Bulqiza, “bukuroshja e fjetur”


Nga Sami Curri / Bulqiza ime

Një masë kritike prej 47 xhupash fosforeshentë kishin pushtuar trotuarin pranë RTSH-së. Të ishe pjesë e masës qeshje dhe mendoje eskursionet me shkollën, të ishe i jashtëm i merrje të gjithë për të marrë. Plot migrantë malesh, veshur ngjyra ngjyra, kundra borës dhe shiut që nuk po shkonin në Valbonë, as në Curraj apo në Lurë, po shkonim në Bulqizë. Ku do të dilte kjo masë kritike askush nuk mund ta dinte që pa gdhirë. Ishim gati për të filluar aventurën që gjithsecili e kishte ëndërruar sipas qejfit të tij.
47 veta, 3 munguar, 3 furgona, në orën 06:00 u nisëm për malet e Bulqizës.
Për të vajtur në Bulqizë rruga dikur kalonte nga Shkopeti dhe donte 4.30 – 5 orë. Për këtë arsye shumë pak njerëz kanë dëgjuar për Bulqizën turistike, por më shumë për historitë e dhimbshme të minatorëve në galeritë e minierave.
Sot rruga kalon përmes debateve të Rrugës së Arbërit dhe mbrrin në 2 orë. Një rrugë strategjike e premtuar në 30 vite, filloi me tjetërsimin e monumentit natyror “kanionet e Brrarit”, vazhdoi me erozionin, lumin e gërryer, ngjitet në 1000 metra si dhi mali dhe zbret në Klos. Kur nuk je në timon, ke luksin te besh debat.
Fakt është se në një vepër madhore dy anët e medaljes, janë lehtësisht të dukshme. Një anë e medaljes ishte se pa rrugën e re, ne nuk do e merrnim dot nismën e bukur për të bërë një mal në Bulqizë. Për zhvillimin turistik të krahinës së Bulqizës dhe Dibrës alternativa më e mirë që shkurton plot 100 km është rruga e arbrit. Ana tjetër e medaljes ishte vlerësimi i drejtë i shoferit tonë :“30 vite shofer, rrugë më të rrezikshme se kjo nuk kam parë ”. Turizmi i stresit në këtë rrugë ecën.
Në Klos rrëmuja e orës 7 ishte kryesisht te pilafi, kosi qe vonohej dhe aq. Duke ditur se kishim majë per herë të parë, Niku me Janin, dhe pse kishin hapur pjesë të madhe të shtegut kishin dyshimet e zakonshme te një maje të parë. Gjëja më e mirë ishte të haje shpejtë dhe ti fusje dhe një orë gjumë para se të mbërrinim në Bulqizë.
***
E pasur me shumë miniera dhe minerale, Bulqiza ishte një nga qytetet më të pasura të Shqipërisë. Bashkia e Bulqizës administronte së bashku me komunitetin pjesë të pasurive minerare dhe kjo ndihej në të gjithë infrastrukturën e zonës. Komuniteti këtu jetonte në begati dhe mirëqënie. Rrugët e shtruara ngado, transporti modern, treni që lëvizte mineralet, i shërben dhe njerëzve. Të gjitha këto e bënin Bulqizën të arritshme lehtë dhe shpejtë. Mes këtyre pasurive dhe bukurive natyrore, të jetoje në Bulqizë duhet të ishe me fat… por një gropë shkundte furgonin dhe ndërpriste çdo ëndërr.
Kishim arritur në Bulqizën tjetër.
Bulqiza ka dy qytete, një të vjetër dhe një të ri. Në mes i ndan rruga që shkon në Peshkopi. Qyteti njihet për padrejtësinë shoqërore, për vërfërinë dhe përjashtimin e komunitetit nga pasuritë natyrore…. Por “bukuroshja e fjetur” veç mineraleve, fsheh dhe 12 liqene akullnajore, disa përrenj kilometrikë, male madhështore, lugina të pashkelura, ujëvara si kartolina, kala e gura historikë, fushëbeteja, monumente të natyrës, dhe mbi të gjitha fsheh njerëz të mënçur dhe punëtorë.
Ora 08:40 arritëm në Fushë-Bulqizë. Të shihje karvanin e gjatë në rresht për një, të mbushte me ndjesi gëzimi. Dukeshin si zogj shtegtarë që po hidhnin fole në malet e Bulqizës. Ne ishim një masë kritike ku i dihej deri në fund çndodhte. I veshëm çizmet dhe rrobat e borës në kohë rekord dhe u nisëm menjëherë.
Nëse do të ishim një tren, Fisniku ishte lokomotiva, i shoqëruar nga një grup prej 5-6 malësorësh, jo për nga origjina e vendlindjes sesa për nga forca e maleve. Vagonat janë të larmishëm me shtegtarë, aventurierë, familjarë, profesionistë të të gjitha fushave, natyrëdashës, fotografë, biologë dhe cfare nuk ka. Kur flitet për maja të reja treni është i gjatë. Në fund te vagoni i mallrave kishim ngelur unë me Janin që diskutonim për Skavicën, turizmi apo HEC-i. Do ti ngjiteshim një lugine për 3 orë, kishim kohë ta zgjidhnim dhe këtë punë.

