Ahmet Prençi
KULLA
Po shembet kulla në fshat
i ka rënë suvaja, hatullat, parvazet;
Muret mezi mbahen në erën e thatë
siç mbahen me paterica sakatët…
e anuar kulla.
i dhëmbin ijet.
Kurrizi i dalë.
Reumatizma ia ka mpirë këmbët;
Me syze miopi anuar në një anë,
si nallane i kërcasin dhëmbët.
Qindra vjet do të rronte kulla
Ndërtuar me gurë e gëlqere safi;
e shkretë vatra e udha pa njerëz
vdes dhe Planeti po s’pati njeri!…