Rruga e re që po ndërtohet nuk prek gjurmën e rrugës së vjetër, nuk e “djeg” bibliotekën e saj. Rruga e re shpon malet tejpërtej me 6 tunele me rreth 5 km gjatësi. Më i madhi, ndërtimi kryesor i Rrugës së Arbërit, është tuneli i Murrizit me 3246 m gjatësi. Inxhinieri Mark Pepkola i shpjegon botuesit të gazetës “Rruga e Arbërit” Musa Rriçku, se po punohet pa u ndalur në dy tunelet, kryesorin dhe atë të emergjencës. Deri më tani është ecur me 550 metra thellësi nga ana e Tiranës. Së shpejti do të punohet edhe në anën tjetër.
Jam nisur për të vizituar kantierin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Ditë më parë lexova në rrjetin social Facebook një njoftim të postuar nga Demir Osmani, anëtar i Kryesisë së shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”. Dhe ja, ky postim ogurmirë, më lëvizi edhe mua herët në mëngjes në këtë fund prilli. Capita kodrinave të Shën Pjetrit mbi Qytetin Studenti, ku banoj, dhe zbrita në qendër të Tiranës e po pres në kafen në oborrin e pasmë të Pallatit të Kulturës. Aty përballë ndodhet stacioni i autobusëve.
Meqë të tjerët nuk kanë ardhur ende, po rrufis me nge një kafé.
Dhjetëra metra më tej prej këtu ku jam, është Rruga e Dibrës. Buron nga Sheshi Skënderbej dhe vazhdon drejt malit të Dajtit, duke kaluar pika orientimi si Te Selvija, Kafja e Rremës, Shkalla e Tujanit. Nga shkon më tej Rruga e Dibrës? Pse nuk të çon në Dibër, siç edhe emërtohet? Shumëkush mbledh krahët dhe nuk din të përgjigjet. Mbase emërtim historik prej Lagjes së Dibranëve, mbase… Në këtë rrugë vargu i pafund i makinave dhe autobusëve të çon te Qendra spitalore “Nënë Tereza”, në Tufinë. Por, jo në Dibër. Paçka se tabela shkruan: “RRUGA E DIBRËS”. Dhe është një ndër rrugët më të vjetra në Tiranë.
Po mendohem, duke parë atë pallatin katërkatësh në anë të Rrugës së Dibrës. Pasi del nga sheshi qendror i kryeqytetit, kalon një grumbull shtëpish të vjetra dhe të shëmtuara, të strukura njëra pranë tjetrës, të frikësuara nga ndryshimi modern i kryeqytetit, dhe menjëherë vjen ky pallat i ndërtuar në periudhën komuniste, me një stil të papranueshëm për kohën, Stili Kubik. Kur u dënua për agjitacion e propagandë nga Diktatura, thonë se arkitektit Maks Velo, në aktakuzë iu shënua edhe ky ndërtim “me shije borgjezo-revizioniste”. Tjetërkund tërhiqet vëmendja ime te ky pallat i Rrugës së Dibrës, aty ka shtëpinë shkrimtari ynë me famë botërore Ismail Kadare. Kadareja ka lidhje me Rrugën e Dibrës jo vetëm se aty kishte shtëpinë, por disa ngjarje të të rinjve të viteve 60-të në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” i vendos pikërisht në Rrugën e Dibrës. Të rinjtë e Tiranës diskutonin me njëri-tjetrin në shëtitjet e përmbrëmshme pikërisht në një nga rrugët me emër të madh, por që ishte e mbyllur e nuk të çonte askund. Disa uzina dhe depo ushtrie, apo vendstrehime në Dajt në fund të Rrugës shënonte një përfundim apokaliptik të saj. Ja, Rruga e Durrësit shkonte në Durrës, ajo e Elbasanit në Elbasan. Po kështu Rruga e Kavajës. Kjo e Dibrës të çonte te Kafja e Rremës, por jo në Dibër. Hahaha! Përse nuk ia vunë emrin Rruga “Kafja e Rremës”?
