“FESTA E TË VJELAVE” – DITA E BEGATISË


Mëngjesi i datës 7 tetor e gjeti Peshkopinë ndryshe nga ditët e tjera, sepse së pari këtë mëngjes po fillonte Panairi i të vjelave 2017, dhe së dyti, ky mëngjes po dëshmonte se dimri po avitet dhe që këtej e tutje nuk mund t’i zëmë dot besë. E megjithatë të dyja ndodhitë me  thënë të drejtën nuk i ndihin aspak njëra tjetrës, për të mos thënë janë në kundërshtim.

Me një dëshirë që nuk shterret kurrë (as nga rruga), nisem për në Peshkopi. Edhe pse mu desh të vendos dy-tre alarme, ia arrita të nisem që nga Tirana në orën 5:00 të mëngjesit. Është një mëngjes i ftohtë dhe të natën ka rënë shi me rrëmbim. Nisem për Peshkopi, për në Panairin e të vjelave 2017. Për rrugën nuk do të themi asgjë, sepse të gjithë e dinë si është, të gjithë e kanë provuar, thjeshtë iu duhet ta kujtojnë.

Sapo i afrohemi Maqellarës, nis një dëborë, (ose ne i afrohemi një dëbore që mund të ketë nisur pak kohë më parë) e cila bie pa hiç përtesë, ndjekur nga shtëllunga të tjera të pandalshme. Të them të drejtën habitem, e fill mandej mahnitem. Më përshtypin një çast pamjet e fshirëses tek fshin mbi xham kristalet e dëborës,  e mandej fshin sërish të tjera, të tjera e të tjera… Dikush nga fundi i furgonit , një djalë i ri thotë: “Ka kohën tashti” ndërsa një burrë i thyer në moshë ia pret: “Jo mor bir, s’i ka ardh koha akoma, por janë punë të Tjetërkujt këto, megjithatë, kët shiun e pret. Ka me hap kohën”.

Apet kjo pamja e Peshkopisë që kurrë nuk më ngop, që për nga ndjesitë nuk  krahasohet me vend tjetër në botë.

As kjo kohë e ftohtë dhe e beftë nuk i mbyll dibranët brenda. Punimet në Bulevardin “Elez Isufi” duket që kanë sosur, edhe pse nuk është vështirë të gjesh të pakënaqur. Tek pika që lidhet me Bulevardin “Nazmi Rushiti, është ngritur një shkallare.

Këtë ditë ALCDF në bashkëpunim me Bashkinë Dibër dhe Drejtorinë e Bujqësisë në Dibër organizojnë, Festën e të Vjelave, “Panairi i produkteve tipike dibrane”, në kuadër të projektit Dibra: Turizëm dhe Traditë (D2T), financuar nga USAID dhe Ambasada Suedeze.

Prodhuesit e mollëve, frutave të tjera, grupet e prodhuesve të arrorëve, dhe prodhimeve të dyta të pyllit, grupet prodhuese të grave me jufkat, perimet, gatime tradicionale, dhe agro-përpunuesit e bulmetit, pijeve dhe lëngut të frutave.

Muzika përhapet panda dhe pushton hapësirën. Që në krye të tendave, sapo fillon bulevardi, janë vendosur dy dengje jonxhe dhe sipër tyre qëndron nga një kungull i cili është i fundit që mblidhet nga vjeshta. Anash dengjeve të jonxhës qëndrojnë në këmbë dy stavë kashte misri, të cilat, edhe këtë janë simbol i vjeshtës e sigurisht i fshatit. Imazhin e tyre vjeshtak e përmbush me besnik një shi i imët dhe i ftohtë akull.

Brenda stendave fillohet me rrush, molla, ftonj, arra, e të gjitha frutat që prodhon vjeshta në Dibër. Nuk mungojnë kurrsesi gatimet e grave dhe nënave dibrane, me fli, petulla, llagaje, jufka, sheqerpare dhe ëmbëlsira të ndryshme. Mandej vijnë bulmetet, produkte blete dhe çajra të ndryshme. Të gjitha këto i japin kuptimin e duhur këtij panairi edhe këtë vit.

