Thuhet se ka nisur shkolla shqipe në vitin shkollor 1916- 1917, por me ikjen e austro- hungarezëve dhe me pushtimin serb, në këtë periudhë të tmerrshme për gjithë trevën, shkolla nuk vijoi dhe u mbyll.
Në historikun e Arsimit dihet se Austro Hungaria ka bërë një politikë pozitive arsimore duke filluar me Komisinë Letrare të Shkodrës, por në zonën tonë nuk la gjurmë për t’u mbajtur mend. Po pse u hap shkolla shqipe në fshatin Allajbegi dhe jo diku tjetër? Nga të dhënat , dokumente dhe nga tradita gojore ky fshat ka pasur një traditë më të hershme të arsimit shqip si dhe fshati dhe kleri mysliman kanë qenë dashamirës të mësimit shqip në mejtepin e xhamisë. Do të marrim në konsideratë artikullin e dr. Ali Vishko me titull “Rrethanat arsimore në Dibër e rrethinë në gjysmën e dytë të shek. XIX. Në faqen 79- 80 të librit “ Dibra dhe etnografia e saj” vëllimi II me autor Dr. Ali Vishko ku ai shkruan:
Në vitin shkollor 1898/99, sipas burimeve osmane të Ministisë së Arsimit të Stambollit, në Dibër e fshatrat ka pasur shkolla fillore si vijon:
Në Dibër, në qytet: 7 shkolla (vijojnë emërtimet sipas lagjeve dhe vitet e regjistrimit).
Në fshatrat e Dibrës:
Ballancë, regjistruar zyrtarisht në vitin 1886;Allajbegi, regjistruar zyrtarisht në vitin 1891;
Ostren, regjistruar zyrtarisht në vitin 1897; Koxhaxhik, regjistruar zyrtarisht në vitin 1880/81
Sollokiç, regjistruar zyrtarisht në vitin 1886; Elevcë, regjistruar zyrtarisht në vitin 1890;
Zishtë, regjistruar zyrtarisht në vitin 1897
(*SNMU- Selname- i Nazaret-i Ma-arif Umumiye, Istambul 1319(1901)faqe 904, 905)
Për shkollën turke në Allajbegi kemi dijeni nga tregimet gojore të pleqve se ka vijuar për shumë vjet dhe është mbyllur më 1908. Mësohej në turqisht dhe arabisht nga mësues që kishin mbaruar në shkollën Ruzhdie Osmane në Dibër. Nxënësit kanë qenë nga të gjithë fshatrat rreth e rrotull. “Ndikimi i punës së patriotëve dibranë, si: Dervish Hima (Ibrahim Naxhiu, emri i plotë), i Hamdi bej Ohrit, Seit Najdenit në vitet 1895- 1899, bëri që dhe në këto shkolla të mësohej dhe shkrim- këndimi shqip me alfabetin e Stambollit” (sipas Dr. Ali Vyshko, artikulli i mësipërm, cituar nga f. 81).
Prej hoxhë Shaqir Pikut kam dëgjuar se dhe hoxhë Piku i Vjetër dinte të shkruante shqip dhe se ua mësonte dhe ai në mejtep nxënësve të tij, prandaj dhe Hoxhë Shaqiri shkruantee lexonte edhe shqip; po kështu tregonte se edhe shumë shokë të tij në Allajbegi, Majtarë, Podgorcë, Vojnikë etj, që kishin mësuar në mejtep të xhamisë, të cilët dinin të lexonin e shkruanin shqip. Këtë e mbështesim dhe në studimet e myftiut të Dibrës së Madhe, z. Rruzhdi Lata dhe atdhetarit e mësuesit të nderuar të Dibrës Haki Sharofi e të tjera të dhëna të traditës gojore.
SHKOLLA E PARË DHE KUJTIME PËR SHKOLLËN TONË 1924- 1939
Para vitit 1924 ka dokumente të pakta të hapjes së shkollës shqipe si institucion arsimor që do t’i përmendim më pastaj me të shkoqitura. Në vitin shkollor 1916-1917 u hap shkolla shqipe në Allajbegi dhe mësues i parë i saj qe Habib Bajram Golja nga Dibra e Madhe me shkollë normale turke. Viti shkollor 1917-1918 ka vijuar shkolla për 4-5 muaj dhe pastaj është mbyllur.
Menjëherë pas formimit të qeverisë së Fan Nolit, në fshatin tonë u hap shkolla shqipe. U hap në mejtepin e xhamisë, siç quhej dhoma te korridori në të djathtë që ishte shtesë para se të hyje në derën e xhamisë me hark.
