Jashar Bunguri, gjeneral i bujqësisë shqiptare


Një pyetje për Bashkinë e Dibrës: A është “qytetar nderi” Jashar Bunguri?

Nga Abdurahim Ashiku
Fitim Bunguri


Ekam të fiksuar portretin e tij në zyrën e kryeagronomit të rrethit të Dibrës në solemnitetin e specialistit dhe të njeriut.
Isha asokohe agronom i mesëm në lokalitetin e Qendrës. Zyrat i kishim në nëndhesen e Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Një kat më lartë, në krah të majtë kur ngjisje shkallët, ishin zyrat e seksionit të bujqësisë; zyra e shefit asokohe Idriz Lala, zyra e ekonomistëve, ajo e krye zooteknikut dhe kryeveterinerit e në qosh, majtas zyra e kryeagronomit.
Ajo që më kishte bërë përshtypje ishte bukurshkrimi i tij dhe paraqitja e evidencave, përmbledhje që i çonim ne agronomët e lokaliteteve dhe raportet që përgatiste. Nuk kam njohur njeri në jetën time që të ketë një kaligrafi kaq të bukur e rregull në drejtshkrimin e gjuhës shqipe e në evidenca.
Bukurshkrimin e tij e gjeta në një fotografi ku shkruante: Gostivar Qershor 1939…
Më vonë, kur mbarova studimet e larta, pak larg me njeri tjetrin në detyra, do ta takoja e admiroja sa shembulli i tij më vlonte e më frymëzonte…
Ky ishte Jashar Bunguri, agronomi, gjenerali i bujqësisë shqiptare e në veçanti asaj dibrane…
Më vonë kur lexova në një maket për historinë e luftës për Çlirimin e vendit nga pushtimi nazi-fashist Jashar Bunguri më doli “me pushkë në dorë” maleve të Dibrës, kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar…
E ndjeja se diçka duhet të fusja në arkivin e shkrimeve të mia për njerëz që i dhanë Dibrës dhe Shqipërisë pa u mburrur dhe ikën duke marrë me vete heshtjen.
Më ndihmoi i biri, Fitim Bunguri…
Kur i dhashë fund e quajta GJENERAL…
Kur t’i dilni në fund rrëfimit do të bashkoheni me mua…
Ai, Jashar Bunguri, ku nuk shkoi dhe ku nuk fitoj betejës së jetës së tij: me pushkë, me penë, me dije, me gërshërën e krasitësit dhe briskun e shartuesit.
Tash e kam të gjerë portretin e një njeriu që do të desha ta shoh me emër e mbiemër në një rrugë të vendeve ku punoi, në një bust atje ku lindi dhe iku…

KUSH ISHTE JASHAR BUNGURI?
Jashar Bunguri u lind më 24 korrik 1916, në Grevë, një fshat pranë Peshkopisë, në një familje fshatare të mesme, me një ekonomi të dorës së tretë. I ati, Zeqiri, nga fisi Bunguri, i vetmi fis ky në Shqipëri dhe vetëm në Grevë, pjesëtarët e të cilit, edhe pse midis tyre tashmë mund të jenë 7-8 brezash kushërinj, vazhdojnë të trajtohen si të afërt.
E ëma e tij Nailja, bashkëshortja e Zeqirit, ishte nga shehlerët e fshatit Vranjt, në një familje të varfër e me pak tokë, por me cilësi të larta morale e etike, motra e Shahin Shehut.
Nailja humbi jetën shumë shpejt e kështu, Jashari mbeti jetim që në moshë minore. Në këto kondita, Zeqiri u martua dhe mori një grua të dytë, Lumnijen, nga Dovolani, e martuar më parë në Dibër të Madhe dhe e mbetur atje e ve me një djalë jetim të cilin ajo e mori me vete dhe e rriti nën kujdesin ekonomik të Zeqirit deri kur ai arriti moshën 16 vjeç dhe u largua për të ndjekur jetën e tij të lirë.
