Sadin Maliq Çerpja, trupin në Amerikë e shpirtin në atdhe


Nga Shaqir Çerpja

Sadin Maliq Çerpja nga fshati Lashkizë i rrethit të Dibrës, për 45 vjet, që nga viti 1949 e deri pas rënies së regjimit dhe diktaturës komuniste në Shqipëri, qëndroi në mërgim, larg atdheut, në Amerikë dhe e kishte të ndaluar e të pamundur të vinte në atdhe, të vizitonte vendlindjen, të shihte e të takonte njerëzit e tij të afërt e të dashur, vëllain, kushërinjtë, hallat e dajat, nipat e mbesa. Por as nuk mund të merrte informacion e të komunikonte në distancë me ta.
Vetëm shpirti dhe zemra e atyre që e kanë provuar e përjetuar e dinë se sa vështirë dhe sa e rëndë është pesha e mallit dhe dhimbja e ndarjes për së gjalli, kur jeton larg atdheut dhe e ke të ndaluar e të pamundur, jo vetëm kthimin në atdhe, qoftë dhe përkohësisht, por as komunikimin në distancë me njerëzit e afër të gjinisë e të gjakut.
Në vendlindje, në Dardhë, quhej e thirrej Sadin, por në të gjithë regjistrat shtetëror, në Shqipëri dhe në Amerikë është regjistruar e thirrur me emrin Sejdin.
Sadini u lind në vitin 1928, në lagjen Zhugjërr, të fshatit Lashkizë. Në moshën dy vjeçare mbeti jetim, sepse nëna e tij vdiq në moshë shumë të re. Dhe, ai u rrit nga njerka e tij, Hane Muça, e cila u kujdes dhe e rriti me shumë përkujdesje dhe dashuri nëne. Vitet e fëmijërisë dhe vitet e para të rinisë i kaloi në fshat, pranë familjes, duke u kujdesur për blegtorinë dhe duke punuar në bujqësi. Në vitin 1948 u thirr dhe shkoi për të kryer shërbimin ushtarak. Deri në Peshkopi e përcolli dhe i fundit që u takua dhe u nda me Sadinin ishte Dali Çera, nipi i Maliq Çerpes. Deri në Korçë, në të njëjtën makinë me Sadinin kishte udhëtuar edhe Ibrahim Kaca, por në Korçë i kishin ndarë, sepse Ibrahimin e kishin ndalur në Korçë, ndërsa Sadinin e dërguan në kufi, në Kapshticë. Vetëm kaq informacion dihej për Sadinin, sepse në vitin 1949, ishte në frontin e luftës, në vijën e parë të zjarrit dhe luftimit, por, aty humbi çdo kontakt me shokët e tij ushtarë dhe me komandën ushtarake të repartit ushtarak e nuk u pa më. Sigurisht, humbi çdo kontakt edhe me familjen dhe të afërmit e tij në Dibër. Nuk dihej ku ishte, ku shkoi, si shkoi e pse shkoi. Atëherë edhe mjetet e komunikimit e informacionit mungonin. Pushteti , regjimi dhe diktatura komuniste e etiketuan dhe e akuzuan si dezertor dhe, rrjedhimisht, familja dhe të afërmit e tij, për gati gjysmë shekulli, që nga viti 1949 deri pas rënies e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, mbajti mbi shpinë peshën e rëndë të diferencimit politik e klasor.
Në vitin 1957, vëllai i Sadinit, Hasan Maliq Çerpja thirret në degën e punëve të brendshme Peshkopi dhe provokohet, duke i thënë se të kanë ardhë dollarë nga Amerika. Veç të tjerave i thonë se do t’i japin adresën e Sadinit dhe i ai, Hasani, t’i kërkonte Sadinit të kthehet në Shqipëri dhe t’i premtonte se do të dalë një dekret për falje. Por Hasani iu shmang të gjitha provokimeve. Në këtë rast kuptoi se Sadini ishte gjallë dhe se ishte në Amerikë, por vetëm kaq dhe nuk dinte e nuk kishte asnjë informacion tjetër për vëllain e tij.