Mësuesi i parë ka qenë Kadri Hoxha nga Dibra e Madhe . Ai kishte marrë arsim fetar në Stamboll, por dhe ishte veprimtar i shoqërisë patriotike të Stambollit, ku u mor dhe me alfabetin dhe ndihmoi për shkollën shqipe. Në veprimtarinë e tij si hoxhë në Kojnarë e Reshan ai kishte dhënë dhe gjuhë shqipe krahas gjuhës turke e arabe dhe mësimeve fetare. Kur u bë Revolucioni i Qershorit 1924 , ai e përkrahu atë dhe nuk u gënjye nga propaganda e egër që u zhvillua kundër “ priftit me mjekër “, që hoxhallarët e tjerë bënin në dobi të Zogut, i cili e kishte bazën në Jugosllavi dhe kryesisht në Dibër të Madhe. Ai në mbledhjen e myftinisë ishte i vetmi që kundërshtoi porosinë e Myftiut për të dëbuar ” priftin mjekërzi “, Fan Nolin, që gjoja është kundër fesë myslimane. Për këtë u detyrua të largohet këtej kufirit banojë në Allajbegi. Pleqësia e fshatit i bënë kërkesë qeverisë që të hapnin shkollën shqipe duke kërkuar që mësues të ishte z. Kadri Hoxha. Shkolla u hap në fund të gushtit 1925 dhe vazhdoi deri në vitin e ri 1926. Për këtë mësues nuk ka dokumenta arshivorë, por dëshmi gojore.
Pas largimit të tij u caktua Nebi Agolli dhe nga tradita gojore thuhet se janë zhvilluar provimet dhe janë shpërndarë dëftesat . . Shënim: Shkolla e Kërçishtit rezulton të jetë hapur para vitit 1925, sepse mësuesi Habib Bajram Golja që ka punuar deri më 1925 në Allajbegi (Burim), më 1925 ka punuar si mësues në Kërçisht.
Viti shkollor 1925-1926: Shkolla e Allajbegisë me mësues Nebi Agolli, kishte 41 nxënës.
1926-1927: Shkolla e Allajbegisë me mësues Nebi Agolli kishte 3 klasë me 42 nxënës.
1927-1928 Dibra 23 shkolla.: Shkolla mashkullore Allajbegi mësues Nebi Agolli.
1928-1929:Shkolla e Allajbegisë me mësues Adem Sharofi kishte 30 nx. Kaluan 12 nxënës.
Viti 1929 -1930 e gjeti Dibrën me 30 shkolla.: Shkolla e Allajbegisë me mësues Ismail Jahja e mësues besimi Sadik Imeri (duhet të jetë Sadik Piku i Imer Pikut, shënim R. I.).
Shënim i faqes 152: Numri i përgjithshëm i nxënësve e studentëve 842 me 29 mësues,1 mësuese.
Kjo shifër është e papërfillshme duke ditur se Dibra me Matin sipas regjisrimit të vitit 25 maj 1930 kishte 87 092 banorë. Del se këtë vit shkollor në çdo 103 banorë vetëm 1 ulej në bankat e shkollës dhe më e keqja ishte se vetëm 36 vajza vazhdonin shkollën në 43000 femra. (“Hylli i dritës”, viti VI, 1janar 1930 f. 122-125).
1931-1932: Shkolla mashkullore Allajbegi me mësues Ismail Jahja, i cili vdiq dhe u zëvendësua nga Jonuz Shehu kishte 3 klasa me 41 nxënës të regjistruar, 32 nx. vijues dhe kaluan 22 nxënës.
Viti shkollor 1932-1933: Shkolla e Allajbegisë me mësues Jonuz Shehu, kishte 3 klasë me 66 nxënës, 55 vijues dhe 35 kalues.
Viti shkollor 1933-1934: Shkolla e Allajbegisë me mësues Jonuz Shehu, kishte 69 nxënës (10 femra), kaluan 53 nxënës.
Viti shkollor 1934-1935 filloi me 15 shtator 1934: Shkolla e përzier Allajbegi me mësues Jonuz Shehu, kishtë 101 nxënës 21 femra, 90 të rregullt, 18 femra; 66 kalues (11 femra). Në këtë shkollë vinin edhe nga Majtara, Vojnika, Çernena, dy Bllatat, Kurtbeg dhe Kovashicë.
