Peshkopia ndodhet në të dy anët e lumit Drin?!


Çudi të çuditshmish në internet!
Thonë pa kandar në brez:
– Peshkopia e paska marrë emrin nga greqishtja!?
– Peshkopia u ndodhka në të dy anët e lumit Drin!?

Një mik i viteve të emigracionit, lexues i pasionuar i gjuhës shqipe, megjithëse ka gjashtëdhjetë vjet larguar, më thoshte se në qoftë se donë të vlerësosh një enciklopedi apo një libër, kërko atë që njeh më shumë.
Më është bërë zakon një gjë e tillë sa herë hap faqet e ndonjë enciklopedie apo futem në internet. Kështu më ndodhi edhe kur një ditë u futa në faqen e www.shqipëria.com. Pashë që në adresën e qyteteve të Shqipërisë ishte edhe qyteti i Peshkopisë. E shtypa “miun” dhe para meje u shfaq:
…Një fotografi që e sheh Peshkopinë pas pemëve të një blloku të vjetër frutorë…
Një tjetër që sheh malet në lindje të ngarkuara me borë me Valivarin e bjeshkët e bardha të Hynoskës…
Një tjetër me një hurdhë uji dhe një mal të panjohur me plloça bore…
Dhe një shënim:

Peshkopia ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë. Fjala Peshkopi rrjedh nga greqishtja e vjetër “episcopi”, që do të thotë residence e peshkopit. Për here të parë është përmendur në një dokument të shekullit të XV. Qyteti është një bazë për të vizituar parkun kombëtar të Lurës si dhe është i njohur për Llixhat (ujërat termale te tij).

Më poshtë…
Peshkopia është qytet në Shqipërinë verilindore. Peshkopia ndodhet në të dy anët e Lumit Drin. Lugina e Drinit është pjesa më e ulët e rrethit.
Në afërsi të Peshkopisë ndodhet dhe mali më i lartë i Shqipërisë , Mali i Korabit (2751m)
U befasova. Emrin Peshkopia e paska marrë nga greqishtja e vjetër, nga fjala “episkopi” !?
Gjatë këtyre viteve emigrimi në shtetin Helen di që shumë e shumë shqiptarë (madje edhe prej Dibre, Shkodre apo Tropoje), me falsifikime dokumentesh (duke i ardhur për shtat qarqeve ekstreme vendase) janë bërë “vorioepirotë”, kanë ndërruar emër e atësi, janë kunguar në kazanin e priftit dhe janë bërë “ortodoksë”. Nuk i akuzoj e gjykoj. E kanë bërë dhe e bëjnë për të mbijetuar ashtu siç e ka bërë në shekuj shqiptari duke e ndërruar fenë nga katolik në ortodoks e më pas në mysliman, madje duke qenë dy vëllezër të një nëne e babai, njeri katolik dhe tjetri mysliman, siç ka ndodhur në Lurë.
Por ajo që më çudit është pse ndonjë shkrues i vendit tim, i dashuruar pas fjalëve të huaja e nxjerr Peshkopinë “episkopi”, e nxjerr sikur ajo është krijuar nga kisha greke, e shtrinë “vorioepiritizmin” në rrëzë të Korabit?
Nuk e di pse gjuhëtarët tanë nuk e kërkojnë fjalën Peshkopi tek dialekti vendas, ai i fushës dhe i maleve të Dibrës, tek shqiptimi Peshpaj apo Peshpoj që një gjuhëtar dhe historian dibran e lidh me fjalën e drejt shkruar sot: – Pesë-shtëpi, Peshkëpi, Peshkopi…
Shumë fjalë të të folmes dibrane ka ndodhë që të “përkthehen” jo vetëm nga sllavishtja apo nga ndonjë ndikim turk por edhe nga shqipja e thjeshtë. Gjuricasit i thërrasin katundit të tyre Gjuricë në kuptim të gurëve që sjellin Drini i Zi dhe Zalli. Ne, në regjistrat zyrtarë i themi Gjoricë…
Nuk do të vazhdoj më tej, po ia lejë vendin Hajri Shehut të hulumtojë… Tjetër gjë përsëri më mërzit…
Peshkopia ndodhet në të dy anët e Lumit Drin. Lugina e Drinit është pjesa më e ulët e rrethit…
Që Peshkopia nuk ndodhet në të dy anët e Lumit Drin, (por në të dy anët e përroit që në rrjedhën e tij merr emrat e fshatrave nga rrjedh e kalon-Përroi i Bellovës, Përroi i Llixhave, Përroi i Peshkopisë, Përroi i Dohoshishtit, Përroi i Selanes…) këtë e dinë jo vetëm vendasit por edhe ndonjë udhëtar i rastit që kalimthi ka kaluar nëpër këtë qytet.
…Kështu ndodh kur historia, gjuhësia dhe gjeografia shkruhen me këmbë…