Bujar Karoshi
Po turren “socialistët” e facebook-ut të shajnë dibranët që nuk i dhanë mandatin e tretë PS, për shkak se Edi Rama po ndërton Rrugën e Arbrit.
Merreni më avash! Mos nxitoni të bëni me faj popullin se pse orekset tuaja nuk kanë të sosur. Se, p.sh., nuk e kemi parë të njëjtin zell për sharje, për elbasanllinjtë, korçarët, librazhdasit, pogradecarët etj., që nuk ia dhanë një mandat Sali Berishës në vitin 2013, kur e mbaroi Tunelin e Krrabës…
Me premtimin për rrugën e Arbrit dibranët i dhanë mandat PS dhe aleatëve të saj në vitin 2013 dhe 2017. Një mbështetje të madhe i dhanë edhe në zgjedhjet vendore të 2015, madje një mbështetje të fuqishme i dhanë edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2016. Megjithëse pas asaj që ndodhi nuk meritonin asnjë votë, ata jo vetëm që i dhanë votat, por vodhën aq shumë për PS, sa dolën te gazeta gjermane “Bild” dhe prodhuan të famshmen dosje “184”, e cila është aq e madhe sa edhe gjykata do ta ketë të vështirë ta ftillojë…
Fushata me premtimet për rrugën e Arbrit është një fushatë e vështirë. Pas gati 30 vite pritje, nuk ngjit më si më parë, nuk mbledh më vota për partitë. Aq më keq kur, ata socialistë që bëjnë fushatë me të, e kanë mësuar emrin prej Edi Ramës. Sepse, më parë thoshin se “kurrë nuk bëhet, janë mashtrime të Saliut”.
Rruga e Arbrit është jetë: ka ëndrra, shpresa, dhimbje, dashuri, zhgënjime, lot, gëzim, dështime, besim, punë, përkushtim, bashkim, guxim… Një pjesë e atyre që kërkojnë vota me rrugën e Arbrit mbajnë intrigën gjithmonë me vete, ndaj nuk ka vend për emocione të tjera e ndaj nuk ngjit si premtim elektoral në fjalimet e tyre.
Rruga e Arbrit edhe pak muaj dhe do të jetë funksionale. Dhe ne qoftë se kjo ka lidhje me votat – dibranë e matjanë ka edhe në Tiranë e Durrës.
Po të ishte rruga vetëm dhe thjesht për dibranët do të ishte shumë pak. Ajo vlen se është për të gjithë shqiptarët dhe më shumë se aq!
Bujar Karoshi