Nazmi Drizi: Është krim t’i lëmë tokat pa punuar


Në foto: Nazmi Drizi duke treguar fushat djerrë. “Nga ish-qendra e fermës deri në Drin të Zi, gjithçka që të zë syri është pothuajse bosh. Tokë e papunuar. Tek-tuk duket ndonjë dorë njeriu që ka rindërtuar diçka, por pamja, që i ngjan djerrinës, është e dhimbshme. Kjo edhe për Nazmiun”

Në tokat e Nazmi Drizit, kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi

“Kjo qeveri nuk dëgjon, sepse kjo qeveri nuk është e popullit. Një qeveri e popullit vjen këtu, ulet rrafsh me popullin dhe shikon me sy çfarë humbet. Kjo fushë që të kap syri, deri në mestë maleve – dhe bën me dorë nga Kastrioti në Sinë, – do të mbulohet. Ky është krim”.

Nga BUJAR KAROSHI

“Jam 75 vjeç, por punoj sikur jam 20 dhe nuk do të vdes kurrë”. Kështu më tha Nazmi Drizi, ndërsa qëndronte në mes të tokës së tij në Zbinec, një tokë rreth Drinit të Zi, në fshatin Kishavec të Dibrës. Nga toka e Nazmiut duket Muhurri, Sina, Arrasi, Laçes, Fushë-Alia, Kuke, Bresti dhe shumë fshatra të tjerë të Dibrës që shtrihen drejt Korabit e Gramës, një pjesë e të cilave qeveria shqiptare ka në plan t’i mbulojë me ujërat e HEC të Skavicës.
Nazmi Drizi është kundër. Ai drejton Shoqatën për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi, themeluar në nëntor 2002, shoqata më e vjetër e ngritur për të mbrojtur hambarin e Dibrës.
“Nuk jam kryetar për të mbrojtur interesat e mia, jam për të mbrojtur interesat e Dibrës. Nëse qeveria do ta mbysë këtë luginë, ky ka për të qenë një gjenocid ndaj tokës, ndaj natyrës, ndaj njeriut”, thotë Drizi.

Shoqata e tij është në krye të disa organizatave mjedisore që e ka çuar çështjen e Skavicës në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata nuk ka marrë akoma një vendim se kur do ta shqyrtojë çështjen, por Nazmiu është i bindur se e drejta, sado që të vonohet, është në anën e popullit të Dibrës.

Shoqata për Mbrojtjen e Drinit të Zi ka udhëhequr vazhdimisht protestat kundër Skavicës. Ajo ka organizuar protesta që nga Reçi deri në Gjoricë, por deri më tani duket se protestat kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Kjo qeveri nuk dëgjon, sepse kjo qeveri nuk është e popullit. Një qeveri e popullit vjen këtu, ulet rrafsh me popullin dhe shikon me sy çfarë humbet. Kjo fushë që të kap syri, deri në mes të maleve – dhe bën me dorë nga Kastrioti në Sinë, – do të mbulohet. Ky është krim”.

Një foto pranë rrjedhës së lumit në Topojan, pas një veprimtarie me të rinj, ku u foli atyre për mundësitë që ofron Drini i Zi për sportet ujore dhe rëndësinë e ruajtjes së natyrës përgjatë luginës së Drinit të Zi që kalon mespërmes Dibrës.

Ndërsa në Shqipëri ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme për pandeminë Covid 19, qeveria shqiptare shpalli projektet për ndërtimin e Skavicës përmes kompanisë Bechtel. Nazmiu organizoi një protestë në kodrat e Salbatre në fshatin Laçes, pranë Drinit, për organizimin e së cilës ai mban mbi shpinë një gjobë prej 5 milionë lekësh.
“Ata (qeveria) na thonë se kemi shkelur rregullat e pandemisë. Por për shkeljen e rregullave kam marrë një gjobë, por për shkeljen e të drejtave të njeriut, për krimin mjedisor e social, për zhdukjen e më shumë se 33 fshatrave të Dibrës, për ndarjen e saj në dysh – më keq se në vitin 1912, për gjenocidin që planifikohet të bëhet me popullin e Dibrës kush gjobitet? Kush do të mbajë përgjegjësi?” – pyet Nazmiu.
Në Zbinec, në tokat që dikur hidhnin shtat plepat e gjatë dhe më vonë edhe tokat e reja të bukës, tani po mbulohet nga shelgjet. Thuprat e shelgjeve dikur ishin një burim me lëndë të parë për ndërmarrjen artistike Migjeni në Tiranë. Me thuprat e holla e të bardha dikur furnizohej Europa me mobilje e shporta dekorative dhe materiale të tjera artistike.

