Në odën dibrane, po qe se dikush përmend emrin e Hamdi Kacanit, të gjithë do të luajnë vendit e fjalët për të do të marrin rrjedhën e Drinit. Nuk kishte shkollë Hamdi Kacani, shkollë ulur në bankë me libra, fletore, kalem e penë në dorë. Nuk kishte laps Hamdi Kacani të shkruante udhëtimet e tij maleve të Dibrës, pranë njerëzve e me njerëzit në ditë të vështira shëndetësore, në 35 vjet punë, me ta e për ta…
I kam bërë një fotografi Hamdiut me ambulancën e tij. Nuk e kam intervistuar, as kam bërë ndonjë shkrim për heroikën e tij në atë profesion ku humanizmi dhe dashuria për njeriun ngjitet e nuk zbret.
Shofer ambulance ishte Hamdi Kacani, shofer me një makinë ruse OAZ 4×4,DI 91 14 ardhur nga fillimi i viteve pesëdhjetë.
Një jetë të tërë mbi katër rrota e me timonin ndër duar. Po, po, një jetë të tërë, derisa doli në pension. Madje, edhe kur erdhën kohë të reja, kur filluan privatizimet, ai e mori makinën e jetës së tij, siç merret një fëmijë nga “shtëpia e fëmijës” e bëhet gjak i familjes…
Ishim komshinj, në një pallat me Hamdiun.
Në këndin e drejtë që formohej nga takimi i dy pallateve shikoja çdo ditë Hamdiun dhe makinën e tij të bardhë. E pashë derisa iku në qetësinë e një njeriu që dashuronte punën e tij, siç dashuronte fëmijët, siç dashuronte njerëzit…
Nuk e di se çfarë kushtesh duhen për të qenë pjesë e “Librit Ginis”, por Hamdi Kacani me autoambulancën e tij janë për tu shënuar pa asnjë dyshim.
Dibra është një ndër zonat më të prapa në rrugëtimet drejt njerëzve, fshatrave e zonave të largëta. Peshkopia, qendra e Dibrës, ka parë asfaltin e rrugës që e lidhte me Tiranën dhe Shqipërinë, vetëm në mes të viteve shtatëdhjetë kur u lidh me Bulqizën me një rrugë njëkalimshe… Rrugët e tjera në hapësirën prej 1600 kilometrash katrorë, nga Llanga në Qafë Draj e nga Qafa e Buallit në Kala të Dodës, Selishtë,Lurë e më gjerë, ose ishin rrugë të shtruara me kalldrëm e me pak zhavorr sipër ose ishin thjesht rrugë verore me heroikë lëvizjeje verës e me sakrifica tej njerëzore dimrit.
Afër, afër edhe sot kështu janë…
Autoambulanca e Hamdiut nuk pyeste këtyre rrugëve, ditën dhe natën, në shi e dëborë, në lagështi e në akull.
Sekreti ishte i thjeshtë. Hamdiu e konsideronte autoambulancën si pjesëtare të familjes së tij, si fëmijë që kërkonte kujdesin e prindit për tu rritur i shëndetshëm. Ato orë midis dy thirrjeve urgjente për udhëtim tek të sëmurët Hamdiu ishte nën e në makinën e vet, me vështrimin në gjithçka që duhej kontrolluar e rregulluar. Asgjë nuk i shpëtonte kujdesit të tij…
Në vitin 1985 në spital vjen një ambulancë e re prodhim Rumun. Ia dhanë Hamdiut. Bëri me të një rrugë në Bulqizë. E ktheu. Kërkoi prapë OAZ-in. “Kjo nuk të çon në Lurë, Kala të Dodës, Selishtë, Reç, Trebisht…”- u tha.
OAZ-i me dy diferencialë, nën kujdesin e vazhdueshëm të tij, i dinte më mirë rrugët e Dibrës, verës dhe dimrit, në shi e në dëborë…
Mbase nuk do ta kujtoja Hamdi Kacanin larg e larg vendlindjes time në mërgim ku jamsikur gjatë skanimit të mbi gjashtë mijë negativave të jetës time, të mos e gjeja në një pozim diku tek ura e Muhurrit në krah të rrjedhës së Drinit të Zi…
Botuar me shkurtime. Opinionin e plotë e gjeni në linkun: \http://www.javanews.al/hamdi-kacani-dibres-dhe-frroku-ambulances-se-tiranes/