Reagim rreth shkrimit “Golloborda dhe Dibra, një ngulmim për të krijuar një panoramë sa më të plotë dhe sa më të qartë njohëse historike””, shkruar nga Halil Teodori, gazeta “Rruga e Arbërit”, nr. 171, tetor 2020.
Do të shkruaj pak gjatë, se nuk mund të shkruaj dot shkurt, rreth shkrimit të Halil Teodorit titull: “Golloborda dhe Dibra, një ngulmim për të krijuar një panoramë sa më të plotë dhe sa më të qartë njohëse historike”, botuar në nr. 10 (171) tetor 2020 të gazetës “Rruga e Arbërit”. Do përpiqem të shkruaj si intelektual, dhe shpresoj të jem në nivelin e dëshiruar për lexuesit dhe autorin e shkrimit, por edhe për çdo intelektual tjetër që flet për identitetin e kalabardhasve (gollobordasve). Por para se të flas në mënyrë intelektuale, dua të them disa fjalë shpirtërore e ndjesie si kalabardhas për çdo intelektual tjetër që gënjen, që shpif për origjinën, historinë dhe kulturën tonë të kalabardhasve dhe pretendon se flet “me përgjegjësi profesionale dhe historike”. Natyrisht, gjatë këtij reagimi mund të shkel edhe ndonjëherë etikën e të shkruarit, por me gënjeshtarët, shpifarakët, të paditurit, fyesit dhe antikombëtarët do ta thyej disi. “Plumbi do plumb”, – themi ne, dibranët dhe shqiptarët.
Kalabardhasit janë 100% shqiptarë në gjak, në shpirt e në etno-kulturë (norma e kanune, doke e zakone). Kjo është e vërteta e pakundërshtueshme. Në regjistrimin e vitit 1989, në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë me kombësi bullgare, ndërsa 0.148% e popullsisë u regjistruan si maqedonas dhe ato jo në zonën tonë.
Kur lexova artikullin e z. Halil Teodori, në fillim flisje gjatë për të vërteta historike dhe shtroje problemin e zajeve, mendova se vërtet do jeni objektiv në çështjen e identitetit të kalabardhasve dhe nuk e lexova me vëmendje këtë pjesë. E konsiderova të mirëfilltë të vërtetën, siç betoheshe ti në fillim. Pas disa ditësh takohem me një mikun tim kalabardhas, i cili ishte irrituar shumë me artikullin tënd. Rilexoje, – më tha – se është vërtet një mashtrim i gjallë, një fyerje për ne, kalabardhasit. Ai nuk di asgjë për Kalabardhën dhe flet paçavure. E rilexova artikullin dhe u irritova shumë. Po, po, vërtet u irritova pa masë dhe u befasova për absurditetin që ju, z. Halil, shkruani. Nuk desha të besoja se ti ishe një shqiptar, një patriot. Se kështu siç shkruani ju, vetëm një nacionalist i sëmur sllav, një bullgar i paditur apo i çartur nga mendtë shkruan. Dikush që e quan veten intelektual, dibran, shqiptar, patriot, nuk mund të fyej apo nëpërkëmbë asnjë popullsi, jo më një popullsi kaq fisnike, ndër më patriotiket në trojet shqiptare, siç është ajo e Kalabardhës (Gollobordës).
Po të ishin kalabardhasit sllavë, nuk do digjeshin tre-katër herë fshatrat e saj nga sllavët, nuk do vriteshin kalabardhasit nga ushtritë serbe apo bullgare, nuk do shpoheshin me bajoneta, nuk nxirreshin fëmijët me bajoneta nga barku i nënës, nuk do vriteshin barbarisht në Qafë të Përvallit 300 kalabardhas pleq, gra e fëmijë nga ushtria serbe, nuk do grabiteshin fshatrat e kalabardhasve nga pushtuesit sllavë. Nuk do të luftonin me mish e me shpirt, që fshatrat e tyre të mbeteshin në shtetin Shqiptar, kur kaloi komisioni Ndërkombëtar i Ratifikimit të Kufijve. Kështu, Kalabardha nuk ka asgjë mbi tokë e nën tokë bullgare apo maqedonase, por që ka qenë kala për Skënderbeun dhe mburoja e parë e trojeve arbërore ndaj armiqve.
Ju them shkurt, fort e troç: ja fut vërtet kot, gënjen, mashtron, por edhe fyen rëndë. Nuk mendoj se ti i përket kategorisë së të shiturve tek sllavët, “rasputinëve” kalabardhas, batakçinjve, që s’kanë nder e dinjitet dhe shiten për pesë aspra për të folur me gjuhën e nacionalistëve sllavë. Nga ata që mohojnë gjakun e tyre, që janë gati të përdhosin varrin e babait të tyre vetëm të mbushin xhepat me lekë. Por po thoni të njëjtën gjë, si ata që paguhen me lekë nën dorë nga agjenturat sllave për të mbajtur paksa gjallë këtë frymë nacionaliste ndaj trojeve shqiptare, posaçërisht Kalabardhën. Siç shkroi serbi, M. S. Filipovici, i paguar nga qarqet fetare serbe apo nacionalizmi serb.