Nazmi Drizi në mes të tokave të tij në Zbinec, mbjellë me luledielli. Në sfond, pylli i lisave, pronë e familjes së tij.

“Diku aty, pranë tokës që kam unë, dikur ka qenë një banesë e vogël. Vinin nga udhëheqja për të gjuajtur këtu. Kishte lloj–lloj kafshësh të egra, përfshirë edhe derra, thëllëza e pulëbardha. Tani nuk ka më. Ka filluar vitet e fundit të ketë kafshë të egra, por mungesa e pyjeve nuk i favorizon për të ngritur strofkat e tyre.
Vetëm një masiv plepash duket pak më larg, të cilën edhe atë e ka ruajtur Nazmiu.
“I ka mbjellë babai im ato. I kam amanet për t’i ruajtur, ashtu siç kam amanet për të ruajtur tokën e trashëguar nga të parët”
”Kam 48 dynymë tokë babe, por nuk kam asnjë dokument për to. Nuk i jep qeveria. Nuk kam as unë dhe askush në luginën e Drinit të Zi tapi për tokën e trashëguar nga të parët”, tregon Drizi.
Ai ka bindjen se ëndrra për të ndërtuar HEC e Skavicës është ëndërr e çdo qeverie, djathtas e majtas, ndryshe nuk ka si shpjegohet që 30 vite pas rënies së komunizmit, qeveria nuk i pajis banorët me tapitë e tokës.
Ndryshimi i qeverisjes në vitet ’90 e ka gjetur Nazmiun si banor të qendrës së Kastriotit, aty ku në atë kohë kishte më shumë se 165 familje. Në atë kohë, në këtë qendër, përveç shtëpive private, qeveria e kohës kishte ndërtuar edhe 7-8 pallate për familjet e punëtorëve të fermës.
Nazmiu që nga viti 1978 ka banuar në fermën e Kastriotit. Kjo fermë, me mbi 480 hektarë tokë, ka qenë e njohur për prodhimin e mollëve dhe qershive, një pjesë e së cilës ishte e destinuar për Bllokun e Udhëheqjes dhe për eksport.

Diku mes fushës janë mollët e vjetra të ish-fermës, të cilat Nazmiu i ka ruajtur. Janë ca mollë rranetë, me pak kokrra nëpër të, mbuluar nga myshqet. Mollët duken si të egra. Mes mollëve Nazmiu ka mbjellë grurë.

Ndërsa na udhëheq në mes shtëpive gjysmë të prishura të ish-fermës, Nazmiu tregon se ka këtu 5 apartamente, të gjitha të braktisura. Bosh. Ai ka në plan që t’i rregullojë dhe t’i përgatisë për të pritur turistët, madje, po mori leje, ta shtojë edhe një kat, por kjo duket më shumë si një dëshirë sesa një realitet.’
Nga ish-qendra e fermës deri në Drin të Zi, gjithçka që të zë syri është pothuajse bosh. Tokë e papunuar. Tek-tuk duket ndonjë dorë njeriu që ka rindërtuar diçka, por pamja, që i ngjan djerrinës, është e dhimbshme. Kjo edhe për Nazmiun.
“Është gjynah, – thotë ai. – Të kesh gjithë këtë tokë nën ujë, që dikur njihej në Europë dhe sot ta degdisësh në këtë farë feje; ndërsa fëmijët tanë punojnë tokat e botës…”.
E ndjen pezmin, merakun.

Gruri i korrur në mes të fushës.Barërat e egra kanë bërë që këtë vit prodhimi i grurit të jetë shumë më pak se pritshmëritë.

Diku mes fushës janë mollët e vjetra të ish-fermës, të cilat Nazmiu i ka ruajtur. Janë ca mollë rranetë, me pak kokrra nëpër të, mbuluar nga myshqet. Mollët duken si të egra. Mes mollëve Nazmiu ka mbjellë grurë. Një ditë më parë kishte futur autokombajnën ta korrë, por e kishte ndaluar.
“Do edhe pak ditë – thotë Nazmiu, ndërsa na tregon grurin e korrur anës rrugës.
Parcelat e grurit herë-herë duken si fusha të mbjellë me ferra. Shirat e këtij viti kanë favorizuar bimët e egra mes fushës, por duket edhe dora e punës së bujkut. Ka pasur nevojë për plehërim e pastrim nga barërat e këqija, por kush do ta bëjë?
“Kanë ikur fëmijët, – thotë Nazmiu. Kanë ikur dhe na kanë lënë vetëm”.

