Familja e madhe Imeri


Nga OSMAN XHILI

Pak vite më parë, po ndiqja një emision televiziv në një nga kanalet e Kosovës. Moderatori i emisionit po tregonte se si një nga biznesmenët e shquar të Kosovës, po plugonte me traktor në pronat e tij dhe po i bënte gati për mbjellje. Mos ishte një truk televiziv, mendova në fillim, njëfilmim sa për tu parë nga bota, një gjetje artistike? Më vonë u binda plotësisht se biznesmeni që ngiste traktorin ishte real dhe pa asnjë retushim. Ai e donte punën, mjetin, tokën dhe padyshim dhe njerëzit. Do ta kisha shumë për nder të njihesha nga afër me këtë njeri, të shihja si e nisi rrugëtimin e tij, si arriti deri këtu dhe ku mendonte të shkonte në të ardhmen, bashkë me familjen e tij të mrekullueshme. Fati e deshi që kjo të bëhej e mundur pak kohë më vonë. 

Miku im i nderuar, Naser Imeri, është një nga tetë vëllezërit e kësaj familje të madhe. Po të shtosh dhe tre motrat, numri i tyre shkon në njëmbëdhjetë. Vendlindja e tyre është Dumnica e Epërme, në rrethinat e Vushtrisë. Fëmijëria e tyre ishte tejet e vështirë, si shumica e familjeve të asaj kohe. 

Naseri tregon një histori të hidhur të fëmijërisë së tij. Ishte në klasën e dytë të shkollës fillore. Shkolla ishte shtatë kilometër larg dhe rruga gjithë baltë në dimër e pluhur në verë. Një ditë, mësuesi i tha të dilte para klase. Për një moment, Naseri nuk e kuptoi arsyen. Mësuesi numëroi arnat në rrobat e djalit dhe i dolën plot tetëmbëdhjetë. Djali i vogël qe mërzitur fort. Mallkoi fatin, kohët e vështira, natyrisht mallkoi dhe mësuesin, që e bëri objekt tallje para klase. Bëri një betim me veten e tij, se dikur do t’u tregonte se kush ishte në të vërtetë, e çdo të bëhej në të ardhmen. Të tjera e të tjera vështirësi e ndjekin atë dhe brezin e tij. Kujton rrugën e gjatë, plot 17 kilometra, që e bënte çdo ditë për të shkuar në shkollën e mesme. Ndonjëherë, mbante në duar kova djathi, që i shiste në qytet, për të kaluar familja me bukë. 

Gjyshi i tyre u vra nga partizanët në masakrën e Tivarit, duke lënë djalin e tij, Shahinin, vetëm 12 vjeç. Dumnica e Epërme ka mbetur në histori si burim qëndrese e trimërie. Ajo nuk u shkel nga këmba e pushtuesit në luftën e parë botërore. Ajo nuk u shkel, pushtuar e nënshtruar, as në luftën e dytë botërore. As bullgari nuk arriti të hyjë këtu e ta mposhtë. Por një tjetër sprovë, tjetër sfidë duhej ta fitonte për të hyrë në histori, luftën ndaj serbit. Dumnica ndahet në tre pjesë, apo fshatra,Dumnica e Poshtme, e mesme dhe Dumnica e Epërme. Serbi arriti deri te ajo e mesit, nuk mundi të shkojë më tej. Qëaty kërcënoi, bombardoi e shkatërroi ndonjë shtëpi. 

LUFTA

Nuk kishte si të ndodhë ndryshe, kur themeluesi i U. Ç. K së do të ishte një nga djemtë e familjes Imeri, Gani Imeri. Ai kishte shërbyer gjatë në ushtrinë jugosllave dhe i njihte mjaft mirë taktikën dhe teknikat luftarake. Në krah të tij u rreshtuan dhe dy vëllezër të tjerë, Bajrami dhe vëllai më i vogël, Qemal Imeri, atëherë vetëm 17 vjeç. 

Duke qenë e mbrojtur dhe pothuajse e paarritshme nga forcat serbe, atje u strehuan gati 30 mijë refugjatë, si të thuash një qytet i tërë. Ishin tre muaj të pranverës së vitit 1999, një nga pranverat më të errëta, me më pak lule, me shumë trishtim e krisma armësh. Kush i ushqente dhe kush i furnizonte gjithë ato njerëz? Ndoshta komandant Ganiu do të më tregonte më shumë për luftën, por nuk arrita ta takoj. Ndoshta, kjo do t’i takojë ndonjë rradhe tjetër. Drithi dhe mishi ishin ushqimet bazë për gjithë këtë popullatë,por kishte raste që gjërat u vështirësuan deri në ekstrem. Një mulli punonte pa pushim, duke bluar drithin që konsumohej nga njerëzit. Nënë Emineja, nëna e këtyre tetë lisave, qëndroi si një heroinë e vërtetë. Ata 30 mijë njerëz nuk i shihte si të huaj, por tamam si fëmijët e saj. Ajo nuk pushonte asnjë çast dhe siç tregon Naseri, ajo gatuante deri në 25 herë në ditë për këto njerëz. Jo vetëm kaq, por ajo u mbante gjallë shpresën se një ditë lufta do të mbaronte, se ata sërish do të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe do të takoheshin me njerëzit e tyre, që ishin shpërndarë si zogjtë e korbit. E ç’mund të bënte ajo më shumë se kaq ?Vërtetë, nënë Emineja nuk i kishte gënjyer. Ajo ditëerdhi si për ata njerëz, ashtu dhe për mbarë popullin e Kosovës, që fitoi përfundimisht lirinë, që e kishte vaditur me lotët dhe gjakun e bijve të saj. 

