Dhjetë arsye përse duhet vizituar Dibra


dav

Dibra ndodhet lindje të Shqipërisë, në një terren pothuajse malor. Ajo shtrihet në dy anët e Drinit të Zi duke u kufizuar në lindje me malin e Korabit, mali me i madh në Shqipërisë dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës. Është një zonë ku Zoti është treguar shumë bujarë me bukuritë dhe pasuritë natyrore. Banorët e kësaj zone kanë fatin e mirë të jetojnë në një vend të bekuar nga Zoti, por fatin e keq që në këtë krahinë politika është bërë pengesë e zhvillimit total të kësaj zone. Pavarësisht këtij fakti, Dibra duhet vizituar për të parë dhe shijuar nga çdo aspekt që e bën kaq tërheqëse. Më poshtë, po rendimsim 10 arsye (sipas nesh) se pse duhet vizituar Dibra:
Mikpritja dibrane. Dibranët prej brezash mbeten unikë për respektin dhe mënyrën se si pritet një mik. Në Dibër, miku, pavarësisht rëndësisë apo situatës ekonomike, pritet akoma me nderime dhe respekt të veçantë. “Shtëpia është e mikut, më pas e zotit të shtëpisë”. Miku mbetet kryesori, madje sipas disa historive të vjetra, një zonjë sakrifikoi fëmijën e vogël, duke i dhënë ushqimin mikut si shenjë vlerësimi për atë që shkeli pragun e derës. Përveç miqve familjarë, njerëzit që nuk janë nga Dibra ndihen si në shtëpi, pasi dibranët njihen si njerëz bujarë dhe të besës. “Bukë, kripë e zemër të bardhë” është shprehja që tregon se Dibra di si ta respektojë mikun.
Ushqimet tradicionale. Të parezistueshme, mjaftë të veçanta dhe çfarë është me e rëndësishmet ushqimet tradicionale të Dibrës janë plotësisht bio. Ndoshta disa nga ju vetëm keni dëgjuar dhe nuk keni pasur rastin të provoni të famshmet “jufka me pulë” apo “flinë me renda”, dy nga ushqimet më tradicionale të zonës. Disa ushqime tjera që ju këshillojmë të kërkoni, sa herë rruga ju çon në Dibër, janë brijani, sheqerparja, paça etj. Dibra gjithmonë ka një kuzhinë të veçantë. Amvisat dibrane nuk harrojnë traditën, duke e trashëguar nga një brez në tjetrin. Byrekët, zahiretet e dimrit, sallatat, pastramaja e shumë ushqime të veçanta, në Dibër kanë një shije krejt të veçantë.
Prodhimet bio. Janë karakteristike të zonës. Natyra është treguar bujare me terrenin ku kjo zonë shtrihet. “Mollët e Dibrës” janë mjaftë të njohura në të gjithë Shqipërinë. Kanë një shije të rrallë. Rritur larg pesticideve, produkte të zonës si patatja, gështenja, arra, lajthia perimet e shumë të tjera mbajnë një aromë dhe shije mjaftë të mirë. Produktet e bulmetit zotërojnë cilësinë e parë dhe janë mjaft të kërkuara kudo. Djathi, gjiza, qumështi dhe nënprodukte të tjera të qumështit si dhe ato të mishit kanë origjinën tërësisht natyrale që kohët e fundit sa vijën e bëhen më të rralla. Mjalti është i kërkuar edhe jashtë territorit dhe është vlerësuar në cilësinë më të mirë nga ekspertët e fushës. Fabrika e lëngut të mollës bio në Tomin dhe suksesi në tregun vendas është dëshmia e suksesit dhe e cilësisë së produkteve dibrane.
Turizmi malor. Dibra njihet si një zonë me një reliev të thyer që të jep mundësinë që të zhvillohet turizmi malor. Lura dhe mali i Korabit janë dy nga vendet kryesore që patjetër duhen vizituar. Lura me shtatë liqenet e saj ka bërë që ai vend të jetë një nga vendet kryesore që duhet vizituar nga turistët. Mali me i lartë në Shqipëri, mali i Korabit kohët e fundit është bërë një destinacion i mirë turistik nga shumë turistë të huaj. Pamja përrallore që të shfaqet kur ti ngjitesh më majën më të lartë është me të vërtetë mahnitëse. Destinacion të tjera turistike interesante janë Selishta, Bulaçi, bjeshkët e Gramës, të Ilnicës etj. Në territorin e Dibrës kalon dhe lumi më i gjatë në Shqipëri që mund të përdoret për turizëm dhe për ushtrimin e sporteve si rafting. Çiklizmi malor është një tjetër sport që po lulëzon kohët e fundit, ndërsa alpinizmi që ka qenë traditë.