Pas viteve ‘90 Nazmiu ka drejtuar komisionin e ndarjes së tokave të ish-fermës, prej së cilës ka marrë 22 hektarë tokë. “Vetëm këtë tokë kam me letra, asnjë metër të tokës së babait tim nuk kam asnjë letër nga shteti që të më njohë pronësinë”.
Ai tregon se në Fushën e Kastriotit dikur gjallëronte ekonomia. Ai ka qenë kryeplak i fshatit dhe e di mirë se çfarë është bërë me tokën.
Ai beson se është ngatërruar qëllimisht ligji i famshëm 7501 për tokën dhe ndarja sipas trashëgimisë, duke e futur dokumentacionin për tokën në një qorrsokak, pa zgjidhje.
Ai beson se ndarja e tokës edhe me ligj, edhe me trashëgimi, është një ngatërresë e qëllimshme në Dibër, për të sjellë ngatërresa, për të bërë poshtërsi.

Pamje nga ish-ferma e Kastriotit. Godina në sfond është pronë e Nazmi Drizit, me perspektivë për ndërtimin e një bujtine.

Nazmiu këtë vit ka mbjellë 120 dynym grurë. Një ndihmë të qeverisë për fermerët që mbjellin grurë, e mori vetëm falë ndërhyrjes së kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu.
“I bëra letrat, por nuk më dhanë ndihmë. U ankova. I shkrova një mesazh kryetarit të Bashkisë. Më priti dhe më tha: Vërtet i ke mbjellë 120 dynym grurë! – Po, – i thashë. Hajdeni dhe mateni, në qoftë se kam mbjellë edhe një metër më pak, nuk e dua ndihmën”.
Çuditërisht, pak ditë pas kësaj bisede, më morën në telefon dhe më thanë se “fondi për ju është miratuar”.
Nazmiu tregon se ka marrë 360 mijë lekë donacione, shumë e cila nuk ka mbuluar as shpenzimet e plehërimit. Por më mirë pak se hiç. Gjithashtu, ka marrë edhe 660 litra naftë. Nazmiu thotë se këtë vit kishte parashikuar të merrte rreth 40 ton grurë, por në të vërtetë, kur kombajna korri parcelën e fundit, rezultoi të merrte vetëm gjysmën e planifikuar. Ndërsa lajmet për çmimin e grurit nuk janë aspak optimiste.

Nazmi Drizi ka mbjellë 3.5 hektarë misër të bardhë, e gjitha në Kishaves, në një tokë nën ujë.

Dibra ka një mundësi të mirë të mbjelljes së bimëve mjekësore.
“Kjo jo vetëm që është mirë për familjet, por është mirë edhe për bimët e egra mjekësore, të cilat po vilen pa kriter dhe rrezikohen të zhduken”, thotë ai.
“Këtu ekziston mundësia për të punuar me bimët mjekësore në mënyrë të papame. Nga Drini në Korab mund të kultivohen mbi 2 mijë lloj bimësh”, thotë Nazmiu.
Ndërsa na tregon në tokat e mbjella në Zbinec llojet e ndryshme të bimëve mjekësore, mes të cilave 1.1 hektarë tërfil, 0.7 hektarë hithra, 2.5 hektarë mullagë e zezë dhe 0.7 hektarë bar blete. Në tokën e tij bie në sy edhe një parcelë me luledielli, e cila ka filluar të çelë.
“E kam të gjithën të shitur”, – thotë ai.

Në mes të tokave në Zbinec, ku ka mbjellë lloje të ndryshme bimësh mjekësore: tërfil, hithra, mullagë e zezë, bar blete etj.