Xhevit Feta nga Zagradi, ka ardhur bashkë me të shoqen në panair për të promovuar produktet e tij.  Ndër shumë e shumë produkte të tjera, bie në sy, edhe pirg pastërmaje, që me një aromë unike të ngjall njëherësh kujtime dhe oreks për fasule. E shoqja tregon:

“Mishi  rrin gjashte javë në kripë, por tri duhet lënë se s’bën, ne lëmë më shumë. Sa më shumë ta mbash në kripë më mirë është sepse më tjetër aromë dhe shije. Do shumë kujdes, dhe duhet fut në kripë të zezë”.

Ndërsa Xheviti thotë: “Ne nuk kemi patur shumë, tre-katër pesë qingja kemi therë.  Dolëm sot  edhe me të tjera gjëra. Me çajra dhe patate. Patatet nuk ecin, qytetarët marrin shumë pak, sepse mendohen, ta bëjnë të gjithë kokrrën apo gjysmën sepse janë shumë të mëdha.

Çdo gjë është bio. Edhe domatet I kemi bërë në stane, atje ku mbajmë dhentë, janë bërë vetëm me plehun e dhenve.”

Në stendën e tij, nuk mungon asgjë që në Dibër sjell vjeshta, duke nisur me thana, kaça, e duke sosur me boronicë të egra.

Ndërkohë shiu, nuk ndalet, njerëzi blejnë me kile. Secili me qesen në një dorë dhe çadrën në dorën tjetër. Gumëzhijnë stendat nga njerëzit, siç gumëzhijnë në një koshere bletët e Arjan Zogut, i cili e ka marrë kosheren me vete në panair.  Ai ka mbi 200 koshere bletë dhe me to jeton. “Mbleta ka kosto, dhe nuk është e lehtë të mbahen. Bleta së pari kërkon që të jesh I ndershëm.” thotë ai.  Në stendën e tij, veç mjaltës ai ka edhe polen, qumësht blete, dyll dhe plot produkte të tjera që japin bletët.

Edhe pse organizimi i panaireve dhe organizimeve të tilla po shtohet nga viti në vit, I vetmi problem për fermerët mbetet gjetja e tregut dhe kostot e larta për prodhim.

Një shitës mollësh thotë se ka pas mollë vende vende,  por jo në shumicë . Ai shprehet: “Edhe tregu dobët është.  Duhet një fabrikë lëngjesh për ta konkurruar atë ekzistuese. Kur nuk ka konkurencë, tregu është sa do vetë. Pa konkurrencë, fermeri është i mbarum.”

Fermer nga Muhurri ka a ardhur ne Festën e të Vjelave me fasule , me rrush ,me mollë, me speca.  “Speca mbjellim më shumë. Çmimi nuk është shumë i favorshëm për ne, por edhe populli nuk ka terezi.  Infrastruktura është, sipas mendimit tim, zero. Zero krejt është, duhen rrugë për toka”, thotë ai.

“Festa e të Vjelave” është dita e begatisë të vjeshtës e cila festohet nga dibranët. Projekti Dibra: Turizëm dhe Traditë (D2T) që financohet nga USAID/Albania dhe Ambasada Suedeze, dhe zbatuar nga ALCDF, organizuan këtë event në formën e një festivali, ku mbi 10.000 vizitorë nga qyteti Peshkopisë, pushues në Llixha, vizitorë nga Tirana dhe Dibra e Madhe, vizituan dhe provuan prodhimet natyrale të më shumë se 200 fermerëve, agropërpunues, grupe prodhuesish të grave, artizane që reklamuan produktet në stendat e panairit. Vizitoret ndoqën edhe koncertet dhe aktivitetet e tjera të grupit artistik, cirkut, arteve marciale dhe mundjes, në një skenë të dekoruar me mjete dhe sende natyrore dhe bujqësore. Bashkëpunimi i mire mes ALCDF, Bashkia Dibër, CNVP Foundation, World Vision, Agritra Vizion, Drejtoria e Bujqësisë dhe shumë vullnetarë të tjerë bënë që eventi të kishte mbarevatje të mirë, megjithëse kushtet e motit ishin të vështira.” (ALCDF)