Për shkak të numrit të madh të nxënësve, për mungesë mësuesi, me propozimin e drejtorit të internatit “Dibra”, Ferid Imami, ministria e Arsimit aprovoi vendimin që në këtë shkollë të punohej me sistem gjysmë dite dhe mësuesi të shpërblehej me 20 franga ari plus çdo muaj sipas dekret ligjës organike. (shënimi f. 36. AQSHSH, Min. Arsimit, dosja 48, viti 1934. Fq 167.
Viti shkollor 1935-1936
Viti shkollor 1935-1936 në Maqellarë kishte këto shkolla: Herbel, Kërçisht, Allajbegi, Kovashicë, Maqellarë. Disa mësues të komunës Maqellarë: Halil Golja-Kërçisht, Myslim Shehu- Herbel, Jonuz Shehu- Allajbegi, Hysen Hoxha- Maqellarë.
Rroga:200 franga ari në muaj- 7 mësues, 170 fr. – 1 mësues, 160 fr. – 15 mësues, 150 fr. – 5 mësues, 140 fr. – 15 mësues, me 120 fr. – 10 mësues dhe 100 fr. – 1 mësues.
Në vitin shkollor 1936-1937: Shkolla e përzier Allajbegi me mësues Jonuz Shehu dhe Nazmi Bekteshi, kishte 131 nxënës të regjistruar, 125 të rregullt, 97 kalues. Në këtë shkollë vijuan mësimet 40 vajza, kaluan 35 prej tyre.
Viti shkollor 1937-1938: Shkolla e përzier Allajbegi me 2 mësues, 4 klasë, kishte 133 nxënës të regjistruar, 36 femra. 117 të rregullt, 29 femra, kaluan 98 nx., 20 femra. Në Allajbegi mësues – Skënder Haxhihyseni e Nazmi Bekteshi.
Viti shkollor 1938-1939 e gjeti vendin në përgjithësi dhe Dibrën në veçanti në amulli të plotë. Mbi 95 % e popullsisë nuk dinin shkrim e këndim. Nuk ishin të paktë fshatra që nuk gjeje dhe një njeri të lexonte një letër. Në këtë vit u regjistuan 2056 nxënës dhe nuk u zbatua ligji për detyrimin shkollor. U hapën në Dibër 42 shkolla fillore e plotore në të cilat shërbyen 63 mësues, nga këtu 5 femra.
Shkolla e Drangues (Allajbegi) me mësues Gavril Santo e Skënder Haxhihyseni.
Po japim një fragment nga libri i Xhemal Domit “Dibra në hulli të historisë…” :
…Më 16 tetor 1939 federali, inspektori federal, të shoqëruar nga inspektori i arsimit dhe mjeku major d’Alessandro shkuan në Maqellarë për të asistuar në hapjen e shkollave të asaj komune. Aty ishin mbledhë përveç autoriteteve të komunës edhe kryepleqtë e fshatrave si dhe mësuesit e një grup prej 200 nxënësish të shkollave Kërçisht, Allajbegi etj.
Gazeta “Fashizmi” shkruante se aty u mbajtën fjalime nga federali dhe inspektori federal Të dy “ekzaltuan rëndësinë që ka shkolla në përparimin e një populli si dhe shpresën se regjimi fashist ushqenin në çetën e arsimtarëve, prej të cilëve Shqipëria e re pret dritë e punë të palodhshme jo vetëm brenda mureve të shkollës, por kërkon prej tyre të shtrihet në sferat e pandriçueme të turmës së popullit…” ”Fashizmi”, 24 tetor 1939 ( cit. nga f. 267)
Me rastin e 16 tetorit të përvjetorit të “kurorës”prefekti me të tjerë persona fashistë shpërndanë nëpër shkolla “Dhuratat e Duçes”… ata pastaj kaluan në Maqellarë ku proceduan në të njëjtën mënyrë. Nxënësit i pritën ftohtë këto dhurata. Mandej pati shumë që as nuk pranuan fare ato dhurata. Kjo pritje e ftohtë bëri që autoritetet fashiste të pritnin dhënien e drekës nëpër shkolla … (f. 271). Dështim qe dhe përpjekja fashiste për futjen e gjuhës italiane në shkolla (në klasat e katërta e të pesta futej mësimi i italishtes).
Numri i orëve për çdo lëndë si më poshtë:
1.Gjuha shqipe: Këndim -3 orë, ortografi e diktim- 1 orë, gramatikë e sintaksë 2 orë. 2.Italisht 5 orë 3. Aritmetikë e gjeometri – 4 orë 4. Histori e gjeografi 4 orë, 5.Mësim natyre e sendesh -3 orë; 6. Vizatim e punë dore 2 orë; 7. Bukurshkrim – 1 orë; 8. Këngë 1 orë: 9. Edukatë fizike – 2 gjysma dite.
