Qershor 2019 – “Burrat e Dibrës janë dembelë”. Kështu thonin statistikat në fillim të majit, por u desh qershori që të tregonte të kundërtën: që burrat e Dibrës janë burra zamani. Kur i do të fortë, muskujt tregojnë; kur i do të zgjuar, me hile ta dëftojnë; kur i do të fjalës – llafin ata mbajnë; në i do të pushkës – plumbin ta tregojnë, në i do n’protesta – hurin me vete kanë; në i do për vota – tërmet ata e bëjnë…
Burra gjithkund: burra në zgjedhje, burra kundër zgjedhjeve; burra në protestë, burra kundër protestës, burra gazetarë, burra opozitarë, burra në përgjim, burra në vendim, burra në kuvend, burra në bashki, burra në fushatë, burra në burg, burra në polici, burra në vaki… Burra gjithkund, por gratë kurrkund…
E si u doli nami burrave, i thirrën të pastrojnë edhe plehrat e katundeve, por aty u tërhoqën: me llomet merren gratë… Jo se burrat nuk e bëjnë, por këtu hyn statistika: Jo të gjitha punët janë për burrat…
Por ndonjëherë punët i bëjnë bashkë burrat edhe gratë: kur gratë lajnë shtëpinë – burrat lajnë qeverinë; kur gratë mjelin lopët – burrat mjelin shtetin; kur gratë mbajnë llogaritë e shtëpisë – burrat mbajnë llogaritë e tenderave; kur gratë skuqin mishin – burrat pjekin presidentin; kur gratë merren me thashetheme për burrat e fshatit – burrat marrin nëpër gojë burrat e shtetit… Kur ndonjëherë mes burrash bie fjala për gratë, aty bëhen seriozë: janë punë burrash e nuk tregohen n’katund…
E si përfundim: burrat dolën kundër zgjedhjeve, por burrat i bënë zgjedhjet; burrat dorëzuan mandatin dhe burrat morën mandatin, burrat shkuan në burg, por burrat i arrestuan; burrat hodhën molotovë në protesta dhe burrat u plagosën; burrë ishte gazetari që xhironte me telefon; por burra ishin edhe policët që ia thyen; burra ata që shkuan në votime; burra ata që penguan votimet. Burra ata që i numëruan, burra ata që fituan… Me pak fjalë: ngado punë burrash…
Edhe “Portokallia” që shkoi këtë qershor nga Bulqiza e Dibra, burra ngjiti në skenë…
Edhe tunelin Shëngjun – Bulqizë burrat e hapën dhe po burrat e shembën edhe tunelin e Murrizit.
Edhe në Rrugën e Arbërit që po ndërtohet, burrat e dinë kur mbaron…
Iku qershori me punë burrash dhe kështu si e kanë nisur, grave u vjen radha në vjeshtë…
Ndaj bien poshtë statistikat e qeverisë: dembelët e mëdhenj në Dibër, burrat s’janë…