Hasani, i cili kishte qënë edhe partizan në luftën nacionalçlirimtare dhe kishte luftuar për çlirimin e vendit, nga viti 1949 dhe deri pas rënies së regjimit komunist, jetoi me zemër të djegur dhe me shpirt të përvëluar për vëllanë e tij të vetëm, me të cilin nuk kishte asnjë lidhje dhe komunikim dhe asnjë informacion. Por hallin, mallin dhe brengën i mbajti brenda vetes. I mbajti për vete dhe i fshehu brenda vetes, se nuk donte që edhe të tjerët të vuanin si ai. Hasani pati familje të madhe, pati shumë fëmijë dhe krijoi shumë miqësi. Bëri e pati edhe disa dasma, por dasmat e tij ishin gjysmë dasma, sepse mungonte Sadini, i cili as nuk e dinte kur bëheshin dasmat e kush martohej. Ai as nuk e dinte se sa fëmijë kishte i Hasani. Kushedi se sa e sa herë, Hasani, fshehurazi ishte përlotur dhe kishte fshehur lotët, kur në dasma, i vetëm priste e përcillte dasmorët, krushq, daja, miq e shokë, pa patur pranë, pa patur përkrah vëllanë. Ndoshta, nuk pati asnjë ditë të vetme të qetë, që të mos mendonte për Sadinin. E kujtonte, mendonte e fantazonte sikur t’a shihte vetëm njëherë, t’a kishte përballë, t’a kishte pranë, të vështroheshin sy më sy, të buzëqeshin ballë përballë, të takonin e të shtrëngonin duart, të dëgjonin zërin e njëri-tjetrit, të uleshin në sofër bashkë …

***
Pas rënies së regjimit dhe diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1994, Sadini bashkë me bashkëshorten e tij Liza, erdhën në Shqipëri, tek Hasani dhe të afërmit e tyre të dashur. Vetëm kur erdhi Sadini në Shqipëri, u mësua e vërteta e jetës së Sadin Çerpes, rreth 45 vjet larg atdheut, në mërgim, me trup në Amerikë dhe me zemër e shpirt në atdhe.
Në provokacionet e gushtit të vitit 1949, Sadini, bashkë me shokët e tij ushtarë ishin në frontin e luftës, në vijën e parë të zjarrit, përballë forcave ushtarake greke. Ndërkohë që lufta dhe luftimet vazhdonin, skuadra ku ishte Sadini, si dhe disa oficerë, gjenden të rrethuar nga ushtria greke, pa asnjë shteg dha pa asnjë rrugëdalje. Zihen rob, çarmatosjen dhe merren e dërgohen në një kamp grek në Selanik, ku u mbajtën e qëndruan jo pak, por katër vjet. Pas katër vjetësh u shpërndanë në disa shtete dhe Sadinit i rastisi të shkonte në Amerikë dhe u vendos në Boston, ku filloi një jetë të re, një ndryshe. Fillimisht punoi në një kompani makinash, “General Motors “. Pas disa vitesh në këtë kompani, punoi në një nga kompanitë e shqiptaro-amerikanit Antonio Athanas, i cili, për punëtorët shqiptarë kishte vëmendje dhe tregonte interes dhe kujdes të veçantë. Për punëtorët shqiptarë që punonin në kompanitë e tij, kishte vënë një kusht dhe një detyrë specifike, që krahas punës, çdo ditë të mësonin një shkronjë shqipe dhe pastaj të mësonin që të shkruanin fjalë e fjali shqipe. Edhe komunikimin me njëri tjetrin e ndërmjet tyre t’a bënin në gjuhën shqipe. Në Boston, Sadini njihet dhe krijon lidhje të afërta me dibranin Lazim Prethin, i cili kishte ardhë më herët në Boston dhe ishte martuar me një vajzë greke. Lazimi me bashkëshorten e tij greke ndërmjetësuan dhe Sadini u njoh dhe u martua me një vajzë greke nga Kallamata e Greqisë. Nga kjo martesë, Sadini dhe bashkëshortja e tij Liza, lindën dhe kanë tri vajza: Hana (Ana), Niki dhe Paula. Vajzës së parë, Sadini i dha emrin Hana, në kujtim dhe në nderim të njerkës së tij, Hane Muça, e cila e rriti me përkujdesje dhe dashuri nëne. Me lindjen, rritjen dhe martesën e tri vajzave, familja u rrit dhe u zgjerua.
Sadini kishte dijeni për regjimin e diktaturën komuniste dhe për varfërinë ekstreme të popullit në Shqipëri, por nuk kishte asnjë informacion e dijeni për vëllain e tij në Shqipëri. Sadini ishte i vetëdijshëm se, për shkakt të tij, Hasani dhe familja e tij në Shqipëri, ishin ndëshkuar politikisht.
***
Menjëherë pas rënies dhe përmbysjes së regjimit dhe diktaturës komuniste në Shqipëri, tek Sadini, në shpirtin dhe zemrën e tij u zgjuan dhe u ringjallën shpresat dhe ëndërra e madhe për të ardhur në Shqipëri. Por fillimisht nuk ishte i sigurt dhe nuk kishte siguri. Bashkë me Lazim Prethin e bashkëshortet e tyre greke, bien dakord e vendosin që fillimisht të vinte vetëm bashkëshortja e Lazimit. Ajo erdhi e vetme në Shqipëri, shkoi edhe në Dibër, u interesua, gjen dhe merr informacion për Hasanin dhe familjen e tij, që jetonin e banonin në Tiranë. Pasi bashkëshortja e Lazimit kthehet në Amerikë dhe e siguron Sadinin se nuk ka asnjë pengesë e problem për të shkuar në Shqipëri, në vitin 1994, Sadini bashkë me bashkëshorten e tij greke, Lizën, vinë në Shqipëri, tek Hasani dhe tek të afërmit e tjerë.
Atë ditë dhe ato ditë takimi e bashkimi, malli u shkri në lotë dhe u shua me lotë.
