31 fruta dhe perime


Nga Hajredin Toca*

Brezi im kishte ëndërr të mbaronte një shkollë të lartë, por, të shkoje në universitet për Agronomi, nuk pëlqehej. Edhe unë gëzoja se do të mbaroja shkollën e lartë, por jo për profesionin e agronomit. Pasi mbarova studimet, e kam thënë dhe e them përsëri, isha me fat që kisha studiuar në degën e duhur, me dije të gjithanshme për tokën e për bimët, për kiminë e agrokiminë, për biologjinë e për gjenetikën, etj. Pra, kisha studiuar në një fakultet enciklopedik dhe mora një profesion të denjë. Punova disa vite në profesionin tim me përkushtim e dëshirë, por studimet i thellova në fushën e mbrojtjes së bimëve, si dhe në pasionin tim në fushën e gjenetikës dhe të biologjisë molekulare. Dëshira për t’i përcjellë njohuritë u plotësua duke dhënë mësim si pedagog i “Biologjisë Molekulare”, si dhe pjesëmarrja në disa emisione televizive.
Për shumë vite mblodha studimet që janë bërë ndër dekada për frutat dhe perimet dhe zgjodha tridhjetë e një prej tyre, të cilat po i sjell në një libër, më thjeshtë dhe më të kuptueshme për këdo. Duke e lexuar do të përditësoni njohuritë tuaja rreth frutave dhe perimeve që ju nevojiten për shëndetin tuaj. Ky është një libër referimi, i cili nuk është krijuar për t’u lexuar nga faqja e parë në të fundit. Ju mund të filloni duke lexuar atë që është më interesante për ju.
Libri është i organizuar në pjesë për secilin frut dhe perime. Në pjesën e parë kam vendosur përbërësit më kryesorë: vitaminat, kripërat minerale, proteinat, yndyrnat etj., shkurt si emërtime, por të renditura në formën e një piramide të përmbysur, që shpreh peshën që zënë në përbërjen e frutave dhe perimeve.
Në vazhdim do të gjeni vlerësime të Indeksit të Glicemisë (IG), duke sjellë për herë të parë këtë tregues për perimet. Prandaj në këtë libër do të gjeni IG për çdo frut dhe perime sipas shkallëve të vlerësimit. Indeksi i glicemisë është një parametër që ka marrë mjaft rëndësi, veçanërisht për të prekurit nga diabeti. IG mat aftësinë e një ushqimi për të rritur nivelin e sheqerit në gjak pas një vakti ushqyerje.
Kush dëshiron të llogarisë përfitimet për 100 gr të sasisë së ngrënshme, i gjen në tabelat në fund të librit.
Në pjesën e dytë do të gjeni se si ndikojnë frutat dhe perimet në shëndetin e njeriut, efektet në organizëm me të dhënat shkencore më të fundit, ku çdo lexues, duke njohur gjendjen e tij shëndetësore, vendos te cili do të përqendrohet. Ne jemi duke e parë veten në përjetimin e një krize të rëndë shëndetësore, pasi fokusi i të ngrënit ka kaluar nga ushqimi, te argëtimi dhe komoditeti. Modelet e të ngrënit me shumë pak fruta, perime, arra, fara, janë shkaku kryesor i rënies së shëndetit dhe shtimit të vdekjeve. Vrasësit kryesorë si sëmundjet e zemrës, alzheimeri, diabeti, kanceri etj., janë të lidhura me të ushqyerit tonë. Kur lexon këtë pjesë të përfitimeve, sheh anën e ndritshme të kësaj gjendjeje depresive që na jep shpresë se sëmundjet mund të parandalohen.
Në pjesën e tretë kam sjellë për herë të parë dy pjesët: “Si t’i zgjedhim” dhe “Si t’i ruajmë” frutat e perimet. Deri më sot është folur e shkruar për ruajtjen e frutave dhe perimeve pas vjeljes në qendrat e grumbullimit. Në kushtet e ekonomisë së tregut, ku numri i prodhuesve është i madh dhe me prodhime të larmishme, ka të mirën se shkon prodhimi më i freskët te konsumatori, por dhe shtron nevojën për të ditur si të zgjidhen, që të marrim përfitimet maksimale, por dhe si të ruhen në kushtet e shtëpisë për të ruajtur vlerat ushqyese. Për këtë arsye kam pasur parasysh që shpjegimin teorik të dukurive që shoqërojnë frutat dhe perimet ta bëj sa më të thjeshtë, për t’u kuptuar e asimiluar nga të gjithë.
Me dëshirën për këshilla të veçanta cek ndonjë rekomandim se si të përdoren frutat dhe perimet në ushqimet që përgatiten.
Ju jeni ata që mund të bëni një ndryshim të vërtetë në shëndetin tuaj. Kjo lidhet me rritjen e marrjes së ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese, që promovojnë shëndetin, veçanërisht frutat dhe perimet me shije të mirë dhe ushqime të pasura me omega-3. Individi duhet ta konsiderojë ushqimin si një pjesë të rëndësishme të veprimeve të tij për mbrojtjen e shëndetit.
Informacionet në këtë libër bazohen mbi burimet e fundit studimore, janë aktuale, të sakta, të besueshme dhe të paanshme dhe do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës tuaj!
* Doktor i Shkencave

