Duert e Nànës…


Meditim për Xhixhen, gjyshen e djemve të mi, Ermal e Arbër, si dhe Nënën e bashkëshortit tim… me rastin e 5 vjetorit të vdekjes.

Nga Kujtime Islami – Saraçi

Dihet që vetëm e sotmja është reale, ekziston, kurse e kaluara dhe e ardhmja nuk ekzistojnë. Kjo s’do të thotë që ne s’mund të flasim apo të shkruajmë për to. Kjo s’do të thotë që ka dhe përjashtime… Për shumë e shumë arsye. Ka dhe njerëz që mbeten të pavdekshëm, në kuptimin që jeta, sjellja, veprimtaria e tyre mbeten përjetësisht në kujtesë, jo vetëm te familja, (që është normale) por dhe te shumë e shumë të tjerë.
Do të shkruaj dy fjalë për Xhixhen. E lindur më 5 janar 1927 në Dohoshisht, motër e katër vëllezërve: Besim, Fadil, Haqif dhe Shemsi, si dhe 2 motrave Zemrije dhe Urije në një familje të madhe (Bajraktari), e njohur për tradita patriotike e atdhedashëse dhe e martuar në një familje tjetër të njohur në rrethin e Dibrës, familje me vlera bashkëkohore, në familjen e veçantë Saraçi, ku jetoi me 3 kunetër, Munir, Ismail dhe Uzri, të cilët e mirëpritën në familjen e tyre dhe jetuan si një familje e madhe.
Pasi hyri nuse në këtë familje, emri i saj Xhile, u ndryshua, në Xhixhe, sinonim i së bukurës, së resë, begatisë që sjell ardhja e një personi nga një familje e fisme. Sipas zakonit dibran, Xhixhe nënkupton xhixhë, që xixëllon, rrezaton nur e hijeshi… Në fillim u thirr ashtu nga fëmijët e familjes, mëhallës, fshatit dhe më gjerë… Dhe nga fshatrat përreth, dalëngadalë filloi të përmendej më pak emri i vërtetë.
Jo vetëm fshati i saj Bellova, por edhe Cerjani, Zagradi, Rabdishti, kushdo që e njihte, fliste mw dashuri për të, hynte mik në shtëpi të saj. Me këtë emër e thirrën dhe gjithë kuadrot, mësuesit, mjekët e zonës dhe të ardhur nga qyteti i Peshkopisë dhe nga gjithë Shqipëria. Për të gjithë ajo ishte dhe mbeti Xhixhja dhe Nëna e tyre.
Ajo lindi, rriti dhe shkolloi 6 fëmijë, duke u shquar secili në profesionet e tyre: inxhinieri, mjekësi, mësuesi, ekonomi, financë. Ishte vepër e saj që të 6 fëmijët shkëlqyen në çdo drejtim , nga puna e saj e palodhur, si në shpi, ashtu dhe në kooperativë, si një Nënë shembullore, duke u bazuar te tradita dhe duke përkrahur të renë dhe bashkëkohoren. Bujaria, mikpritja, pastërtia, e bukura, e reja, progresivja ishin tipare të saj.
Ajo u shqua si një grua e rregullt, e qetë, komunikuese dhe me jetesën e përbashkët në të njëjtin oborr me 5-6 familje. Falë kujdesit të saj gjithçka ndriste dhe shkëlqente nga pastërtia, lulet shumëngjyrëshe dhe aromatike që ishin me të bukurat e gjithë zonës. Pavarësisht se familja saj ka pasur burra të njohur e me emër, ishte ajo që si në një prapaskene organizonte festat e sebepet e herëpashershme.
Ndihmesa e Xhixhes vazhdoi dhe ndaj nipave e mbesave, duke u kujdesur me shumë dashuri edhe për dy djemtë e mi, Ermalin dhe Arbrin…
Njeriu nuk duhet të mendojë vetëm për të tashmen dhe të ëndërrojë për të ardhmen. Duhet jo herë pas here, po shumë shpesh të kujtojë të kaluarën, të reflektojë, të dijë rrënjët nga ka ardhur, të jetë mirënjohës për gjithçka të bukur që ka përjetuar dhe ndaj çdo përkushtimi nga paraardhësit… Pa rrënjë, je një trung pa jetë, pa tokën ku do të vendosësh këmbët… Prandaj dua me gjithë shpirt që të gjithë brezat të bashkëjetojnë e të ndihmojnë njëri-tjetrin. Duke kujtuar këtë grua, Nënë, femër, trimëreshë, gjyshen e djemve të mi, Xhixhen e paharruar e të veçantë, që asnjëherë nuk e kam konsideruar si vjehërr, por ndërtova një marrëdhënie të bukur… Duke dhënë një shenjë, mesazh kujtese të gjithëve se jeta është apo bëhet dhe më e gëzuar, kur dimë të vendosim urat e komunikimit…
Do më pëlqente shumë të shkruaj dhe për takimin e parë me këtë Nënë, në vitin 1979… Një moment i veçantë e i paharruar… Kalimthi, në autobus, vetëm siluetën e saj pashë, dhe për të dyja ishte një emocion pozitiv, në kuptimin e pranimit reciprok të mirësisë dhe dashurisë së pastër… Duke njohur dhe dashur djalin e saj, si mund të ndodhte e kundërta??!!
Xhixhja vdiq më 11 korrik 2017, por do të jetë gjithmonë në zemrat tona.
Shpesh kam diskutuar me shoqe, gra, vajza për këtë marrëdhënie dhe rrallë e kanë pranuar mendimin tim, duke më quajtur naive… idealiste, po secili ka mendimin e tij dhe secilit sipas kokës, festes, thotë populli…
Një djalosh shqiptar zgjohet nga ethet dhe temperatura. Nuk kupton ku ndodhet, ëndërron vendlindjen, Shkodër, shpinë me bahçe plot drandofile… Dhe papritur, thërret:
– Nånë
– Deshët gjë zotëri? – e pyet e zoja e shpisë.
– Po, përgjigjet. – Duert e Nànës…
Ernest Koliqi