Shteti shqiptar duhet ta kishte pritur Dom Nikollë Kaçorrin në aeroportin “Nënë Tereza”, ta kishte pritur me tërë protokollin e tij shtetëror, që nga Presidenti, Kryeministri dhe gjithë të tjerët. Ishte rasti që shteti shqiptar të shtronte “qilimin e kuq”, të rreshtonte truprojën e nderit, ta shoqëronte me marsh funebër pritjen në tokën e tij Nikollë Kaçorrin, pse jo ta ulte në gjysmë shtize Flamurin Kombëtar, atë simbol që ai e mbajti mbështjellë pas trupit për 94 vjet…
Nga: ABDURAHIM ASHIKU
Nikollë Kaçorri lindi në Krej – Lurë në vitin 1862…
Kush ka udhëtuar drejt Lurës, pasi ka kaluar Kurbneshin dhe Mërkurthin, qafën që ndanë Dibrën me Mirditën, nuk ka se si të mos jetë befasuar me ato livadhe në prehër të maleve, me pyjet e pishës, bredhit dhe arnenit, me blegërimën e deleve dhe qengjave në kullotë e këngët e thëllëzave labirinteve të barit në lulëzim, me Krejë – Lurën, lulen e bukur në tufën e lulefshatrave me emër të përveçëm e mbiemër të njëjtë: Krej – Lurë, Fushë – Lurë, Pregj – Lurë, Borie – Lurë, Gurë – Lurë…
Këtu e kaloi fëmijërinë Nikollë Kaçorri, midis Kaçorrëve të vjetër e të rinj, fisi më i madh i Krej – Lurës, e kaloi në gjirin e Luginës së thepisur të Mallës, lumë që mjel gjinjtë e liqeneve të Lurës lart maleve, Zabelit të Nikës mbushur me tregime e legjenda, Shkëmbit të Kuq që i qëndron fshatit si shpatull e Pregj – Lurës si monument, Bjeshkës së Lugjeve në zemër të së cilës sa herë flladiti ballin me ujin e burimit të ftohtë…
Një fotografi midis “kaçorrëve” dhe të tjerë të Krej – Lurës më ka ardhur mes relikteve të kohës së shkuar deri këtu në emigracion.…
Lexo më shumë