Lura po vendoset në vendin që i takon në historinë dhe kulturën shqiptare


Nga prof. dr. Adem Bunguri

Sot është një ditë e veçantë për Lurën, hyjneshën tonë të bekuar nga Zoti dhe të nderuar nga Presidenti I Republikës me titullin e lartë “Nder i Kombit”. Lura për të cilën at Gjergj Fishta shkruante se “kush nuk ka pa Lurën nuk njeh Shqipërinë”, Lura që me bukuritë e saj natyrore, tërhoqi vëmendjen e Ms. Edith Durham, që e cilëson atë si “një fushë e bukur, që kurrë nuk kishte parë në asnjë vend të Ballkanit”. Është Lura e dom Nikoll Kaçorrit, N/Kryetar i Qeverisë së pare shqiptare të Ismail Qemalit, Lura e luftës së Qafë Gëlqeres (Lan-Lurë), e 100 viteve më parë, kur bashkë me luftëtarët dibranë të Çidhnës, Reç e Dardhës dhe Ujë-Mujës thyen forcat serbo-jugosllave dhe ndaluan daljen e tyre në Adriatik. Bajraku i Lurës është i njohur në historinë e Shqipërisë për trimërinë, qëndresën, bujarinë si edhe për modelin e përkryer dhe të rrallë të tolerancës fetare.
Lura të befason dhe të mrekullon me bukuritë magjepse të natyrës së saj, me pishat qiellgërvishtëse dhe liqenet e magjishëm.
Lura ruan një trashëgimi të pasur arkeologjike, historike, kulturore dhe shpirtërore dhe ka patur një rëndësi të veçantë gjeo-strategjike në të gjitha periudhat historike. Të dhënat arkeologjike mbi Lurën, kanë dëshmuar banimin e kësaj zone në periudha të rëndësishme prehistorike dhe historike, duke filluar që nga Bronzit i Vonë, shek. XII-IX para Kr.
Prof. Eqrem Çabej duke u marrë me etimologjinë e fjalës “Lurë”, mendon se ky emër është një toponim i formuar me lëndë vendi, vjetërsia e të cilit shkon deri në shek. VI pas Kr.
Prof. K. Frashëri beson se emri “Lurë” përfaqëson emrin e dikurshëm antik të së ashtuquajturës “Iliria e shkretuar” dhe mendon se rrjedh nga emri i fortesës së shek. VI pas Kr. “Illyrin”, e rindërtuar nga Justiniani në Epirin e Ri.
Gjatë periudhës së vonë antike, në Lurë ndërtohet nga Bizanti kalaja e Tytyrës, që ruan emrin e saj siç përmendet nga burimet (Tythyra-Prokopi Cezaresë). Që nga periudha antike, Lura ka shërbyer si një rrugëkalim i rëndësishëm strategjik për lidhjet Dibrës me Mirditën dhe pellgun Lezhë-Shkodër.
Në periudhën mesjetare, Lura ishte një prapavijë e sigurtë e Skënderbeut, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të luftës së tij epokale. Gjetja e zgjyrës së hekurit në qytetin e Livadhit të Xharrit, hedh dritë mbi ekzistencën e metalurgjisë lokale dhe punimit të metaleve dhe konfirmon legjendën, sipas të cilës “në Lurë farkëtoheshin armët e ushtrisë së Skënderbeut”. Ndërkaq, “Fusha e Pelave” në rolin e një grand hipodromi, konfirmon stërvitjen aty të kalorësisë së ushtrisë së Skënderbeut.
Lura dhe njerezit e saj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha epokat historike të Shqipërisë. Është Lura e “300 duvakëve”, është Lura e dom Nikoll Kaçorrit dhe rolit të tij në shpalljen e pavarësisë, është Lura e Ibrahim Gjoçit dhe Hakik Menës, është Lura e trimërisë dhe e Gjok Doçit.
Lura në këto 30 vite ka qenë pothuajse e braktisur. Por tani ka një lëvizje për ta rikthyer nderin dhe dinjitetin e saj në vendin që i takon. Ka një përpjekje të të rinjve për ta pyllëzuar dhe një lëvizje për ta gjallëruar ekonominë dhe turizmin në këto treva.
“Nderi i Kombit” vjen per Lurën në një moment të rëndësishëm kthese, dhe na kujton e detyron të gjithëve të punojmë më shumë për Lurën, për ta rikthyer atë në vendin që i takon në historinë dhe kulturën shqiptare, për ta bërë atë një “Zvicër” të vogël brenda Shqipërisë.

* Fjalë e mbajtur më 16 nëntor 2021, në ceremoninë e dekorimit të krahinës së Lurës
me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Titulli është i redaksisë.