Rruga e Dibrës mbeti një rrugë misterioze. Madje, po të llogarisësh se pas Kafes së Remës u ndërtua dhe Shkolla e Qenve, varreza e Tufinës dhe u vendosën tela me ferra, vërtet që kjo rrugë, rruga shekullore e Dibrës, u bë depresive, e paarritshme, e ftohtë, e huaj. Askush nuk mendonte më për të, nuk diskutoi për të deri në fillimin e viteve 90-të. Sikur ajo të mos ekzistonte. Studiuesi amator, mësuesi i pasionuar pas historisë, Iljaz Kaca, shkroi për këtë rrugë historike të dibranëve, për rrugë e vendbanime të shumta në trevën historike të Dibrës. Madje, ai e quajti Rruga e Arbërit. Kaq. Për më tej mendonte TJETËRKUSHI. Mos vallë Kadareja i vendosi jo rastësisht personazhet e tij rinorë në këtë rrugë të murosur, pa zgjatimin e saj natyral, në këtë rrugë-simbol të një jetë pa të ardhme, të izoluar? Edhe sikur gjithçka të ketë qenë rastësore, kjo rrugë ishte vendi i duhur për mesazhet e veprës së Kadaresë.
* * *

. . . Më shkëputi nga imagjinata këtë mëngjes me sytë te Rruga e Dibrës dhe Pallati i Kadaresë përshëndetja miqësore e Demir Osmanit. Pas pak në shoqërinë tonë erdhi prof. Bashkim Lleshi, bashkë me vajzën e tij, Anën. Hokatar, i qeshur, i veshur me një kostum sportiv. Profesori, inxhinier gjeolog, një ndër hartuesit e projektidesë së ndërtimit të Rrugës, na zgjat të gjithëve disa fletë me të dhëna mbi projektin e Rrugës së Arbërit dhe shtratin e saj historik e kulturor nga kalon. Ja dhe një burrë me trup të drejtë, flokë krejt të bardha, i veshur shik, që drejtohet drejt nesh. Eshtë Medi Dema.
– Profesori i gjuhësisë Enver Hysa nga Peladhia, – na njeh me të porsardhurin tjetër Zabit Lleshi. Profesori, me një trup atleti, i ka kaluar të 80-tat.
Një e nga një, mblidhemi rreth 30 vetë. Kryesisht të moshuar; inxhinierë, pedagogë, ekonomistë, mësues apo gazetarë e historianë. Të gjithë të ardhur aty, pa një shkresë të veçantë apo njoftim telefonik më vete. Thjesht, me dëshirën e madhe për të vizituar Rrugën e Arbërit, apo të Dibrës, siç edhe quhej historikisht. Për ta vizituar këtë rrugë në kantierin e saj të rilindjes moderne, nga rrugë e këmbësorëve dhe e mushkave luginave e shpateve të thepisura, në një rrugë të autobusëve, “benz”-ave e makinave të rënda me krom e mallra.
Te Ura e Re e Vashës të rrëmben fantazia. Si një ogur, si një simbol vetëflijimi për të tjerët, kjo Vashë e panjohur, si një Zanë Mali, e mbajti të pashuar ndjenjën e njerëzve për të kapërcyer e hapur malet, për t’u bashkuar e miqësuar me njëri-tjetrin. Pas Urës së Vashës vijnë edhe pesë ura të tjera të gurta me harqe, njëra pas tjetrës deri në Urën e Brarit, kur zbret në ultësirën e Tiranës.