(vijon nga faqja 18)
FASHIZMI I VURI KAZMËN ARSIMIT EDHE NË DIBËR
Shtrirja e arsimit në Dibër gjatë okupacionit fashist…
Pas 7 prillit 1939 shkollat në fakt u mbyllën. Fashistët hapjes së vitit shkollor 1939-1940 i kushtuan tepër kujdes… gjithë kjo lëvizje bëhej për 40 shkolla që do hapeshin në atë vit shkollor dhe në komunën e Maqellarës bëhej fjalë për shkollat në Maqellarë, Kërçisht, Majtarë, Allajbegi, Kovashicë, Herbel. Shërbyen në këto shkolla : Remzi Sefedini, Tajar Zylfi –Maqellarë, Isuf e Lefteri Çeka, Jonuz Shehu në Kërçisht, Xhafer Qatibi- Majtarë, Mehmet ? (Dardha) e Jorgji Shuteriqi – Allajbegi, Abaz Xhafa – Kovashicë, Mit’hat Cami – Herbel.
Shkollat që u hapën përtej kufirit të 1913-s, e ashtuquajtura «Shqipëri e Madhe», hynë në juridiksionin e prefekturës së Dibrës, qendra jo në Peshkopi, por në Dibër të Madhe në vitin shkollor 1942-1943. Në të gjithë prefekturën e Dibrës u hapën 62 shkolla me 99 mësues dhe 4950 nxënës. Shumë mësues u dërguan në Dibër, Gostivar, Tetovë ej.
Këta mësues u quajtën «misionarë », se hapën shkolla në gjuhën amtare. Misioni i tyre mbaroi në fillim të vitit shkollor 1941-1942.
Gjendja e shkollave në vitin 1940 ishte keqësuar më tej, korrespondenca mes administratës tregon gjendjen e keqe të lokaleve, ku fëmijët e vobegët nuk kishin as kushtet minimale për të mësuar.
«Plotësimi i punës së përditshme të shkollës…- thuhej në një raport,- kryhet me martirizime nga ana e të vegjëlve. Mëngjes për mëngjes, përmes shiut e borës, tue kapërcye përroje e kodra, baltra e shkëmbenj e tue ba nji rrugë të gjatë, nji, dy, dy orë e gjysmë, shihen këto të vegjël që vijnë në shkollë të lodhun, të djersitun a të lagun qull me libra nën sqetull. Mundimi e lodhja nuk do të ndiheshin shumë në qoftë se nxanësi i vogël gjente në shkollë prehjen e nevojshme.
Por, fatkeqësisht, shumë ndërtesa shkollore janë në gjendje të mjerueshme… » (Shkresë e ministrisë së Brendshme drejtuar ministrisë së Arsimit, Dosja 173, viti 1941, Raport rezervat dt. 30.6.1044) f.297 Shumë nxënës , nga kushtet e këqija braktisnin shkollën, disa futeshin në punë në shoqëritë e punës, si hyzmeqarë etj».
Në Maqellarë e rrethina: Allajbegi – Haki Pahumi, Mitat Cami. – Herbel, Remzi Sefedini -Kërçisht…
… Rinia shkollore dibrane, nxënësit e shkollave nën mësimet e mësuesve patriotë u hodhën pa rezerva në Luftën Nacionalçlirimtare.
Në zonën e Maqellarës punonte mësuesi Ibrahim Myftiu, mësues në Kërçisht, që kishte aktivizuar një grup simpatizantësh ku bënin pjesë Shehat Dani, Haziz Asllani etj. Me rininë në zonën e Maqellarës kanë punuar për futjen e ideve të luftës për liri: Eshref Palikuqi, Xhafer Kodra, Hajri Hoxha, Hibe Palikuqi etj.
Kontribut dhanë dhe mësuesit Esat Menzelxhiu, Qemal Agolli si dhe të rinjtë e rinisë shkollore: Gjok Doçi, Riza e Rexhep Doda, Besnik Zaraliu, Rrahman Hanku etj.
