Rruga e Arbrit, e vetmja çështje elektorale


Edi Rama: “Rruga e Arbrit, që është një zotim solemn i yni, do të nisë nga puna me të përfunduar kontrata. Procedura është drejtë përfundimit dhe brenda shtatorit ne do të fillojmë punën dhe do t’i japim fund kësaj historie të pafund, që për çerekshekulli ju e keni dëgjuar dhe stërdëgjuar. Por unë ju them se brenda katër viteve të ardhshme, Dibra do të jetë e lidhur me Tiranën”.

Edhe këtë fushatë elektorale, Rruga e Arbërit ishte një ndër çështjet më të debatuara elektorale.
Kryeministri Rama, gjatë gjithë vizitave në këtë fushatë në Dibër, ka theksuar se shumë shpejt “Ministria e Financave do të japë dakortësine për skemën financiare të Rrugës së Arbrit. Kompania që e ka bërë projektin është paraqitur me një propozim, është bërë verifikimi i projektit dhe me të marrë miratimin, hapet gara. Që të mos flas në mënyrë strikte, theksonte ai, pasi procedurat gjithmonë kanë ndonjë vonesë, nga shtatori fillojmë Rrugën e Arbrit dhe i japim fund kësaj historie”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë një takimi në fund të majit.
“Qeveria e fasadës bën tendera elektoral”, shkruante në profilin e saj deputetja e PD, Dhurata Çupi Tyli, duke iu përgjigjur kështu premtimeve të Kryeministrit. “Qeveria e fasadës përmes tenderave elektoral do të mashtrojë sërish dibranët. Katër vjet e la në harresë qëllimisht , sot na kujtohet pikërisht në kulmin e fushatës… Rruga e Arbrit është projekt që do lidhë Tiranën me Dibrën, e këtë do ta bëjë njeriu i veprave Lulzim Basha kryeministër”, theksonte deputetja e PD në një nga postimet e saj të shumta në FB në lidhje me këtë çështje.
Deputeti i LSI, Përparim Spahiu nuk ka folur shumë përmes rrjeteve sociale për Rrugën e Arbrit, por me qëndrimet e tij në parlament ka qenë kritik në lidhje me mos mbajtjen e këtij premtimi. Ai kishte vënë në dyshim rikandidimin e tij, pasi është e patolerueshme që dibranëve tu premtohet sërish Rruga e Arbrit. Në fjalën e tij në parlament kur diskutohej buxheti i vitit 2017, Spahiu u tregua shumë në lidhje me mosmbajtjen e premtimit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Ai e cilësoi hipokrizi përmendjen e saj si premtim, kur ngeleshin vetëm 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të vitit 2017.
Deputetja e Dibrës dhe PDIU, Reme Lala, u përfshi në këtë debat kur ajo foli pas fitores së saj në Dibër.
“Unë nuk kam asnjë parti. Partia ime jeni ju, Dibra dhe dibranët e mi, tha ajo gjatë një fjalë përshëndetje për mbështetësit e saj. “Për Dibrën dhe dibranët e mi do t’i bashkëngjitem vullnetit të shqiptarëve për t’i dhënë timonin Edi Ramës dhe ju jap fjalën se bashkë me Edi Ramën do ta bëjmë Rrugën e Arbrit brenda këtij viti. Nëse kjo nuk do të arrihet, unë do ta gris mandatin”.
Fjalimi i saj u interpretua nga analistët në televizionet dhe median qendrore si një largim i saj nga PDIU, por një ditë më pas ajo dha një deklaratë publike ku theksoi se “jam deputete e PDIU-së dhe nuk kam kaluar me askënd”. në lidhje me Rrugën e Arbrit, ajo theksoi se “Rruga e Arbrit me Edi Ramën bëhet, se Edi Rama e ka timonin! Unë si dibrane, jam e gatshme të bashkëpunoj me këdo që realizon premtimin e Rrugës së Arbrit”.
Disa ditë para se fushata të mbarojë, kryeministri Edi Rama foli sërish për këtë çështje.
“Rruga e Arbrit, që është një zotim solemn i yni, do të nisë nga puna me të përfunduar kontrata. Procedura është drejtë përfundimit dhe brenda shtatorit ne do të fillojmë punën dhe do t’i japim fund kësaj historie të pafund, që për çerekshekulli ju e keni dëgjuar dhe stërdëgjuar. Por unë ju them se brenda katër viteve të ardhshme, Dibra do të jetë e lidhur me Tiranën”, theksoi ai.
Gjatë mitingut falënderues pas zgjedhjeve në sheshin “Skënderbej”, të njëjtin premtim ai e bëri sërish, duke theksuar se “para dimrit do të nisin punimet”.
Rruga e Arbrit është futur në procedurat ligjore si një ndër projektet e para të investimeve bazuar në projektin “1 miliardë dollarë”, iniciuar nga qeveria në fillim të këtij viti. Për ndërtimin e saj ka një ofertë nga kompania Gjoka Konstruksion, por pavarësisht kësaj një tender publik pritet të hapet nga qeveria. Financimi i saj pritet të jetë në formën e Partneritetit Publik-Privat dhe në qoftë se ndonjë kompani tjetër nuk futet në garë ose ofertat nuk janë të favorshme për qeverinë, punimet pritet të nisin në fund të këtij viti.
Gjithmonë, “nëse nuk na tradhtojnë procedurat”, siç thotë edhe kryeministri.
Kujtojmë se procedurat kanë dështuar më parë kur qeveria kishte një propozim nga një kompani kineze.