Kultura: Aspektet kulturore në zonën e Dibrës janë mjaftë të pasura dhe unike nga të gjithë zonat e tjera. Traditat, zakonet, veshjet, vallet, muzika, leksiku e shumë aspekte të tjera e bëjnë Dibrën shumë të veçantë. Origjinale mbetet odat dibrane. Diskutimet dhe debatet e odave duan një mprehtësi dhe inteligjencë që ti kuptosh, madje shumë herë mjaft të vëshira për tu kuptuar nga masa. Festivali i përvitshëm “Oda Dibrane”, që mbahet në vjeshtë, është kthyer në një traditë të përvitshme të këngës, valles humoristike dhe alegorisë. Ky festival mbledh rapsodë dhe valltarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Natyra. Zoti është treguar bujar më natyrën. Mund të gjesh çfarëdo që të kërkosh: malin, fushën, lumin, ujin dhe mijëra llojë speciesh të faunës dhe florës. Parqet kombëtare, bjeshkët e pafund, bimësia dhe aspekte të tjera natyrore e bëjnë këtë vend të veçantë. Ujërat termal të Llixhave janë një tjetër burim që tërheq mijëra vizitorë në vit. “Ato kanë ujin më të nxehtë dhe më kurativ në Ballkan”, thonë specialistët. Bimët mjekësore që gjinden në bjeshkë, përveç vlerave të padiskutueshme që kanë, shërbejnë edhe si një mënyrë jetese për banorët e zonave malore. Ajri dhe uji janë dy pasuritë e tjera që nuk shpjegohen me fjalë.
Arkitektura: Mjaftë e veçantë është edhe mënyra se si mjeshtrit e ndërtimit në Dibër kanë ndërtuar banesat e tyre. Një nga fshatrat që ka ruajtur traditën e ndërtimit më gur është Rabdishti, ku çdo cep i fshatit është i shtruar me kalldrëm dhe shtëpitë e forta me gur. Kullat e larta si ajo Zunës në Sohodoll, e Dine Hoxhës në Muhurr, e Markut në Zogje, e Hupit në Bulqizë, janë dëshmi e gjallë e arkitekturës së mjeshtrave të ndërtimtarisë në Dibër.
Historia. Dibra ka qenë qendër e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Ushtritë e osmane e serbe, duke u bazuar në pozicionin gjeografik, e kanë përdorur Dibrën si rrugë për dalje në det. Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ka vendlindjen në Dibër dhe 26 betejat e tij kundër perandorisë osmane i ka zhvilluar në Dibër. Elez Isufi mbahet mend si udhëheqësi që organizoi luftën kundër pushtuesve serb, ndërsa Dom Nikollë Kacorri ishte edhe firmëtar i pavarësisë si dhe nënkryetari i parë i qeverisë së Ismail Qemalit. Po ashtu, Haxhi Vehbi Dibra ishte kryetari i parë i parlamentit në shtetin e ri. Të shumtë janë emrat, ngjarjet, datat dhe veprat që Dibra dhe dibranët kanë bërë në histori.
Bulevardi i Blinave. I ndërtuar në vitin 1967, njihet sot si simbol i Peshkopisë. Blinet janë veçantia më e bukur e këtij qyteti dhe njihet nga njerëzit si “shëtitorja e blineve”. Ajo është rreth 600 metër dhe në dy anët e këtij bulevardi janë vendosur institucione kryesore, bare dhe restorante, hotele e pjesë të tjerë të shërbimeve. Gjatë verës së vitit 2016 nisën punimet për ndërtimin dhe kthimin e bulevardit në pedonale.
Llixhat e Peshkopisë. Llixhat e Peshkopisë ndodhen rreth 1.5 km larg qendrës së qytetit. Ato burojnë nga formacionet e gipseve. Janë dy burime sulfurore me një temperature 35-43. 5 gradë celcius dhe me një prurje prej 14 litrash për sekond. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh. Efektet e tyre lidhen me sëmundjet e rrugës së frymëmarrjes si astma bronkiale, bronshite, reomatizmi, diabeti, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike. Sipas specialistëve ujërat e llixhave të qytetit Peshkopi janë më të nxehta dhe si rrjedhojë janë më efektivë në shpejtësinë e shërimit të sëmundjeve.

* * *
Dibra ka një milion arsye përse duhet vizituar. Ajo është një zonë e bekuar nga Zoti, por e lënë pas dorë nga investimet qeveritare. Investimet e munguara, kryesisht rruga që e lidh me kryeqytetin, janë shkaku që ky rajon është i prapambetur në aspektin e zhvillimit ekonomik.