Në vitin 1925-1926, u regjistrua në shkollën fillore të fshatit, ku jepte mësim një mësues nga Kosova. Aty ai tregoi mjaft zell e dëshirë për të mësuar, kështu që, mbështetur në këshillat nga mësuesi i tij, si dhe me ndihmën e influencën e nipërve të Zeqirit, që ishin nga shehlerët e Peshkopisë, në 1928 u regjistrua në shkollën fillore në Kastriot, me bursë të shtetit i sistemuar në internatin e asaj shkolle. Kjo shkollë, megjithëse fillore, kishte një nivel përgatitës shumë të lakmueshëm përçka, shumë nxënës që mbaruan atë, me vonë u futën në punë në shtet dhe treguan se kishin një përgatitje mjaft të mirë.
Në këtë shkollë, Jashari u detyrua që mësimet t’i fillonte që nga klasa e parë. Falë përgatitjes së tij të mëparshme, zellit dhe përkushtimit, arriti që brenda tre viteve t’i merrte të pesë klasat. Në vitin e parë mbaroi klasën e parë e të dytë si dhe tremestrin e parë të klasës së tretë, në të dytin mbaroi klasën e tretë dhe të katërt, në vitin e tretë mbaroi klasën e pestë duke mbaruar kështu komplet shkollën fillore në vitin 1930, në moshën 14 vjeç.
Po atë vit, me mbarimin e verës, për arsye të ecurisë së mirë në mësime dhe rezultateve të mira që kishte arritur, iu akordua e drejta e studimeve më tej, me bursë shteti, në shkollën amerikane teknike Harry Fultz në Tiranë.
Në vitin 1933, për arsye të një grindjeje së bashku me një shok tjetër me një nga profesorët, u përjashtuan një vit nga shkolla. Me disa ndërmjetësime u arrit të vazhdonte mësimin në Shkollën Bujqësore Shqiptaro Amerikane të Kavajës, duke i u njohur vitet e kryera në Tiranë. Në vitin 1935, korrik, mori dëftesën që e shpallte atë teknik të mesëm bujqësor. Këtë shkollë ai e kreu me rezultate shumë të mira. U shpall nxënësi më i mirë i shkollës, dhe emri i tij, për disa vite më vonë, mbeti i pa ndryshuar e i pa konkurruar nga ndonjë tjetër siç do të më deklaronte në vitin 2010, kur unë punoja në Fushe Krujë, një bashkë shok shkolle i tij, emrin e të cilit tani nuk e kujtoj, që gjithashtu kishte mbaruar atë shkollë tre vite me vonë. Për rezultatet e mira në mësime (Jashari zotëronte anglishten, versionin amerikan, në mënyrë ekselente sa, të gjithë anglisht folësit amerikanë me të cilët pati rastin të komunikonte nuk e besonin se e kishte mësuar atë jashtë ndonjë vendi ku anglishtja ishte gjuhë zyrtare dhe e folur).Nga shkolla u përgatitën letrat për të vazhduar studimet e larta në Libi në“Robert Colledge”, shkollë kjo që kishte lidhje me dy shkollat amerikane në Shqipëri, me bursë shteti, por për arsye që nuk u sqaruan kurrë kjo gjë nuk u realizua.

PUNËTOR KRAHU NË FIDANISHTEN XHAFZOTAJ…
Pavarësisht mbarimit të shkollës, duke mos ju siguruar punë nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, fillimisht punoi si punëtor krahu me një grup të punëve botore dhe nga tetori 1936, përsëri punëtor, në fidanishten antifilokserike në Xhafzotaj. Për mungesë fondesh edhe nga kjo punë u ndërpre, e pas shumë përpjekjesh, më vonë u bë kryepunëtor i rrugëve pranë zyrës së punëve botore në Durrës, ku punoi deri ne vitin 1937.

