HEC i Skavicës: Qeveria dhe Bechtel vazhdojnë me planet për ndërtimin, banorët të painformuar vazhdojnë me protestat


“Përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do jenë ata që janë aty rreth e rrotull”, provokoi kryeministri Rama dibranët gjatë vizitës së tij në Dibër në fund të tetorit të këtij viti. 

Faza e parë e studimit për Skavicën, parashkuar sipas ligjit të posaçëm të miratuar në Parlament, parashikon një buxhet prej 16 milionë euro. Kjo shumë, e cila paguhet nga KESH, parashikohet për më shumë se 90 studime të ndryshme. Deri më tani, nëntor 2022, janë dorëzuar mbi 70 studime në KESH, të cilat edhe janë paguar, ndërsa pritet të përfundojnë edhe 20 studime të tjera, më i rëndësishmi i të cilave është ajo për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social.

Nga BUJAR KAROSHI

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në Dibër, tetor 2022

“Përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do jenë ata që janë aty rreth e rrotull”, provokoi kryeministri Rama dibranët gjatë vizitës së tij në Dibër në fund të tetorit të këtij viti.

“Përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do jenë ata që janë aty rreth e rrotull se Skavica nuk është thjesht çështja që do na garantojë ne një nga gurët themelorë të sovranitetit energjetik që në kohët e sotme është gjë e jashtëzakonshme, por do të hapë perspektivë të jashtëzakonshme për gjithë atë zonën atje, pa llogaritur që ata, të cilët do të spostohen që aty do marrin shtëpi e të gjitha me radhë” tha kryeministri Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në qark.

Por pikërisht, “që janë aty rreth e rrotull” që sipas kryeministrit do të jenë përfituesit më të mëdhenj, ata janë aktualisht më të shqetësuarit dhe më të painformuarit.

Gjatë muajit tetor, një projekt i realizuar nga organizata “Noorth Green Asocciation” (NGA), mbështetur nga EuroNatur, arriti në konkluzionin që jo vetëm që banorët e luginës së Drinit janë më të painformuarit, por edhe se ndërtimi i hidrocentralit do ti sjellë vendit dëme të pariparueshme mjedisit.

“Ky projekt mbart disa rreziqe, si humbja përgjithmonë e tokës dhe prodhimeve të saj, shkelen dhe nuk zbatohen strategjitë e miratuara për zhvillimin e qëndrueshëm të Dibrës, humbet biodiversiteti, me rezultat final zhdukjen e specieve të florës dhe faunës, rrezikohen dhe zhduken fauna e egër, por edhe mbi 70 përqind të bimëve autoktone medicinale dhe bujqësore. Ndryshimi i mikroklimës shkatërron përfundimisht potencialin e jashtëzakonshëm turistik në të gjithë zonën, sëbashku me pjesën e fundit të mbetur dhe më të bukur të lumit Drinit të Zi”, thotë Edi Truka, drejtor Ekzekutiv i NGA. 

Pamje nga protesta e banorëve të Dibrës në Fushë-Alie, 1 shtator 2022

Kundërshtimet për Skavicën janë përcjellë gjatë këtij viti me protesta të ndryshme, duke filluar nga Zallë-Dardha deri në Gjoricë. Më 1 shtator, Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës, drejtuar nga biznesmeni Zenel Hoxha,  organizoi një protestë në Fushë-Alie, ku ekspertë dhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, nga Shkodra deri në Vlorë,  kërkuan që qeveria të ndalonte projektin.

SKAVICA NË SKENËN POLITIKE

Çështja e Skavicës është kthyer tani edhe në debatin politik. Një pjesë e opozitës e udhëhequr nga ish-kryeministri Berisha është shprehur kundër ndërtimit të Skavicës. Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në Dibër në fillim të vitit, ish-kryeministri Berisha, duke dalë kundër projektit aktual që po zhvillon KESH, kishte shprehur qëndrimin e tij për “ndërtimin e hidrocentralit pa përmbytur asnjë centimetër tokë, përmes një tuneli devijimi”.

Ferzileta Gjika, aktualisht profesore në CUNY – Universitetin e Qytetit të New Yorkut, e cila po udhëheq një grup banorësh për të kundërshtuar planet për ndërtimin e Skavicës, u shfaq në fillim të nëntorit në Tiranë, në një miting të organizuar nga opozita e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku kërkoi ndalimin e planeve të qeverisë për ndërtimin e Skavicës. 

