Neki Osmani, mësuesi i Grazhdanit


Nga Osman Xhili

Ai lindi në Grazhdan të Dibrës më 15 prill të vitit 1942.Ishin vite të vështira, lufte dhe urie, por fëmija i vogël u mëkua me dashurinë për familjen, për dijen dhe patriotizmin.I jati, Veseli, për shumë vite shërbeu si xhandar në administratën e Zogut. 7 prilli i vitit 1939 e gjeti si roje në burgun e Tiranës. Bashkë me lirimin e të burgosurve iku dhe Veseli, duke u larguar përfundimisht nga puna. Në vitin 1943 u rreshtua me forcat partizane të Aqif LLeshit, deri në çlirimin e vendit. Mori pjesë në luftën për çlirimin e Peshkopisë, Dibrës së Madhe e shumë beteja të tjera.
Nga viti 1945 deri në vitin 1965, pra për 20 vite rresht, babai i mësues Nekiut shërbeu si kryetar i këshillit të fshatit.Duheshin kapërcyer pasojat e luftës, duhej siguruar buka e gojës, që aq shumë mungonte asaj kohe.Duheshin bërë përpjekje për hapjen e shkollës fillore, aqshumë e nevojshme për fëmijët e fshatit.Jo vetëm kaq.Veprat e mëdha të kohës që po ndërtoheshin me punë vullnetare donin krahë pune e sakrifica të tjera.Vesel Osmani shkoi të punojë për gjashtë muaj si vullnetar në ndërtimin e hidroçentralit të Ulzës. E zgjodhën si zëvendës komandant brigade dhe u dekorua dy herë me medaljen e punës nga presidiumi i Kuvendit Popullor.
Kështu pra, Nekiu i vogël, mori mësimet e babait, dëshirën për punën e dijen.Në vitin e largët 1948 filloi arsimin fillor, për të vazhduar shtatëvjeçaren në Maqëllarë. Duke qenë se doli me rezultate shumë të mira, ju dha e drejta për të vazhduar shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi. Sërish nuk munguan rezultatet pozitive, sidomos me prirje te shkencat e natyrës.
Në vitin 1959, ministria e arsimit e emëroi mësues në rrethin e Mirditës, në fshatin Reja e Velës. Nëse Migjeni flet për Lulin e vocër, mësuesi i ri gjeti shumë të tillë si ai, këmbëzbathur e me një këmishë të gërrisur në trup. Por pasioni e dëshira për dije dhe arsim, nga mësuesi dhe nxënësit triumfoi mbi skamjen dhe varfërinë. Për dy vjet pune të mësues Nekiut u bënë ndryshime të dukshme pozitive.Cilësia e notës dhe kalueshmëria njohën nivele më të larta. U shtua dhe shkolla e mbrëmjes, krahas asaj të ditës, ku frekuentuan mbi njëzetë të rinj e të reja.U ngritën kënde sportive për lojra të ndryshme, kurse vatra e kulturës zhurmonte nga vallet dhe këngët e të rinjve të talentuar. Mësues Nekiu shpalosi në këto dy vite gjithë energjinë dhe aftësitë metodike, duke merituar medalje nga presidiumi i Kuvendit Popullor.
Në vitin 1961 transferohet në Dibër, në shkollën shtatëvjeçare të Maqëllarës, pikërisht në atë shkollë ku kishte qenë si nxënës vite më parë. Duhej të jepte matematikë dhe pse prirjet i kishte diku tjetër. Por kjo nuk e zbehte aspak eksplorimin e mësues Nekiut në një shkencë ekzakte, siç ishte kjo lëndë e vështirë. Vetëm dy vite më pas emërohet drejtor shkolle në Majtarë, kur ishte vetëm 21 vjeç. Në kaq pak vite djaloshi i ri kishte treguar aq shumë vlera e këto vlera do të shtoheshin shumë më tepër në të ardhmen.
Të kishe shkollën e mesme pedagogjike në atë kohë, kur kishte plot mësues me shtatvjeçare, ishte njëluks i vërtetë. Por mësues Nekiut ju dha një bursë studimi për të vazhduar Institutin pedagogjik në Tiranë, në degën biologji e kimi. Pas kësaj ai emërohet drejtor shkolle në Maqëllarë, por jo vetëm për një shkollë, por dhe për gjithë zonën e Maqëllarës. Nga viti 1966 deri në vitin 1973, Neki Osmani do të ishte në qendër të zhvillimeve të kohës për çeshtjen e arsimit të kësaj zone.