Përqafime të pandashme e lotë të pasosur kudo: në aeroport, në rrugë, në makina, në oborr, në shkallë, në dhomë. Sy që vështroheshin ngultas e duar që takoheshin e shtrëngoheshin fort. Me lotë e në mes lotëve frymonte e fliste çdo gjë, gjithçka. Flisnin, qeshnin e këndonin muret, dyert e dritaret, llampat e dritave, gotat e ujit e filxhanit e kafesë. Të gjithë gëzonin bashkë për këtë gëzim, gëzimin më të madh të jetës. As nuk kishte patur dhe as nuk do të kishte më gëzim të madh si ky e më të madh se ky. Ndoshta, ky gëzim shkoi edhe tek varret dhe e ndjen edhe të afërmit e tyre të vdekur … Gëzimi ishte aq i madh, sa nuk thuhet e nuk përshkruhet me fjalë. Prandaj, në vend të fjalës, fliste loti.
Daut Çerpja dhe Gëzim D. Çera ruajnë shumë kujtime, kanë shumë mbresa dhe me emocione tregojnë shumë episode nga takimi, qëndrimi dhe udhëtimi me Sadinin. Midis të tjerave dhe veç të tjerave, Gëzim D. Çera tregon se kur po udhëtonin nga Laçi për në Lezhë, kur arritëm tek ura e Milotit (ura e Zogut), Sadini kërkoj të ndalonin makinat. Vështroi anash, pastaj vështrimin e ndali në drejtim të Shkopetit dhe tha: -Me siguri, andej është rruga që kalon e shkon për Dibër. Dhe premtoi se kur do të vinte radhën tjetër, do të shkonte në Dibër, në Zall-Dardhë e Lashkizë. Do të shkonte edhe në lagjen Zhugjërr e në trojet, ku lindi dhe u rrit. Do të shkonte e të prekte rrasat dhe gurët në maje të Karmës, në Krixhë e Kryeshite. Do të shkonte e të shtohej mbi barin e një tek Lama e Danit e në livadhet e hurdhës së Pakrojit. Do të futej e të ecte përmes degëve të shkurreve të lajthisë në kodër të Halimit, në kodër të Tanushit e në Usoje. Do të ngjitej te hurdha e Kalit e do të pushonte nën Hijet e Zeqirit. Do të pinte ujë te Kroi i Zhugjërrit e tek Kroi i Gjarpërit, …
Por trazirat e vitit 1997 ia thyen zemrën, ia vranë dhe ia prenë shpresat. Në atë kohë të vështirë të trazirave të vitit të zi 1997 në Shqipëri, Sadini e përjetoi me dhimbje. Ai ishte i shqetësuar e prekupuar për Shqipërinë dhe njerëzit e tij në Shqipëri. Interesohej, telefononte, pyeste dhe këshillonte njerëzit e tij në Shqipëri që të shmangeshin dhe të rrinin sa më larg konfliktit dhe politikës konfliktuale shqiptare.
Pas disa kërkesave të përsëritura të Sadinit, për të shkuar në Amerikë, Gëzim D. Çera, mer vizën amerikane, pret edhe biletën dhe bëhet gati për të shkuar në Amerikë. Por, një javë përpara se Gëzimi të nisej e të shkonte në Amerikë, merr lajmin e papritur nga Amerika se Sadini ishte ndarë nga jeta. Familjarët e Sadinit, bashkëshortja Liza dhe tri vajzat, meqë nuk kishin mundur të merrnin lejë fetare për të shtyrë varrimin deri sa të arrinte dhe Gëzimi, atëherë kishin vendosur që të shtynin ditën e “të shtatëtave” për deri kur të arrinte Gëzimi në Amerikë. Dhe, në ceremoninë fetare të “të shtatëtave” Gëzimi ishte atje dhe çoi e hodhi mbi varr dhe nga dheu i atdheut, dheun e marrë në oborrin e shtëpisë së vëllait të Sadinit në Shqipëri. Gjithashtu, familjarët e Sadinit ishin kujdesur që për ditët që Gëzimi qëndroi në familjen e Sadinit në Boston, gjithë kohën të ishin të pranishëm dy përkthyes, të cilën punonin e përkthenin me turne.
Ndonëse jetoi larg atdheut, në Amerikën e largët dhe gati gjysëm shekulli nuk pati informacion, kontakt dhe komunikim me familjarët dhe njerëzit e tij të afërt në Shqipëri, Sadin Çerpja kujtohet me shumë dashuri, jo vetëm nga fëmijët e vëllait të tij në Shqipëri, por edhe nga të afërmit e tjerë. Për respekt dhe në kujtim të Sadin Çerpja, i cili jetoi dhe vdiq në Amerikë, emrin e tij e ka marrë dhe e mban njëri nga kastërnipat e tij, djali i djalit të Dautit. Edhe tani, familjarët e Sadinit, bashkëshortja Liza dhe vajzat Ana, Niki dhe Paula kanë e mbajnë lidhje dhe komunikojnë me familjarët e vëllait të Sadinit në Shqipëri.