Ahmet Prençi
KULLA
Po shembet kulla në fshat
i ka rënë suvaja, hatullat, parvazet;
Muret mezi mbahen në erën e thatë
siç mbahen me paterica sakatët…
e anuar kulla.
i dhëmbin ijet.
Kurrizi i dalë.
Reumatizma ia ka mpirë këmbët;
Me syze miopi anuar në një anë,
si nallane i kërcasin dhëmbët.
Qindra vjet do të rronte kulla
Ndërtuar me gurë e gëlqere safi;
e shkretë vatra e udha pa njerëz
vdes dhe Planeti po s’pati njeri!
MIGJENI MË SFIDOI MBRËMË
Migjeni më sfidoi mbrëmë…
se si e nisëm bisedën nuk e kujtoj,
Në inbox më shkroi ai i pari,
iu përgjigja me mburrje njëfarësoj.
Njëfarësoj për të qenë pak modest,
Për kohët moderne në delir dhe mall,
ai ikte, ai zbriste, ai ngjitej e habiste
Me “Kanga e dhimbës krenare” si hamall.
“lulin e vocërr” në rrugë e gjen më tha,
dhe “Moll e ndalueme” farmak në gojë!
Një kokërr misër shkela mbrëmë
në ëndërr,
t’ shitoftë Zana! lanet, njëfarësoj!
e trishtueshme nata, i mpirë Migjeni,
e kolla e thatë si gjarpri në lojë…
a don qymyr zotni, e ndrojtur malësorja,
a don qymyr… nderin – njëfarësoj.
Nuk munda Migjenin. Koha ime
më mundi,
u trishtova dhe heshta krejt në vaj,
Kollitej stërdhëmbësh tuberkulozi,
dhe rrudhat e vuajtjes pa formë e pa skaj.
Kapërceva pragun, në zhgjëndërr,
në ëndërr,
Një shkreptimë apo krismë më zgjoi,
siluetë e Migjenit largohej në ag,
Në ag, në udhën e qiellit njëfarësoj.
Me Migjenin isha. Me Migjenin jam,
smartphone-in s’e kisha ndër sy aspak,
Kur do soset e tretet kjo natë,
të zgjohem nga ky makth e të iki larg!
ADOLESHENCË
Nën sqetullën e rrugicës
si foleja e qyqes,
strukur nga syri i botës
Në lagunë të gjoksit.
ti me fustan basme
Me sy të mëndafshta,
Më fshihesh me gjasme
si bora ndër rrasa.
Gjithçka m’u mjergullua
M’u nda mish e thua,
Në lugun mes gjinjve
si bora më shkrive!
Mendja seç më iku
Më iku, më fiku!
RIMA NË DIMËR
Rimë, vargje po shkund nata
Porsi gjethet nëpër vjeshtë,
dhe pak fat në jetë u dashka
dhe në shteg një dor’ e lehtë.
Kur në lukth të zë pikëllimi
Ngërçi, bryma gishtat mpin,
Ngrirë mëllenja nga thëllimi
Mekur, ndrydhur shpirti im.
Zbresin ujqërit në turm’ kope
Nëpër borë, në udhë pa udhë;
Ngrin nga frika dhia plle,
sytë bën katër delja rudë.
atëherë kur një krism’ arme
e shpon natën tej për tej,
si një mbret gërhet ky dimër
Putra, gjurmë gjithandej.
s’ka si dimri kur ke zjarrin,
Bardhësi pa fund e anë;
s’ka si jeta kur ngroh mallin,
s’ka si mikja që ke pranë.
STRES
Pikon i gjelbërt si loti i pjergullës
shpirtin ma gërryen si acari në mars,
e lëmuar pasqyra e syve të mi,
Brenda,
Përroi i stresit më gërryn gjithë maraz…
NË VEND TË BALADËS
lart në mal ku syri tretet
Krejt i largët, krejt i turbullt,
cjap i egër turfullon
dhi e egër seç ka humbur.
se janë dashur në çdo stinë
Puthur, ndukur, përqafuar;
sa herë cjapi dredh mustakun,
dhia pranë e përmalluar!
e janë puthur, trashëguar
Nëpër shkrepa, në çdo stinë;
cjap i egër thyen shkrepa
se ka humbur grua-dhinë.
e lëshon piskamë e lot
sa orteqet shkundin malet;
cjapi egër përpjek brirët
e me thundra po çjerr faqet.
se ka humbur grua-dhinë
e kërkon, rrëmon ngado;
Ka humb shtëpinë, katandinë
Perëndeshën, si ajo!
PËRROI I VENDLINDJES
si një ninullë për kullën time
Një grusht uji je në verë,
Kur në vjeshtë mblidhen prodhimet,
Rritesh ti me shi dhe erë.
ti që sjell motive malli
Kryet vë në gjoksin tim
dhe dëgjoj tik-takun tënd,
si një mall e mërmërimë.
e sa herë që bie mbrëmja
si mëndafshi ndër lajthi,
Pranë dritares luan syrin
si kodoshi, sevdalli.
ç’ka se vend nuk bën në hartë
dhe në drin derdhesh modest,
Rrjedh në “hartën” e syve t’mi
jetë e dritë bëhesh në Fierzë.