ARSIMI PAS ÇLIRIMIT NË ALLAJBEGI
Lufta kundër analfabetizmit
Si në të gjthë vendin, edhe në fshatin tonë zhvillimi i arsimit mbeti në shifra minimale. E keqja tjetër ishte se nuk zbatohej një ligj detyrimi shkollor dhe pak vetë mbaruan filloren dhe vetëm 3 apo 4 vajza gjithsej të beglerëve që i dërguan pastaj në shkollë në Dibër të Madhe. Kishte fanatizëm të theksuar për shkollimin e vajzave. Ndërsa shumë të tjerë nuk i çonin dhe djemtë, ngaqë i çonin me gjënë e gjallë që të vegjël. Kështu ka ndodhur që në fshat të mbeteshin rreth gjysma analfabetë. Kjo u vërtetua më 1946 kur u regjistruan në kursin kundër analfabetizmit 56 vetë, nga të cilët 32 ishin burra. Megjithatë duhet vlerësuar puna e mirë e mësuesve që punuan në Allajbegi, ndonëse transferoheshin shpesh, ngaqë ishin shumica jabanxhinj.
Lufta kundër analfabetizmit filloi menjëherë pas mbarimit të luftës dhe u ligjërua në korrik 1945. Në kurs u regjistruan pa përjashtim të gjithë personat, burra e gra nën 40 vjeç si dhe më të rinj që nuk kishin vijuar kur duhej (në mosha 14 vjeç e lart).
Shkolla fillore në Burim filloi punën që në fillim të vitit 1945 fillimisht në shtëpinë e Azem Markes, ndërsa u ndërtua një shkollë më 1946 veçan me kontribut vullnetar dhe me material ndërtimi nga shteti me 4 dhoma mësimore. Shkolla u ndërtua në lëndinën nën kodrën e Sanxhakut në Allajbegi mes tri fshatrave.
MËSUESIT NË SHKOLLËN E BURIMIT
Në arsim natyrisht rolin kryesor e kanë mësuesit që punojnë në një shkollë. Nga një analizë e shkurtër më ka rezultuar se në shkollën tonë kanë punuar ndër mësuesit më të mirë që në vitet e para pas Çlirimit.
Mësues të asaj kohe kanë qenë në Allajbegi: Shemsi Zhulali, Ramadan Lika, Hasan Palushi, Drita Zhulali, Tasim Fresku, Qamile Leilica –Mat, Suzana Hoshi – Durrës, e shoqja e Bardhyl Hakanit, Irfane Zeka – Gjirokastër, Bulent Tela – Elbasan, Abdulla e Aleksandra Muça ngaTirana, Skënder Sala, e më vonë Osman (Tup) Leka, etj
Në shkollën e Burimit kanë punuar shumë mësues gjatë viteve të mëpasme dhe me shumë prej tyre kam qenë koleg, por për një kohë të gjatë dhe me një kontribut të madh e të merituar. Puna e mirë e këtyre mësuesve është vlerësuar në vite nga drejtoritë e shkollave të Majtarës e Maqellarës, sepse klasat e pestat që vinin nga shkolla e Burimit kanë qenë gjithnjë më të mirë se të shkollave të tjera, bile dhe të vetë shkollës fillore të Maqellarës, siç kanë pohuar dhe vetë drejtorët e shkollës së Maqellarës. Në Majtarë klasat paralele A, të formuar me nxënës të shkollës së Burimit, kanë qenë tradicionalisht më të mirat.
Në mënyrë të veçantë duhet të përmendim punën e përkushtimin e mësuesve të shkollës sonë, mësues të devotshëm që kanë lënë emër për përgatitjen e një brezi të tërë intelektualësh. Veçojmë me meritë mësues të “brezit të dytë”, si: Shyqyri Zorba, Xhavit Skuka, Naim Skuka, Aqif Xholi, Xhevat Lami, Rasim Xholi, Ferit Kërkuti, Halit Kurtaga, Osman Leka, Idriz Xhemali, Drita Strazimiri, Zabit Shehu, Setkie Strazimiri, Dilaver Bajraktari etj. Duhen veçuar për punën e tyre të shumanëshme këta mësues e mësuese të brezit të parë që punuan edhe në kushtet e vështira të kohës, por ia arritën të përgatisin nxënës të aftë që u bënë kuadro të fushave të ndryshme të jetës.