AGJENT BUJQËSOR NË GURI I ZI NË SHKODËR
Pas pak kohe u largua nga kjo punë dhe ndoqi kursin njëmujor në Xhafzotaj, për agjent bujqësor, të cilin e përmbushi me rezultate shumë të mira dhe që me mbarimin e tij u emërua agjent bujqësor në Shkodër, në lokalitetin Guri i Zi. Atje ka vazhduar e ka kryer një punë shumë të mirë e duke lënë kujtime shumë të mira. Një nga bashkë shokët e tij të asaj kohe të quajtur Shuk Radoja e kam njohur personalisht dhe ende i kam në vesh kujtimet e mira dhe fjalët e ngrohta për tim atë.

PJESËMARRËS NË DEMONSTRATËN ANTIFASHISTE…
Në maj të 1938, përsëri për mungesë fondesh u lajmërua për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës por ndërkohë, ai u njoftua për tu paraqitur të kryente shërbimin ushtarak aktiv, shërbim të cilin e kreu pranë Gardës Mbretërore me detyrë llogaritar toge, me grade tetar, ku qëndroi në shërbim deri më 7 prill 1939, shërbim ky që u ndërpre për arsye të okupimit fashist të vendit.
Në prag të pushtimit, me datat 5-6 prill në Tirane u organizuan demonstrata, në përgjigje të rrezikut të para ndjerë. Edhe pse ushtarak ai mori pjesë nëkëto demonstrata.

EMIGRANT NË JUGOSLLAVI…
I pikëlluar thellë nga fatkeqësia që pllakosi Shqipërinë me pushtimin fashist, së bashku edhe me disa të tjerë, me 11 prill, emigruan jashtë Shqipërie, në Jugosllavi.
Qeveria Jugosllave e kohës e Kral Petrit, të gjithë emigrantët i mblodhi në një kamp përqendrimi në Gostivar. Pavarësisht faktit e të qenit emigrant, masa e tyre nuk ishte e njëjtë sa i takon bindjeve. Jashari, bashkë me disa shokë të tjerë me bindje përparimtare, edhe përkundrejt qëndrimeve krejt të kundërta të një pjese tjetër emigrantësh, arritën të formojnë një grup që kishte në përbërje mjaft studentë, punëtorë, zanatçinj etj, në krye të të cilëve dalloheshin disa udhëheqës si Mustafa Gjinishi etj, dhe ku në përbërje mund të përmenden edhe anëtarë të tjerë si Hamit Shijaku, Xhevdet Doda etj.
Grupi do të vazhdonte gjatë e do të kishte ecur përpara, por qëndrimi në Gostivar nuk zgjati shumë. Qeveria shqiptare e asaj kohe nën pushtimin fashist, kohë pas kohe, me nota proteste, kërkonte largimin sa me larg të të gjithë grupimit të emigrantëve, që edhe për arsye të pranisë mes tyre të ish oficerëve dhe zyrtarëve të ndryshëm të Zogut, e konsideronte këtë grupim si një kërcënim potencial për rendin në Shqipëri.
Grupi pat luhatjet e veta sidomos për arsye të depërtimit në të të elementëve të tillë si Sadri Dini e Stavri Bojaxhiu të cilët më vonë vërtetuan se nuk qenë elementë të shëndoshë.
Për arsye edhe të protestave të autoriteteve shqiptare, grupi i emigrantëve me vonë u nda në grupe më të vogla, të cilat u depërtuan në thellësi të vendit deri ne kufi me Rumaninë e Hungarinë, ku qëndruan deri ne pushtimin e Jugosllavisë nga forcat gjermane në vitin 1941, pas të cilit, ata u përqendruan në një kamp përqendrimi në Jugosllavi të vjetër. Në këtë kohë, të ngarkuarit shtetërorë, që merreshin me ndjekjen e emigrantëve në këtë kamp, iu deklaruan atyre se tashmë qeveria jugosllave ka rënë, ata janë pa asnjë mbështetje dhe në këto kondita do të duhej t’i dilnin vetë zot vetvetes dhe fateve.