* * *
Zoti Teodori,
me ç´të drejtë tjetërson përkatësinë etnike të kalabardhasve? Me ç´të drejtë ua mohon gjakun, nënat, baballarët, gjyshërit, stërgjyshërit, katragjyshërit kalabardhasve? Çfarë borxhi të kanë kalabardhasit? A i ke pyetur ndonjëherë kalabardhasit për identitetin e tyre? Ti nuk qenke kalabardhas, megjithëse jeton që prej 580 vjetësh në Kalabardhë! Hasan Muglica nuk qenka kalabardhas, kur ka lindur, rritur, jetuar e luftuar për këtë tokë të shenjtë! Që ngriti në këmbë kalabardhasit për lirinë e trojeve të veta dhe gjuhën e kulturën kombëtare shqiptare! Që u varros i gjallë në truallin e Kalabardhës nga dushmanët sllavë! Qemal Stafa nuk qenka kalabardhas, që prindërit e tij u përzunë nga Zabzuni nga pushtuesit serbë? Këtyre u thua mendime intelektuale, z. Halil? Këto mendime mund t´i falen dikujt, që është lindur e banon qindra kilometra larg Kalabardhës, p.sh. nga Shkodra, Vlora, Saranda, por jo një “intelektuali” të “Grykës së Zajeve”.
Këto mendime mund t´i thotë një pseudohistorian, një injorant i historisë, një bujk apo blegtor, një mashtrues, një “rasputin”, një nacionalist sllav, por kurrsesi një intelektual, aq më pak që t´i thotë vetes shqiptar. Nëse ti merr përsipër të rreshtohesh në anën e të parëve, dije mirë se nuk je me të vërtetën historike, me objektiven, që aq shumë pretendon se e dashuron.
Kështu është kur flet e shkruan nga Amerika. Kur nuk e ke shkelur një herë krahinën e Kalabardhës; pa e njohur mirë historinë e popullsisë së saj kreshnike, që e ka mbrojtur vendin e saj, trojet e të parëve të tij, me jetën e gjakun e tyre ndaj sllavëve, serbëve, bullgarëve, maqedonasve dhe çdo lloj pushtuesi osman, italian, gjerman, austriak; pa i njohur rrënjët, ADN-në e vërtetë të kalabardhasve; pa e njohur shpirtin atdhetar e patriotik të kalabardhasve. Për ata që kanë ngritur flamurin shqiptar në kullat e tyre dhe janë vrarë për atë flamur. Për ata që në luftë shkonin me flamurin shqiptar në ballë. Për ata burra që kanë mbajtur të njëjtin kostum tradicional sikurse gjithë dibranët e tjerë, sikurse të parët e tu. Nëse katragjyshit e tu kanë strehuar një herë Skënderbeun, kalabardhasit e kanë mbajtur 25 vjet në kalatë, në shtëpitë, në sofrat e tyre, në zemrat e tyre. Atje ka pasur vendbanimet në rast luftërash e në kohë paqe, atje veronte dhe stërvitej ushtria e Skënderbeut dhe kalabardhasit jo vetëm i ndërtonin kalatë e tij, por edhe i bashkoheshin ushtrisë së Skënderbeut të luftonin në mbi 18 beteja kundër osmanëve.
Sapo Shqipëria të bëhet vend i BE dhe nuk ka nevojë më kush për pasaportë sllave. Se të gjithë e dinë, se pasaporta bullgare kanë marrë më shumë shqiptarë nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora etj., sesa kalabardhasit dhe të gjithë kanë ikur në vendet evropiane për punë, asnjë në Bullgari.
Nëse ti ndjehesh i turpëruar të jesh kalabardhas është kompleksiteti yt. Ne, kalabardhasit, jemi shumë krenarë për origjinën, identitetin tonë shqiptar, për AND-në tonë iliro-arbërore, për dinjitetin tonë, për historinë tonë, për atdheun dhe vendlindjen tonë, Kalabardhën. Po, po, e themi me gjithë shpirt. Më krenarë se çdo kush në botë. Më krenarë se bijtë e Zeusit. Dhe ti, si intelektual, mund ta dish, që të jesh krenar me origjinën tënde do të thotë të jesh shqiptar, jo sllav. Pra, është një dëshmi tjetër për identitetin tonë iliro-arbëror, se si çka thënë dikush, vetëm ne, shqiptarët, krenohemi me kombësinë, jo me besimin si kombet e tjera të Ballkanit.
