Kronologjia e kompanive që kanë administruar Minierën e Bulqizës


Grupi Balfin që është koncensionari më i madh në zonën krom mbajtëse të Bulqizës nëpërmjet kompanisë Albchrome Holding, ka vendosur përfundimisht të largohet nga sektori minerar në Shqipëri.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Autoriteti i Konkurrencës bëhet me dije se palët kanë depozituar dokumentet shoqëruese në lidhje me transaksionin midis “Balkan Finance Investment Group”, lidhur me përftimin e kontrollit të shoqërisë Albchrome Holding SHPK dhe filialeve të saj nga shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur nga palët. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.” Thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Hollandë, pjesë e grupit turk Yildirim, grup që operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë, prodhimin e plehrave kimike, fertilizuesve dhe kimikateve, menaxhimin e porteve, ndërtim, transport, logjistikë, etj. Grupi në fjalë është një biznes në pronësi të familjes turke Yildirim. Sipas informacionit zyrtar në faqen e grupit, thuhet se zhvillon biznes në 51 shtete të botës dhe ka rreth 13 mijë të punësuar.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi këtë ndryshim kompanishë në Minierën e Bulqizës si jo të rëndëishëm për punëtorët dhe që asnjëherë nuk janë pyetur për problemet që ka sektori. “Kompania AlbChrome e Samir Manes po iken nga Bulqiza. Mori shume nga ajo miniere: mori kromin e bulqizakeve dhe te gjithe shqiptareve, por me e keqja eshte se mori edhe 9 jete minatoresh. Per keta deshmore nentoke askush nuk u precedua penalisht, por faji ngeli tek viktimat. Edhe familjet e tyre qe sot po vuajne per buken e gojes.” thuhet në deklaratën e SMBB-së.
Albchrome Holding në bilancet e dorëzuara për dy vitet e fundit, raportoi një ecuri jo të mirë financiare. Në tetor 2019, të pakënaqur me përfaqësimin sindikal dhe kushtet e punës, një grup punëtorësh të minierës, të mbështetur nga aktivistë të majtë të Organizatës Politike, themeluan Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, SMBB. Tre ditë pasi u njoftua publikisht themelimi i sindikatës, Albchrome shkarkoi nga puna me pretendimin e shkeljeve disiplinore kreun e saj, Elton Debreshi. Në javët në vijim, kompania shkarkoi edhe tre minatorë të tjerë – anëtarë të Këshillit Sindikal të SMBB-së, ndërsa kjo e fundit u angazhua në një protestë disa ditore para hyrjes në minierë, për të kundërshtuar shkarkimet.
Tradicionalisht minatorët e kësaj miniere janë përfaqësuar në marrëdhëniet e tyre me punëdhënësin nga FSPISH – e udhëhequr nga Taf Koleci, e cila ka mbajtur në përgjithësi marrëdhënie të afërta me pronarin e minierës.
Kompania Albchrome që zotëron edhe pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës, prej kur është privatizuar ka kalur si pronësi në disa kompani. Në vitin 2001 ishte kompania italiane “Darfo” që kishte fituar të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferrokromit në Elbasan.
Në vitin 2007-të Albanian Chrome në atë kohë pjesë e grupit austriak “Deco Metal” hyri në tregun shqiptar, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013-të, pas një sërë protestash nga sindikatat e kohës për pagat dhe kushtet e punës. Në janar të vitit 2013-të Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016-të, Kuvendi zgjati edhe me 10 vjet të tjera afatin e koncensionit të Minierës së Kromit në Bulqizë, për kompaninë private ACR Holding si pjesë e Balfin Group. Nga qeveria e Partisë Socialiste kjo zgjatje e periudhës së koncesionit deri në vitin 2040, u arsyetua lidhur me investimet shtesë që do të kryente koncesionari në Bulqizë.
Për më shumë lajme rreth shitjes së minierës së Bulqizës shih
www.bulqizaime.al