LLAMBA E VAJGURIT
Në polisën e oxhakut llamba e vajgurit
Me shkrepësen ngjitur, tymi e flaka,
Sa herë suferina fryn e fik dritat
si magjistare ndez llambën, më plaka.
aladini ndrit në heshtje natën e errët
të fryjë suferina, bora të ngrijë pragun,
ajo llambë magjike që nëna fshin ngahera
Yll i rënë nga qielli në qoshen e oxhakut.
Ne ikëm në qytet. Mbyllëm shpi e katandi
llambat e vajgurit s’janë për qytetet!
Por nëna e mori, e ruajti të shtrenjtë
aty pranë dritares, aq pranë me shkrepësen.
e lan e pastron me shumë dashuri
Për të mbajtur ndezur mallin në gji…
PYLLI ME PISHA
– Në kujtim të babait –
Pylli me pisha të moçme
si xhaketa e babait varur në gozhdën e kreshtës,
Nëna ia ka kthyer dikur jakën,
jakën e rrjepur nga kripa e djersës.
Pishat e moçme me jakën e kthyer
Nga e gjelbërta në jeshile,
aty xhaketa e babait
Ka mote që bën hije!
Pylli me pisha të moçme
anuar nga era e luginës si kërrabë,
Rrudhosur si xhaketa e babait
Në acar dhe në vapë.
Rralluar pylli me pishat e moçme;
Rrudhur e rrjepur si xhaketa e babait
Pa portofol, pa xhepa e pa kopsa…
LULE LISNE
lule lisne mbledhim në verë
Për groshët në dimër t’i thajë nëna,
odat të mbushen me aromë,
Me erën dehëse jashtë edhe brenda.
Për rrënojat nuk jam arkeolog
as në livadhe një bujk për plisa,
unë thjesht po mbledh nektarin
Me nektarë në mollëzat me lisna.
Pas meje le të vijë si të dojë dimri
Me erë, me borë, lloh e furtunë,
lisnën e mbledh që në ditë-verë,
ditë-verën çoj në shtëpi për gunë.
e nëna ime e urtë dhe e mirë
Me lisnën bën edhe ndere,
Për xhajen e hallat në qytet
Pak lisna mbështjellë si ditë vere.
MBRËMJA NË FSHAT
Para se të perëndojë dielli
Njerëzia shpejton të sosë punët e ditës:
Zogjtë për gjumë shtrojnë dyshekët me pupla;
Kuajt shkundin pluhurin çokollatë të udhës;
lopët mbushin grushtet me qumësht;
Nëna për vaktin e darkës kripos groshët;
Motra fsheh nën qepallë të parën puthje;
shelgjet në buzë lumi varen si gërsheta;
Bleta në koshere me lloz mbyll deriçka;
Pulat flenë si pulat;
Merimangat, si merimanga struken
në skuta,
Mushkat flenë në këmbë si mushkat;
derën e avllisë së fundmi e mbyll babai…
Kur hëna-klloçkë të mbledhë zogjtë-yje
Niset për në qiell ëndrra ime…
KËNGA E DRINIT
Kënga e drinit pranë kullës time
tund perdet prej basme,
Gu-gu-të e guguçeve,
thurin ojna dasme.
Kënga e drinit,
Në krahë dallëndyshesh
si ninulla në djep,
e,
Kushedi sa kohë,
e,
Kushedi sa vjet…
Kënga e drinit
çel lulet e mollës
Në trung e në degë,
shkrin akullin e borës
Në pllajë e në shkrep,
e,
Kushedi sa kohë,
e,
Kushedi sa vjet!
Kënga e drinit piskamë e dhimbje
Në dardh e në Reç!
e,
Kushedi sa kohë,
e,
Kushedi sa vjet…
NËNA
s’ka më të bukur se ti,
Me sy të mëdhenj – një pash qiell
e prehrin me nektar perëndish;
S’ka më fisnike se ti,
Me zemrën e dhembshur për një zog të trembur
e me kurmin – Zanë bjeshke.
s’ka më të shtrenjtë se ti,
Që mbushe fletën time të bardhë
Me dashurinë e sakrificën bashkë;
s’ka më punëtore se nëna ime,
Qelibare, e urtë, ëmbëlsi në ëndërr
Që më bekoi ende pa u ngjizur;
Nëna ime, hirushja në zhgjëndërr!
KORABI
jam zgjuar që në lindje me Korabin në sy,
Me udhën e diellit – që pa gdhirë jam zgjuar,
lind dita me Korabin e diellin përkarshi
Ngryset nata mbi Kurorë – përmalluar.
e njoh më së miri me gjysh e katragjysh,
sy më sy i hapim kanatat,
Me nurin e ditës i ndrisin siluetat,
Në muzg të perëndimit me të kuq përflaket.
Korab! Përtej reve, përtej qiellit,
Përtej ëndrrës, përtej zhgjëndrrës,
lahet me sirenat e egjeut
Krihet nëpër erërat e mëllenjës.
Perënditë në olimp i kanë shtëpitë
Në Korab bëmat, intrigat, dashuritë…