Dhe e meritojmë të jemi krenarë për vlerat mjaftë të arrira humane, kulturore e patriotike që kemi. Të jesh kalabardhas, do të thotë të jesh qelibar në shpirt, i besës, i nderit, paqësor, mikpritës, trim e fisnik, patriot, të jesh i ditur dhe i dobishëm për familjen, shoqërinë e kombin. Kalabardhasit janë të punës, të penës dhe të pushkës. Këto cilësi i gëzon çdo bir i Kalabardhës, qoftë ai që mund të quhet më i varfër ndër ne. Ne nuk jemi arrogantë, fodull, nuk na ka marrë koka erë. Ne nuk e kemi zakon të gërthasim shumë, por na detyroni ju të ngremë zërin për krenarinë tonë të mbështetur në sjelljet, arritjet dhe veprat tona. Ne jemi kalli plotë dhe këtë e kemi treguar me vepra. Ne na njeh Shqipëria, Ballkani dhe Evropa, se i kemi ndërtuar me duart tona të arta. Kush tjetër i ka cilësitë më të mira se këto?
Nëse nuk e di, ja si ne, kalabardhasit i këndojmë tokës arbërore:
“Rosa rosit, v’Arbanoshka zemja = shi i imët bie në tokën arbërore
shto na rosi cervenion bajrak = që na e lagu flamurin e kuq
rosa rosit, v’Arbanoshka zemja = shi i imët bie në tokën arbërore
shto na rosi kiteni svatovi… = që na i lagu krushqit e stolisur.
* * *
Tani le të hyjmë më në temë, për ato që ti zografis dhe pretendon të thuash të vërtetën për etninë e kalabardhasve (gollobordasve).
Kur stigmatizon: “1. Gollobordasit janë sllavë”, – ti gënjen, mashtron, spekulon, fyen kalabardhasit.
Sepse, kalabardhasit janë 100% shqiptarë në gjak, në shpirt e në etnokulturë (norma e kanune, doke e zakone). Kjo është e vërteta e pakundërshtueshme. Në regjistrimin e vitit 1989, në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë me kombësi bullgare, ndërsa 0.148% e popullsisë u regjistruan si maqedonas dhe ato jo në zonën tonë.
Sepse, nuk ka asnjë sllav në Kalabardhë. Dhe këtë mësoje mirë ti, z. Halil dhe soji i atyre që flasin për sllavë në Kalabardhë. Mos flisni si i teket kokës tuaj, si ua do oreksi apo egoizmi, por flisni nëse keni fakte historike, flisni me dëshmi shkencore, konkrete. Mos flisni me terma të përgjithshëm, gjepura, se kalabardhasit janë sllavë, por nëse keni fakte thoni, x.y. është bullgar, a.b. është maqedonas, apo c.d. është serb. Dhe kështu mund të bëjmë analizat e ADN-së e të vërtetojmë shkencërisht, gjenetikisht, nëse janë vërtetë të tillë. Pra, do ta krahasojmë me vëllain, gjyshin, stërgjyshin, tetragjyshin, katragjyshin e tij historik atje ku prehet në vendet sllave apo me strukturën e ADN-së së bullgarëve, maqedonasve apo serbëve. Dhe do bindeni që e vërteta është kjo: kalabardhasit janë shqiptarë të pastër, se i përkasin ADN-së iliro-arbërore, racës shqiptare (halpogrupit E-V13>E-Z5017 dhe përkatësisht nëngrupit CTS9320, trevës së Dibrës). Dhe mund ta dini, që vetë sllavët nuk kanë pranuar të bëjnë testin e kromozomit Y-it, se do u dalin të palarat me spekulimet me etninë e shqiptarëve në favor të synimeve nacionaliste të tyre ndaj trojeve shqiptare.
Sepse, po të ishin kalabardhasit sllavë, nuk do digjeshin tre-katër herë fshatrat e saj nga sllavët, nuk do vriteshin kalabardhasit nga ushtritë serbe apo bullgare, nuk do shpoheshin me bajoneta, nuk nxirreshin fëmijët me bajoneta nga barku i nënës, nuk do vriteshin barbarisht në Qafë të Përvallit 300 kalabardhas pleq, gra e fëmijë nga ushtria serbe, nuk do grabiteshin fshatrat e kalabardhasve nga pushtuesit sllavë. Nuk do të luftonin me mish e me shpirt, që fshatrat e tyre të mbeteshin në shtetin Shqiptar, kur kaloi komisioni Ndërkombëtar i Ratifikimit të Kufijve. Kështu, mësoje mirë se Kalabardha nuk ka asgjë mbi tokë e nën tokë bullgare apo maqedonase, por që ka qenë kala për Skënderbeun dhe mburoja e parë e trojeve arbërore ndaj armiqve.