Lugina është rruga më e bukur e natyrës
Luginat janë bashkime malesh, ku në mes kalon një përrua ose lumë. Aty ku bashkohen të dy anët e malit japin më të mirën. Gurë ciklopikë si dhuratë për njëri tjetrin, fara pemësh që era I çon nga një anë në anën tjetër deri te rrezet e diellit që shkëmbejnë përmes reflektimit. Aty në mes lugine nuk ka kufij as ndarje sesa bashkim. Një bashkëjetesë natyrale perfekte. Përroi që rrjedh në mes është produkt i disa maleve por lugina kujdeset që përroi të kalojë çdo grimcë akulli dhe uji, që buron nga malet e tjera dhe të vetat. Këto grimca jete shpërndahen si ushqim për tokën, si energji për njeriun, dhe kthehen sërish si flokë borë ne dimër, të reja, unike, çdo herë.
Ne marshuma për 3 orë mes lugines duke kaluar sa nga një anë e përroit në tjetrën. Muzika e përroit na shoqëroi përmes një dekori stalaktikesh, disa gurësh ciklopikë, një pyll I bukur armeni, dhe efekte speciale të borës që binte nga pemët. Dielli shndrrinte sa e linte mali. Maja nga poshtë luginës nuk dukej, por Jani me Nikun kishin qenë një ditë më parë dhe e kishin planin shumë të mirë. Do udhëtonim deri në 3 për në majë , pastaj arrinim nuk arrinim majën fillonte zbritja mos rrezikonim në errësirë një grup aq I madh. Më shumë se 1/3 e shtegut ishte hapur një ditë më parë, na ngelej të hapnim vetëm rreth 2/3 për tiu afruar një prej majave cilado të ishte në atë pikë.
Gjatë rrugës, Jani e kishte vlerësuar mundësinë e mosarritjes në majë, por ne jemi shumë , jemi të forte, do arrijmë, ishin përgjigja ime në cdo kohë. Një moment i mora leje Janit të dilja të ndihmoja para, dhe ashtu bëra. Nuk do ta harroj ndonjëherë mundimin me këmbë dhe me duar për të hapur qoftë dhe 5-6 metra rrugë. Një përpjekje fizike, deri në kacafytje me borën, që të këpuste në pak minuta. 4-5 çuna në malore ndrroheshim çdo 10 metra pastaj kur dolëm në kurriz të malit çdo 20-30 metra. Të hapje shtegun në gjysëm metri borë, ishte një punë e vërtetë marinsash. Duhej forcë, eksperiencë, intuitë të gjesh shtegun natyror, një punë 24/24 orë.
Me të dalë nga lugina bora bëhej më e lartë , më e thellë, malorja më e fortë. Po dhe era këndonte më lartë, dielli fshihej më mirë, majat zhdukeshin më thellë në mjegull. Vetëm karvani i ngjyrave bëhej më I theksuar. Kishim marshuar 4 orë, majat ishin ende larg. Për dy orë dukej e pamundur të arrinim Majën e Muçekut , por mjaftonte për një nga majat e tjera, 150 më poshtë. Rrëzë të 3 majave të dukshme dhe 1 të padukshme nga mjegulla, diskutuam që zgjedhja për në majë të jetë me dëshirë. Një nga ato momentet që nëse do ishe vetëm do hiqje dorë menjëherë. Kur je me një grup fantastik, energjik, sfidues, që nuk pret asgjë të lehtë para, buzëqesh me pamundësitë. Pa zhurmë kaloi dhe paralajmërimi se në zbritje mund të na zinte nata.. Kishim hapur qindra hapa shteg në gjysëm metri borë, nuk do e linim për 200 metra ngjitje.