Autobusi ynë “Alb-Turist” futet menjëherë në Rrugën e Dibrës dhe, pas dhjetëra metrave, merr kthesën majtas te qoshja e Pallatit të Kadaresë në unazën e vogël, që rrethon sheshin “Skënderbej”, duke e lënë Rrugën e Dibrës në vetminë e vetë, morëm Rrugën e Durrësit. Dikush do të bënte habi edhe sot se përse ne lamë Rrugën e Dibrës të përplaset drejt Dajtit në Lindje dhe, për të shkuar në Dibër, marrim Rrugën e Durrësit nga Perëndimi. Kështu na ka dënuar historia ne dibranëve prej 107 vjetësh. Pas vitit 1912, me copëtimin e Shqipërisë, me përgjysmimin e Dibrës, për dibranët u mbyllën rrugët automobilistike për Gostivar, Tetovë e Shkup, për Strugë, Elbasan e Tiranë. Ngeli vetëm rruga e kuajve, e mushkave nga Qafë Murrizi e në Shkallën e Tujanit për të ardhur në Tiranë e Durrës. Në vitet ‘40-të Botorja italiane ndërtoi rrugën nga Rrësheni në Burrel, Klos, Bulqizë e Peshkopi. Dhe tjetrën nga Peshkopia në Lis dhe ura e Burrelit. Kaq mbeti për dibranët, shto këtu një shkurtim të gryka e Shkopetit rreth viteve 60-të. Prandaj autobusi ynë, edhe sot në vitin 2019 niset për Durrës, pastaj kthen nga Veriu për Shkodër, kthehet nga Verilindja për Mat dhe vetëm në Klos kthehet nga Lindja për Dibër.
Në Klos kthejmë djathtas dhe ngjitemi për te një prej kantiereve të ndërtimit të Rrugës së Arbërit, kantierin e Urës së Vashës. Kaluam një tunel dhe dolëm menjëherë te Ura e Re e Vashës, që po ndërtohet. Këmbët e kësaj ure, 150 m të larta, po afrohen drejt lartësisë së urës. Edhe tuneli i vogël në anën tjetër, që vjen nga fshati Plan i Bardhë, ka përfunduar. Ura do të jetë rreth 400 m e gjatë. Vërejmë që punohet në shumë fronte pune. Tuneli është i betonuar, me trotuare, pret vetëm asfaltin.
Inxhinieri nga Malësia e Madhe, Ermal Ramçaj, i shpjegon gazetarit Defrim Methasani se kjo urë, ndër veprat kryesore të objektit, më e gjata dhe më e larta, përfundon brenda këtij viti. -Konstruksionet e urës, – thotë inxhinieri, – janë gati. Ata do të vihen sapo të përfundojnë kamat. Po ecet pa asnjë pengesë dhe vonesë, sipas objektivit të kompanisë “Gjoka”.
Pothuaj të gjithë pjesëmarrësit, me telefonat e tyre vrapojnë të bëjnë foto, duke kërkuar këndet më të përshtatshme për Urën apo duke dalë me njëri-tjetrin me sfond kantierin.
Në hyrje të tunelit, ngjitur me urën, masivi shkëmbor del si kapele kaubojsi.
– Këtu do të zgjatet tuneli me mbulesë betoni për të pasur siguri nga ndonjë rënie guri, – thotë specialisti dibran Gëzim Demiri, me origjinë nga Katër Grykët.
Hysen Uka më tërheq mënjanë dhe më nxjerr pak më poshtë te një kthesë, qe zbret poshtë te këmbët e urës. Zgjat dorën drejt luginës:
– Shih atje te lugina, duket një pjesë e harkut të Urës së Vashës.
Letrar dhe publicist, i dhënë shumë pas arkeologjisë dhe historisë, Hyseni është ndër maratonomakët e parë që rendi në gjurmët e Rrugës së Arbërit. I bëri këto përpjekje me dashuri të madhe për Dibrën, organizoi ballafaqime të vazhdueshme me qeveritarët e radhës dhe organizoi peticione kohë pas kohe. Kjo arritje sot, ndërtimi i Rrugës së Arbërit, ka brenda dhe lodhjen intelektuale e fizike të Hysenit. Ai e ka shkelur Rrugën shteg më shteg e shkrep më shkrep disa herë. Gjurmët e kësaj rruge, me dëshmitë e saj historike, e frymëzuan në pandalje atë.
