Nga Besjana MAZARI
Shpesh herë kemi dëgjuar nëpër media fjalën “dhunë” … dhe nga kjo fjalë tepër “shurdhuese” për personat e vëmendshëm, shohim shkaqet e më pas pasojat e tmerrshme. Gjithkush mund të thotë: -O Zot na ruaj! Këta s’janë njerëz! Por … a është e mundur që dhuna të jetë një lloj parazit i vogël i cili pickon këdo, por efekti apo sëmundja që shkakton të shfaqet në kohë të ndryshme?!
Kjo është një pyetje tepër delikate, tepër e ndjeshme,si një rrjetë e hollë merimange, që mund të shkatërrohet edhe nga një pikël e vogël uji. Po të marrim shembull gruan, nje krijesë tepër delikate, e bukur, e ndjeshme, një natyrë krejtësisht ndryshe nga ajo mashkullore, do të vërejmë se keqtrajtimi, diskriminimi e ka perndjekur atë kudo dhe kurdo. Që në kohët e lashta e deri në ato moderne. Por kjo gjë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e drejtë.
Si ka mundësi që një grua, një krijesë aq delikate, të pësojë aq shumë probleme, aq shumë keqtrajtime sa zemra, mendja dhe shpirti nuk mund të durojnë dot më?! Si ka mundësi që në këtë botë ka nga ato njerëz të ligj sa përveçse grave, keqtrajtojnë edhe fëmijët. Si ka mundësi që këta njerëz të mos kenë një zemër?! Këto pyetje të gërryejnë thellë në shpirt. Por, për sa kohë që kjo dukuri shkatrrimtare vazhdon,si do të vazhdojnë jetën aq gra, aq vajza të cilat kanë një jetë përpara për të jetuar.
Për këtë unë them se duhet të bëjmë një ndalesë në fillim, e më pas, të gjithë gratë, vajza së bashku, të themi me një zë të lartë që ta dëgjojë e gjithë bota:
STOP DHUNËS NDAJ NESH!