RRUGA E VËSHTIRË E KTHIMIT NË ATDHE…
Rruga e kthimit u bë në kushtet e mungesës së dokumenteve, udhëtim që falë aftësive të Jasharit që ndërkohë kishte mësuar gjuhen serbo-kroate shkëlqyeshëm, në të folur dhe në folklor, arritën të marrin dokumente fallco duke u deklaruar si tregtarë kosovarë.
Një udhëtim mes peripecive e lëvizjeve tepër të vështira, tepër të rrezikshme për jetën, nga Negotini i Serbisë së Vjetër, në Kosovë, Prizren e mandej në Shqipëri, në Kukës.
Rënia e qeverisë jugosllave, kishte bërë që të ngrinin krye kundërshtitë e vjetra nacionaliste ku serbet vrisnin çdo kalimtar që mbante në kokë një qeleshe të bardhë, shqiptarët nga ana e tyre vrisnin çdo kalimtar që mbante në kokë kasketë duke e konsideruar atë serb dhe të dyja palët vrisnin çdo person që nuk mbante asgjë në kokë. Grupi ka lëvizur, me masa sigurie, duke u transportuar nga një bazë në tjetrën në distanca të shkurtra dhe jo ditën. Shumë nga ata njerëz, që ai i trajtonte më vonë miq, kam pasur rastin t’i takoj edhe vetë personalisht edhe ani pse nuk po ju a përmend këtu emrin, mbeten ndër personat më të nderuar e më të respektuar.
Pas rikthimit në Shqipëri punoi disa kohë në një shoqëri italiane ndërtimore në rrugën Burrel-Peshkopi, si magazinier, për të kaluar më vonë agjent bujqësor, në zyrën e bujqësisë Peshkopi.

ME ARMË NË DORË PËR ÇLIRIMIN E ATDHEUT NGA PUSHTUESIT
Në vitin1942, edhe në Dibër ishin shfaqur elementë të nacional çlirimtares si Nazmi Rushiti, mjeku veteriner Stefan Luarasi, doktor Toma Harito etj. Jashari që gjatë emigracionit, kishte shfaqur afëri dhe aktivitete me elementë progresistë si Mustafa Gjinishi dhe ishte pjekur tek ai plotësisht mendimi për qëndrimin e tij politik, ndaj ai që në fillim ra në kontakt me të sipër përmendurit. Në këtë kohë pat rastin të binte në kontakt edhe me Haxhi Lleshin, në fshatin Grevë.
Në vitin 1943, për arsye sigurie dhe presioni të vazhdueshëm, ndërpreu marrëdhëniet e punës si agjent bujqësor, ai u vu në lidhje me një grup të veçantë i cili bashkëpunonte ngushtësisht, fillimisht me çetën dhe më vonë me batallonin partizan që komandohej nga Haxhi Lleshi.
Mbas kapitullimit të ushtrisë italiane, për arsye edhe të gjuhës angleze, qëndroi disa kohë përkthyes pranë një misioni ushtarak anglez, nga i cili u shkëput në nëntor të vitit 1943.
Me ardhjen në Peshkopi të Brigadës së Parë, të Katërt dhe të Pestë, mori pjesë në të gjitha betejat për çlirimin e Peshkopisë dhe me 18 gusht të 1944, me themelimin e Brigadës së 18–të Sulmuese, u inkuadrua në radhët e saj, fillimisht si partizan e më vonë komandant kompanie që e vazhdoi deri në çlirimin e vendit. Pas kësaj Brigada vazhdoi luftimet jashtë kufijve të Shqipërisë si Kërçovë, Prizren etj.
Në dhjetor 1944 kaloi në Brigadën e Dytë të mbrojtjes së popullit me detyrë komandant kompanie në Shkodër.