Do të fokusohesha patjetër më shumë te një “brez i tretë” mësuesish që kanë lënë gjurmë dhe suksese, me një traditë të veçantë dhe shumë pozitive. Një periudhë të gjatë kanë punuar këta mësues e mësuese: Tefta Shehu, Lirie Kërkuti, Jonuz Duka, Ruzhdi Osmani, Hysni Prifti, Dilaver Veliu, Nexhmie Ilnica, Niazi Skuka, Petrit Miftari, Shaban Asllani, Shqipe Muça, Lefterie Sala, Nafie Hysenaj, Hamie Toçi, Dashurie Osmani, Violeta Xhemali etj. Për punën e mësuesve nuk flasin vetëm kolegët e tyre dhe njerëzit në tre fshatrat tona, por në radhë të parë ata jetojnë në kujtimet e bukura dhe vlerësime më të larta të nxënësve të tyre. Edhe pas shumë viteve, kur tani shumë prej ish-nxënësve janë bërë dhe gjyshër e gjyshe, të flasin me krenari dhe nostalgji duke i kujtuar me respekt mësuesit e tyre.
Ky respekt për mësuesit e mësueset është pasuria më e madhe e jona si mësues e mësuese, qoftë për shumë që kanë dalë në pension a që kanë ndërruar jetë sit ë atyre që vijojnë punën në profesionin fisnik të mësuesisë.
Mua më ka rënë rasti t’i njoh mirë edhe si koleg me mësuesit e Burimit, edhe si drejtor e zëvendës dhe nuk mund të mos bëj disa vlerësime për mësuesit në Burim si specialistë shumë të aftë, si metodistë të shquar, si punonjës të përkushtuar për nxënësit që i donin si fëmijët e vet. Mësues të tillë që kishin një disiplinë pune me ndërgjegje të lartë, që nuk njihnin orar, por në çdo kohë ishin duke i mësuar e ndihmuar nxënësit e tyre. Dhe të mos harrojmë: mësuesit kanë qenë të mbingarkuar me ato detyrat shoqërore si propagandistë, si lexues shtypi, përgjegjës emulacioni, nëpër aksione edhe të dielat…
Më vjen mirë të përmend se mësuesit e fshatit tonë, kudo që kanë punuar, kanë bërë figurë të mirë duke qenë më të mirët e më të mirat në kolektivat ku kanë qenë ose janë. Kështu po përmend mësues të tillë model, si: Baudin Strazimiri, Skënder Sala, Demir Osmani, Hajri Xhili, Ferizate Sala (Bajraktari), Naxhie Sala (Çuku), Ramazan Piku, Kujtime Xhili (Vraniçi), Belkize Sala (Elezi ), Remzi Sala, Jonuz Duka, Shaban Asllani, Bukurie Asllani (Kaziu), Razie Asllani, Zamira Gjeleshi, Edmir Asllani etj. nga Burimi. Po ashtu në këtë shkollë kanë mësuar nga Vojnika mësues të talentuar, si: Haki Pahumi, Shefki Shehu, Zabit Shehu, Skënder Pahumi, Muzejen Pahumi etj. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë drejtues të zotët dhe kanë bërë emër të mire, si: Haki Pahumi, Shefki Shehu, Baudin Strazimiri, Hajri Xhili, Demir Osmani, Jonuz Duka, Shaban Asllani etj.
Nga viti 1945 deri më 1992 shkolla e Allajbegisë ka qenë në mes të tri fshatrave, te kodra e Sanxhakut. Deri më 1958 aty vijonin mësimet 4 fshatra: Burim. Vojnikë, Çernenë dhe Podgorcë. Në vitin shkollor 1958-1959 u ndërtua shkolla e Podgorcës. Deri në vitin shkollor 1974-1975 shkolla ka vijuar në shkollën e vjetër me 4 dhoma mësimi. Kishte dhe 2 klasë paralele që vijonin pasdite. Në këtë vit shkollor 1975-1976 u ndërtuan dhe 6 klasa mësimi pranë shkollës së vjetër, duke u bërë shkolla me 8 fuqi mësimore me rreth 250 nxënës. Shkolla e Burimit si shkollë fillore ka qenë më e madhja në rrethin e Dibrës. Në këto vite deri në vitin shkollor 1992-1993 ka qenë shkollë vartëse në drejtorinë e shkollës 8-vjeçare Majtarë. Më pas shkolla e Vojnikës vazhdoi ca vite n ëish-kopshtin e Vojnikës dhe më pas te shkolla e Allajbegisë është ndërtuar një shkollë e re për nxënësit e Vojnikës dhe të Çernenës.
Në këtë 100-vjetor të shkollës së Burimit populli i zonës së Maqellarës krenohet me këtë vatër dije të shquar dhe kujton me respekt të gjithë mësuesit dhe mësueset që kontribuan në arritjen e rezultateve të larta në punën e tyre mësimore-edukative.