Për gati njëzetë vjet, nga viti 1945 deri në vitin 1965, arsimi shqiptar kishte pasur qëllim masivizimin, luftën ndaj analfabetizmin, hapjen e shkollave fillore në çdo fshat të Shqipërisë. Ishin pjekur kushtet dhe kishte ardhur koha që gjërat të njihnin një cilësi të re. Duhej bërë një reformë e re, që konsistonte nënjë lloj tjetër mësimdhënje. Baza materiale dhe ngritja e kabineteve për çdo lëndë të veçantë do ti shërbenin më së miri kësaj reforme arsimore. Mësuesit, por dhe nxënësit u angazhuan dukshëm në ngritjen e kabineteve të historisë, gjeografisë, biologjisë e kimisë e fizikës.Emra të tillë si Hajdar Poliçi, Shahin Lazri, Hajri Xhili, Remzi Sala, Avni Gjoni e shumë të tjerë, u bënë pika referimi, ku duhej marrë shembulli dhe modeli i mirë. U ngritën kënde sportive dhe fusha futbolli, volejbolli, gropa kërcimi,paralele e vegla gjimnastikore. Spartakiadat dhe evente të tjera sportive priteshin me shumë interes nga nxënësit, por dhe më gjerë akoma.Ekipet fituese ndesheshinme zona dhe rrethe të ndryshme të vendit.
Një kujdes i veçantë u tregua për lidhjen e nxënësit me punën prodhuese . Asaj kohe , shkollave u jepej në zotërim nga tre dynymë tokë. Aty nxënësit mbillnin e kultivonin perime e bimë të ndryshme, njiheshin me kërkesat, karakteristikat dhe fazat e tyre të zhvillimit. Krahas përfitimit të njohurive nga nxënësit, kishte dhe një tjetër vlerë nga kjo veprimtari.Siguroheshin mjaft të ardhura, që shërbenin për nevojat e shkollës, apo për eskursione të klasave të shtata në qytete të ndryshme të vendit.
Hapja e shkollës së mesme në Maqëllarë ishte një ngjarje e madhe për zonën.Gati për çdo vit në zonën e Maqëllarës mbaronin shkollën tetëvjeçare rreth 150 nxënës. Një pjesëjo e vogël e kësaj armate dëshironin të vazhdonin shkollën e mesme e ndoshta më pas dhe shkollimin e lartë. Kushtet nuk ishin aspak të përshtatshme për momentin, por do të rregulloheshin me kalimin e kohës. Mjafton që dëshira, vullneti dhe përkushtimi ishin në shkallën më të lartë.Fillimisht u përshtatën ambjentet ekzistuese të shkollës tetvjeçare, kurse programet u muarën nga shkolla e mesme e Peshkopisë.U vendos që shkolla e mesme të fillonte veprimtarinë e saj, si shkollë mbrëmje, pa shkëputje nga puna, me datën 15 tetor të vitit 1968.Ishte e para shkollë e mesme në nivel fshatrash në Dibër.
Kështu ndodhi, atë pasdite vjeshte, kur 36 nxënësit e parë të kësaj shkolle u ulën në bankat e saj për të vazhduar rrugëtimin katër vjeçar. Ishin të moshave e profesioneve të ndryshme, por i kishte bashkuar dëshira për të fituar dije të reja dhe për tu bërë dikushi në jetë.Orën e parë të mësimit e zhvilloi mësuesi Qamil Sula e më pas vazhduan dhe të tjerët…
Dy vite më vonë, u hapën dhe dy klasë të gjimnazit dhe tashmë po shtoheshin përmasat e saj. Në vitin 1971 shkolla e mesme u bë drejtori më vete dhe drejtor i parë i saj do të ishte Neki Osmani. Shkolla u shkëput dhe fizikisht si vendndodhje nga tetvjeçarja dhe u vendos në ndërtesën e Fiqiri Dines, ish kryeministër i Shqipërisë për pak kohë.
Në vitin 1975, tamam atëherë, kur mësues Nekiu kishte arritur kulmin e pjekurisë si një metodist i zoti dhe drejtues vizionar, ndodhi goditja e madhe. Shteti komunist i kohës, arreston dhe dënon me 16 vjet heqje lirije, vëllain e gruas. E shoqja, Shpresa, në atë kohë kryetare e këshillit për Dovolanin, largohet nga puna dhe dërgohet të punojë në një brigadë plehrash në kooperativë. Mësues Nekiun e dërgojnë të punojë në Melan, ku qëndroi deri në vitin 1979.Nga kjo kohë e deri kur doli në pension, në vitin 2001, punoi si mësues në shkollën tetvjeçare të Dovolanit.