DETYRA TË REJA NËPËR ATDHE …
Në shkurt 1945, për të plotësuar nevojat për kuadro në administratën civile, të gjithë kuadrot me formim teknik profesional, u liruan nga detyrat ushtarake. Edhe babai im, doli oficer në lirim me grade n/toger dhe u caktua ndihmës agronom në Peshkopi. Ndërkohë pas 5-6 muajsh falë edhe rekomandimeve u pranua edhe anëtari PKSH.
Në vjeshtë të 1945 u emërua përgjegjës i Seksionit të Bujqësisë dhe Ekonomisë të rrethit për të kaluar nga 1 tetori ndihmës agronom i bujqësisë i qarkut Dibër ku qëndroi nga 1 tetori 1946 deri 31 janar 1947 kur u transferua në Ministrinë e Bujqësisë dhe të pyjeve fillimisht inspektor i degës së kontrollit, e më vonë shef i Seksionit të Planifikimit. Më 16 shkurt 1949 u emërua Drejtor i Teknikumit Bujqësor në Kamzë ku qëndroi deri në fund të prillit të po atij viti. Duke qenë në Ministri të Bujqësisë nga 1.10 deri 1.11 1947 mori pjesë në një kurs special për instruktor në ngritjen dhe organizimin e kooperativave bujqësore, kurs të cilin e kreu me rezultate të shkëlqyera. Më 1 maj 1949 u transferua pranë Komitetit Qendror me detyrë Instruktor pranë Drejtorisë së Bujqësisë ku punoi deri më 31 korrik 1951.

NJOLLA NGA NJOLLAT E KOHËS…
Jashar Bunguri, partizani, agronomi, komunisti nuk i shpëtoi njollave të kohës…
Punimet e plenumit të 11-të të Tiranës dhe dënimi i grupit të deputetëve midis të cilëve edhe ai i Faik Shehut i cili ishte nip i familjes sonë (djali i hallës i babait), nuk kaloi pa reperkusione dhe pasoja për babain dhe familjen tonë. Për arsye se ai nuk bashkëpunoi me sigurimin e shtetit që të bënte dëshmi të rreme në dëm të Faik Shehut, fillimisht u dënua si mos bashkëpunues, por me vonë u hoq edhe nga të qenit anëtar partie.
Dy persona, madje shokë të tij kanë qenë ata të cilët insistuan shumë ta detyronin të depononte në gjyq, që të dy me funksione të larta në parti e që kanë punuar edhe në Dibër (emrat e të cilëve nuk po i bëj publike) qenë ata që përcaktuan edhe vijën ndëshkuese dhe goditëse mbi babanë tim. Që të dy, i kam njohur shumë mirë e më vonë do të dënoheshin nga partia, do të përjashtoheshin, e njeri prej tyre edhe u pushkatua. Tjetrin, pata rastin ta takoj me fillimet e demokracisë. I ardhur në Dibër me detyrë elektorale edhe pse në pension, paturpësisht iu drejtua bashkë shokut të tij edhe ai dikur Sekretar i dytë në Dibër, “ja shoku… këtu kemi djalin e shokut Jasharit, një shok i mirë partie, i cili do të na ndihmojë ne”. E pashë me neveri, dhe i thashë, “Zoti…, unë disponoj të gjitha kujtimet me shkrim të babait tim, përshtypjet që ai kishte për njerëzit dhe emri juaj nuk më del në anën e miqve dhe shokëve e dashamirësve të tij.” Iku i menderosur.