Sepse, çfarë janë kalabardhasit shko e pyeti, shko e shiko pasaportat historikisht, shko shiko regjistrat e gjendjes civile, shko shiko në arkiva historikët e fshatrave e të fiseve, shko e pyeti vetë ata të ta plasin në fytyrë se kanë gjak shqiptari, ashtu siç i kam pyetur unë dhe i kam anketuar. Po, në Kalabardhë mund të gjendet ndonjë “bullgar“, veçse një i paditur, injorant i historisë, ndonjë pijanec, ndonjë i varfër, që ka nevojë aktuale për një pasaportë për të shkuar emigrant në vendet evropiane dhe thotë se do të jetë bullgar, por jo se është bullgar. Apo ndonjë “rasputin“, që kërkon të përfitoj para nga shteti Bullgar apo të bëhet deputet në parlamentin shqiptar, me ndihmën e Bullgarisë. Dhe kaq.
Gjuha është elementi i pestë dhe i fundit në përcaktimin e identitetit etnik, kombëtar. Para saj janë lidhja gjenealogjike, trashëgimia e koherenca historike, trashëgimia kulturore dhe traditat, ritet e zakonet. Kalabardhasit historikisht e kanë dashur fortë gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën shqipe. Kanë kontribuar në shkallë kombëtare për këtë gjuhë të bekuar të Zotit, duke marrë pjesë në të gjitha kongreset kombëtare si të Manastirit dhe Elbasanit, si dhe ato të Dibrës, për gjuhën. Kalabardhasit flasin edhe dialektin dibrane, e flasin në sjellje e kulturë, e flasin me penë e pushkë, e flasin sa herë ka nevojë atdheu dhe liria e Shqipërisë.
Do bindesh për këtë vetëm sapo Shqipëria të bëhet vend i BE dhe nuk ka nevojë më kush për pasaportë sllave. Se të gjithë e dinë, se pasaporta bullgare kanë marrë më shumë shqiptarë nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora etj., sesa kalabardhasit dhe të gjithë kanë ikur në vendet evropiane për punë, asnjë në Bullgari.
Mosdija jote, me apo pa qëllim, mbështet politikën asimiluese dhe mohon identitetin gjenetik ilir të kalabardhasve, pavarësisht se ti predikon se për “mundësim i përvetësimit me pa të drejtë të historisë“. Me padijen tënde rreshtohesh në krahun e antishqiptarëve, gënjeshtarëve, shpifësve të tillë si: A. S. Filipoviç, I. S. Jastrebov, Aleksandër A. Novik, Nj. Limanovski, E. Milanov, Svietieva, Y. Xhemali & K. Steinke apo një farë Veselenka Tonçeva. Pra, je një gënjeshtar, një shpifës, një antikombëtar dhe po bën një krim intelektual. Kështu, ti e përdhos të vërtetën historike.
Kur thua: “2- Gollobordasit kanë ardhur në këtë trevë, që ka marr emrin Gollobordë në shekullin e shtatë, kur vendi ishte nën perandorinë Bullgare”, – gënjen, mashtron z. Teodori.
Sepse, kalabardhasit nuk kanë ardhur në këtë trevë në shekullin e shtatë, por janë ilirë-arbërorë, autoktonë në këto troje shqiptare dhe se bullgarët i gjetën ata aty. Carët bullgarë përdorën gjithë ushtrinë për t’i mposhtur kalabardhasit dhe vetëm pas disa dhjetëvjeçarë rezistence e luftërash shpërnguli me forcë popullsinë e disa fshatrave për 80 vite dhe i internoi në malet e Pindit. Kjo popullsi u rikthye në trojet e veta, se ishin etnik, ilir, arbëror. Nuk ishin sllavë. Në Kalabardhë kanë qëndruar vetëm ndonjë familje bullgare si punëtorë në tokat e të pasurve dhe disa barinj diku në malet e Jablanicës dhe ikën përsëri nga kishin ardhur. Dhe këtu mbaron historia e bullgarëve në këto treva.
Sepse, toka e Kalabardhës nuk ishte e shkret, por me popullsi të lashtë vendase, autoktone. Mbi çfarë bazash e thua, “mundësim i përvetësimit me pa të drejtë të historisë?? Kush po e vjedh historinë, ne iliro-arbërorët apo sllavët, bullgarët vjedhin historinë tonë? Në fakt ti po bën vetë krim intelektual, me të gjitha deklarimet e mësipërme.
Zona e Kalabardhës nuk ka qenë asnjëherë e pabanueshme dhe nuk është mbajtur asnjëherë vakëf.
Kur zografis: “3- Gollobordasit flasin vetëm gjuhën e tyre, që është gjuhë sllave.“, – përsëri gënjen, z. Teodori. Gënjen se vetë e pranon më poshtë, që e flasim gjuhën shqipe. Dhe e unë po të them e flasim bukur, shumë bukur gjuhën shqipe.
Po, z. Teodori, kalabardhasit flasin gjuhën e tyre, që është gjuha shqipe, gjuha amë, jo gjuhë sllave. Se edhe shqiptarët (kalabardhasit) në Bullgari flasin gjuhën bullgare, por ama janë dibranë, janë shqiptarë. Apo edhe ata janë bullgarë, sipas teje? Edhe shqiptarët (kalabardhasit) e Kalabrisë flasin italisht, por janë dibranë, janë shqiptarë. Apo edhe ata janë italianë?
