët e luftës kundër pushtuesve serb u vra Xheladin Shehu, varri i të cilit edhe sot e kësaj dite ndodhet në Skërtec.
Pas shpalljes së Pavarësisë bie në sy veprimtaria patriotiko-politike e Shehat Shehut, djalit më të vogël të sheh Imerit. Shehati ishte i vetmi bashkëkohës që ishte arsimuar në Manastir dhe kishte ra në kontakt me idetë përparimtare të kohës.
Pas Kongresit të Lushnjës, kryeministri Sulejman Delvina e emëron kryetar bashkie për Dibrën e Poshtme. Me këtë cilësi ai u inkuadrua me kryengritjen e Arrasit, duke përfaqësuar qeverinë e Sulejman Delvinës. Pas suksesit të kryengritjes, Shehati lajmëron me telegram kryeministrin e kohës për fitoren. Pas vitit 1920 Shehati lidh miqësi (pi gjak me Elez Isufin) me Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe bëhet fanolist.
Gjatë periudhës së Zogut, djem të këtij fisi, edhe për arsye patriotike, u dërguan nga prindërit për studime ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Kështu, Shefqet Shehu, Kadri Bardulla e Rasim Bardulla, Fehmi Shehu mbaruan shkollën mbretnore për oficerë, ndërsa Mithat Bardulla e Ruzhdi Shehu vazhduan studimet, pas mbarimit të shkollës mbretnore, në akademitë ushtarakë të Parmës e Torinos në Itali. Pas vitit 1924, Shehat Shehu u dorëhoq nga jeta politike dhe kryetar i bashkisë u bë Sulejman Shehu, kushëri i tij.
Fehmi Shehu, në vitet 1930 mori pjesë aktive në lëvizjen antizogiste të Fierit. Ndërsa në vitin 1941, në kohën e luftës Italo-Greke, në bashkëpunim me komandantin e batalionit Spiro Moisiu, u hoqi gjilpërat mortajave, dhe bashkë me një grup ushtarakësh u arratis në Greqi.
Sulejman Shehu ishte një nga kryetarët me autoritarë, që nuk njihte servilizmin dhe hipokrizinë. Për tendencat e tij autonome në kryerjen e pushtetit vendor, u eliminua fizikisht, duke shfrytëzuar një hasmëri të vjetër.
Në prag të pushtimit fashist, Kadri e Rasim Bardulla gjenden me shërbim në Durrës dhe marrin pjesë aktive në rezistencën kundër pushtuesit. Më pas Faik Shehu, Ramadan Shehu, Nexhbedin Shehu bëhen simbol të rezistencës kundër pushtuesit fashist në Peshkopi. Rasim Bardulla, arratiset në Bosnjë se kërkohej nga fashistët për veprimtari kundër tyre. Përpiqen ta joshin me detyra në shërbimin ushtarak, por i refuzon me vendosmëri.
Dy djem të rinj të Teqes, Abaz Shehu dhe Tahsim Shehu internohen nga nazistët në kampin e Prishtinës dhe atje ekzekutohen barbarisht. Vlen të theksohet se atyre iu propozua të liroheshin, mjafton të nënshkruanin se nuk do të mbanin lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare, por ata refuzuan dhe pranuan vdekjen me nder. Vetëm sepse ishin bij të familjes Shehu, nuk u vlerësuan sa duhet nga qeveria komuniste.
Faik Shehu krijon batalionin territorial të Dibrës dhe merr pjesë në luftime kundër pushtuesit. Zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Mban lidhje të ngushta me misionet anglo-amerikane. Pas luftës zgjidhet kryetar i Qarkut të Dibrës dhe deputet i saj në zgjedhjet e 1945. Ekzekutohet më 1947 me grupin e deputetëve. Po në 1946, arrestohen Ruzhdi Shehu, i cili dënohet me vdekje. Pasi i ulet dënimi në burgim të përjetshëm, kryen 15 vite burg. Shefqet Shehu vdes gjatë torturave. Haki Shehu, Imer Shehu, Rasim Bardulla dënohet me ekzekutim, sepse bashkë me Edip Tërshanën krijuan të parën parti demokratike në Shqipëri, me qendër në Peshkopi. Me parë, në Kretë, vritet oficeri Fehmi Shehu gjatë zbarkimit gjerman, ndërkohë që ai shërbente si koordinator i shtabit aleat të Mesdheut me shqiptarët që kishin dezertuar nga ushtria italiane.
Po në vitin 1947 arrestohet vëllai i Rasim Bardullës, gjoja tentative arratisje për në Greqi. Gjithashtu, arrestohet Nexhbedin Shehu, komandant i batalionit të katërt në Brigadën e 18 Sulmuese, që së bashku me kushëririn e tij, Sami Bardulla, kishin shkruar faqe heroizmi të vërteta në luftë kundër pushtuesve gjermanë për çlirimin e Gostivarit, Prizrenit, Kukësit etj. Po ashtu, arrestohen edhe Munir Shehu e Qamil Shehu. Vetëm gjatë shekullit të 20-të, gjatë diktaturës komuniste, nga ky fis janë vrarë 8 pjesëtarë dhe janë burgosur 7 të tjerë.
Kështu e pësuan bijtë e Teqes, të cilët edhe pse u renditen në kah të kundërta, ëndërr të vetme kishin Shqipërinë etnike, pluraliste dhe demokratike.
Pas çlirimit, edhe pse nuk shiheshin me sy të mirë nga qeveria hoxhiste, ata kontribuan dhe shkëlqyen në shumë fusha të jetës. Ne ekonomi: Mefat Shehu, Muhamet Shehu, Selami Shehu, Met Shehu, Neki Shehu, Pul Bardulla, Basri Shehu, Shuip Shehu; në historiografi: Munir Shehu; arsim: Bedri Shehu; në dramaturgji: Adil Shehu, Ulvi Shehu, Inajet Shehu; në muzikë: Munir Shehu, Melita Shehu, Isak Shehu, Arif Shehu; në sporte: Hazis Shehu, Rexhep Bardulla, Përparim e Flamur Bardulla, Bexhet Shehu, Taxhedin Shehu, Mufit Shehu, Njiazi Shehu, Visar Bardulla etj.; në politikë: Bajram Bardulla, Sheh Imeri, Shehat Shehu, Sulejman Shehu, Imer Shehu, Faik Shehu, Rasim Bardulla, Fehmi Shehu, Rexhep Bardulla, Lavdrim Shehu, Natasha Shehu, Genc Bardhulla, Tomor Shehu. Edhe në lëvizjen për demokraci, pa i përmendur të sipërpërmendurit, kujtojmë Sezair Shehun, Verdi Shehun, Visar Bardullën, Përparim e Flamur Bardullën etj.
Pa dashur të ngremë kulte e dekorata, këto ishin disa kontribute të shehlerëve për çlirim kombëtar e përparim shoqëror.