RRUGA E GJATË E QËNDRESËS DHE E PËRKUSHTIMIT PROFESIONAL
Heqja nga partia ishte baras me një pushkatim për atë kohë. Ajo qe pararendësja e një serie lëvizjesh të cilat në thelb ishin dënime. Fillimisht, me 1 gusht 1951, deri 15 janar 1952 si kuadër në dispozicion në Ministrinë e Bujqësisë pa ndonjë detyrë të përcaktuar ku u muar me punë të ndryshme. Por Jashari, për disa, nuk duhej të qëndronte në Ministri të Bujqësisë. Ai u transferua në janar të 1952 kryeagronom në Sektorin e Kullës të NB “8 Nëntori” Sukth, një sektor ky i ri ku përftohej tokë e re përmes shpyllëzimeve ku qëndroi deri në shkurt 1953. Drejtor i NB nëatë kohe ka qenë Kalo Plaku, i cili, pasi e ka thërritur në zyrë, edhe pse nuk njiheshin midis tyre, i ka thënë atij fjalë për fjalë: “Ndigjo Jashar Bunguri, këtu do të ta shtyp kokën si të miut”. Kalua, nuk e njihte tim atë dhe s’kishte arsye të shprehej kështu përveçse të reflektonte çka shprehej në letrat që ndiqnin atë.
Se çfarë ndodhi më vonë me familjen e Plakajve, familje me goxha peshë e goxha merita të veçanta, i dimë mirë të gjithë. Dikush nga ata u arratis, dikush u pushkatua, shumë u internuan, u persekutuan disa edhe u helmuan, një histori kjo mjaft e dhimbshme. Për ironi të fatit nuk qe babai im të cilit t’ia“shtypnin kokën si të miut.”
Pavarësisht, ti themi “armiqve të tij”, të cilët punonin fuqishëm për ta ulur gjithnjë e më poshtë, im atë kishte edhe shokë e miq midis të cilëve Haki Toska, Pirro Dodbiba e tjerë, të cilët, të bindur për pafajësinë e tim eti dhe goditjet e padrejta ndaj tij,shfrytëzonin çdo mundësi që u jepej për ta emëruar nën donjë punë të mirë në pozicion drejtues.
Më 1 dhjetor të vitit 1951 ai emërohet Drejtor NB Ullishtore të Vlorës por që ende pa e marrë detyrën me 8.12.1951 shkarkohet nga kjo detyrë dhe emërohet N/Drejtor, Agronom pranë SMT Kavajë.
Duket se për ata të cilët ndiqnin me interes jetën e tim eti Kulla nuk përbente një pozicion aq ndëshkues. Në shkurt 1953 ai (kuptohet edhe familja jonë) u transferua fillimisht Përgjegjës Sektori, por që më vonë u zbrit në detyrën e Agronomit të sektorit, në Plug, sektor ky i ri, pranë kënetës ku edhe hapej tokë e re, në NB 29 Nëntori Lushnjë. Kur ne shkuam atje gjetëm shumë njerëz, të cilëve u thonim demokratë, (nuk e di as vete për ç’aresye), tëcilët ishin të huaj ende të mbetur në Shqipëri. Midis tyre kishte maqedonas, italianë, grekë etj. shumë prej të cilëve ende i kujtoj mirë, por që do të lëvizeshin nga aty sepse në vend të tyre do të vinin, të internuarit, të dënuarit politikë, ajka e tyre si markagjonajt, mirakajt, agollet, kaloshet etj. Ishte e qartë. Lëvizja ishte e studiuar dhe e paramenduar. Jashari, shpejt do të futet në bashkëpunim me ta, me ndonjërin apo disa prej tyre, do tu bënte favorizime dhe kështu do të kompletohej dosja ndaj tij për ta marrë në përgjegjësi penale dhe për ta kaluar nga i lirë në të dënuar. Im atë, me një përkujdesje brilante, in extremis, u ruajt nga çdo mundësi korruptimi dhe provokimi. Unë atëherë kam qenë në klasë të katërt e fillova të pestën, dhe isha aq i pjekur sa të kuptoja gjithçka ndodhte rreth nesh.