E folura sllave në disa fshatra të Kalabardhës, nuk ka të bëjë fare me identitetin ilir, arbëror të kalabardhësve. Në Kalabardhë nuk ka pasur asnjëherë e nuk ka asnjë diasporë popullsie sllave, as serbe, as maqedonase e as bullgare. Zhargoni sllav është një mbivendosje gjuhësore, që e ka imponuar Perandoria Bullgare në kohën e pushtimit të kësaj zone në shekujt 9-11-të, me mjete të ndryshme. E folura sllave e një pjese të popullsisë së fshatrave të Krahinës nuk është “gjuhë e nënës”, por e huazuar, e imponuar nga rrethana historike, si nevojë jetike krahas gjuhës arbërore. Padyshim, përhapja e zhargonit sllav mbështetej nga pushtuesi në platforma etnike për spastrim etnik dhe shoqërohej me masa shtrënguese e detyruese.
Natyra e shqiptarëve, por edhe e kalabardhasve, në zemër të Arbërisë, ka qenë e tillë që në lashtësi, siç historiani i lashtësisë, Straboni, thotë se: “Fiset pellazge ishin bilingë …”, sepse flitnin latinisht dhe shqip. Shqip kanë folur edhe filozofë e historianë të lashtë grekë, dhe ne do mund t’i quajmë shqiptarë?
Por ti, si intelektual, mund ta dish, që gjuha është elementi i pestë dhe i fundit në përcaktimin e identitetit etnik, kombëtar. Para saj janë lidhja gjenealogjike, trashëgimia e koherenca historike, trashëgimia kulturore dhe traditat, ritet e zakonet.
Kur shkruan: “4- Golloborda, gjuhën shqipe e flet si gjuhë letrare.“, – vetëm këtu nuk shpif, nuk gënjen. Por besoj se nuk ka asgjë të keqe të flasësh bukur gjuhën shqipe.
Po, ke të drejtë, z. Teodori, kalabardhasit e flasin gjuhën shqipe të normuar, gjuhën e lartë, zyrtare shqipe. Mund ta dish, se kalabardhasit historikisht e kanë dashur fortë gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën shqipe. Kanë kontribuar në shkallë kombëtare për këtë gjuhë të bekuar të Zotit, duke marrë pjesë në të gjitha kongreset kombëtare si të Manastirit dhe Elbasanit, si dhe ato të Dibrës, për gjuhën. Për këtë gjuhë u mblodhën edhe në kuvende të posaçme të vitit 1909, siç ishte Kuvendi i Ujit të Bardhë në Fushë Klenjë. Kalabardhasit dërguan djemtë të arsimohen për përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, i kthyen shtëpitë e tyre në shkolla për këtë gjuhë të bukur, hapën ndër të parët në trevën e Dibrës shkollat shqipe, i sollën librat shqip nga të gjitha anët fshehurazi nga hasmi dhe nga bashibozukët e tjerë shqiptarë, dhanë jetën për të mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe. Besoj se e dini, se përveç Hasan Muglicës, ka plotë martirë kalabardhas të gjuhës shqipe si Haziz Lila, Vasil Pleushku etj. Kalabardhasit shkuan edhe në trevat shqiptare tu mësonin të tjerëve gjuhën mëmë, gjuhën shqipe.
Kur shkruan: “5- Golloborda nuk e flet gjuhën e Dibrës”, – përsëri gënjen.
Po, kalabardhasit flasin edhe gjuhën dibrane, e flasin në sjellje e kulturë, e flasin me penë e pushkë, e flasin sa herë ka nevojë atdheu dhe liria e Shqipërisë. Shiko si këndojnë kalabardhasit në gjuhën e Dibrës, kur ushtria bullgare kishte ardhur me pushkë të ndalonte përhapjen e shkollave dhe gjuhës shqipe në Krahinën tonë:
Fatime, motër ku të kam?
Qëndro vëlla, se këtu jam.
Hasmi ne na ka rrethue,
se harfe shqipe kemi kërkue.
Apo nuk është kjo gjuha e Dibrës, z. Teodori?
Edhe kur shkruan: “6- Golloborda ka ritet e veta, zakonet e veta që janë ndryshe nga ato që ka Dibra., – gënjen përsëri.
Sepse, kalabardhasit, kalabërësit kanë njohur e zbatuar Kanunin e Skënderbeut, si mbarë treva e Dibrës. Njohin institucionin e besës e burrërisë dhe i çmojnë si të shenjta. Praktikojnë miqësinë, tolerancën dhe respektin e ndërsjellë. Në Kalabardhë nuk njihet gjakmarrja apo hakmarrja. Ata kanë derdhur gjak vetëm për mbrojtjen e trojeve të veta, lirisë së vatanit. Çdo vendim i kuvendeve të Maleve të Dibrës apo të Maleve Shqiptare historikisht është njohur, respektuar dhe kishte vlerë juridike në Kalabardhë.