NJË  FILLIM  I  RI

Lufta mbaroi dhe duheshin parë mundësi të reja punësimi e jetese. Në vitet para lufte, Naseri kishte shkuar të punojë në Austri. Fillimisht, punoi si punëtor e më pas u mësua si specialist ndërtimi. Rrallë mund të fliste me familjen. Duhej të pronotonte dhjetë ditë përpara, pasi vetëm një person në qytetin e tyre kishte telefon. Pas lufte ai u kthye në vendin e tij. Vendi ishte shkatërruar tej e tej dhe nevojat për ndërtim ishin të shumta. Në fillim ndërtonte shtëpi për njerëzit, me fare pak mjete pune dhe dy tre ndihmës. Sa do të dëshironte të kishte një kompani të vetën ndërtimi, me shumë punëtorë e specialistë! Të ngrinte nga themelet, jo më një shtëpi, por një pallat me dhjetra apartamente të bukura. 

Kaluan disa vite të tjerë. U shtua puna, u shtuan të ardhurat. Tashmë drejtonte një skuadër pune, pastaj një firmë dhe më vonë një kompani të vërtetë ndërtimi, që u emërtua “Ariani Company”. U realizua ëndrra e dikurshme. Ai e pa veten president të kompanisë, por kjo nuk i’a rriti mendjen, por i shtoi akoma modestinë dhe vullnetin për punë. 

Sot kompania e familjes Imeri ka një bilanc tejet të pasur me shifra. Dhjetra pallate të ndërtuara, me mijra apartamente. Personeli drejtues është mbi 30 veta, kurse numri i punëtorëve arrin në 350. Naseri ka një dashuri e respekt për punëtorët, pasi dhe vetë ka qenë i tillë. Ata janë që të gjithë të siguruar dhe rroga mujore e secilit shkon nga 600 deri në 800 euro. Ka kohë që aktiviteti ndërtues i kësaj kompanie i ka kaluar kufinjtë e Vushtrrisë dhe po zgjerohet në gjithë Kosovën. Blloqe apartamentesh po ndërtojnë në Prishtinë, por dhe një kompleks shumë i madh e modern, me emrin” Amina”, po merr formë në Mitrovicë. Do të ishte me fat ai njeri, apo ajo familje që posedon një apatament të kësaj kompanie. Hapësirat komode, parkingu, gjelbërimi dhe parqet e lojrave përr fëmijë janë gjithnjë të pranishme, duke e bërë më të këndshëm qëndrimin aty. Duhet theksuar se gjithëky aktivitet i këtyre përmasave, nuk ka asnjë euro haram, apo të fituar në mënyrë korruptive. Asnjë tender shtetëror i fituar prej saj. Lehtësisht, vjen në mendje krahasimi me kompani fantazmë të vendit tim, që me tre ditë historik të tyren, fitojnë tendera njëqind milion dollarësh. Sa privilegj do të ishte, që çdo qytet në Kosovë e Shqipëri të kishte në gjirin e tij njerëz e kompani të tilla!

Sa shumë fakte e të dhëna ka për këta njerëz, që në vend të fjalëve e përgojimit, njohin djersën dhe punën e ndershme, në vend të gjuhës së urrejtjes, njohin vlerat dhe humanizmin për njerëzit në nevojë. Kompania e tyre zotëron dy fabrika të mirëfillta betoni, që plotësojnë nevojat e tyre të ndërtimit, por dhe për shitje tek ndërtues të tjerë. Veç tyre ata disponojnë dhe një fabrikë aluplasti për dyer e dritare, me materiale gjermane dhe që eksportohen në Gjermani. 

Naseri na fton të vizitojmë zyrat e komanisë “Ariani Company”. Ata ishin në katin e dytë të një pallati gjigand. Mjafton të themi se kati i parë, me një sipërfaqe 4000 metër katror, ishin zyra dhe ambjente pune të dhëna me qera. Zyrat e kompanisë, të bukura, të pastra, mobiluar me shije e profesionalizëm. Ata ishin truri i kompanisë. Aty përpunoheshin planet, projekte, uebsajde, bilanci i shpenzimeve dhe të ardhurave. Shumë pjestarë të famijes Imeri, punonin aty, me kohë të pjesshme, apo të plotë. Agnesa, vajza e madhe e Naserit, punonte në kompjuterin e një zyre dhe ndiqte vitin e parë të fakultetit ekonomik. Ajo na përshëndeti, la punën për një moment dhe na shërbeu me kafe dhe qerasje të tjera. Sa njerëz të thjeshtë e modestë! Në asnjë vend tjetër vajza e presidentit të kompanisë, nuk do tu shërbente vizitorëve, siç bëri ajo. Të lumtë Agnesa, ju lumtë të gjithëve, njerëz fisnikë të familjes Imeri!