ARKITEKT I BUJQËSISË SË RE DIBRANE…
Krahas kujdesit dhe maturisë së vazhduar, im atë, nisur edhe nga fakti se të dy pleqtë e tij, në moshë goxha të shtyrë kishin mbetur vetëm e pa mbështetje, (por jo vetëm për këtë), edhe për t’ju larguar rrezikshmërisë potenciale që paraqiste qëndrimi i tij atje, u kthye në Dibër ku u emërua N/Drejtor dhe Agronom i SMT, detyrë të cilën e mbajti deri kur në vend të tij u emërua një njeri tjetër agronom me arsim të lartë. Pranë SMT ai punoi deri 31 dhjetor 1956.
Me 1 janar 1957, me vendim të Byrosë të KP të Rrethit u emërua agronom i II-të i rrethit e që më vonë, për 14 muaj u emërua e punoi Drejtor i Ndërmarrjes Lokale Bujqësore Peshkopi. Këtu ai bëri shumë punë në bashkëpunim me shokë të tij të vjetër si Xhavid Hysa, Met Hajrullai, Sadik Papuli, Sabri Kaba, Xhevat Xhidra (nga Kërçishti) e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani, duke ngritur kështu fidanishten e parë, përzgjedhjen e kultivarëve më të mira të ershive, kumbullave e hardhive vendase të Dibrës, si dhe përgatitjen e frutikultorëve dhe specialistëve krasitës të Dibrës të cilët u bënë më vonë emblematikë në punën e tyre dhe krenaria e Dibrës në këtë fushë duke e shndërruar atë në një shkollë të vërtetë të pemëtarisë moderne.
Me 1 maj 1960, me largimin e ish k/agronomit te rrethit, Adil Maksuti, ai u emërua k/agronom, detyrë të cilën e mbajti deri me 30 shtator 1960, kohë në të cilën u emërua Kryetar i Kooperativës Bujqësore Melan e ku qëndroi deri në shkurt të 1961 kur u rikthye në detyrën e k/agronomit të rrethit.
Jeta e vështirë që në fillimet e saja, që në mbetjen jetim, peripecitë e ndryshme, sidomos ato që lidhen me periudhën pas përjashtimit nga partia sidomos, nuk do të kalonin pa pasoja përshëndetin e tij. U shfaqën shenjat e para të pakësonit, nga vitet ’60-të e cila u konfirmua me vonë nga vizita në Tiranë në klinikën e neurologjisë nga Dr. Prof. Bajram Preza. Ky do të ishte pushkatimi i dytë për tim atë. I përgatitur, me një kulturë të gjerë, shumë dije prej të cilave i siguroi si studiues autodidakt, ai ishte i ndërgjegjshëm për pasojat e rënda të asaj sëmundjeje, por që kurrë nuk i u nënshtrua, kurrë nuk paraqiti ndonjë rënie a demoralizim, përkundrazi deri në fund ai qëndroi luftarak.
Pas një pune katërvjeçare në drejtim të Degës së Farërave e cila i u ofrua si një punë më e qetë, në 1966, me rekomandim po të Dr. Prezes, Komisioni Mjeko-Ligjor i Dibrës e kaloi atë në pension invaliditeti të shkalles së dytë ku për 20 vjet deri në vdekjen e tij, falë mjekimeve, kujdesit të vazhduar e të pandërprerë të mamasë sime, bashkëshortes se tij Dilfiruzit, një grua sa punëtore aq e fisme, e palodhur, që për mua do të mbetet simboli i bashkëshortes ideale, ai mundi t’i rezistojë asaj sëmundjeje. Për fatin e saj të zi dhe për ironi të fatit, 20 vite më vonë si për t’i rikujtuar dramën e tmerrshme që kaloi me tim atë, ajo po ashtu përfundoi me parkinson, a thua se ky ishte shpërblimi për sakrificën e saj.
Do të desha po ashtu, duke përfituar nga rasti, se një kontributore mjaft e rëndësishme në mbështetjen ndaj tim eti fillimisht, por më vonë edhe ndaj mamasë sime, ka qenë edhe bashkëshortja ime Mukadesi, bijë e Piperkëve, një grua kryeulët, e urtë e pajisur me të gjitha cilësitë më të mira të cilës nuk do të mund t’ia shpërblej dot kurrë. Ajo i trajtoi prindërit e mi dhe iu shërbeu atyre sikur të ishin prindërit e vet, bile më shumë se vetë prindërve të vet.