 “Vij nga SHBA-të për të protestuar kundër padrejtësive që i bëhen popullit shqiptar. Jam me origjinë nga Dibra. Jam këtu sot për t’i thënë jo eksodit të shqiptarëve. Unë i them jo korrupsionit dhe krimit dhe projekteve mafioze si ai i Skavicës. HEC-i i Skavicës do të shkatërrojë peizazhin madhështor të Dibrës, do të vjedhë ujin e Drinit, do të shuajë Dibrën dhe dibranët dhe të gjithë speciet unike në Shqipëri dhe Ballkan. Është një vdekje e lumit Drin. Sot i bëj thirrje qeverisë, ndaloni këto pazare që bëhen me Dibrën. Dibranë e shqiptarë kudo që jeni historia po ju thërret. Sot kemi përgjegjësinë historike ndaj brezave që do vijnë, që Dibrën ta trashëgojmë siç e ka krijuar Zoti”, deklaroi Gjika në mitingun e opozitës.

BECHTEL NË KËRKIM TË NËNKONTRAKTORËVE. PROTESTË NË LONDËR

Pamje nga protesta e komunitetin dibran në Londër pranë zyrave të Bechtel.

Më 10 dhe 21 Nëntor, Bechtel se bashku me kompaninë “UK Export Finance” organizuan në Londër  një prezantim përpara financuesve të mundshëm të projektit të Skavicës apo nënkontraktorëve për të zhvilluar fazën e dytë të projektit. 

Bechtel deklaroi për mediat britanike se “ishte i interesuar për marrëveshje me kompanitë aktive në inxhinierinë civile, strukturore dhe mekanike, pajisjet e ndërtimit dhe fushat elektrike”.

Ky njoftim i Bechtel nxiti komunitetin dibran në Londër të organizonte një protestë më 20 tetor 2022 përballë zyrave ku kompania do të prezantonte projektin përpara nënkontraktorëve.

“Mos shkatërroni Dibrën”, “Mos u dorëzoni”, “Bechtel largohu, lëre Dibrën” – ishin disa nga pankartat të shkruara në gjuhën angleze. Folësit në këtë tubim kërkuan ndalimin e planeve për ndërtimin e Skavicës dhe i bënë thirrje kompanisë të tërhiqej nga projekti.

Ndërkohë në Tiranë, një studio avokatie ka bërë hetime në lidhje me ligjin e posaçëm që i jep Bechtel studimin, projektimin dhe ndërtimin e Skavicës.

“Studio ka gjetur mbi 20 shkelje antikushtetuese në këtë ligj të posaçëm, ndërsa tani po shihet mundësia se cila është rruga më e mirë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin”.

Në qoftë se kjo betejë ligjore fitohet, pra ligji shpallet antikushtetues, do të jetë një fitore e parë e kundërshtarëve të Skavicës. 

LETËR DFC-SË: MOS FINANCONI PROJEKTIN

Shoqatat mjedisore letër DFC:

  • Qeveria Shqiptare nuk është konsultuar me mijëra qytetarët të cilët preken prej këtij projekti. 
  • Protestat e qytetarëve nuk janë marrë në konsideratë.
  • Korrupsioni është një faktor që ndikon vendimarrje të tilla, qoftë nga ana e qeverisë shqiptare, qoftë nga ana e kompanisë Bechtel.
  • Nën dritën e fenomenit të ngrohjes globale, një investim i tillë nuk ka kuptim, duke pasur parasysh rënien në vazhdimësi të rezervave ujore
  • Do të zhvendosë më shumë se 5000 banorë, të cilët akoma nuk e dinë fatin e tyre

Një grup shoqatash vendore dhe ndërkombëtare, me fokus ruajtjen e mjedisit, i kanë dërguar një letër Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së (US International Development Finance Corporation – DFC), duke i kërkuar kësaj të fundit të mos financojë projektin e Skavicës.

Në kundërshtim të idesë ata paraqesin disa argumente.

“Qeveria Shqiptare nuk është konsultuar me mijëra qytetarët të cilët preken prej këtij projekti. Protestat e qytetarëve nuk janë marrë në konsideratë”, shkruhet në letrën drejtuar DFC-së.

