Nga Tofik Jegeni
“Faik Shatku, sëbashku me figurat dhe personalitetet e tjera juridike të kohës, do të mbahen mend si juristët e parë të cilin njihnin më së miri praktikën juridike të së drejtës së krahasuar dhe legjislacionet evropiane të kohës”
Presidenti Ilir Meta nderoi z. Faik Shatku – Dibra me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Dalip Rusin dhe Ali Pustinën me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”; Ibrahim Jegenin me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”; si dhe Hasan Bakiun dhe Gëzim Ostreni me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.
Në kuadër të Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, shoqata “Bashkësia Dibrane”, në bashkëpunim me Radio Televizionin Publik Shqiptar, promovoi me ditën e mërkurë me datë 23 nëntor 2021, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, dokumentarin premierë historiko-biografik, kushtuar disa personaliteteve të periudhës së Republikës dhe Mbretërisë Shqiptare, me skenar dhe regji nga gazetari Genc Ymeraj, me titull: “Historia Shatku”.
Të pranishëm në aktivitet ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e Tij, z. Ilir Meta.
“Është shumë e rëndësishme ruajtja dhe promovimi i vlerave dhe kontributeve atdhetare dhe patriotike të qarkut të Dibrës si një ndër krahinat me kontribute të jashtëzakonshme në ruajten e integritetit, sovranitetit por edhe të shtetformimit të Shqipërisë. Padyshim familja Shatku dhe përfaqësuesit e saj ashtu si dhe shumë familje të tjera të shquara dibrane kanë një kontribut të rëndësishëm në të gjithë këtë histori”, tha Presidenti i Republikës në përshëndetjen e tij.
Më pas Presidenti Meta dekoroi, me dekorata dhe tituj, disa personalitete dhe figura patriotike.
Faik Shatku u dekorua pas vdekjes me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të dalluar për shtetin Shqiptar, në plejadën e pare të fillimit të shekullit XX. Në një serë detyrash, si përfaqësues i Këshillit të Shtetit, në jetën Parlamentare, në çështjet e arsimit kombëtar, si dhe pjesëtar në komisionet për hartimin e korpusit juridik funksional i cili mban gjallë edhe sot, vlerat e traditës juridike Shqiptare.”
Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” u dekorua Dalip Rusi (pas vdekjes), me motivacionin: “Në vlersim të kontributit shumë të çmuar dhe patriotik, si pjesë dhe organizator i Kuvendit të Pejës dhe Kryengritjeve patritike të Dibrës dhe trevave të saj, për liri dhe deri në shpalljen e pavarsisë kombëtare.”
Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” u dekorua pas vdekjes edhe Ali Pustina, me motivacionin: “Në vlerësim për rolin dhe kontributin e tij si organizator dhe pjesëmarrës i kryengritjeve antiosmane e antiserbe gjatë shekullit XX, në Dibër dhe trevat e saj. Përfaqësues i grupit që përkrahu lëvizjen kombëtare për liri e pavarësi. Anëtar i Klubit patriotik “Bashkimi Dibran”;
Me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” u nderua Ibrahim Jegeni (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij, si pjesëmarrës dhe organizator i shumë aktiviteteve patriotike dhe kombëtare, pjesë e klubit “Bashkimi Dibran”, lëvizje e cila ndikoi në gjallërimin e ndjenjës dhe vetëdijes kombëtare.”
“Për Merita të Veçanta Civile” u nderua Hasan Bakiu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në përpjeke për zgjimin kombëtar përmes librit dhe dijes, si dhe një ndër personalitetet e njohura, i cili hapi dhe librarianë e parë në Tiranë. Anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”
Një vlerësim nga Presidenti i Republikës ishte edhe për z. Gëzim Ostreni, i cili u nderua “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në vlerësim pë kontributin e tij tepër të spikatur dhe të vyer, si drejtues i mjaft veprimtarive dhe studimeve shkencore ne fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare dhe si pedagog i shkencave strategjike. Hartues i disa traktateve shkencore mbi genocidin serb dhe maqedonas, tek Shqiptarët e trevave Shqiptare, e në veçanti në Dibër të Madhe.”