– Jo, nuk bëra asgjë. Rrugën e projektuan, e ndërtuan dhe e shkelën në shekuj gjyshërit tanë. Ne e gjetëm të gatshme, – thotë Hysen Uka.
Rruga e vjetër e Arbërit, e përshkuar dikur më këmbë dhe me kuaj, dhe kjo e reja, që po ndërtohet, do të jenë në një marrëdhënie të pandashme me njëra-tjetrën. Rruga e vjetër është historia, është kultura. Ajo është një atlas me vendbanime antike, kala të Skënderbeut si Petralba, me toponime e histori të pafundme. Historia e re, e ndërthurur me të vjetrën, do të bëjnë bazën e udhëtimeve turistike me guida të mirëstudiuara nga Hazis Keta me shokë.
Te Ura e Re e Vashës të rrëmben fantazia. Si një ogur, si një simbol vetëflijimi për të tjerët, kjo Vashë e panjohur, si një Zanë Mali, e mbajti të pashuar ndjenjën e njerëzve për të kapërcyer e hapur malet, për t’u bashkuar e miqësuar me njëri-tjetrin. Pas Urës së Vashës vijnë edhe pesë ura të tjera të gurta me harqe, njëra pas tjetrës deri në Urën e Brarit, kur zbret në ultësirën e Tiranës. Urat kanë emrat e tyre. Ura e Hoxhës. Ura e Kulmares. Ura e Gurrës. Po ky emër i veçantë, Ura e Cime Toskës?! Ndofta, një specialist nga Toskëria e ndërtoi. Dhe, nuk u harrua Cime Toska, sepse ai i lidhi e shtyu përpara karvanët e jetës. Erdhi Cimja drejt Veriut dhe aty ngurtësoi pavdekësinë e tij. Siç vrapoi drejt Veriut edhe një Gegë dhe mbeti i pavdekshëm me tunelin e Semeringut në malet austriake. A mund të krahasohet Cime Toska me një urë modeste në fshatin Gur i Bardhë me Karl Gegën e madh? Po, krahasohet. Përgjigjen na e jep Nënë Tereza: “Bëni gjëra të vogla, por me një dashuri të madhe”. Këtë rrezaton Ura e Cime Toskës kur shkel mbi të, dashurinë njerëzore. Se këto ura madhështore përcollën dibranët për në Jalli dhe i shoqëruan edhe në kthim. Në shi e në furtunë, në verë e në dimër. Urat janë një gjerdan sermi në kraharorin e Rrugës së Arbërit. Në këto ura të njëpasnjëshme guri këndohen balada të brezave që shkelën mbi ta, ata janë korda muzikore të lumturisë dhe mjerimit njerëzor. Ja, anas Rrugës është Varri i Dibranit. Kush ishte ky njeri? Emri i tij tashmë dihet nga të gjithë. Ai quhet Dibran. Urat mund të të tregojnë më tej; si u vra pas shpine apo mbeti nga i ftohti. Kishte një copë bukë misri me qepë e gjizë me vete apo deshën t’i marrin një kusi bakri, që e mbante në krah. Apo e vrau mushka?. . .
Më 1913-tën kobzezë, duke lënë prapa flakë e shkrumb nga hordhitë serbe, dhjetëra-mijëra qytetarë të Dibrës së Madhe dhe krahinave përreth kaluan në këto ura në një rrugë pa kthim. Shkrimtari Haki Stërmilli shkruan se në qytetin e Dibrës kasaphana, që përdorej për therje bagëtish, u kthye nga kanibalët serbë në vend ku thereshin njerëzit. Kjo rrugë atëmot përcolli një nga dhembjet më të mëdha, që ther edhe sot në palcën e kombit shqiptar.
