BISEDË ME INTELEKTUALIN DIBRAN PROF. ASOC. DR. VESEL HOXHA
Skavica me një digë të madhe, ka për të dal në rendin e ditës për tu ndërtuar nga qeveritë Shqiptare, në bashkëpunim me firma të huaja apo vendase, ndaj e mendoja variantin me disa diga të vogla (dy ose tre), si kundërvënie të studimeve “efiçente”, që ngulmojnë në ndërtimin e një dige të vetme e të madhe, që për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”.
Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet.
Një dige të vetme e madhe, për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të.
Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.
I nderuar z. Ashiku, duke ju falënderuar për rolin që po luani si një katalizator për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e popullatës, në atë që besoni dhe mendoni se është më e mira për Dibrën dhe dibranët, në lidhje me H/C-in në fjalë…vlerësoj angazhimin tuaj fisnik, si dhe të prof. Bungurit e shumë të tjerëve.
Përshëndetje Vesel!
Unë në vitin 1989 kam bërë një shkrim për mineralet jo metalorë të Dibrës, shkrim ku ministri i atëhershëm i ndërtimit u detyrua të dalë në TVSH me një pllakë mermeri në dorë e të flasë.
Do të desha që si specialist të më përshkruaje se cilët minerale jo metalorë dhe metalorë mbyten në luginën e Drinit dhe e humbin mundësinë të zgjohen ndonjëherë.
Faleminderit!
* * *
Përshëndetje i respektuar z. Abdurahim Ashiku!
Së pari, ndjesë për vonesën.
Sa më kërkuat, po ju përgjigjem më poshtë:
Siç edhe mund ta dini, unë jam në përfundim të librit tim shkencor, “Gjeologjia dhe Mineralet e Dibrës”, ku brenda librit ka dhe një kapitull të gjatë për “Rrezikun Gjeologjik të Dibrës”, rrezik i cili lidhet, edhe me problematikën e ndërtimit të kësaj vepre, që është bërë këto kohë tema e ditës për dibranët.
Ju e dini tashmë se unë jam shprehur publikisht në shtyp rreth ndërtimit ose jo të H/C të Skavicës, të cilin ne e quajmë H/C i Tejdrines, për një arsye të thjeshtë. Vendi ku ne propozonim digën nuk ndodhet aty ku janë bërë studime gati 50 vjeçare në kohën e monizmit, pra në Skavicë, por 2 km më poshtë sipas rrjedhjes së lumit, në Tejdrine, aty ku Përroi i Tushes takohet me lumin e Drinit të Zi, dhe jo me digë që sjellë kuotë përmbytëse 443 m mbi nivelin e detit, por me digë që sjellë një liqen, pasqyra e të cilit do ishte 367 m mbi nivelin e detit. Kjo për shumë arsye, pasi diga në Skavicë duhet të ndërtohet në formacione karbonatike dhe rreshpore të cilat, sipas nesh, kanë probleme jo të vogla tektonike dhe të Karstit, si përcaktuese të sigurisë së digës. Për këtë digë të vogël, që nuk do përmbyste as Fushë Alien, kemi bërë një studim bashkë me një koleg timin, profesor i shquar i Gjeologjisë Shqiptare, në lidhje me sigurinë tektonike të pellgut ujëmbajtës të rajonit të rezervuarit dhe të digës së Tejdrines (Skavicës).
Studimi është kryer me kërkesën e një firme të huaj, e cila na kërkoj sigurinë e pellgut ujëmbajtës të liqenit të ardhshëm me kuotë më të lartë së 367 m të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, apo të “Hurdhës së Skavicës” siç Ju e keni emërtuar, konkretisht për kuotën 380 m mbi nivelin e detit, gjë që ne nuk e pranuam, dhe këtu u ndërprenë marrëdhëniet me firmën në fjalë.
Unë jam i ndërgjegjshëm se edhe për kuotën 367 m (digë me 67 m lartësi) kemi patur mjaft kundërshtarë, duke filluar me ju z. Ashiku, vëllain tim Munir Hoxha, profesorin e mirënjohur Adem Bunguri dhe, sa e sa të tjerë. Këto kundërshtime i kam konsideruar normale dhe si një debat frutdhënës në dobi të gjetjes së më të mirës dhe, më të dobishmes. Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet.
Midis të tjerave, unë kam shkruar se herët apo vonë, Skavica me një digë të madhe, ka për të dal në rendin e ditës për tu ndërtuar nga qeveritë Shqiptare, në bashkëpunim me firma të huaja apo vendase, ndaj e mendoja variantin me disa diga të vogla (dy ose tre), për të cilat ju jeni në dijeni, si kundërvënie të studimeve “efiçente”, që ngulmojnë në ndërtimin e një dige të vetme e të madhe, që për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të.
