Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbaruan të dielën e fundit të qershorit dhe qarku i Dibrës zgjodhi të dërgonte në parlament 6 deputetë nga 4 parti të ndryshme.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të kenë nga dy përfaqësues të saj në parlament në këtë qark, ndërsa LSI dhe PDIU nga një.
Në gjithë qarkun e Dibrës, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan 73702 votues, ose 56.13% e 131 313 zgjedhësve të regjistruar në votime. Partia Socialistë moti 24795 vota (34,46%), Partia Demokratike 21331 vota (29.65%), Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 12.705 vota (17,52%) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 12267 vota (17,05%). Katërmbëdhjetë partitë e tjera në garë morën së bashku 948 vota, nga të cilat më shumë mori Libra me 233 vota dhe më pak MEGA e 6 vota.
Në këtë zgjedhje Partia Demokratike, jo vetëm që humbi një mandat deputeti, por doli edhe e dyta në qark, me 3464 vota më pak së Partia Socialiste. Një rritje të shpejtë dhe surprizuese kishte PDIU, e cila u rendit e treta në qarkun e Dibrës, duke kaluar në vend të katërt LSI.
PDIU doli partia e parë në bashkinë e Dibrës, me 9985 vota të fituara, ndërsa PS arriti 9370 dhe PD 8220. Në bashkinë e Dibrës votuan 32357 votues nga 56904 të regjistruar në listat zgjedhore. Nga 15 njësi administrative të qarkut të Dibrës, 11 prej tyre i fitoi PDIU, përfshirë edhe qytetin e Peshkopisë, PD fitoi vetëm Kalanë e Dodës, ndërsa PS tre njësi administrative, Melanin, Maqellarën dhe Lurën.
Në bashkinë e Matit PS u rendit e para me 6960 vota, PD 4912 vota, LSI 2459 vota dhe PDIU 516. Morën pjesë në zgjedhje 15445 zgjedhës nga 29421 të regjistruarve në listat zgjedhore. Nga tetë njësi administrative, tre i fitoi PD, ndërsa pesë të tjera PS, përfshirë edhe qytetin e Burrelit.
Edhe në bashkinë e Klosit PS u rendit e para me 3312 vota, PD 2770 vota, LSI 1791 vota dhe PDIU 497 vota. Morën pjesë në zgjedhje 8765 zgjedhës nga 15604 të regjistruarve në listat zgjedhore. Nga katër njësi administrative, vetëm në Kraste PS fitoi me 4 vota diferencë, ndërsa në njësitë e tjera diferenca mes PS dhe PD ishte shumë më e madhe.
Në bashkinë e Bulqizës PD u rendit e para me 5429 vota, PS 5153 vota, LSI 4225 vota dhe PDIU 1607 vota. Morën pjesë në zgjedhje 17135 zgjedhës nga 29384 të regjistruarve në listat zgjedhore. Nga tetë njësi administrative, PD fitoi në katër prej tyre: Shupenzë, Fushë Bulqizë, Zerqan dhe Ostren dhe katër të tjerat: Bulqizë, Krastë, Gjoricë dhe Trebisht i fitoi PS.
Përqindja më e lartë e zgjedhësve u regjistrua në bashkinë Bulqizë me 58.31%. Në bashkinë Dibër morën pjesë 56.86%, në bashkinë Klos 56.17% dhe në bashkinë Mat 52.50%.
Nga rezultatet paraprake të KQZ, të publikuara në faqen e saj zyrtare në web, 71 946 vota janë konsideruar të vlefshme, ndërsa 1745 vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Zgjedhjet në Qarkun e Dibrës ishin vlerësuar më parë me shkallën më të lartë të problematikës që pritej gjatë ditës së votimit dhe procesit të numërimit, por gjithçka duket se shkoi normalisht dhe 259 kutitë e votimit, aq sa ka pasur qendra votimi, u numëruan brenda ditës së hënë në katër qendrat e numërimit e ngritura në secilën bashki. Vetëm deputeti i rizgjedhur i LSI bëri një denoncim publik në faqen e tij të FB, sipas të cilit, në një qendër votimi me nr.1079 janë futur mbi 40 fletë votimi në kuti, pasi komisionieri i LSI ishte i shitur”. Por deri më tani nuk dihet nëse këtë rast ai e ka referuar në prokurori.