Gjithashtu, në letrën e dërguar nga Andrey Ralev, një ekspert i mjedisit nga organizata Bankwatch Network, shkruhet se “korrupsioni është një faktor që ndikon vendimarrje të tilla, qoftë nga ana e qeverisë shqiptare, qoftë nga ana e kompanisë Bechtel”, e cila përmendet në letër si e përfshirë në disa projekte të dyshimta në Ballkan.

“Nën dritën e fenomenit të ngrohjes globale, një investim i tillë nuk ka kuptim, duke pasur parasysh rënien në vazhdimësi të rezervave ujore”, shkruhet mes të tjerash në letër. Gjithashtu, në letër shkruhet se burime të tjera të energjisë, si energjia diellore, nuk janë marrë akoma në konsideratë nga qeveria shqiptare.

“Biodiversiteti i zonës do të vihej në rrezik, duke përfshirë kafshë të rralla dhe ndryshimin e klimës në zonë’, shkruhet në letrën drejtuar DFC.

Drejtuesit e DFC vihen në dijeni se hidrocentrali do të “do të zhvendosë më shumë se 5000 banorë, të cilët akoma nuk e dinë fatin e tyre”.

Në këto rrethana, në letrën e firmosur nga 22 organizata mjedisore brenda dhe jashtë vendit si dhe 111 qytetarë nga rajoni i Dibrës, i kërkohet DFC-së që të mos marrë në konsideratë financimin e projektit. 

KESH: BANORËT DO TA THONË QËNDRIMIN E TYRE GJATË PROCESIT TË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT MJEDISOR DHE SOCIAL 

Ekspertë në terren duke mbledhur të dhëna për studimet paraprake për raportin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social.(Foto: KESH)

Faza e parë e studimit për Skavicën, parashkuar sipas ligjit të posaçëm të miratuar në Parlament, parashikon një buxhet prej 16 milionë euro. Kjo shumë, e cila paguhet nga KESH, parashikohet për më shumë se 90 studime të ndryshme. Deri më tani, nëntor 2022, janë dorëzuar mbi 70 studime në KESH, të cilat edhe janë paguar, ndërsa pritet të përfundojnë edhe 20 studime të tjera, më i rëndësishmi i të cilave është ajo për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social.

Këtë studim e ka marrë përsipër Golder, një kompani ndërkombëtare me përvojë në këtë fushë, e mbështetur nga kompani lokale të konsulencës. Studimet e gjendjes ekzistuese mjedisore janë kryer tashmë për periudhat e verës, vjeshtës dhe dimrit. Një pjesë e madhe e këtij studimi është kryer.

Përfaqësues të banorëve dhe grupeve të studimit përplasen me tyre. Ata i kanë ndaluar grupet e studimit të vazhdojnë punën e tyre në terren, duke u shprehur kundër Projektit

Studimi i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social do të vlerësojë ndikimet e mundshme mjedisore dhe sociale të projektit, si ato negative ashtu edhe ato pozitive; mënyrat se si ndikimet negative mund të shmangen, minimizohen ose korrigjohen; ndikimet e mundshme në jetesën e komuniteteve të prekura, grupet në nevojë, infrastrukturën sociale, trashëgiminë kulturore si dhe burimet natyrore si dhe qasjen dhe parimet e kompensimit dhe zhvendosjes.  

Raporti pritet të jetë gati për opinionet dhe komentet e publikut gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022.

Raporti duhet të hartojë edhe Planin e Veprimit dhe të Zhvendosjes, ku duhet të jepen të detajuara popullsinë e prekur, sipërfaqen e tokës që do të përmbytet, vlerat e kompensimit për tokën dhe asetet, planin e zhvendosjes  etj. Ky proces do të shoqërohet edhe me një census të popullsisë dhe aseteve në territorin që do mbulohet nga ujërat e liqenit.

ZHVENDOSJA DHE KOMPENSIMI, NJË STUDIM I VEÇANTË NGA KESH

Në fazën e parë të studimit KESH thotë se do të duhet të jenë të studiuara edhe parimet e kompensimit dhe zhvendosjes. 