A ka specialist që e garantojnë një digë me kuotë mbi 367 m? Këtë nuk e di, por di se gjatë 50 viteve janë bërë shumë studime komplekse gjeologjike për Skavicën, si shtetërore ashtu dhe nga kompani private vendase dhe të huaja. Në mendje të ndryshme, ka mendime të ndryshme rreth problemeve të mprehta të trajtimit gjeologo-tektonik të rajonit në fjalë, i cili kërkon studime mjaft të detajuara dhe me mjaft përgjegjësi. Unë mendoj se e njoh gjeologjinë e rajonit në fjalë, ndaj jam habitur shumë, kur e kam dëgjuar kuotën 443 m mbi nivelin e detit (kuptohet të pasqyrës së liqenit të ardhshëm), tek ligjëronte aso kohe drejtori Bened Beci, me një gëzim që i lexohej në fytyrë, pa folur këtu për shokimin që pësova kur kam dëgjuar në një studio televizive, disa vite më parë, për kuotën 485 m, nga goja e një specialisti të moshuar me emrin Luigj Pjetri, i cili fliste me pasion aq të madh, a thua se H/C-i do të ndërtohej në trojet e veta dhe do të përmbyste vetëm tokat e veta! Dua të theksoj kushtin që vendosëm për kuotën që ne propozuam. Nëse nuk janë dakord banorët e pellgut që përmbyten të mos ndërtohet hidrocentrali, plus të kërkohej edhe dakordësia e banorëve në buzë të liqenit të ardhshëm, të cilëve do ju ndryshoj mënyra e jetesës nga ndryshimet e gjithanshme që shkakton vepra në fjalë, edhe nëse studimet mjedisore do ti jepnin dritën jeshile. Dua të nënvizoj faktin që sot në botë digat e larta nuk janë të rekomandueshme.
***
Tani të futemi në temë. Gjeologjia është një shkencë dinamike. Gjërat nuk mund të thuhen një herë e përgjithmonë. Pellgu i kuotës 443 m, nuk përmban pasuri minerale metalore të zbuluara, por nuk përjashtohet se studimet në të ardhmen do të zbulojnë gjëra që sot na duken si të pa mundura. Në nivelin e sotëm të njohjes në pellgun që synohet të përmbytet me ndërtimin e digës 143 m të lartë, duke e konsideruar kuotën e lumit në vendin e ndërtimit rrotull shifrës 300 m mbi nivelin e detit, dhe pasqyrën e liqenit të ardhshëm 443 m, mund të flitet për shenja të dokumentuara të mineralizimeve të Vanadit në formimet e vjetra paleozoike të cilat përhapen gjerësisht në rajonin që po flasim. Po ashtu nuk mungojnë dhe mendimet për mundësinë e takimit të mineralizimeve silikato-okside të hekurit në rajonin e Muhurrit, në thellësi mbi 100 m. Nga mineralizimet jo metalore bëhet fjalë për disa vendburime të Argjilave apo objekte Gëlqerorësh të Mermerizuar por që, nuk janë në shfrytëzim. Sigurisht në rajonin në fjalë ka edhe studime që flasin dhe për mundësitë e Naftë e Gazmbajtjes në strukturat gjeologjike në thellësi mbi 2500 m. Për mineralizime të tjera nuk e shikoj të arsyeshme të zgjatem.
Tani kam dhe një koment të fundit. Ata që kanë shpallur ndërtimin e Skavicës a i kanë bërë llogaritë me “hanxhiun apo pa hanxhiun”? Për kuotën që ato propozojnë me shumë pompozitet, 443 m mbi nivelin e detit të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, a kanë bërë ndonjë studim, veç atyre shkencore për sigurinë dhe aftësinë mbajtëse të pellgut dhe digës në lartësinë e propozuar?
Bie fjala, a kanë bërë studime të detajuara se sa tokë arë përmbytet, sa livadhe, sa kullota, sa pemëtore, sa pyje, sa shtëpi e bahçe, sa varre, sa shkolla e qendra administrative, sa bagëti, sa biznese, sa km rrugë, sa ura, sa linja të tensionit të ulët dhe të lartë, etj. etj. Sa rrugë të reja duhen bërë, sa ura dhe linja tensioni për tu përshtatur me realitetin e ri, ku do të zhvendoset popullata, etj. etj. Thembra e Akilit janë çmimet, sidomos për trojet dhe tokat bujqësore. Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.
Dua ta mbyllë përgjigjen time, i nderuar z. Ashiku, duke ju falënderuar për rolin që po luani si një katalizator për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e popullatës, në atë që besoni dhe mendoni se është më e mira për Dibrën dhe dibranët, në lidhje me H/C-in në fjalë. Edhe pse unë kam shkruar për ndërtimin e H/C-ve të vegjël (në pajtueshmëri e marrëveshje të plotë me pronarët e trojeve dhe studimet shkencore, ku në variantet e paraqitura nuk përmbyten as 8 % e tokës bujqësore dhe shumë pak shtëpi banimi), vlerësoj angazhimin tuaj fisnik, si dhe të prof. Bungurit e shumë të tjerëve, duke mos qenë kundërshtar i mendimeve më të avancuara se ato të miat, të cilat mund të shohin të ardhmen e Dibrës, më larg e më mirë se sa unë.
Prof. asoc. dr. Vesel HOXHA
Tiranë, më 12 nëntor 2021