Kush janë deputetët e rinj të Dibrës?
Deputetja më e re e Dibrës, por edhe e parlamentit shqiptar është Reme Lala, e cila solli një fitore surprizë edhe për vetë subjektin që ajo përfaqësonte, Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. “Logo e kësaj partia së bashku me parullën “Veç një Atdhe” shëtiti në të gjithë qarkun e Dibrës, sidomos në çdo fshat të bashkisë Dibër. Ndërsa slogani i saj elektoral ishte “Për Dibrën, me Krenari dhe Dinjitet”.
Sipas CV të depozituar pranë KQZ, Reme Lala është lindur në Muhurr të Peshkopisë më 29 shtator 1995. Ditëlindjen e saj të 22-të ajo do ta festojë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Arsimin e ulët e ka kryer në vitin 2011 në Woodroë Wilson, ndërsa arsimin e mesëm në Gjimnazin Franko-Shqiptar “Ernest Koliqi” në vitin 2014. Aktualisht ndjek studimet e larta për Financë në “University of Neë York Tirana”. Që nga viti 2015, ajo është pjesë e forumit rinor të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Përparim Spahiu merr nga dibranët mandatin e dytë radhazi për të qenë përfaqësues i tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Slogani i tij kryesor në këtë fushatë ishte “Për Dibrën që duan dibranët”. Gjatë mandatit të parë inicioi ligjin për statusin e Minatorit, status i cili nuk gjeti mbështetjen e mazhorancës. Ka premtuar në këtë fushatë se “Statusi i minatorit” do të jetë akti i parë për të cilin do të lobojë që të miratohet sapo të mblidhet parlamenti i ri. Ishte një ndër deputetët e Dibrës në legjislaturën e kaluar, i cili bënte kritikën më të fortë ndaj qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve në këtë qark.
Spahiu ka lindur në Maqellarë më 27 janar 1971. Ka kryer studimet e larta në vitet 1989-1993 në degën Ekonomiks, pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ka punuar Inspektor taksash në degën e tatimeve Bulqizë dhe nga viti 1998-1999, punoi në Drejtorinë e Shërbimit dhe Pagesave pranë Bankës së Bashkuar të Shqipërisë. Më pas ka pasur një karrierë të shkëlqyer në fushën bankare. Në vitet 1999-2001 ka punuar si oficer përgjegjës i këmbimit valutor, Tregun e parasë dhe Investimet financiare pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë, ndërsa në vitet 2001-2005, zv. Drejtor i këtij departamenti, për të vazhduar si Drejtor i Lartë deri në vitin 2010. Në vitet 2010-2012 ka punuar si konsulent financiar dhe investimesh. Që nga viti 2010 është anëtar i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ilir Beqaj, ish-ministër i shëndetësisë në qeverinë e kaluar, nuk është me origjinë nga Dibra, por do të përfaqësojë dibranët në këtë legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë fushatë elektorale u ndesh me pakënaqësi të elektoratit, jo vetëm për shkakun se nuk ishte me origjinë nga ndonjë bashki e qarkut të Dibrës, por edhe për arsyen se ishte një ndër ministrat e akuzuar më së shumti për korrupsion në qeverinë e kaluar. Konsencionet në fushën e shëndetësisë janë sulmuar shumë nga opozita.
“Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë”, ishte një nga sloganet kryesore që shoqëruan postimet e Beqajt në FB gjatë gjithë fushatës në qarkun e Dibrës. Kudo që shkoi në fshatrat e Matit, Klosit, Bulqizës e Dibrës, të gjitha investimet e pakta të qeverisë në mandatin e kaluar i shoqëronte me këtë slogan.