Pelegrinazhi vendosi të rrezikonte
Gjurmët e një arushi/e që kishte kaluar paradite ishte shenja për të vazhduar. Sikur të vinte nga maja e Mucekut do na ndihmonte dhe më shumë, por gjurmët ndaheshin për nga maja tjetër. Metrat e fundit ishin më të vështirat për tu carë nga pararoja.
Arritëm 2000 metra majën tonë pa emër, pas 6 orësh marshim. Ultësirë e Bulqizës, Korabi, Dibra, male të egra shfaqeshin përtej mjegullës. Në të djathtë ishte ende maja e Mucekut për zbuluar. Mundësia e vetme të ngjiteshe ato 200 metra ishte të hapje mjegullën, të fikje erën, të shkrije borën. Nga aty në një ditë pranvere mund të sodisje liqenin e dhive , liqenet e Kacnisë, Malet e Lurës , Dejës, deri në Mat. Kjo ishte një ftesë për një ekspeditë të dytë dhe për të fjetur në Bulqizë.
Si mbas provimi me një nëntë të merituar të gjithë po gëzonim me trokitje duarsh dhe përqafime. Në majë koha ka ritëm tjetër. Ja ta bëj një fota me këtë pemën, ja ta falenderoj pak këtë malin, prit të kap pak këtë kreshtën, shi sa bukur duket shtegu, deri sa pa e kuptuar të dridhen buzët , të kërcasin dhëmbët nga i ftohti,dhe sheh orën 3 mbasdite. Duhet të vraponim për në luginë .
Bukuroshja e fjetur do vazhdonte të zgjonte dëshirën e qindra vizitorëve të tjerë. Të bukrat e fshehta të Bulqizës po zgjoheshin…
Për shumë arsye zbritja ishte shumë herë më e lehtë , mjafton të ndiqje shtegun nga u ngjitëm. Problem ishte koha, prandaj të gjithë nxitonim. Grupin e fundit prej 7 vetësh perëndimi na kapi në mes të luginës, në një peizazh romantik, me qiell rozë, rrethuar nga kurora resh në maja, poshtë armenëve, anës përroit, në një ecejake për të mos rrëshkitur në peizazh. Një anëtar i grupit ndaloi disa herë, një tjetër kishte pak dhimbje ne kembe, të gjitha arsye për ta marrë shtruar dhe shijuar bukurinë deri në errësirë. Hëna ishte e plotë, dritat nuk na mungonin. Të fundit me Janin vazhdonim pas 9 orësh marshim debatin për luginën e Drinit apo hidrocentralin e Skavicës.
Kishim kaluar vetëm disa orë në malet e Bulqizës, por ishte një udhëtim i rrallë dhe i mrekullueshëm. Bulqiza modeste na kishte ftuar pa ndonjë pritshmëri të madhe, por malet e saj, luginat, peizazhet, ujërat, vetë historia e saj, të bëjnë për vete edhe kur flejnë.

Marrë nga bulqizaime.al.
Linku I botimit origjinal: https://www.bulqizaime.al/bukuroshja-e-fjetur/