“Projekti është i angazhuar të trajtojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë individët dhe komunitetet e prekura. Qasja ndaj kompensimit dhe zhvendosjes do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të sektorit”, thonë KESH në një njoftim për publikun.

Sipas KESH, “projekti do të shmangë ose minimizojë zhvendosjen e pavullnetshme kudo që kjo është e mundur duke vlerësuar alternativa të ndryshme gjatë fazës së projektimit”. 

“KESH dhe partnerët e tjerë të projektit janë të angazhuar të trajtojnë në mënyrë të drejtë banorët dhe komunitetet dhe vrojtimi social në terren si dhe konsultimet e gjera me publikun do të jenë mundësi për të marrë informacion dhe opinionin e tyre. Raporti i VNMS-së do të ndahet me komunitetet nëpërmjet dëgjesave të hapura publike përpara se të paraqitet për aprovim nga autoritetet. Opinionet dhe komentet e marra nga publiku do të bëhen pjesë e raportit përfundimtar të VNMS-së”

Gjithashtu, projekti do të adresojë ndikimet negative sociale dhe ekonomike që mund të vijnë për shkak të sigurimit të tokës ose kufizimeve në përdorimin e saj nëpërmjet sigurimit të kompensimit për humbjen e aseteve bazuar në vlera e tregut plus koston e transaksionit, si dhe të sigurojë aktivitetet e zhvendosjes duke zbatuar masat e nevojshme për shpërndarjen e informacionit, konsultimet dhe pjesëmarrjen e informuar të personave të prekur.

Në qoftë se qeveria shqiptarë do të vendosë të kalojë në fazën e dytë, që është ai i ndërtimit të hidrocentralit, duhet që në projekt të jenë të përcaktuara edhe hapat e duhura , me qëllim që të garantojë se “projekti do të përmirësojë ose kthejë në gjendjen fillestare mjetet dhe kushtet e jetesës së personave që do të zhvendosen, do të përmirësojë kushtet e jetesës të personave të zhvendosur nëpërmjet sigurimit të strehimit të përshtatshëm me pronësi të sigurt në zonat e zhvendosjes”.

“Objektivi i përgjithshëm është që në përfundim të procesit të zhvendosjes jetesa e personave që do të zhvendosen të përmirësohet ose minimalisht të jetë e njëjtë me nivelin që ishte”, thotë KESH 

Drejtori i KESH, Ergys Verdho, gjatë kthimit të përgjigjeve individëve dhe organizatave të ndryshme, bazuar në kërkesa për informacion, thotë se deri më tani “nuk ka një vendim përfundimtar mbi treguesit teknik të projektit. Nga kontraktori po mblidhen dhe vlerësohen të gjitha informacionet e nevojshme për realizimin e procesit të përzgjedhjes së alternativës më fizibël”.

“Vendndodhja e saktë e digës dhe kufijtë e rezervuarit nuk janë përcaktuar akoma dhe aktualisht janë duke u studiuar dy vendndodhje alternative”, shkruan Verdho.

Sipas tij, “përcaktimi i vendndodhjes së saktë të digës dhe kufijtë e rezervuarit do të përcaktohen nëpërmjet një studimi fizibiliteti, i cili do të marrë në konsideratë faktorët mjedisorë, socialë, teknikë dhe ekonomikë”.

“KESH dhe partnerët e tjerë të projektit janë të angazhuar të trajtojnë në mënyrë të drejtë banorët dhe komunitetet dhe vrojtimi social në terren si dhe konsultimet e gjera me publikun do të jenë mundësi për të marrë informacion dhe opinionin e tyre. Raporti i VNMS-së do të ndahet me komunitetet nëpërmjet dëgjesave të hapura publike përpara se të paraqitet për aprovim nga autoritetet. Opinionet dhe komentet e marra nga publiku do të bëhen pjesë e raportit përfundimtar të VNMS-së”, thotë Ergys Verdho, drejtor i KESH, në një letër drejtuar Komitetit Shqiptar të Helsinkit. 