Por, Rruga e Arbërit, përcillte edhe personazhe si Tokërr Qoka nga Muhurri. Tokrri ishte një burrë shpatullgjerë, me mustaqe të mëdha të varura dhe të përskuqura nga tymi i duhanit. Sepse rrallëherë e shihnin Tokrrin pa një llullë të madhe, që e shtrëngonte mes dhëmbëve. Ndofta vetëm kur flinte e hiqte llullën me duhan. Tokrri e bënte shpesh rrugën nga Qafë Shtama e Qafë Murrizi për Tiranë. Një rast, sa mori vesh se ishte në Tiranë edhe Dine Hoxha, shkon dhe e takon te hani i tij ku banonte dhe i drejtohet gjithë pompozitet:
– Aga, ndize n’kët zjarm Dibre!
Tokrri nuk gënjente, për dy ditë me radhë nuk e kishte fikur llullën me duhan.
* * *
Rruga e re që po ndërtohet nuk prek gjurmën e rrugës së vjetër, nuk e “djeg” bibliotekën e saj. Rruga e re shpon malet tejpërtej me 6 tunele me rreth 5 km gjatësi. Më i madhi, ndërtimi kryesor i Rrugës së Arbërit është tuneli i Murrizit me 3246 m gjatësi. Inxhinieri Mark Pepkola i shpjegon botuesit të gazetës “Rruga e Arbërit” Musa Rriçku se po punohet pa u ndalur në dy tunelet, kryesorin dhe atë të emergjencës. Deri më tani është ecur me 550 metra thellësi nga ana e Tiranës. Së shpejti do të punohet edhe në anën tjetër.
– Tunelin do e përfundojmë 6 muaj para afatit, – thotë Marku. Ne, që jemi të pranishëm atje, shikojmë njëri-tjetrin. Na u duk Marku si një personazh i 50 viteve më parë. Urojmë te dalë siç thotë inxhinieri, por jemi të kënaqur ta përfundojë edhe në afatin sipas projektit.
Rruga e vjetër e Arbërit, e përshkuar dikur më këmbë dhe me kuaj, dhe kjo e reja, që po ndërtohet, do të jenë në një marrëdhënie të pandashme me njëra-tjetrën. Rruga e vjetër është historia, është kultura. Ajo është një atlas me vendbanime antike, kala të Skënderbeut si Petralba, me toponime e histori të pafundme. Historia e re, e ndërthurur me të vjetrën, do të bëjnë bazën e udhëtimeve turistike me guida të mirëstudiuara nga Hazis Keta me shokë.
Me rrugën e vjetër, atë të stërzgjaturën, të lodhshmen dhe të shkatërruarën, po kthehemi në Tiranë. Vetëm se në mendjet tona ka zënë vend shpresa se në qershor 2021 Rruga e Arbërit do të përfundojë. Me këtë rrugë Dibra do të bëhet plotësisht një gjymtyrë e atdheut. Rruga, si një arterie në trupin e njeriut, do t’i japë krahinës jetë; do të zhvillohet bujqësia, do të rritet turizmi, do të marrë zhvillim gjithë ekonomia. Jeta në Dibër do të marrë të tjera përmasa. Ëndrra po bëhet realitet.
… Doktori i Shkencave Gjeologjike Vesel Hoxha sikur mediton më vete. Ai vëren formacionet brenda tuneleve, format e maleve përreth, lexon nëntokën. Të hyrja e tunelit të dytë shmanget dhe filmon një shpat mali.
– Mrekulli, shikoni si është vendosur mbi gëlqeror shtresa tjetër më e re. Ky është një rast tipik i dukshëm dhe i qartë. Më duhet për ilustrim në fakultet, – thotë.
* * *
Ndahemi nga kantieri i Urës së Re të Vashës. Pasi kalojmë Qafën e Buallit, ku ka përfunduar një tunel i shkurtër, autobusi ynë rrëshqet luginës së Bulqizës, në 17 km e përfunduara të Rrugës.