Ky botim është një orientim për të gjithë që duan të përfitojnë nga një ushqyerja e shëndetshme të frutave dhe perimeve.

Libri është i organizuar në pjesë për secilin frut dhe perime.
Në pjesën e parë janë vendosur përbërësit më kryesorë: vitaminat, kripërat minerale, proteinat, yndyrnat etj., shkurt si emërtime, por të renditura në formën e një piramide të përmbysur, që shpreh peshën që zënë në përbërjen e frutave dhe perimeve.

Në pjesën e dytë do të gjeni se si ndikojnë frutat dhe perimet në shëndetin e njeriut, efektet në organizëm me të dhënat shkencore më të fundit, ku çdo lexues, duke njohur gjendjen e tij shëndetësore, vendos te cili do të përqendrohet.

Në pjesën e tretë janë dhënë për herë të parë dy pjesët: “Si t’i zgjedhim” dhe “Si t’i ruajmë” frutat e perimet”.

Në libër do të gjeni vlerësime të Indeksit të Glicemisë (IG), duke sjellë për herë të parë këtë tregues për perimet. IG jepet për çdo frut dhe perime sipas shkallëve të vlerësimit.

Kush dëshiron të llogarisë përfitimet për 100 gr të sasisë së ngrënshme,
i gjen në tabelat në fund të librit.

Informacionet në këtë libër bazohen mbi burimet e fundit studimore, janë aktuale, të sakta, të besueshme dhe të paanshme dhe do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës tuaj!

Rreth autorit

Hajredin Toca ka studiuar në Institutin e Lartë Bujqësor Korçë, në degën Agronomi e përgjithshme. Që nga viti 1993 është i angazhuar si specialist në fushën e bujqësisë e të ushqimit, si dhe në mbrojtje të konsumatorit pranë shoqatës “Konsumatori Shqiptar”. Ka thelluar studimet në fushën e mbrojtjes së bimëve, si dhe në pasionin e tij në fushën e gjenetikës dhe të biologjisë molekulare.
Në vitin 2009-2011 kreu masterin shkencor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe në vitin 2017 mori titullin “Doktor” në fushën e Mbrojtjes së Bimëve.
Në vitet 2010-2018 ka qenë pedagog i “Biologjisë molekulare” pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Universiteti i Mjekësisë Tiranë, anëtar i bordit drejtues pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit (2014-2020), anëtar i bordit të akreditimit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave (2014).
Që nga viti 2012 është i angazhuar në media, me artikuj profesionalë në gazetën “Rruga e Arbërit”, si dhe ka marrë pjesë në qindra emisione televizive në “TV Klan”, “Top Channel”, “Vizion Plus”, “Report TV”, ku ka folur për vlerat e frutave dhe perimeve.