***

Ndërkohë që ky shkrim botohet, sipas parashikimeve të KESH, duhet të kishte filluar diskutimi me publikun, por deri më tani asnjë takim zyrtar nuk ka ndodhur. Sipas ligjit, njoftimet duhet të bëhen disa ditë përpara, për tu dhënë mundësi banorëve të përgatiten, por aktualisht nuk ka asnjë njoftim publik në asnjë nga agjencitë shtetërore që e kanë për detyrë ta ndjekin këtë proces, si në njësitë e qeverisjes vendore, agjencitë kombëtare apo rajonale të mjedisit.

Gjatë muajit të kaluar disa takime informale, madje edhe me përplasje verbale mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bechtel dhe grupeve të studimit kanë ndodhur në Muhurr dhe Fushë Alie, por këto takime nuk kanë qenë të planifikuara. Banorët janë të përgatitur për tu përballur me qeverinë në këtë procesin e diskutimeve, por frika e tyre për një proces fallso mbetet e madhe.

KESH: Vazhdojmë bashkëpunimin me Bechtel për zhvillimin e projektit

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) është zhvilluesi i Projektit të Hidrocentralit të Skavicës. KËSH ka theksuar përmes njoftimeve për shtyp gjatë gjithë kësaj kohe se “qëllimi i ndërtimit të HEC Skavica është të sigurojë furnizim shtesë me energji elektrike si dhe të përmirësojë menaxhimin e kaskadës së Drinit si dhe reduktimin e përmbytjeve në rrjedhën e poshtme nga nivelet e larta të reshjeve sezonale”. 

Bechtel, kompania globale e inxhinierisë dhe ndërtimit,  është duke punuar më KESH për të realizuar një studim realizueshmërie të HEC Skavica, si dhe realizimin e vlerësimit të kostove të Projektit.

KESH mendon se “Skavica, si diga e sipërme e kësaj kaskade, do të jetë diga kontrolluese që do të ndihmojë në optimizmin e kaskadës”.

Në fazën aktuale të studimit, që përkon me fazën e parë të punimeve sipas parashikimeve të ligjit Nr. 38/2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës” dhe VKM nr.485, datë 30.7.2021 “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “kontratë për shërbime teknike – projekti Hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH SHA dhe Bechtel Limited”, shoqëria Bechtel është duke zhvilluar fazën e parë të projektit për ndërtimin e HEC Skavica. 

KESH thotë se “studimi po kryhet sipas standardeve ndërkombëtare dhe Bechtel është angazhuar për të menaxhuar këtë proces për KESH-in me mbështetjen e kompanive të tjera ndërkombëtare si Mott MacDonald për pjesën inxhinierike, Golder për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor e Social (VNMS) si dhe WeBuild për pjesën teknike dhe të ndërtueshmërisë së veprës”. Burime nga KESH theksojnë se “në këtë fazë Projekti po mbështetet edhe nga kompani lokale të konsulencës”.

Studimet aktuale po shqyrtojnë alternativat për vendndodhjen e digës dhe elementeve të tjera të projektit,  llojin dhe lartësinë e digës, korridorin e linjës së transmetimit, rrugët hyrëse, vlerësimet gjeologjike, gjeoteknike, hidrologjike, të ndryshimit të klimës dhe përmbytjeve, studimet për fuqinë dhe prodhimin e energjisë si dhe për tunelet për skemën hidrike.

Kërkesës nëse këto studime mund të jenë të hapura për publikun, KESH thotë se “është paraparë që këto studime të dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare dhe atje do të jenë të disponueshme për të interesuarit”. 

“Studimet gjeoteknike kanë nisur rreth fundit të vitit 2021 së bashku me vrojtimet tokësore dhe ajrore bazë të zonës së propozuar të Projektit. Studimi dhe alternativat pritet të vendoset brenda vitit 2022, ndërsa Vlerësimi i Ndikimit Social e Mjedisor pritet të mbarojë deri në qershor të vitit 2023,  thuhet në njoftimet publike të KESH.

Projektimi i veprës, sipas planeve të KESH, pritet të zgjasë dy vite, deri në fund të vitit 2023, ndërsa faza e parë e ndërtimit pritet të fillojë në mesin e vitit 2023. 

Në qoftë se qeveria shqiptare parashikon të ece përpara më ndërtimin e Skavicës, ajo pritet ta përfundojë atë në fund të vitit 2026, ndërsa viti 2027 do të shërbejë edhe si fazë kolaudimi dhe do të fillojë mbushjen përfundimtare të rezervuarit.