Ilir Beqaj ka lindur në Tiranë 18 shkurt 1968. Ka mbaruar studimet si Informaticien i Përgjithshëm, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Gjatë vitet 2009-2011, Beqaj ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por iu hoq mandati nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se e gjeti në konflikt interesi në lidhje me përfitimet nga fondet buxhetore. Në tre vitet që pasuan, ishte Këshilltar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Në 2013 qe sërisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë viteve 2013-2017 mbajti postin e Ministrit të Shëndetësisë.
Almira Xhembulla ishte surpriza e kandidaturave të PS në Dibër. “Për Dibrën që duam” ishte slogani i saj kryesor. Prania e saj në fushata i uli shumë tensionet elektorale, së paku publikisht. Ajo u pa më së shumti mes grave, vajzave dhe biznesit të vogël. Gjatë fushatës promovoi shumë resurset turistike dhe potencialet e zhvillimit rajonal.
Ajo është lindur më 6 shkurt 1979 në Dohoshisht të Peshkopisë. Gjatë viteve 1997-2001 kreu studimet për Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Studimet master i kreu pranë Universitetit Europian të Tiranës për Marrëdhënie më publikun. Në vitet 2002-2004, punoi si oficere projekti për rininë “Qendra e Edukimit dhe Komunikimit” (projekt danez). Gjatë viteve 2004-2012, punoi si këshilltare për Avokatësi dhe Lobim SNV (Organizata Holandeze për Zhvillim). Pesë vitet e ardhshme punoi si këshilltare për Avokatësi dhe Barazi gjinore, Fondacioni Ndërkombëtar CNVP.
Dhurata Cupi (Tyli) do të jetë deputetja e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, që do të përfaqësojë opozitën në parlamentin e ardhshëm. E para në listën e PD, ishte po ashtu e para që iu përgjigj gjatë gjithë fushatës kryeministrit në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve në Qarkun e Dibrës, veçanërisht për premtimin e bërjes realitet të Rrugës së Arbrit. Ajo bëri fushatë për “Republikën e Re” dhe besonte se “bashkë me Lulzim Bashën kryeministër ne do t’ia dalim”. Disa nga sloganet e përdorura gjatë fushatës ishin edhe “Alternativa jonë është alternativa e qytetarit”, “Është koha për qytetarët dhe të nesërmen e tyre”.
Ajo ka lindur më 21 prill 1973 në Mat. Ka kryer arsimin e lartë për drejtësi. Ka punuar si juriste dhe ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e kaluar, pas dorëheqjes së Sherefedin Shehut. Ka qenë gjithashtu edhe Drejtore e AITPP.
Xhemal Gjunkshi është deputeti tjetër i opozitës që do të përfaqësojë Dibrën në Kuvend. Ai zhvilloi një fushatë pa ndonjë slogan fiks. Ai e bazoi fushatën në premtimet e kryetarit të PD për “Republikën e Re”, sipas të cilit brenda dy vitesh do të bëhej e mundur hapja e tunelit në Rrugën e Arbrit, subvencionet e drejtpërdrejta në bujqësi e blegtori, rihapjen e filialit të Universitetit të Dibrës, përmirësimin e infrastrukturës lokale etj. Sulmet kryesore gjatë fushatës i përqendroi ndaj ish-ministrit Ilir Beqja, duke theksuar se “Lulzim Basha kryeministri i ardhshëm dhe Partia Demokratike do të kthejë dinjitetin, shpresën dhe besimin e munguar”.
Xhemal Gjunkshi u lind në Peshkopi më 30 janar 1963. Ka kryer Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe ne vitet 1995-1996 ka kryer Kolegjin e Luftës në Akademinë e Forcave të Armatosura Turke në Stamboll. Ka kryer disa kurse në profilin ushtarak në Holandë dhe Turqi. Ai ka një karrierë të pasur ushtarake duke e nisur në vitin 1986 si specialist stërvitje i Brigadës Peshkopi dhe duke arritur në 2013 si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradën ushtarake Gjeneralmajor.
Përgatiti:
Alban Tufa, Bujar Karoshi.
Fotot janë marrë nga profilet në FB të kandidatëve fitues.