FERMA  E  DRERËVE

Vëllezërit Imeri për momentin nuk banojnë ne fshatin e tyre, por ata kurrë nuk e harrojnë Dumnicën e tyre të dashur, atje ku kaluan fëmijërinë dhe rininë e tyre, atje ku kaluan ditë të bukura e të trishtuara. Një ndërtesë e bukur trekatshe, e punuar e gjitha prej guri të skalitur, qëndron hijerëndë. Aty mblidhen vëllezërit në fundjavë, kënaqen e argëtohen, por dhe diskutojnë për planet e javës në vazhdim. Aty janë ndërtuar pishina, por dhe fusha minifutbolli, si një ilaç për të larguar stresin e javës. 

Shpesh kemi dëgjuar të flitet për fermë lopësh, delesh, dhish, apo dhe kuajsh e diçka tjetër. Ferma e tyre është vërtetë e një lloji të veçantë. Para tetë vitesh vëllezërit Imeri menduan tësjellin drerë nga Suedia dhe Hungaria, thjeshtë për dekor e kënaqësi. 30 hektarë në fushë e në kodër u rrethuan me tel dhe drerët ishin krejt të lirë të lëviznin në këto hapësira të mbushur me pyje e shkurre të ndryshme. Vit pas viti ata lindën të vegjël, u shtuan dhe u shumuan e sot ferma ka mbi 600 krerë të kësaj specie tepër interesante. Naseri tregon se pesha e drerit suedez arrin deri në 350 kilogram. Thamë që kjo nisi për sport e kënaqësi, por krahas kësaj, mund të jetë dhe aktivitet fitimprurës. Drerët e rritur mund të therren e konsumohen, duke pasur një shije shumë të këndshme, ndoshta më të mirë nga gjithë llojet e tjerë. Njëkohësisht, po shtohen kërkesat e blerësve pasionantë, për të pasur dy, tre, apo më shumë çifte drerësh në parqet dhe resortet e tyre. 

Gjithë këtij numri në rritje të drerëve, i shërben një sipërfaqe prej 30 hektarësh, e mbjellë me grurë, misër, elb dhe kultura të tjera. Në kohën e lirë, Naseri vetë, merr traktorin dhe plugon, frezon, apo mbjell këto sipërfaqe toke, duke kujtuar me nostalgji, por dhe me dhimbje, ato kohra kur punonin me kuaj e me pendë qeshë. 

Brenda kësaj sipërfaqe të rrethuar, vëllezërit Imeri kanë ndërtuar një liqen, ku drerët kridhen për tu pastruar e zbavitur. Jo vetëmkaq, por uji i liqenit shërben dhe si një rezervat peshku, duke pasuruar akoma më shumë menunë e familjes, me këtë ushqim bio. Kudo që të hedhësh sytë në fermën e tyre ka diçka interesante. Në krahun e një kodre të butë, me kundrejtim nga dielli, janë vendosur 100 koshere bletë, mjaltin e të cilave e përdor familja për nevoja të saj, por dhe qerasen miqtë e vizitorët e shumtë. Pula, gjela deti e lloje të ndryshme shpendësh, janë gjithmonë të pranishme dhe në një numër të konsiderueshëm. Natyrisht, nuk mund të mungojnë në fermën e tyre dhe disa hektarë me pemë frutore, të gjitha llojeve, që gjenden në Kosovë, apo më tej akoma. 

E kush nuk do t’i kishte zili arritjet e kësaj familje të madhe e të nderuar? Vështirë për tu besuar, që tetë vëllezërit Imeri e kanë të përbashkët llogarinë dhe pse numri i tyre në total ka shkuar në 50 persona. E ku gjendet një model i këtillë, kur çdo ditë e më tepër, shohim raste që dhe dy vëllezër nuk flasin me njëri tjetrin? Cila vështirësi e sfidë, mund ti bëjë ballë një bashkimi dhe uniteti të këtij lloji të veçantë?

Ashtu siç fitojnë, vëllezërit Naseri dinë dhe të japin nga kjo pasuri e fituar me mund e djersë. Naseri është president i kompanisë së tij, është president i klubit të futbollit për qytetin, është kryetar i një shoqate humanitare për njerëz në nevojë. Vetëm para pak muajsh, bashkë me dy miq të tij, ndanë pesë mijë euro për operimin në Turqi, të një vogëlusheje nga Vushtria. Hera herës kanë bërë kontribute modeste dhe në Peshkopi për dekorimin e shkollave me bredha, apo ndonjë ndihmesë për fëmijë jetimë. Po sa raste të tilla ka në historinë e kësaj familje të nderuar,që dikur priti e përcolli me mijëra refugjatë lufte? Zoti e ndihmoftë, Zoti e bekoftë këtë familje të nderuar, që aq shumë ka ngritur prestigjin e saj dhe aq shumë po bën për komunitetin dhe njerëzit në nevojë!