Sepse, kalabardhasit gjithnjë kanë mbajtur flamurin shqiptar në shtëpitë e tyre, dhe asnjëherë nuk kanë lejuar të ngrihet ndonjë flamur i huaj. Nëse nuk e di, lexoje historinë e ngritjes së flamurit shqiptar në Ostren nga patrioti Elez Koçi me shokë, në Trebisht nga Hysen Destani, në Steblevë nga Haziz Lila etj. Jastrebovi, antishqiptari, vetë shkruan se kalabardhasve u printe në luftë flamuri shqiptar. Shikoje se çfarë flamuri ngrenë kalabardhasit në dasma dhe bindu për identitetin e kalabardhasve.
Sepse, ritet e zakonet e kalabardhasve janë të trevës dibrane, pavarësisht ndonjë riti që lidhet me kalendarin, ushqimin tradicional, filozofinë e jetesës. Edhe këto janë pasuri e kulturës së trevës dibrane.
Kur shkruan: “7- Veshja e Gollobordës është karakteristike dhe përdoret vetëm nga kjo trevë.“, – ja këput kot fare. Se çdo krahinë etnokulturore ka tiparet e veta në veshje, se nuk janë në një ushtri. Por kjo nuk e përcakton dot identitetin e kalabardhasve.
Po, z. Teodori, këtu ke të drejtë vetëm për veshjet e grave, që në Kalabardhë ka mbi 18 veshje të ndryshme, pothuaj e veçantë për çdo fshat. Por të gjitha me tipare shqiptare, me kolorit kuq e zi. Pasi kalabardhasit kanë qenë përherë të civilizuar, e kanë çmuar femrën dhe bukurinë e saj, e kanë respektuar atë. Kalabardhaset nuk kanë mbajtur kurrë perçe. Ata kanë qenë me kobure në brez e janë burrnesha.
Por besoj se e di, që kostumi popullor i burrave të Kalabardhës është po ai i dibranëve, i cili përbëhet prej: qeleshes së bardhë rrashtake, këmishës së bardhë prej pambuku me mëngë të rrudhura te kyçi i dorës, jeleku ose xhamadani të zbukuruar me gajtanë të zinj, mitani, mbathjet e gjata prej pambuku, tirqit, brezit të leshit të zbukuruar me disa ngjyra, çorape leshi, opinga prej lëkure lope me gjalma etj. Deri në vitin 1912 burrat e Kalabardhës kanë përdorur dollamat dhe fustanella. Apo edhe këto nuk janë dibrane, shqiptare?
E thënë me dy fjalë: Halil, çdo gjë që ke shkruar për Kalabardhën, janë të pavërteta.
* * *
Kur shkruan: “…, zona ishte krejtësisht e pabanueshme, dhe mbahej si vakëf”, – kjo është një shpikje e jotja. Sepse, trualli i Kalabardhës asnjëherë nuk ka qenë i zbrazur, vakëf. Historia ka dëshmuar se ka pasur shpërngulje të popullsisë pas rënies së vendit nën pushtimin osman, të rrënuar nga luftërat dhe qëndresa ndaj këtij pushtuesi, për t’i shpëtuar zhdukjes apo për të ruajtur besimin e tyre kristian, por kurrë nuk e kanë braktisur vendin e tyre. Lëvizje të popullsisë ka pasur në çdo krahinë, siç kanë ardhur edhe të parët e tu. Por asnjëherë popullsia e Kalabardhës nuk ka ikur në viset sllave, por në brendësi të vendit.
Kur thua se “popullsia e kësaj treve që përbën Gollobordën ka jetuar pothuajse gjithë kohën në kurbet” besoj se e ke fjalën vetëm për mjeshtrit e ndërtimit, jo për pleqtë, gratë dhe fëmijët e familjeve të Kalabardhës. Se ndryshe do të quhej një shkarje. Po, mjeshtrit kalabardhës kanë ikur në kurbet, si shumë shqiptarë nga trevat e tjera shqiptare, kanë ndërtuar veprat më madhështore kudo, Sofje, Selanik, Stamboll, Egjipt etj., kanë fituar dhe janë kthyer për te familjet e trojet e tyre dhe nuk kanë mbetur atje. Ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, kanë ndërtuar kalatë për tu mbrojtur nga armiqtë sllavë, kanë ndërtuar Shqipërinë. Dhe gratë kalabardhase kanë qenë burrnesha e kanë mbajtur familjet të shëndetshme dhe kanë rritur e edukuar fëmijët e tyre me ndjenjat më të pastra njerëzore e patriotike.
