Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë rrëzoi të premten padinë e 11 banorëve të fshatit Çidhën në Dibër, për shfuqizimin e pjesshëm të kontratës koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit SETA 4.
Kjo çështje kishte si relator gjyqtarin Avni Sejdi, ndërsa vendimi u mor me shumicë votash. Gjykata u shpreh se banorët nuk i kishin provuar pretendimet e tyre se HEC cënonte zonat e mbrojtura. Banorët i thanë BIRN se do të apelonin vendimin.
Avokati i kompanisë dhe Ministria e Energjitikës dhe Industrisë që po ashtu përfaqësohej në gjyq, mbajtën qëndrim se HEC-i ishte brenda rregullave dhe nuk cenonte zonat e mbrojtura.
Në vitin 2015-të, në Njësinë Administrative Arras dhe Lurë, të Qarkut Dibër, Këshilli Kombëtar i Territorit, miratoi ndërtimin e 4 HEC-eve në luginën e lumit Seta nga kompania “HYDROSETA POËER”. Sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, kjo është një zonë e mbrojtur, si monument natyre me VKM- 676 datë 20 dhjetor 2002, me burimin dhe Shpellën e Sopanikës.
Banorët në kërkesë padinë e tyre, kërkuan shfuqizimin e pjesshëm të kontratës koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit SETA 4, pasi nga 4 kanione që janë në zonë me statusin si zonë e mbrojtur, gjurma e HEC-it prek në 2 prej tyre.
Mustafa Tola, një prej banorëve të kësaj zone që ka ndjekur të gjitha seancat gjyqësore u shpreh për BIRN se një vendim i tillë është i pa bazuar në fakte. “Ne nuk kundërshtojmë 3 HEC-et e tjera që po ndërtohen, por të katërtin. Pjesa fundore e kanionit të Setës prej 5 km po punohet të futet në tub, gjithashtu edhe burimet ujore të mrekullueshme. Gryka e Setës ka 4 kanione që janë në zonë të mbrojtur dhe ndërtimi i hidrocentralit Seta 4, gjurma e tubacionit prek në 2 kanione që janë zonë e mbrojtur me VKM”, deklaroi Tola për BIRN.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh gjatë seancës gjyqësore se banorët nuk kanë provuar një interes të ligjshëm dhe të drejtpërdrejtë që ju cënohet me ndërtimin e këtij HEC-i.
“Sipas ligjit për zonat e mbrojtura, ku përfshihen edhe burimi dhe shpella e Sopanikës, por edhe gryka e Setës rezulton që nuk preken në këtë rast nga ndërtimi i hidrocentraleve”, u shpreh në seancën gjyqësore, përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përplasja gjyqësore ndërmjet banorëve dhe kompanisë ka nisur që prej 27 korrikut 2017-të dhe për 17 muaj janë zhvilluar mbi 20 seanca gjyqësore dhe 2 ekspert të caktuar nga gjykata.
Për banorët, akt-ekspertimi nuk ka qenë plotësisht i pranueshëm. Mustafa Tola, tregon për BIRN se ekspertja e vendosur nga gjykata, nën trysninë e firmës ka bërë devijime në raportin e prezantuar para trupës gjykuese. “Monument natyre është shpallur gryka e Setës, pjesa më e ngushtë dhe më e thellë, aty ku rrjedh lumi dhe ku janë burimet ujore. Por ekspertja ka thënë të kundërtën, duke e çuar atë në bjeshkë, ku nuk ka burime ujore dhe pa asnjë cilësi për të qenë monument natyre”, shprehet Tola për BIRN.
Për banorët e fshatit Çidhën, ndërtimi i 4 HEC-eve po sjell shkatërrimin e biodiversitetit, pasi në ujërat e lumit Seta jetojnë një sërë gjallesash, ku më i rëndësishmi është peshku troftë që me ndërtimin e këtij HEC-i do të zhduken.
Banorët pretendojnë se zona ka edhe rëndësi arkeologjike. Halil Xheqi, një prej banorëve të Çidhnës shprehet se zona ka një prani të madhe të gjetjeve arkeologjike dhe kërkonte një trajtesë të thelluar në këtë drejtim.
“Pa një arkeolog që të monitoroj punimet, po i bëhet një masakër historisë”, u shpreh Xheqi për BIRN, ndërsa tha se vendimi ishte i pritshëm.
Në gusht të 2017-s, 20 banorë të fshatit Çidhën u proceduan penalisht nga Policia e Shtetit, pasi kishin tentuar të bllokonin punimet e kompanisë në hidrocentralin Seta 4.
Për banorët dhe avokatët e tyre që këtë çështje po e mbulojnë vullnetarisht, “beteja ligjore” kundër kompanisë dhe institucioneve shtetërore do të vazhdojë në Gjykatën Administrative të apelit.
(www.reporter.al)