Ditën e parë të fillimit të shkollës për vitin 2001, mësues Nekiu nuk merr regjistër në dorë, siç kishte bërë për 43 vjet. Shkolla kishte vendosur ta nderonte mësuesin me kontribute të shumta për arsimimin e zonës dhe më gjërë akoma. Nxënës, mësues, drejtues shkollash kishin ardhur në këtë ceremoni, sa të thjeshtë aq dhe madhështore, për nga mesazhet që përcillte. Vetëm nga Dibra e madhe kishin ardhur tre drejtues shkollash dhe 12 mësues.Drejtori i shkollës së Dovolanit foli për kontributin e paçmuar të mësues Nekiut, në gjithë këto vite mësimdhënje e drejtimi.Folën dhe miq e të ftuar me fjalë që u dilnin nga zemra.Nxënësit e shkollësi dhuruan buqeta me lule.U dha një program artistik dhe u zhvilluan shumë aktivitete sportive, fituesit e të cilëve u nderuan me çmime.
Zakonisht, me daljen në pension, kurba e veprimtarisë njerëzore sikur bije e merr të tatëpjetën, por me mësues Nekiun nuk ndodhi kështu.Ai nuk u veçua, nuk u plogështua dhe nuk u dorëzua.Një ndjesi e brendshme i thoshte se kishte për t’i dhënë akoma shoqërisë e komunitetit.Kishte një bibliotekë të pasur si një aleat shumë të fuqishëm.Shikimin e kishte akoma të mprehtë, si të një shqiponje. Lexonte libra, sistemonte kujtime dhe projektonte të shkruante diçka, që do të mbetej me shumë vlera në sirtarin e kohës. Pas disa vitesh punë e përpjekje, mësues Nekiu boton librin “Grazhdani i Dibrës”.Është një libër që të përpin me materialin e pasur, me historik interesant të fiseve, që përbëjnë fshatin, me historikun e kalasë së Grazhdanit, e rrallë në llojin e saj, për nga mosha dhe përmasat e saj.Mësues Nekiu nuk ka të ndalur në krijimtarinë e tij. Ai po bën gati një historik tjetër për fisin e shquar Osmani të Pocestit.Më tej po vazhdon me historikun e arsimit në zonën e Maqëllarës, ku dhe vetë ka qenë aktor dhe pjesëmarrës aktiv në shumë evente, ashtu siç i përmendëm në fillim.Është autor i disa shkrimeve dhe bashkëpunëtor në emisione të ndryshme kushtuar Grazhdanit e trevës së Maqëllarës.
Në gjithë këtë veprimtari të dendur të punës së tij, si mësues e drejtues shkollash, mësues Nekiu ka provuar dy anët e medaljes, zhgënjimin dhe nderimin për punën e bërë. Të shumta janë medaljet dhe vlerësimet e bëra për të në këtë hark të gjatë kohor. Ai ka fituar medaljen e punës nga presidiumi i Kuvendit Popullor.Më pas, Ministria e Arsimit i akordon çertfikatën, si Mësues i dalluar në shkallë vendi. Bashkimet profesionale të Shqipërisë i japin fletë nderi për kontributin e dhënë në edukimin e brezit tëri. Në vitin 2018, Bashkia e Peshkopisë i lëshon çertfikatën me motivacionin “Personalitet i spikatur, që me cilësitë personale, njerëzore, artistike dhe vizionet moderne, ngriti në nivelet më të larta, arsimin në Dibër, duke u bërë ambasador i denjë i saj”.Të gjitha këto janë vlerësime dhe nderime, që do ti pëlqenin çdo njeriu, por vlerësimet dhe respektet më të mëdha vijnë nga ish nxënësit, mësuesit e bashkëpunëtorëve të tij të shumtë.
Më datën 15 prill, mësues Nekiu feston 80 vjetori. Një jetë e mbushur me mund e përpjekje për t’i dhënë më të mirën brezit të ri, ashtu siç dinë ta bëjnë mësuesit e devotshëm. Urojmë që jeta e tij të jetë e gjatë, që mendja e tij të punojë akoma dhe penda e tij të shkruaj gjëra të bukura e të vlefshme për njerëzit.