Mos ki merak, z. Teodori, se askush nuk ka përse të të “njësoj me gollobordasit“ nëse ti nuk ke dëshirë, por edhe shqiptar mund të mos e konsiderosh veten, se helbete atje ku jeton mbase nuk ndihesh mirë. Kjo është thjesht ndjesi personale. Mos u shqetëso për këtë, mjafton që ua the të tjerëve dhe nuk besoj se ka kush interes të të njësoj ti gollobordas, pa dëshirën tënde. Këtë amanet tëndin, “nuk e tret as dheu“. Por ja që unë kam dëshirë të them gjithandej se jam kalabardhas, se vërtet jam i tillë. Dhe këtë amanetin tim, nuk duhet ta tres as dheu.
* * *
Meqë ju, z. Teodori, kërkon mendimin e intelektualëve për shtrirjen e Kalabardhës apo për “zajat“, mendoj se e ke fjalën për ata që kanë formim në fushën e historisë apo të etnologjisë, jo në fushën e bujqësisë, të blegtorisë apo frutikulturës. Se një agronom është specialist mund të flas p.sh. për buburrecat në bujqësi apo për luftën me vemjet në drufrutorët, një veteriner për ndërzimin artificial te bagëtitë etj. Por jo për identitetin e popullsisë, për përkatësinë kombëtare, për gjuhën, kulturën, për betejat e Skënderbeut në krahinën e Kalabardhës.
Edhe unë, për formimin dhe përvojën time, por edhe si bir i Kalabardhës, që kam lindur, rritur dhe jetuar në këtë truall, të bekuar, që kam dëgjuar mirë të thënat e tyre për identitetin tonë, që kam dëgjuar me mijëra grimca historike nga të parët tanë, nga të moshuar të zonës apo Krahinës, që kam hulumtuar në arkiva, që kam shfletuar qindra apo mijëra libra në fushën e historisë, që e kam shkelur çdo pëllëmbë të truallit të Kalabardhës, që kam pirë ujin e krojeve të saj, mund të jap mendimin tim për historinë e krahinës së Kalabardhës, për trashëgiminë historike të kalabardhasve apo për betejat e Skënderbeut, i vendosur vetëm të them të vërtetën historike. Por nuk mund të flas për prashitjen e ujitjen e misrit apo për luftën e karkalecave në bujqësi apo për racën e zgjedhur të dhisë në Krahinën tonë.
Unë nuk jam “intelektual“ i “Grykës së Zajeve“ dhe nëse më lejon të “prononcohem“ lidhur me “rivlerësimin njohës të kësaj përkatësie gjeografike dhe historike“, kujtoj se nuk ka emërtim “Gryka e Zajeve”, por gryka e zallit të Okshtunit apo të Borovës. Por për të parë se ku shtrihen “Gryka e Zajeve“, Borova, Zabzuni, Sebishti, Muglica, Okshtuni i Madh, Prodani, Shullani, Plepa, Oreshnja, Tërnova, Tërnova e Vogël, Smollniku apo Lubaleshi, ju kujtoj intelektualëve të “Grykës së Zajeve“ të shfletojnë vetëm Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Tiranë, 1985, f. 313, në të cilin shkruhet: “Shtrihet gati tërësisht në pellgun ujëmbledhës të përroit të Okshtunit. Kufizohet nga mali i Mirakës (1751 m) dhe i Lunikut 91628 m) në J, mali i Raduçit (2083 m) dhe maja e Zezë (2259 m) në L, mali i Kaptinës (1871 m) dhe pjesa L e malit të Lopës (2020 m) P, kurse në V hapet në pellgun e Dibrës. … Qendrat kryesore të banimit janë: Klenja, Stebleva, Okshtuni, Ostreni, Tërnova, Çereneci, Zabzuni. … “ Këtu mund të shikosh se ç›lidhje kanë Kalabardha dhe “Gryka e Zajeve“. Këtu mund të shikosh se ishin apo jo Hasan Muglica, Qemal Stafa, Sabri Caka dhe Mentor Muglica kalabardhas (gollobordas) apo jo. Ju e dini besoj mirë shumë, se çfarë veprimtarie të shquar bëri Hasan Muglica për Kalabardhën (Gollobordën) dhe nëse do kishte mundësi do të çirrej nga varri për dëshminë tënde, sa të dëgjohej deri në New York e Washington. Por besoj se edhe gjyshi e stërgjyshi yt, do të çuditej me dëshminë tënde. Kur edhe Mustafa Qemali – Ataturku thotë se jam shqiptar, jam nga Kalabardha, besoj se edhe Hasan Muglica dhe Qemal Stafa do thonin të njëjtën gjë.
Për shtrirjen gjeografike e krahinës së Kalabardhës, nuk dua të përmend as dokumentimin e saj për herë të parë në defterin osman të vitit 1467, me 51 fshatrat e saj, (në të cilin futej e dhe Bulqiza, jo më Zerqani e Smollniku), as përcaktimin e historianëve më të shquar si Milan Shuflai etj., por për mendimin tim, Kalabardha shtrihet në hapësirën gjeografike: në veri deri në kryqëzimin e lumit Drin i Zi me zallin e Bulqizës, përfshi fushën e Gjoricës; si kufi lindor shërben lumi Drini i Zi, i cili e ndanë atë nga malësia e Kërçovës; në juglindje shtrihet deri në pellgun e Liqenit të Ohrit (i Sulmidit), në jug shtrihet deri në luginën e përroit të Llangës; në perëndim arrin deri tek shpatet e malit të Kaptinës.