Të pranishëm të tjerë në aktivitet ishin, Ministri i Drejtësisë, i Republikës së Shqipërisë, z. Ulsi Manja, i cili foli mbi figurën dhe personalitetin e ish-Ministrit të Drejtësisë së periudhës së Mbretërisë Shqiptare, Faik Shatku.
“Nuk është e rastit që sot jemi mbledhur në këtë aktivitet jubilar, mbi promovimin e dokumentarit dhe librit, kushtuar disa personaliteteve të familjes Shatku, ku unë do të spikasja figurën dhe personalitetit e një prej plejadës së juristëve të parë, të cilët studiuan jashtë atdheut, e pas diplomimin u rikthyen në Shqipëri, të japin kontributin e tyre, në shtetin e porsa ngritur Shqiptar. Një ndër to ishte dhe Faik Shatku i njohur disa here në shkresat zyrtare e dokumentet e kohës dhe si Faik Dibra”, tha në fjalën e tij Ulsi Manja, Ministri i Drejtësisë.
“Faik Shatku, sëbashku me figurat dhe personalitetet e tjera juridike të kohës si: vëllezërit Ivanaj, Milto Tutulani, Agjah Libohova, Dhimitër Berati, Mehdi Frashëri, si dhe Thoma Orollogaj, do të mbahen mend si juristët e parë të cilin njihnin më së miri praktikën juridike të së drejtës së krahasuar dhe legjislacionet evropiane të kohës. Ishte ky hapi më i rëndësishëm që ato hodhën me kalimin nga sistemi otoman i jurisprudencës në sistemin romano-gjermanik, ku sundoi fryma perëndimore e kuadrit ligjor, e cila vlerësohet dhe sot nga kritikët ligjor dhe juristët e dalluar”.
Duke folur për Faik Shatkun, Manja tha se “si jurist i njohur, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, sekretar i përgjithshëm, e më pas ministër i Drejtësisë, Faik Shatku u mor gjerësisht me përthithjen e legjislacionit modern europian dhe përafrimin e sistemit gjyqësor shqiptar me ato të tipit francez, italian dhe gjerman”.
“Rol të rëndësishëm në zhvillimin e drejtësisë penale shqiptare kanë luajtur dhe lidhja e një sërë marrëveshjesh e konventash kundër kriminalitetit, ekstradimit, dhe përmirësimit të sistemit penitenciar në Shqipëri, në atë kohë. Ndërsa përsa i përket parandalimit të kriminalitetit në shoqërinë e kohës, i përmbahej formulës shërim dhe parandalim, si dhe drejtësi restauruese.”
Manja përmendi edhe personalitete të tjerë dibranë të kohës, të cilët patën ndikim në jetën politike të kohës.
“Duhet vlerësuar edhe kontributi i ligjvënësve dibranë në jetën parlamentare, e senatorëve të viteve 1920-1940 me figura dhe personalitete të spikatura të jetës politike të vendit si: Jashar Erebara, Fiqiri Rusi, Abdurahman Dibra, Hafiz Xhemali, Qamil Pepa, Ymer Strazimiri, Faik dhe Izet Shatku Dibra etj.”
Manja ftoi familjarët e figurave dhe personaliteteve të shquara të jurispundencës shqiptare, që vitin pasardhës, në kuadër të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe fillesave të shtetit Shqiptar, të pasqyrojnë në hollin e muzeut të Ministrisë së Drejtësisë më shume me materiale dhe dokumente arkivorë e historikë.
Në prezantimin e dokumentarit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të familjes Rusi, me titullarin e kësaj familje, i cili kishte ardhur enkas nga Amerika për këtë event, Turan Rusi, përfaqësues nga familjet Pustina, Jegeni, Bakiu, Fagu etj.
Folën gjithashtu, Akademik prof. dr. Beqir Meta si dhe historiania e njohur, prof. dr. Nevila Nika.
Shoqata “Bashkësia Dibrane”, vlerësoi në fund të aktivitetit me “Mirënjohje” gazetarin dhe skenaristin e RTSh, z. Genc Ymeraj, për dokumentarin, si dhe për frymën e mesazhit kombëtar, shoqëror dhe historik.