Kryeministri: Rruga e Arbërit nuk do të jetë me pagesë


Foto nga postimi në Facebook i Kryeministrit Edi Rama

Kryeministri Edi Rama:“Kjo rrugë nuk do të ketë asnjë tarifë për sa kohë do të jem unë, pastaj me të tjerët shihni e bëni e do më kujtoni”

“Kjo rrugë nuk do të ketë asnjë tarifë për sa kohë do të jem unë, pastaj me të tjerët shihni e bëni e do më kujtoni” shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook, duke iu përgjigjur pyetjes së një komentuesi nëse rruga do të jetë apo jo me pagesë.
Tashmë kryeministri i vendit e ka bërë të periodike videoinformacionin për ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbërit. Në një video afro tre minutshe të shpërndarë më 31 gusht, jepen pamje nga punimet në aksin e rrugës nga Zall Dajti në Tiranë deri në Majtarë në Dibër.
Në shënimin përcjellës të videos, kryeministri Edi Rama shkruan:
“vijon shtrirja e gjurmës së Rrugës së Arbërit, përgjatë të cilës do të shpaloset jo vetëm për dibranët, po për të gjithë shqiptarët dhe flukset e turistëve që kjo rrugë do të tërheqë drejt mrekullive natyrore të Dibrës, një tjetër pjesë e panjohur e trupit të mahnitshëm të Shqipërisë që duam.

Deri më tani është hapur pothuajsë plotësisht traseja e rrugës, si dhe janë hapur 1971 metra tunele, pa llogaritur tunelin e Qafës së Tujani dhe Qafës së Buallit, hapur kohë më parë si dhe vazhdon puna në tunelit e Murrizit, i gjatë 3.28 km.

Rruga e Arbërit është një vepër inxhinierike komplekse, e cila po bëhet realitet pas dhjetra e dhjetra vitesh pritje e premtime, falë një Partneriteti Publik Privat, ku kompania investon kapital privat për realizimin e saj, brenda vitit 2021, ndërsa shteti e shlyen kompaninë, brenda vitit 2031. (Ata që nuk dinë ç’janë PPP-të dhe hutohen e çoroditen nga gojët e shthurrura të politikanëve e komentatorëve parazitë, hipokritë e cmirëzinj, ja ku e kanë një shembull të thjeshtë).
Atë që shteti mund ta bënte për 13 vjet (sepse ka edhe shume e shumë gjëra të tjera për të bërë dhe s’mund t’i hedhë tërë ato fonde në gjë të vetme), investimi i kapitalit privat e bën për 3 vjet, në marrëveshje me shtetin, që garanton shlyerjen e investimit”.
Në video jepen me tekst disa të dhëna mbi punimet e kryera. Sipas videos, deri më tani është hapur plotësisht traseja e rrugës, si dhe janë hapur 1971 metra tunele, pa llogaritur tunelin e Qafës së Tujani dhe Qafës së Buallit, hapur kohë më parë si dhe vazhdon puna në tunelin e Murrizit, i gjatë 3.28 km. Ndërsa punimet janë ndërprerë në Bastar, ato po vazhdojnë në anën e Xibrit por në video nuk specifikohet se sa metra janë hapur deri më tani.
Ndërkohë, janë përfunduar dy urat mbi Drin dhe Zall të Bulqizës përkatësisht 260 metra dhe 144 metra. Ndërsa vazhdojnë punimet në Urën e Vashës, të gjatë 316 metra dhe urën e Fshatit, e gjatë 250 metra.
Siç ndodh zakonisht, komentet që shoqërojnë postimin janë diametralisht të kundërta, por ajo që paraqet interes për publikun është pyetja nëse rruga do të jetë me pagesë, dhe përgjigja e Kryeministrit është e prerë: “Kjo rrugë nuk do të ketë asnjë tarifë”.