* * *
Kur thua: “Zona jonë ka nxjerrë heronj dhe figura të shquara, personalitete të rëndësishme të kulturës dhe dijes, guximit dhe vendosmërisë, traditës dhe atdhedashurisë. Kjo kolonë e gjatë dishepujsh të vlerave dhe krenarisë, i kanë shërbyer vendit, … “ nuk besoj se e ke fjalën për Kalabardhën. Se ajo ka nxjerr vërtetë heronj, vetëm të punës ka njëmbëdhjetë. Të gjithë i kanë shërbyer vendit, Dibrës, Shqipërisë. Po ti duhet të thuash për cilën zonë e ke fjalën?
* * *
E vërteta historike, identiteti i kalabardhasve është kjo që themi ne, vetë kalabardhasit, trashëgimtarët e të parëve tanë, jo pushtuesit sllavë dhe ata që kakarisin pas tyre.
Për konkretizim, po u tregoj ti dhe çdo intelektuali tjetër origjinën e fiseve të fshatit tim: Lladimericës, një fshat pothuaj në qendër të Kalabardhës, të cilin M. S. Filipovic e quan fshat serb. Një absurditet kozmik. Në fshatin tim banojnë dhjetë fise: Adilaj, Balaj, Dauti, Hoxha, Halilaj, Lika, Manaj, Sahitaj, Shahinaj, Shazimani. Ne e njohim mirë origjinën tonë të paktën prej gjashtë brezash. Fisi Adilaj ka ardhur nga Muhuri i Dibrës, rreth 200 vite më parë, i shquar për trimëri; fisi Dauti ka ardhur nga fisi Hoti i Lurës, rreth 250 vite më parë, i shquar për patriotizëm dhe trimëri; fiset Balaj dhe Hoxha janë degë e fisit Dauti; fiset Lika e Sahitaj kanë origjinën nga Okshtuni, të ardhur rreth 220-230 vite më parë, të shquar për patriotizëm dhe trimëri; fisi Manaj është degë e fisit Sahitaj; fiset Halilaj, Shazimani e Shahinaj janë autoktonë, vendas, shqiptarë të kulluar. Burrat e Lladimericës e përzunë nga fshati me hu edhe atë, që në 1991 guxoi të bëj shaka, se jemi maqedonas. Pra, ne jemi 100 % shqiptarë dhe ndjehemi të tillë në shpirt e në kulturë. Nëse dikush shkruan të kundërtën ne do ta marrim se do që të bëj shaka, por nëse e thotë seriozisht, i themi të shkoj te psikologu e të marrë aspirina, se nuk është në rregull nga mentë e kokës. Provoje edhe ju dhe shkoni në Lladimericë, dhe do shikosh vetë përgjigjen e bashkëfshatarëve të mi fisnik e atdhetarë.
* * *
Për sa më lartë, ne, kalabardhasit, jemi me kokën lartë. Askush nuk ka shanse të na nëpërkëmbë, të na fyej apo poshtërojë. Jo ti, por as Zeusi. Se ne, kalabardhasit, jemi lisa qindra shekullor me rrënjët thellë në tokën tonë amtare iliro-arbërore. Kemi qenë e jemi në gjendje të mbrojmë nderin e dinjitetin tonë. Jemi të punës, të penës dhe të pushkës. Në Kalabardha ka burrra, që i kanë dalë dhe i dalin zot vendit dhe vetes. Nëse nuk i besoni, mund t´i provoni.
U përpoqa si “intelektual“ i Kalabardhës t’u “përcjellë brezave nën dritën e fakteve dhe të vërtetave historike, ato elementë, ata faktorë përcaktues, të cilët janë jo vetëm bartës të së kaluarës, por edhe dëshmues të saj”, siç shkruani ju. Se e konsideroj të drejtë kur shkruan: “është një përpjekje është një angazhim, është kjo detyrë, ajo e cila na nxit të jemi ne ata që do të shkruajmë ato faqe të historisë që trualli na i ka besuar ne. Sepse vetëm ne mund ta matim dhimbjen e kësaj toke, ta dëgjojmë kushtrimin e këtyre maleve, t’u bindemi këshillave të etërve flokëbardhë, ta lehtësojmë dhimbjen e kësaj plage.“
Shkruajta “në emër të mirënjohjes, në emër të thirrjes së gjakut, në emër të plisit, në emër të dinjitetit të vendlindjes“ time, Kalabardhës, të atdheut tim, Shqipërisë, të kombit tim shqiptar.
Kadri Dauti, studiues historie