Pavarësisht faktit që im atë përfundoi në pension me parkinson, mbështetur edhe mbi rekomandimin e Dr.Prezës, u kërkua dhënia e lejes për ndërtimin e një shtëpie private, me oborr d.m.th. me bahçe ku të mund të ushtrohej në punë fizike dhe tërmeti i 67-ës e gjeti shtëpinë tonë karabina. Falë edhe saj, im atë vazhdoi të zhvillonte punën me pemëtariçka ishte pasioni i tij duke ndërtuarnjë bahçe modeste por edhe model të cilën që të gjithë ata që e shikonin e vlerësonin pa masë, sa që nuk kanë qenë të rralla rastet kur njerëz të ndryshëm, që nuk na njihnin, duke kërkuar të takonin Haxhi Lleshin, i cili vinte shpesh në pushime në shtëpinë e pritjes, gabimisht drejtoheshin tek shtëpia jonë duke menduar se ajo ishte shtëpia e pritjes.
Jashari, pavarësisht sëmundjes, raportet me shokët e miqtë e tij të punës i mbajti të gjalla deri në fund. Parkinsoni i kufizoi lëvizjen fizike por logjika e tij dhe memoria mbetën të paprekura e të admirueshme deri në fund. Gjithë jetën e kishte zhvilluar anën e tij të intelektit. Ai ishte një studiues i pa ndërprerë dhe një mësues e përvetësues i gjuhëve të huaja. Ai fliste ekselent anglishten, ekselent serbo-kroatishten, fliste mirë italishten, dhe me hapjen e kurseve të para u fut dhe mësoi goxha rusishten.

I DASHURUAR ME SKENËN DHE KËNGËN…
Por babai, kishte edhe një dimension tjetër. Ndonëse shumë i zënë me punë, ai e dashuronte artin skenik. Ai mori pjese në ekzekutimin e pjesës teatrale “Lulja e Kujtimit”, në rolin e Kristos si dhe rolin e Bejto Flakës tek komedia” Kthimi” të Jonuz Dinit. Për të dy ato role ka mare çmime lavdëruese. Im atë gjithashtu ishte një këngëtar shumë i mirë, kishte njëzë burrëror e të plotë, vesh muzikor të shkëlqyer, ndonëse nuk e ushtroi zërin e tij. Ai, që në shkollën amerikane, mësoi dhe iu binte mandolinës dhe violinës vegla që kanë qenë nështëpinë tonë deri në 1966. Ka qenë ndër të parët që ka realizuar fotografi. Kishte një aparat ZeissIkon i cili punonte me pllaka xhami.
Për merita lufte, për kontributin e madh në mbështetje të lëvizjes, pasi im atë por edhe ati i tij Zeqiri, ndonëse i madh në moshë, merrnin pjesë aktive në luftë dhe shtëpia jone në Grevë shërbente si bazë lufte. Për këtë arsye, si mase represive, ajo shtëpi u dogj, madje dy herë. Ishte e vetmja shtëpi në Grevë e cila u dogj, e që u rindërtua mbas luftës, por e cila për ironi të fatit dhe për turp të atyre që e bënë nuk u shpall kurrë bazë lufte dhe nuk i u vendos pllaka përkujtimore.
Pavarësisht kësaj babai vetë mori medaljen e trimërisë e të kujtimit si dhe medalje të tjera dhe mori pensionin shtesë si veteran lufte deri në fund. Jo pse është babai im por kam qenë dhe jam tepër krenar për një prind si ai, model që më ka udhëhequr gjithë kohës e gjithë jetës sime.
Shënim: Një pyetje për Bashkinë e Dibrës: A është “qytetar nderi” Jashar Bunguri?