Kur i kërkon të tregojë kulturat bujqësore që ka mbjellë në tokat e tij – të gjitha nën ujë, ai nuk pushon së numëruari: fasule, shalqi, lloje të ndryshme perimesh…
Nazmiu tregon se jeton në shtëpi vetëm me bashkëshorten, Lazen. I ka dhënë Zoti 9 fëmijë, 5 vajza dhe 4 djem. Fëmijët i ka në Greqi dhe Gjermani. Një djalë, të madhin, Urimin, e ka afër shtëpisë në katund, i cili, së bashku me nipin, Halimin – që mban emrin e gjyshit, – merret më së shumti me blegtorinë. Vetëm nga trungu i tij familjar sot janë mbi 70 fëmijë. Është 28 herë gjysh dhe 7 herë stërgjysh. Por në shtëpi ai është vetëm me bashkëshorten. “Burrë e grua për shtëpi jemi të gjithë në katund”.
Kishaveci, një fshat që dikur kishte mbi 230 familje – fshati i dytë më i madh i ish-fermës së Kastriotit, pas Brestit, sot është i braktisur – si një shumicë fshatrash në Dibër. Fshati me rreth 50 familje, në shumicën e tyre ka vetëm pleq. Të gjithë pothuajse të vetmuar, me fëmijët në emigracion.
“Këtu janë të mirat e gjithë botës, ndaj u bëj thirrje fëmijëve, të rinjve të kthehen! Të punojnë e ti mbjellin tokat! Pasuria e tyre është këtu!! – bën thirrje ai.
Familja e Nazmi Drizit është një familje e madhe në Kastriot. Të parët e tij kanë zbritur nga Sina rreth 400 vjet më parë. Gjyshi i Nazmiut, Elez Drizi, u arrestua nga austro-hungarezët dhe vdiq në Prizren, atje ku sot ka edhe lapidarin. Babai i tij, Halimi, mbeti jetim që 9-vjeç. Kur rritet, martohet dy herë: me gruan e parë, Hide Voka, lindi katër fëmijë – dy jetuan, ndërsa me gruan e dytë, Xhilkë Laçi, lindi 7 fëmijë, më i vogli prej tyre është Nazmiu.
“Babai im, në kohën e kooperativës, sapo i martonte djemtë, i përcillte”.
Me “i përcillte” do të thoshte i nxirrtë në shtëpinë e tyre. Por në fakt, sot kanë ikur të gjithë.
“Unë mbeta me babain. Fëmija i fundit i dy grave. Dhe më duket se mua më peshon më shumë “amaneti i tij”, për të ruajtur tokën e blerë me djersë”.

Rezervuari artificial i ndërtuar sipër shtëpisë së Nazmiut, i gjithi investim i tij. Ujërat e tij vadisin parcelat e mbjella me misër.

Afër shtëpisë Nazmiu ka ndërtuar me buxhetin e tij dhe një rezervuar të vogël artificial. Ujërat që mblidhen gjatë dimrit përdoren për ujitjen e tokave. Shumica e tyre me vaditje të lirë.
“Nuk kemi fuqi. Jemi të lodhur. Por është krim t’i lëmë tokat pa punuar”.
Një shtëpi në fshat nuk ka kuptim pa bagëtitë. Një tufë me dhen po mrizojnë në vathë në këtë vapë qershori, ndërsa ngjitur me shtëpinë, dëgjohet gumëzhitja që vjen nga disa koshere të reja bletësh.
“Bletët i kam vënë për qejfin tim. Bleta gjithmonë më ka mahnitur, më ka tërhequr. Më ka bërë të kuptoj se nuk ka rëndësi sa i vogël je, por e rëndësishme është bashkimi dhe çfarë qëllimi ke në jetë”.
Ky është viti i tretë që merret me mbarështrimin e bletëve dhe ka synim të bëjë një park të madh bletësh.

Kosheret e bletëve pas shtëpisë së tij në Kishavec. Hapsirat e tokave dhe shumëllojshmëria e luleve në çdo stinë, është një mundësi e mirë për zhvillimin e bletarisë.

Mes kësaj atmosfere pune që rrethon Nazmiun, nuk përtoj ta ngacmoj rreth punëve të shoqatës për Mbrojten e Luginës së Drinit të Zi. Shpesh kam qenë kritik me të, kur e kam pasur përballë. I kam kërkuar të freskojë shoqatën, të mbledhë rreth vetes të rinj të shkolluar e të pasionuar pas vendit, ekspertë të natyrës, por kur sheh punët e Nazmiut, e kupton se pse kjo nuk ka ndodhur”.
“Kush e ka pa hile – bujrum! I ka dyert e shoqatës të hapura. Por kush në emrin tonë kërkon të shesë Dibrën, – jo, kurrë nuk ka për të pasur mbështetjen tonë”.
Shoqata e tij është në krye të disa organizatave mjedisore që e ka çuar çështjen e Skavicës në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata nuk ka marrë akoma një vendim se kur do ta shqyrtojë çështjen, por Nazmiu është i bindur se e drejta, sado që të vonohet, është në anën e popullit të Dibrës.

“Nuk po shoh të rinjtë t’i kthehen tokës. Sikur kjo të ndodhte një ditë e më parë, nuk ka qeveri që ndërton Skavicën”.

“Kam vetëm një peng: Nuk po shoh të rinjtë t’i kthehen tokës. Sikur kjo të ndodhte një ditë e më parë, nuk ka qeveri që ndërton Skavicën”.
Të rinjtë kanë ikur dhe Nazmiut i duhet të luftojë me bashkëmoshatarët e tij! Një luftë të vështirë, të pabarabartë dhe të padrejtë. Por ai dhe banorët e Dibrës do ta fitojnë. Sepse Dibra ka mbijetuar në shekuj, edhe tani do të triumfojë!