Kur rruga shmanget në anën tjetër të luginës, përballë fshatit Dragu, ing. Bashkim Lleshi na shpjegon se projekti i Rrugës së Arbërit parashikonte kalimin drejt në fund të fshatrave Dragu, Valikardhë e Fushë Bulqizë, deri te Ura e Xhitetit dhe jo këtej nga ish-rruga e vjetër. Rruga do të ishte e drejtë dhe në anën e diellit, nuk do të kishte bllokim të saj gjatë dimrit. Sepse këtu dimri është shumë i egër. Edhe fshatrat do e kishin rrugën ngjitur. Edhe te fshati Peladhi rruga nuk do të ngjitej lart rrugës së vjetër, por do të shkonte drejt ngjitur me Zallin e Bulqizës dhe do të dilte në Krajkë, ku del sot deri te Tre Çezmat e Zerqanit. Do të ishte shumë më panoramike dhe turistike.
– Pse nuk u bë kështu, – e pyet dikush.
– Këtë nuk e di, – përgjigjet Bashkimi.
Një pamje mbresëlënëse na shfaqet në hyrje të Shupenzës, qindra metra më poshtë Urës së Çerenecit, ura për në Gjoricë ka përfunduar. Është një urë e gjatë 212 m. Shëtisim pak mbi urë dhe bëjmë foto me njëri-tjetrin edhe këtu. Përsëri nisemi. Rrëshqasim në një rrugë të drejtë anas fshatrave të Gjoricës dhe ndalemi buzë lumit Drin. Atje na pret ura tjetër mbi lum, e përfunduar edhe ajo dhe që të nxjerr në skajin fundor të Rrugës së Arbërit, në Bllatë, afër doganës me Maqedoninë e Veriut. Nga Tirana duhen rreth 70 km për të arritur këtu. Dhe, deri në Peshkopi, 80 km. Një realitet që na mbush të gjithëve me një gëzim të brendshëm. Është nënshtruar Drini, ky lum i madhërishëm, i gjerë, i sertë. Pakkush e besonte, po ja, urën e kemi përpara, e gjatë rreth 300 m, me trotuare. Shëtisim mbi të, dalim në anën e përtejme. Të gjithë bashkë bëjmë një foto mbi urë. Botuesi dhe gazetari Bujar Karoshi me të shoqen, Mirandën, nuk pushon duke bërë foto e filmime për të plotësuar arkivën e tij shumëvjeçare të Rrugës së Arbërit.
* * *
Në rrugën e kthimit, mes pishave në Bulqizë, na ndalin për një kafe festive ing. Osman Miha me vëllanë e tij, biznesmenin Latif Miha. Çuditërisht, tryeza është e plotësuar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Dibrës. Që nga Lura me Osman Vladin, Golloborda me Agim Kasën e deri nga Baldushku i Tiranës me Rrahman Dapin. Kjo përzgjedhje ishte krejt e rastit. Një grup i bashkuar me zemër. Latif Miha na shtroi një drekë tek Pishat e fshatit Dragu, që shërbeu jo vetëm si çlodhje, por edhe u këmbyen disa mendime për ecurinë e Rrugës së Arbrit, duke e gjallëruar më shumë veprimtarinë e asaj dite.
Me rrugën e vjetër, atë të stërzgjaturën, të lodhshmen dhe të shkatërruarën, po kthehemi në Tiranë. Vetëm se në mendjet tona ka zënë vend shpresa se në qershor 2021 Rruga e Arbërit do të përfundojë. Me këtë rrugë Dibra do të bëhet plotësisht një gjymtyrë e atdheut. Rruga, si një arterie në trupin e njeriut, do t’i japë krahinës jetë; do të zhvillohet bujqësia, do të rritet turizmi, do të marrë zhvillim gjithë ekonomia. Jeta në Dibër do të marrë të tjera përmasa. Ëndrra po bëhet realitet.
Prill 2019