Më 18 korrik 2018 ndahet nga jeta inxhinjeri Jashar Dema, një nga intelektualët e shquar dibran në fushën e minierave. Lindi në Homesh të Grykës së Vogël më 12 dhjetor të vitit 1943 në një familje me tradita të herëshme patriotike. Jashar Dema (i vjetër) ka marrë pjesë në Kuvendin e Dibrës të 7 shkurtit 1899. Babai i tij Osmani vdiq më 1944 në moshë të re duke lënë prapa 4 fëmijë të vegjël, Menduin, Ilmijen, Sotiren dhe Jasharin e vogël në moshën 1 vjeçare. Nëna e tyre Dava megjithëse me shëndet të dobët, në luftë me vështirësitë e kohës i riti me mundime 4 fëmijët e saj të vegjël, duke i angazhuar jo vetëm me punë bujqësie për të ndihmuar familjen në fshat, por edhe duke i nxitur që të mësojnë në shkollë.
Në vendlindjen e tij Homesh, ku është hapur shkolla e parë shqipe në zonën e Grykës së Vogël, Jashari mbaroi shkollën fillore në vitin 1954 dhe atë 7-vjeçare në Shupenzë me rezultate të shkëlqyera në vitin 1957. Shkollën e mesme e kreu në Degën Minerale të Politeknikumit “7 Nëntori” në Tiranë, në vitet 1957-1961, ku mbaroi me rezultate shumë të mira degën e minierave dhe u diplomua teknik i mesëm minierash. Gjatë viteve të shkollës së mesme ai u shqua si një nxënës i sjellshëm e shembullor, i urtë, dhe i dashur me shokët.
Pas mbarimit të shkollës së mesme filloi menjëherë punën, teknik miniere në Minierën e kromit Bulqizë në vitin 1961, ku shpalosi çdo ditë aftësitë e tij në kryerjen e detyrave deri në vitin 1965.
Në vitet 1965-1970 kreu studimet e larta në Fakultetin e Gjeologji-Minierave të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Edhe në shkollën e llartë u shqua si student i përkushtuar për të arritur rezultate shumë të mira. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie shumë të afërta me shokët studentë dhe me pedagogët që e vlerësonin si një ndër specialistët e rinj që do të jepte kontribut të rëndësishëm në zbatimin e teknologjive të reja në nxjerrjen e mineraleve nga nëntoka. Gjatë periudhës së studimeve të larta Jashari është dallohej dhe në aktivitetet e ndryshme shkencore që organizoheshin në shkallë fakulteti, duke u zgjedhur edhe kryetar i Shoqatës Shkencore të studentëve të fakultetit.
Sapo mbaroi shkollën e lartë ku u diplomua inxhinier minierash, fillon punën në vitin 1970 në Minierën e Kromit në Bulqizë, që ishte miniera më e madhe e kromit në Shqipëri. Ekperiencën e fituar që në kohën kur ka punuar teknik në këtë minierë e vazhdoi tani si inxhinjer miniere, duke punuuar me përkushtim në realizimin e detyrave dhe në zbatimin e teknologjisë së përparuar në minierë. Jashari së bashku me Bujar Patën e Hamza Gurrën janë inxhinjerët e parë dibran që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e modernizimin e Minierës së kromit Bulqizë.
Mbështetur në rezultatet e arritura në minierën e Bulqizës në janar të vitit 1971 emërohet Inxhinjer në zonën e II-të të Minierës së Batrës. Mbështetur në aftësitë drejtuese të këtij inxhinjeri tashmë me eksperiencë, në tetor të vitit 1972 emerohet K/ Inxhinjer i Minierës se Batrës ku punon deri në vitin 1980. Gjatë kësaj periudhe Miniera e Batrës pësoi një rritje të madhe të prodhimit deri në 307 %, nga 135 000 ton më 1971 në 515 000 ton më 1981. Sigurisht në këto arritje kanë kontribut i gjithë personeli inxhinjero-teknik i kësaj miniere me në krye kryeinxhinjerin Jashar Dema.
Në vitin 1981 kalon me punë përsëri në minierën e Bulqizës, ku punon Inxhinjer, K/inxhinjer, Shef zone dhe Drejtor në Sektorin e Zonës “D”, deri në vitin 1994. Edhe këtu Jashari u dallua në realizimin e detyrave të këtyre sektorëve të minierës.
Në gusht të vitit 1975 martohet me gjeologen dibrane Naxhije Lleshi me të cilën pati një jetë të lumtur bashkëshortore, u stabilizuan familjarisht në qytetin e Bulqizës, ku së bashku rritën dhe edukuan tre fëmijë të mbrekullueshëm, Besmiri (i diplomuar jurist) dhe dy vajza, Esmeralda e Valdrina.
Në vitin 1995 largohet me banim ne Tiranë dhe nga viti 1997 deri kur doli në pension më 2001 punoi specialist miniere pranë Alb-kromit në Tiranë. Kudo ku ka punuar ai është shquar si një nga specialistët më të mirë në fushën e minierave të kromit, duke punuar me përkushtim, devotshmëri e profesionalizëm.
Jashari u përcoll me nderime për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës nga një numur i madh familjarësh, miqsh, të afërmish e shokë të punës e jetës nga Homeshi, Bulqiza, Krasta e Tirana. Me ndarjen e parakohëshme nga jeta të Jasharit, familja e të afërmit humbën njeriun e tyre më të shtrenjtë e të dashur, LID humbi një nga intelektualët e shquar të Dibrës në fushën e minierave, ndërsa shokët e shkollës e të punës, njerin nga shokët më të mirë të tyre.
Bashkim Lleshi
Demir Osmani
Tiranë, korrik 2018